top of page

Lulet e vyshkura


Festa e Mësuesit atë vit qëllonte ditën e fundit të javës mësimore. Klasat, me miratimin e drejtorisë, kishin planifikuar aktivitete të veçanta brenda tyre dhe një aktivitet të përbashkët artistiko-sportiv në nivel shkolle. Përgatitjet bëheshin në orët e edukimit fizik, edukimit figurativ, edukimit muzikor dhe pas përfundimit të mësimit. Nxënësit vraponin andej – këtej, për të marrë pjesë në lojrat sportive e grupet artistike, sa te përgatitjet për klasat edhe te përgatitjet për shkollën. Atmosfera e gëzueshme, me afrimin e Datës-Festë, rritej edhe për faktin se shkolla ishte e mesme artistike në kryeqytet. Fytyrat e nxënësve dukeshin më të qeshura. Ata ishin më të gëzuar, lëviznin më shpejt nëpër korridore, uleshin e ngjiteshin nga njëri kat te tjetri, dilnin në oborr e flitnin me zë të lartë. Me të mbaruar mësimin vraponin për të shkuar pranë mësuesve që i drejtonin, për të filluar nga provat e koncerteve apo ndeshjet sportive. Mësuesit kujdestarë ishin në krye të klasave. Prania e tyre nxënësve sikur u jepte më shumë siguri e ngrohtësi. Pyetjet nuk kishin fund. “Hë mësues si t’u duk ajo kënga ime ?”,“Të mbaj këtë veshje apo të blej ndonjë kostum tjetër ?”, “ S’i i bëja lëvizjet tek ai kërcimi ?”, “Ku isha më mirë, në sulm apo në mbrojtje ?”, “ E pe çfarë goli realizova në pozicion diagonal ?”, “ Më i saktë isha nën tabelë te koshi, apo jashtë zonës ?”. . Dy ditë para festës, në fund të orës së mësimit kur isha duke mbyllur regjistrin, dy-tre nxënës, djem, më hodhën fjalë si për t’më ngacmuar. -Se mos na mungon pasnesër mësues ? Ju u kemi si shans për të marrë fitore edhe në futboll edhe në basketboll. Ke për t’na parë ! -Patjetër që do të jem,- u dhashë siguri duke qeshur. - Veç mbani fjalën. Jo vetëm nxënësit që pyetën, por edhe disa të tjerë, madje dhe vajzat fërkuan duart nga siguria që morën prej fjalëve të mia. Natyrisht unë e kuptova se, veç kënaqësisë që u jepte prania ime në aktivitete, ata dukej se më pyetën për kulmin kur do të më dhuronin një tufë lulesh me aq trëndafila, karafila e zambakë sa ishe numri i tyre. Unë e kisha bërë si rregull që, me të shkuar në shtëpi, lulet i futja në një vazo të madhe me ujë, për t’ua ruajtur freskinë sa më gjatë. Sa herë që shikoja drejt tyre më dukej sikur i kisha të gjithë nxënësit para syve. Ishte viti i tretë që i kisha në kujdestari. Nuk më kishin krijuar asnjë lloj problemi me kolegët dhe koleget. Edhe marrëdhëniet me njëri –tjetrin i kishin ndërtuar të qëndrueshme. E nesërmja ishte dita e fundit e përgatitjeve. Në mëngjes kur arrita në shkollë, në katin e parë u përshëndeta me drejtoreshën. Ishim kolegë prej njëzet vitesh tek ajo shkollë. Ajo jepte lëndën e matematikës, ndërsa unë letërsi. Në drejtim ishte ngritur para katër vitesh, gjë që nuk kishte sjellë asnjë ndryshim në respektin e ndërsjelltë. Shkallët për te kati i dytë, ku ishte edhe drejtoria, i ngjitëm bashkë. – Dëgjo,- më erdhi zëri i saj i qetë dhe i ngadaltë, por si për t’u shkarkuar, kur arritëm te sheshpushimi midis dy kateve, pas shkëmbimit të përshëndetjeve të zakonshme,- ata të drejtorisë arsimore po bëjnë ca lëvizje mësuesish. – E mbi ç’kritere ?- e pyeta për t’i ushqyer bisedën, pasi e mendova indiferent emrin tim në këtë rast. – E dinë ata. Nuk na marrin asnjë lloj mendimi. Deri tani kemi shpëtuar si shkollë. Të gjithë mësuesit janë të përkushtuar dhe punët na ecin mirë. Por mos e paçim fat, s’e del ndonjë “i fortë” që kërkon të vijë e, s’na pyet kush, jemi a s’jemi dakord. Kishim arritur para sallës së mësuesve që ishte tre dyer para drejtorisë. – Deri sa nuk ju marin mendim s’keni pse të ndiheni e tunduar, - i thashë para se të ndaheshim e të futesha në sallë. . Kisha pesë orë mësim rresht dhe dita kaloi hyr e dil nga njëra klasë te tjetra. Kur ishte duke mbaruar ora e pestë, ndoshta donte edhe pesë minuta, një nga koleget erdhi te klasa që kisha mësim dhe, më tha se po më priste drejtoresha në zyrë. Porosita nxënësit të mos bënin zhurmë dhe dola. Drejtoria ishte afër dhe për katër hapa isha para derës. Nuk pata kohë të mendoja asgjë. Pas trokitjes sime dëgjova “Mund të hyni !”. Shtyva derën. Në krye të tavolinës në formë “T”-je, drejtoresha dukej si e ngurosur mbi kolltuk. Mollëzat e faqeve që përherë i rrinin të kuqe i ishin zverdhur si gjethe dushku në vjeshtë. Midis duarve, mbi tavolinë, lëvizte një fletë formati. Vështrimin e kishte mbërthyer tek dy rreshta të shkruar mbi atë fletë. – Më kërkuat ,- fola shumë i kujdesshëm kur e pashë në atë gjendje, sa që mendova se ndoshta kisha hyrë gabimisht. – Po, po, - dëgjova thatë nga kreu i tavolinës. – Ulu ! Ashtu bëra. Vazhdoja të shikoja në drejtim të saj, i vëmendshëm për ta dëgjuar. – Në mëngjes të thashë shpëtuam, por ja që nuk shpëtuam dot, – erdhi zëri i saj deri tek unë dhe pashë një fletë që e tundte me dorën e djathtë. – Eh, drejtoreshë, deri sa gjërat nuk varen nga ju… Po për kë bëhet fjalë ? Mblodhi buzët dhe sikur s’po i bëhej për të folur. Kaloi fletën nga dora e djathtë tek e majta, pastaj përsëri e përcolli tek e djathta. – Ç’të të them ?! - mezi shqiptoi pas disa sekondash. – Nuk dua ta besoj, por te kjo fletë është emri i juaj. Këtu, pra te shkolla jonë kanë emëruar dikë tjetër. Komunikova me telefon. Përpjekje e kotë. Jam e pafuqishme.Të kanë kaluar në ndonjë shkollë tjetër apo në listat e pritmërisë, nuk mund të them dot asgjë. Nesër që në mëngjes duhet të paraqitesh pranë drejtorisë arsimore.

Kondicioneri punonte dhe ajri ishte i freskët, por një afsh i nxehtë ma mbluloi gjithë trupin. Pata një si këputje. Mu duk sikur më gozhduan te karrikja dhe nuk kisha fuqi, as të flisja, as të ngrihesha për të dalë. – Kalo qysh sot andej nga zyrat,- më përmendi zëri i drejtoreshës,- se nesër është ditë feste dhe në to ndoshta nuk qëndron njeri. Ashtu i trullosur u ngrita ngadalë, përshëndeta drejtoreshën dhe dola. Zbrita shkallët, përshkova oborrin pa takuar asnjë nga kolegët. Ecja jo si me këmbët e mia, por të tjetërkujt. Mora rrugën që të nxirrte te drejtoria arsimore. Aty, nëpër shkallë dhe koridor, u shkëmbeva me mësues që dukeshin sikur flisnin me vete. Të gëzuar nuk ndesha asnjë. Ndoshta atyre ua përcillnin njoftimet në tjetër rrugë. Nuk më dhanë asnjë sqarim, edhe pse këmbëngula. Më thanë shkurt se do të kaloja në pritmëri. Kështu, kur në ndonjë shkollë të mungonte dikush në profilin tim, mund të më njoftonin për zëvendësim. Në dorë, përgjegjësja e burimeve njerëzore, më dha një fletë të vulosur dhe të firmosur nga titullarja. Në se nuk dëshiroja, edhe te ajo listë mund të më zëvendësonin. “ Radha, tjetri ! “, - lëshoi ajo zë duke parë nga dera, që unë të kuptoja se bashkë kishim mbaruar. . Po, kishim mbaruar ! Nuk isha në ëndërr ! Nuk isha në gjumë ! Nuk ishte natë ! Jo ! Ishte mesditë. Isha zgjuar. Ishte reale. Vendosnin të tjerët. Të nesërmen nuk do të shkoja në punë. Për Festë nuk do t’më dhurohej tufa me lule. Ajo do të vyshkej atje, mbi tavolinën e klasës, pa e parë dhe e prekur unë.

35 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page