Cikel poetik
NGA PANAJOT BOLI
LULEN TA ZGJODHA TË VERDHË
Lulen me petale të verdha zgjodha për ty
Që qesh e lumtur si fëmijë,e i ngjan diellit
Rritur majë shkembit si kapedane krenare
Nga malet e fshatit tim,nën kupën e qiellit
Nuk e rrita me pekule në vazo në ballkon
Ta mbroj nga murlani,ta mbuloj me xham
Nuk e desha delikate të të vyshket në dorë
Por gjithë aromat e malit,burrneshë tamam.
Lule burrneshë të solla me rrenjë te shkembi
Ku rri me shqiponjën bashkë e flet me zana
Me thellëzën zgjohet herët e dashuron diellin
Jo,s’është Laura e Petrarkës, por e jona Tana
NIS KY SHPIRT...
Mali s’e mbajti gazin e buroi në një krua
Shi hodhi qielli,u bashkuan në një përrua
Përrenjtë u dashuruan,linden lumë të gjatë
S’u ngopen lumenjtë e bënë det të pamatë.
Vesë ra në shpirtin tim,nën rreze u përflak
U pikua,u bë lume e një varkë që quhet gjak.
Mori udhën te liqeni, te liqeni me emrin Sy
Me magji na e ktheu në lot,të rigojë dashuri.
U shkri përroi,u shkri lumi e u bë i madhi det
Shpirti im ka një liqen,një pasqyrë të vertetë.
Nis ky shpirt, herë një perrua, herë një lumë
Te liqeni i dashuruar, te liqeni që rri pagjum
MËNGJESI HUMBI UDHËN
Në qepallat e tua ca re u ulen papritur
Qerpikët levizen me nxitim porsi vela
U çngjyros liqeni i syve si ditë vjeshte
Mbi violinën,ca nota vaji ngelen në tela
Yjet e hëna merdhijnë në qiellin akull
U hutua edhe kanarina në kafazin e saj
Në jastekun e bardhë një hartë skicohet
Një reliev i thyer i një dashurie të pafaj
Sensi i kohës humbi aty në të përenduar
Dielli ngeli varur,deti si fëmjë e përkund
I përvuajtur shpirti perpilitet në dyshek
Dhe labirinthi i natës, i errët dhe i pafund
Harron shpesh ora me tiktakun të numëroj
Pagjumësia me sy të buhavitur seç rënkon
Dritarja e dhomës akoma nuk po zbardhet
Mëngjesi humbi udhën e kushedi sa vonon
DHËMBJA KA LINDJE...
Kënga ka shpirt
Të çon nga varri
Lulja ka bukurinë
Të ngroh si zjarri
Mëngjesi dashuri
Lindje ngjyrë ari.
Dhëmbja ka lindje
Shperthen si burbuqe
Endrra nxjerr krah
Çel porsi lulekuqe
Zemra bëhet det
Me naze dhe huqe
Comments