top of page

Lugati i Kënetës


Lugati i Kënetës (Mbështetur në një histori të vërtetë, treguar nga Halim B.)


Nga Agim Bacelli


“I dashur Agim. Mbaj mënd një punëtor të ri kënete që ishte dhe poet popullor në fshatin e Maliqit, ai thirrej Zalo Greku, i cili kishte thurur disa vargje për Kapter Zalon apo Zalo Monstrën. Nëse s'të mërzis po t"i them disa nga ato vargje që mbaj mend?


O Zalo Lugati, S’ je njeri por egërsirë! Edhe ujku para teje, Një qind herë më i mirë!

O katil e xhahil, Sterrë jashtë e brenda! Nga era e ndryrë, Ta ka zili edhe fenda!...Etj., etj.


Që mos të mërzit po e le me kaq vjershën megjithëse mbaj mënd edhe disa vargje të tjera që janë po aq banale sa ato dy të fundit. E di që ti, mezi pret që të vazhdoj historinë e Monstrës. Kapter Zalo Lugati megjithëse ishte i martuar, shtëpia e tij ishte burgu. Ai vinte çdo mëngjes nga Korça së bashku me ne që ishim rreth 2000 të burgosur dhe ngrinte çadrën e tij në kodrën e Vloçishtit, afër rrugës nacionale Korçë –Tiranë, pikërisht atje ku është Gryka e Pocestës. Ne me Zalon largoheshim nga këneta vetëm kur errësohej. Kapteri i ngjante kaq shumë drejtorit të tonë një farë Tasi Marko. Tasi Kokëshiniku i thoshim pasi ishte si një kokëshinik. E di ti ç'është shiniku? Ata ngjanin jo vetëm nga pamja por edhe nga shpirti dhe kjo qe arsyeja që Zalo Lugati ndihej sikur të ishte vëllai binjak i drejtorit.”

Halimi ndali tregimin sepse ju tha gryka. Ishte ditë vere dhe bënte vapë. Ne të dy pushonin në parkun “Shore Road Park” të Bruklinit. Pranë nesh kaloi makina e akulloreve për fëmijët dhe unë me vrap shkova e i bleva xhaxhait një shishe gazoz siç i thoshim ne në Korçë ujit të gazuar. Ai e mori shishen dhe e afroi tek buzët por s’ po e pinte dot. Dora i dridhej edhe mjekra po ashtu. E pyeta ne se ndihej mire dhe ai pohoi me kokë.

“Dëgjo, më tha, sa herë që dikush më jep ujë më kujtohet kur Zalo Lugati na i ndalonte të pinim ujë autoboti që vinte nga Kolaneci për punëtorët dhe ne ishim te detyruar të pinim ujën e kënetës që ishte plotë me pjavica (shushunja) e krimba duke përdorur këmishën e pistë të burgut si filtër.” Tha kështu dhe me mundim lagu buzët. Nuk desha t'i flas që të mos i shkëpusja mendimet e largëta për një kohë dhe një vend që pak njihet në Shqipëri dhe që për nga tmerri i ndëshkimit, besoj se ja kalon edhe Ferrit Dantesk, nëse vërtetë do të ekzistonte një i tillë. Tërë sy e veshë prisja me padurim tregimin e radhës së xha Halimit të cilat tregime ai mi tregonte sa herë ne takoheshim.

“Ja shikoje Dragushin! Tëpkë gjyshi në bythë! Besoj se po të na kishte neve në dorë, njëlloj si gjyshi, Lugati Zalo, do të na i nxirrte shpirtin çikë e nga një çikë. I njoh këta njerëz, kanë lindur për të torturuar të tjerët. Më beso mua plakun, ashpërsia dhe urrejtja e shpirtit të tyre vjen nga një burim i brendshëm satanik dhe s’ ka të bëjë fare me regjimin e pushtetit megjithëse edhe pushteti ishte satanik. Zalo do të qe njëlloj Zalo si në kohën e Zogut, të Enverit apo të Saliut… Por le ti lemë llafet e kota. Ti don të dish ç'far bënte Lugati me ne të burgosurit dhe unë po të tregoj, ashtu siç i kam jetuar vetë dhe ashtu siç di unë t'i tregoj. Le ti dish këto histori me që ti shkruan pasi kështu do t'jua bësh të ditur dhe të tjerëve. Le ta dinë shqiptarët që të kenë mundësi të ruhen nga zalot që përherë i kemi në mesin tonë…

Një ditë, kapter Zalo më pa tek lahesha në ujërat e zeza të kënetës pasi mundohesha të hiqja baltën dhe pjavicat nga trupi dhe më thirri duke më pyetur pse nuk punoja! Ja shpjegova por ai as që donte të dinte nga shpjegimet e mija. Dha urdhër dhe më lidhën pas një plepi ndanë xhadesë atje ku sot është një “vakëf” që kujton dy vetë të vrarë aksidentalisht në vitet nëntëdhjetë, njëri ishte nga Bulgareci dhe tjetri nga Korça…, nejse. Pastaj, Zalo i dha urdhër një të burgosuri të më “lante” me shurrë. Të shkretit nuk i bëhej shurra dhe kapteri e lidhi dhe i nxori jashtë organin mashkullor duke i thënë se do t’ ja priste nëse nuk më pshurrte mua! I gjori nga frika ju betua se do të më shurroste por urina nuk i vinte për qamet, ndoshta edhe nga frika. Ai ju lut kapterit të pinte ujë mbase mund t'i vinte… Kapteri e urdhëroi të pinte ujin e kënetës dhe ai djalë i gjorë piu ujë nga bataku.Unë nga ana ime ju luta djalit që ishte vërtetë një djalkë fare i ri dhe i urtë, të më urinonte. Shyqyr që djalkës i erdhi urina dhe e bëri mbi mua. Të them të vërtetën u lehtësova nga sikleti për atë djalë. Atë e lëshoi por mua më mbante lidhur. I thashë të më lironte se po më binte të fikët dhe bëra sikur u alivanosa. Kjo më doli akoma më keq pasi në atë kohë po kalonte zjarrfikësja e vetme e Korçës dhe Zalo Lugati e ndali e seç bisedoi me policët e zjarrfikëses, pastaj ai mori zorrën e saj dhe e drejtoi mbi mua ujin me tërsëllimë! Presioni i ujit më goditi kaq fortë sa mendova se mu hap ndonjë vrimë në gjoks! E keqja akoma më e madhe ishte kur ma drejtoi atë në fytyrë. O Zot, sikur të më kishin qëlluar me kamxhik njëmijë vetë njëherësh! Mu zu fryma dhe me dogji fytyra sikur ma godisnin me hithka! Torturë më të tmerrshme nuk besoj se mund të ketë. Hapa gojën të mbushesha me frymë por Zalo ma drejtoi ujin e zorrës në gojë. Mu duk sikur një gjigant po më fuste këmbën në gurmaz e po ma shqyente. Aty mu ndal fryma me gjithmend dhe më ra tëfikët. Mbaj mënd që u ringjalla kur isha në birucë. Isha ngjallë falë një kulaku nga Dishnica, një djalë shumë i fuqishëm, që si dënim më kishte mbajtur në shpinë tërë kohës kur, në kësi rastesh, kapter Zalo jepte urdhër që të groposeshin në kënetë! Shyqyr Zotit që s' më groposi! Unë e di që shqiptarët që s'kanë qenë të burgosur apo edhe të internuar në regjimin komunist hoxhian s'do më besojnë për ato që them. Sigurisht që edhe ti s'do m'i besosh të gjitha. Të duken si ngjarje horror të thurura me fantazi. Nejse. Disa ditë rrodhën pa ndonjë ngjarje të madhe por një ditë nga më të zezat erdhi përsëri për ne të zinjtë. Një tregtar korçar, në mos gaboj quhej Stavri Pela, lindur dhe rritur në Perëndim, i qytetëruar, i ditur dhe i turpshëm si një çupkë në mjedisin tonë të paturpshëm. Ai nuk pranonte të defekonte apo urinonte ne sytë tanë, siç bënim ne të tjerët, por largohej pak mënjanë. Ne s'kishim WC, haleja jonë, siç i themi ne korçarët, ishte këneta. Stavri atë ditë u largua pak më larg se zakonisht dhe kjo ra në sy të një roje xhahil i cili ishte nga Mirdita. Roja pa i thënë asgjë e qëllon me pushkë në këmbë. Stavri i shkretë, megjithëse i plagosur, nga turpi u mundua të fshinte brenda pantallonave organin mashkullor. Roja i afrohet dhe i jep urdhër që ta nxjerrë jashtë…! Stavri si për tu siguruar që nuk do t’ ja shihte më askush, e mbërtheu dhe kopsën e fundit të pantallonave. Roja, një kafshë, ndoshta është gjynah për kafshën ta krahasosh me atë monstër, u tërbua dhe me majën e bajonetës ja çau pantallonat përpara dhe e urdhëroi që ta nxirrte penisin jashtë. I shkreti Stavri ju lut me lot në sy por ku hante pykë mirditori, at'here e goditi me qytën e pushkës në ballë dhe me dorën e tij ja qiti jashtë… Stavri megjithëse pandjenja me një dorë instiktivisht shtërngonte dhe mbulonte penisin… Në këtë kohë mbriti kafsha tjetër më e rrezikshme, Lugati. Pa bërë asnjë fjalë dhe në sytë tanë nxori thikën, pasi ja hoqi me zor dorën, ja preu penisin dhe shkoi tek qeni i drejtorit për t’ ja dhënë. Do ti që qeni nuk e hëngri!”

Halimi ndali tregimin dhe një kohë të gjatë s’ foli. Nuk fola as unë.

“Dëgjo, më tha Halimi, s’ janë trillime pasi këto gjëra, i dinë të gjithë ata të burgosur të burgut të Korçës që akoma janë gjallë. Stavrin, i cili vdiq pas pak, e “varrosëm” ndanë kënetës, shyqyr Zotit që na lanë, atje ku sot është fundi i hundës së Kodrës Plakë. Për çudi, pas rënies së kolerës komuniste, atje në atë vend kam parë një fenomen që s’ di ta shpjegoj. Shkoja mbrëmjeve për disa ditë me radhë dhe ulesha afër “varreve” të tërë atyre stavërve dhe bisedoja me të gjithë ata miq e shokë të “varrosur” atje! Rrija me orë të tëra derisa errej. Një natë pashë një flakë të kuqe në jeshile që doli nga “varret” dhe u ngrit drejt qiellit! U trondita por nuk u frikësova. Isha vetëm dhe fola me zë të lartë pasi u ngrita në këmbë, 'O i Madhi Muhamet! O Jezus i Madhërishëm! O Krisht! Ju lutem, tregoni Zotit Perëndi se ç' far ka ngjarë në këtë vend.' Më pas ndjeva një lehtësi në shpirt dhe nuk shkova më ta shoh atë vend ku bashkë me të vrarët ishin varrosur edhe disa nga vitet e mija.

Një ditë po bisedoja me një shokun tim bashkëvuajtës, quhej Pirro Polici, një djalë azgan nga ay lloj që të merr gjak në vetull por pakë naiv. Fatkeqësisht Pirrua ishte kthyer në kockë e lëkurë pasi punonte edhe për disa të burgosur që mezi punonin. Ishim në oborrin e burgut të Korçës. Një roje që quhej Qerim Kuçi na përgjonte. Ne fjaloseshim dhe ëndërronim se ç' far do të bënim kur të dilnim nga burgu. Pirrua më thoshte që do punonte për shtetin komunist pasi ishte diplomuar arqitekt në Zvicër. Më thoshte so do të projektonte pallate të bukura, edhe për ne të burgosurit, në qendër të Korçës. Do ti propozonte shtetit,(ai besonte në drejtësinë se,'burimi është i pastër' por ujë ndotet gjatë rrjedhës), që të restauronte Burgun e Korçës me kushte sa më të përshtatshme për të burgosurit dhe se do të demaskonte kriminelët e burgut me në krye Tasi Kokëshinikun dhe Zalo Lugatët. Siç u mor vesh më vonë, Qerimi dëgjoi fjalët e fundit dhe emrin e katilit Zalo dhe shkoi e i raportoi Lugatit i cili mbriti sa hap e mbyll sytë dhe pasi e rrëmbeu Pirron për krahu e futi në hetuesinë e burgut. Nga hetuesia dëgjova ulërima të tmerrshme. Po më dridhej trupi. U ngrita dhe me hapa që s’ më bindeshin, mbrita me zor në birucën time të zakonshme. O Zot ç’ bëhet kështu me ne! Nga jashtë vinte melodia e çiftelisë së një roje nga Zadrima, Gjergj Ruka quhej. Më pas ai filloi të këndonte. Nuk e di por ato vargje të asaj kënge s’ kam për t'i harruar kurrë pasi një variant i saj këndohet edhe nga ne toskët. Ishin vargje rrënqethëse dhe zëri vajtonjës i Gjergjit bashkë me vuajtjet tona bënte që kënga të më pikonte në zemër. Po të duash edhe mund t'i them ato vargje se i mbaj mend?


Ku po knon qaj zogu i zi, Në kuj t’vorrit t’djalit t’ri. E në dvet nana për mue, Thueni nanës, asht martue. Kur të dvesin, ç’asht bihuri, Dyshek toka, jastëk guri. Kur të dvesin, ç’nuse muer, Mur dy pluma në krahnuer, Njanin kryq, tjetrin tërthuer.


Megjithëse nuk ishte në zakon që ne të burgosurit të na merrnin si dëshmitar pasi ne gjykoheshim pa asnjë fakt dhe pa asnjë dëshmi e torturoheshim pa mëshirë vetëm se ishim damkosur armiq të popullit! Vijnë dy roje dhe më marrin. Pa më thënë asnjë fjalë më lidhën duart e këmbët dhe më varën kokë poshtë në dhomën e hetuesisë. Një hetues i ri, me pamje engjëllore dhe me një buzëqeshje të përhershme në fytyrë më pyeti, “Po kurdisnit plane për të vrarë kapter Zalon, ë?” U habita pa masë me këtë shpifje dhe kundërshtova aq sa munda. Hetuesi shumë i qetë dhe i sigurt në ato që më thoshte thirri dikë për të sjellë Pirron. Ç'të shikoja! Pirrua nuk njihej fare! Ishte kthyer në një grumbull kockash, mishi dhe gjaku të mpiksur, vetëm sytë i shkëlqenin si më parë pavarësisht se përreth i qenë nxirë dhe buhavitur. Vetëm prej syve e mora vesh se vërtetë qe ai Pirrua i shkretë. Ç'i keni bërë kështu?! i pyeta katilat. Hetuesi pa e prishur terezinë engjëllore ma ktheu, ‘Koka ja bëri dhe koka ja pësoi. Ai pranoi gjithçka dhe për këtë do ngelet gjallë. Ti po nuk pranove, nesër, me duart e mija do të mbys në kënetë.’ Varur kokëposhtë po më binte gjaku në tru dhe po më errësohej shikimi. E pyeta Pirron se ç'far kishte pranuar dhe ai për çudi më tha me zor të madh, ‘të lutem, prano dhe ti, të paktën të ngelesh gjallë.’ Bërtita sa kisha në kokë, kurrë! Ç'far të pranoj xhanëm? Atë që nuk kemi thënë?! Por zëri i vakur i Pirros më tha përsëri, “të lutem Lime, bëje për hatër të jetës, jeta është e bukur. Një ditë do dalim nga burgu se nuk kemi bërë asnjë krim. Këto janë llafe,… që i duan këta se… më këtë punë hanë bukë. Prano Limkë…” Tha këto fjalë dhe koka ju var e goja i ngeli hapur. Pirrua dha shpirt. Grumbulli i kockave dhe gjakut u shtrinë e morën pamjen e një skeleti njeriu. Mua më ra të fikët. Kur u përmenda pashë se isha akoma në hetuesinë e burgut dhe se “engjëlli” me dy policë ishin akoma atje me mua. Pirron e kishin hequr dhe nuk u muarr vesh kurrë se ku e hodhën. Shpresonte i shkreti deri në momentin e fundit se do dilte gjallë! Pas vdekjes së Pirros ata dukeshin më të qetë dhe më të “sjellshëm”. ‘Ti e pranove se keni komplotuar të zhdukni Zalon. Kaq kishim me ty.’ Jo! u thashë. Nuk kam pranuar. Ata qeshën. ‘Burri njëherë flet dhe ti fole njëherë. Shko dhe mbaje mend, nëse bën përsëri komplote, do ti shkosh Pirros prapa. Zhduku!’

Më e zeza për mua erdhi të nesërmen në kënetë. Zalua angullinte si qen i goditur me plumb në bythë. Herë pas here më drejtohej mua dhe më thoshte, ‘Nënën! Do ta bëj nënën or pizeveng!’ Nuk flisja por punoja sa mundesha pa e ngritur kokën e pa e parë atë monstër. ‘Pse nuk fletë o shkërdhatë?! Deshe të më vrasësh më atë kaurin e derrit. Mutin më hëngrët! Ai shkoi në të sëmës dhe ti do të shkosh në të sat ëme, skurrë e ndyrë.’ Fjalët e tij s’ më bënin fare përshtypje. Isha i qetë dhe mendoja, le të lehte sa të deshte vetëm të mos më torturonte. Por s’ qe e thënë. Ai duroi sa duroi indiferentizmin tim dhe më qëlloi me lopatë prapa kokës. Rashë në batakun e kënetës dhe shyqyr Zotit e mblodha shpejt mendjen që u trullos se aq deshte ai dhe do më varrosnin të gjallë. Nuk fola, vazhdova të punoja por duart s’ më bënin…, këmbët më merreshin. Bija dhe ngrihesha si i dehur. Dëgjova një zë, ‘Shef, lere Limen se nuk punon dot. Do punoj unë për të.’ Pastaj u bë një zhurmë e madhe dhe të gjithë po largoheshin me vrap nga këneta. S’ po kuptoja se ç'far po ndodhte pasi mëndja s’ më punonte si duhej. Ktheva kokën mënjanë, ç'të shoh! Një gjarpër nja tre metro ishte afër meje. U mundova të largohem por më kot. Dikush më mori në krahë dhe po më largonte por pashë se Zalo e qëlloi shokun më lopatë në shpinë dhe ai më lëshoi. “Ikë, i thashë atij që deshte të më ndihmonte. Ikë se mua s’ më hanë gjarpërinjtë e kënetave por më hanë gjarpërinjtë e haleve. Kishim ngelur vetëm për vetëm në llucë, unë dhe gjarpri. Të gjithë kishin dalë nga lluca në tokë të thatë. Kapter Zalo bërtiti, ‘Dëgjo ti Limi i Telos! Në se e vret gjarprin nuk do të trazoj më. Të jap fjalën e besës. Përndryshe, do vazhdojmë punën bashkë atje ku e lamë…’ I pabesi më jepte besë! I mblodha fuqitë dhe ja ktheva, dëgjo o Zalo Këmbëthekri! (Si nuk i thashë Zalo Lugati?!) Ky gjarpër mund ta mbajë fjalën e dhënë se ka më shumë besë… E kafshova gjuhën dhe nuk e mbarova fjalën. Atje e kuptova që nuk isha dhe aq trim saç më dukej vetja. Pastaj vazhdova, unë do ta mposht gjarprin por kërkoj nga ty të mos më bjesh më në qafë. Gjarpri për çudi nuk largohej. Bëri një rreth diku përballë meje dhe më pas eci përbri krahut tim të majtë. Këmbët më kishin hyrë në batak dhe nuk isha në gjendje që ta ndiqja por as t'i ikja. Mora një lopatë dhe ju mata sikur ta kisha heshtë. Ja hodha më tërsllimë. E godita. Ai ngriti një herë barkun mbi ujë dhe pastaj u përdrodh në forma nga më të çuditshmet duke rrahur fortë ujin. Ishte akoma gjallë. Lopata e kishte plagosur diku në bisht. Shkolita me zor këmbët nga lluca dhe ju hodha sipër. E dija që gjarpri i ujët nuk të helmon. Më kafshoi në llërën e majtë dhe u var në krah pa tentuar të më lëshojë. Më dhembi krahu sikur të pritej me brisk. E kapa me dorën e djathtë por më rrëshqiti pasi nuk kisha fuqi, atëherë ja ngula dhëmbët në qafë dhe e kafshova sa pata fuqi. Pashë që hapi gojën dhe më lëshoi krahun por unë se lëshova derisa e këputa me dhëmbë në dysh dhe e flaka në ujërat e kënetës. Atje, ai akoma gjallë, llapushiste në ujë. E dija që gjarprit i del shpirti, edhe pa kokë të jetë, vetëm kur perëndon dielli. I thashë dikujt ta merrte e ta lëshonte diku që ta shikonim se si do të ngordhte sapo të perëndonte dielli por Zalo na futi në punë me të bërtitura. Erdhi afër meje dhe më tha, ‘Bravo! Ti s’do punosh më për sot. Dil aty mënjanë dhe çlodhu. Lidhe krahun.’ Vetëm në atë rast pashë se edhe tek ai kishte ngelur diçka njerëzore, sado e vogël. Nuk e mendoja kurrë se ai mund të kishte qoftë edhe një fije humanizmi! Në fakt isha i dërmuar dhe s’ kisha fuqi, siç i thonë fjalës, as të pirdhja pa le të punoja. Pranova të rri e të shoh shokët që punonin. Lugati me siguri do të këtë menduar që do vdisja nga helmi i gjarprit duke mos pasur asnjë lloj ndihme. Aty më lindi ideja e rrezikshme të arratisem. Isha ulur në një vend pak të maskuar dhe larg shikimit të rojës që ishte në krahun tjetër të Hundzës. Ndërsa rojet e tjerë qenë për rreth të burgosurve, unë isha prapa rrethit të tyre. Prita sa Lugati kaloi nga ana e rojës që s’ më shikonte mua dhe pa u menduar fare, ja dhashë vrapit. Eh ç'far vrapi pa! Një fantazmë që vraponte. Qe mbrëmje dhe Këneta e Maliqit tek pjesa e Vloçishtit, errësohej e para në Fushën e Korçës nga që dielli perëndonte shumë kohë më parë se në qytet dhe në fushë për shkak të kodrave dhe maleve në perëndim të saj. Vrapoja rrëzës së Kodrës së Vloçishtit dhe dola në grykën e Pocestës, pastaj dredhova pak në të majtë drejt malit të Biranjit. Çudi, si nuk ndjeja fare lodhje! Ndala pak në një vend sa për të mjekuar plagën që më kullonte gjak. Në errësirë gjeta një lloj bari që ne e quajmë bar i prerë i cili ta ndalon gjakun në çast. E gjeta kollaj me dorë pasi fletët e tij janë me damarë të trashë si asnjë bar tjetër. Nuk ndjeja as dhimbje. Nga larg dëgjoheshin ulërima dhe krisma. Me siguri që një lukuni e tërë zalosh ishin vënë në kërkimin tim.

Pasi kalova Fushën e Bardhë, u futa në Përruan e Klocës, lashë Klocën më të djathtë, dhe dola në majën e një kodre e pastaj u futa në fshatin Dajmanec. Rrugën e njihja mirë dhe pa ndonjë vështirësi arrita atje. Dajmaneci ishte gjysma e rrugës që kisha ndërmend të bëja. Destinacioni im ishte të mbrija në Krushovën mes maleve të thepisura të Gorës tek një miku im për kokë, tek Qerim Aga. Vetëm atij mund t'i besoja jetën time. Ishte ora 10:30 e mbrëmjes kur mbrita në Dajmanec. Mendova të gjej një vend për të fjetur në ndonjë plevicë të fshatit dhe në mëngjes herët të nisesha për në Krushovë. Qentë e fshatarëve mu turrën dhe s’ më ndaheshin. U bë një kope e tërë. Ndoshta 70 qenë, aq sa shtëpi kishte fshati, ata lehnin në korr. Pata frikën se do të ngrihej fshati në këmbë të shikonte se ç'far po ndodhte dhe u dhashë këmbëve për tu larguar. Godita me gur disa nga qentë më të guximshëm që mu afruan. Më vonë mbrita një një shullë me lajthi që ecte përpjetë, e kuptova, isha në Lirsas të Gjonomadhit. Çudi se sa forca paskësha pasur! Duke lenë Gjonomadhin në të majtë, mora një shullë tjetër me lajthi dhe ahishte, një rrugë e përjetë e dola në majën e Malit të Madh, sinori Bickë, Shipckë, Gjonomadh. Pastaj mora malin përpjetë që del në krye te Kisha e Gjyrasit. Edhe ky një pyll me ahishte që më nxori në krye të Ludhit të Priftit, i cili është pronë e Qerim Agës apo Xhaxhos siç e thërrisnim neve. Atje ndala. Hëna më shoqëronte tërë kohës me ndriçimin e saj aq të ëmbël. Një mendje më thoshte se burgu i Korçës do kishte lajmëruar gjithë zonën dhe ndoshta edhe ushtrinë për të më kapur mua. Shyqyr, mendova, që s'kanë edhe avionë se do t'i kishin ngritur për të më gjetur mua. Më në fund gjeta një kasolle bosh ku fjeta disa orë. Si me porosi atje ishte dhe një pelerinë të cilën e hodha krahëve dhe rashë e fjeta. Pa zbardhur mirë mora përsëri rrugën tatëpjetë për nga Gëmusha e Stanit, tek Sheshi i Hysenit dhe kalova Arën e Nasufit, e dola tek Guri i Madh i cili më nxorri tek stanet e Qerim Agës. U afrova me kujdes me qëllim për të hipur në ndonjë pemë afër staneve e për tu thirrur barinjve të lajmëronin Qerimin e të mbanin qentë. Befas, një qen i madh sa një gomar, e njoha, ishte tip Qen i Sharrit, tepër i rrezikshëm, kaloi tek hunda ime pa më bërë zë dhe u turr tëposhtë nga përroi. Pas tij edhe tre qenë të tjerë stani, e ndoqën. Të katër qentë lehnin mbytur. Ju thirra barinjve, a ka më qenë o miq? Njëri prej tyre më pyeti se kush isha dhe unë i thashë se jam mik i Qerim Agës. ‘Gënjen! Ti je lugati, bërtiti njëri nga barinjtë dhe rrëmbeu pushkën. Jo, jo. Jam Halim Telhai, mik i Qerim Agës. Sapo kishte filluar të zbardhte dhe njëri nga barinjtë ja uli pushkën shokut duke i thënë se unë nuk isha lugati pasi lugatin po e ndiqte Xebua me qentë e tjerë në përrua. S’ po kuptoja asgjë. Mendova se ata flisnin për Lugatin e Kënetës. Mu afruan tre barinj shtatlartë dhe më dhanë dorën duke më pyetur se ç'far më kishte sjellë kaq herët në fshatin e tyre. Ata, me siguri, s’ kishin parë ndonjëherë të burgosur. S’ dija të gënjeja dhe u ndodha bosh një moment pastaj ju thashë se miku nuk pyetet kurrë pse vjen… Unë jam mik. Ata u morën vesh shpejt me njëri tjetrin dhe siç dukej më i riu prej tyre më tha ta shoqëroja për tek Qerim Aga. Kur po i afroheshim përroit dëgjova një zë vajtues që kërkonte ndihmë, ‘Më shpëtoni burra se po më çan Xebua! Do t’ ju bëj të pasur dhe të buukurrrrrrrrrrrr…!’ Pashë se një qen i çuditshëm sa një gomar (Xebua) hidhej e përdridhej sikur po mbyste dikë por atë dikë nuk e dalloja dot. Qentë e tjerë i vinin vërdallë qenit sa një gomar duke lehur! ‘Kaq e pati dhe lugati’ tha çobani. Po më dukej vetja sikur isha në një ëndërr me lugetër e qenë. Asgjë s'kisha marrë vesh se ç'far ndodhi atje. Mbritëm tek shtëpia e mikut. ‘O Qerim Aga! Dil se të kam sjellë një mik’ i bëri zë çobani. Në portë, sa kaq u dha Qerimi veshur me fustanellë të bardhë, me festen e zezë në kokë dhe me një kobure në brez. Sa më pa më njohu dhe thirri, “A je gati o biri i Telos të ndeshesh me dollibashë gorarë?” Gati më ke o i biri i Beqir Agës, ju përgjigja. Pasi u përqafuam ai ju kthye bariut dhe i tha, "porositi edhe barinjtë e tjerë se sonte mua s’ më ka erdhur askush në shtëpi dhe ju nuk e keni parë këtë mik! Si u bë me lugatin?" Bariu i qeshur dhe i gëzuar ju përgjigj se Xebua sapo e shqeu lugatin tek Përroi i Thatë! Qerimi qeshi si një tërmet. Mu duk sikur lëvizi tërë dheri nga e qeshura e tij. ‘A je i sigurt o Ndrio?’ Ndrios i shkëlqenin sytë. ‘O zoti Qerim Aga, 500 m larg nga këtu është vendi ku Xebua e shqeu lugatin. Po të duash mund të shkojmë ta shohim? Qerimi pa nga mua dhe unë pa e zgjatur u nisa i pari andej nga përroi ku pamë Xebon duke u ndeshur me një gjë të padukshme megjithëse isha shumë i lodhur. Isha i dërmua por kurioziteti s' më la. Mbritëm tek vendi. Në të dy anët e përroit shikoheshin njolla të shumta gjaku. Azgjë tjetër. Dukej se diçka kishin shqyer qentë. Qerimi e përqafoi bariun dhe i tha që të rrinë rehat pasi asnjë lugat tjetër nuk do të guxojë t'i trazojë më. "Mos harro porosinë që t'ju thuash, Shates dhe Velos se nuk e kanë parë këtë mik. Shko tani." U kthyem në shtëpi. Mendja më rrinte tek lugati dhe s’ kuptoja asgjë se ç'far kishte ngjarë. "E di se ti Limi kërkon të dish se ç'far ka ndodhur atje tek përroi që unë për të jam kaq i gëzuar? Dëgjo. Kishim kohë që lugati vinte vërdallë nëpër stanet e mija. Derdhte qumështin, trembte bagëtinë, tallte gratë tona dhe një sërë prapësish të tjera. Ne ishin të pafuqishëm që të mateshim me të pasi lugati është krejt i padukshëm. I dëgjonim vetëm zërin dhe shikonim prapësitë e tij që na bënte vetëm natën. Njerëzit e mi filluan të kishin shumë frikë. U këshillova me miqtë e mi dhe xha Nisi i Punëmirës më dha një mendim. Të gjeja një qen me katër sy se vetëm ai qen e dallon lugatin dhe mund ta shqyejë. Unë as që kisha dëgjuar ndonjëherë që kishte qen me katër sy. Kërkova dhe pyeta por askush nuk më ndihmoi pasi të gjithë ngrin supet. Një ditë në shtëpinë time erdhën miq, ishin dy burra të nderuar të Gorës, Xhezari i Senishtit dhe Tekiu i Kolanecit. Jua qava hallin dhe ata më thanë se qen me katër sy ka dhe se ata do të ma gjenin një të tillë. S’ kaloi java dhe Xhezari ma dërgoi qenin me katër sy, Xebon. Xebua ka vërtetë katër sy dhe sot unë do të takoj me të. Përveç syve normalë ai ka dhe dy sy të vegjël mbi vetulla. Ditën nuk i dallohen dhe qeni duket sikur ka katër vetulla por natën ata dy sy të vegjël të maskuar, shkëlqejnë si dy thëngjij në kulmin e djegies."

Pasi kishim rrëkëllyer nga një dopio raki esëll, na u shtrua mëngjesi nga e zonja e shtëpisë, një grua simpatike siç janë të gjitha goraret, me një koce që i varej deri tek vithet dhe me një shikim të butë. Ajo na gostiti me arra, mjaltë dhe ajkë. Më vonë na bëri nga një kafe turke dhe pasi na tha, “ju bëftë mirë” iku në punë të saj.

Qerim, ju drejtova mikut, si e ruan miqësinë edhe me armiqtë e komunistëve dhe me vetë komunistët?! Ai qeshi përsëri me atë të qeshurën e llahtarshme. "Dëgjo o Limi! Do të përgjigjem vetëm me katër fjalë, të gjithë janë shqiptarë.”

Ndenja gati gjashtë muaj i fshehur tek shtëpia e mikut dhe u miqësova kaq shumë me Xebon sa të dy s’ rrinim dot më pa njëri tjetrin. Xebua më dëgjonte sikur të qe njeri, bile, m'i kuptonte mendimet më mirë se njeriu. U bëra gati të largohem herët pa gdhirë në një mëngjes të ngrohtë shtatori, pa e ditur se ku por, Xebua nuk më ndahej. "E di ç'ke, merre Xebon me vete mbase do të duhet", më tha miku. Ashtu bëra. Të dy u nisëm kuturu. Nuk desha të shkoj në shtëpinë time se me siguri do të më kapnin zalot. Qerim Aga, kur u ndamë, më këshilloi, "shko nga do të shkosh dhe hajde përsëri aty bashkë me Xebon. Vend më të sigurtë nuk ke për të gjetur." E kuptova pse ma kishte dhënë Xebon. E di që atje do të isha i siguruar për tërë jetën por a mundet që jeta të kalohet ashtu, i fshehur?! U mendova gjatë se ku duhet të shkoja. Këmbët po më shpinin nëpër atë rrugë që kisha bërë kur ika nga këneta. Diku u ndala. Akoma s’ qe gdhirë. U shtriva në një luadh me shikimin në qiell. Qëndrova ashtu gjatë dhe vështrova natën që po largohej. Çfarë nate e bukur, madhështore, e mrekullueshme dhe e qetë, me mijëra, mijëra yje! Ndjeja erën që shushuriste në fletët e borigave dhe që më ledhatonte fytyrën e më futej thellë në mushkri. Ashtu prita mëngjesin e bukur vjeshtak. Agimi erdhi me mijëra përshkëndijime. Isha pjesë e natyrës; i lirë, i bukur si vetë agimi i Gorës. U ngrita duke i ndërprerë mendimet dhe vazhdova rrugën. Ja, pas nja tre orësh dola mbi Gradishtë, në këmbët e të cilit kishte qenë dikur qyteti i lashtë i Krastafilakut, ku po ndërtohej një qytet i ri me kokën e mbështetur, si në jastëk, në atë mal. Tërë fusha e Korçës mu shfaq para syve. Pak më tutje, në veri, dukej Kakaçi prehistorik për të cilin ne korçarët talleshim se kishim bërë 'Unversitetin e Kakaçit'! Ja dhe Liboniku, ferri i tremijë punëtorëve të burgosur nga e tërë Shqipëria. Rreth e rrotull Libonikut gjenden fshatrat Maliq, Sovjan, Zbogjëri, Bickë, Gocë, Gjyras, Kolanec, Klocë, Pocestë, Plevisht, Bos, Vashtëmi dhe Symiz. Po ashtu, edhe ish Ferri im i Vloçishtit me dy mijë të burgosur. Njëmijë të tjerë të burgosur ishin matanë Vloçishtit atje ku është Orman-Pojani e Rrëmbeci. Vështrimin e ndala tek pelikanët që kishin ndërtuar fole në tërë Kënetën e Maliqit. Ne të burgosurit dhe fshatarët korçarë nuk i preknim foletë e tyre. Quhej mëkat të prishje një fole apo më keq të vrisje një pelikan, sepse ata u tregonin peshkatarëve vendin se ku ishte grumbulluar peshku. Ja dhe kisha e Sovjanit ku im atë ka gjetur një gur varri më emrin e gjyshit të tij, shkruar me germa greke. Në mëndje më erdhi gjermanka e këngës që këndojmë ne korçarët;

Në kish‘ e Sovjanit ma kishe meqanë Hiqu moj gjermankë se do gjeç belanë Prapa se ç‘më mbaje Asim budallanë Hiqu moj gjermankë se do gjeç belanë.

E di ti që, vërtetë në Sovjan ka jetuar një gjermankë? Po, po një gjermankë e vërtetë. Kjo ka ndodhur në fillim të shekullit të kaluar kur Shqipëria ishte një vend shumë i virgjër she shumë i pyllëzuar. Aty vinin gra të guximshme nga Europa Perëndimore për të studiuar jo vetëm natyrën e bukur por edhe burrin shqiptar i cili rregullonte jetën e tij në bazë të disa zakoneve e traditave shumë më të qytetëruara se vetë Perëndimi i qytetëruar. Ato vinin edhe për të parë meshkujt shqiptarë për të cilët flitej në Perëndim se janë tipa shumë të fuqishëm ku gratë gjejnë atë kënaqësi që s'jua jep asnjë burrë tjetër në botë. Po le ta lemë këtë histori për herë tjetër. Dua të tregoj se ç'far bëra në kënetë pasi u riktheva nga Krushova.

Xebua qëndronte me mua si shok e si njeri. Ai bënte ç'far bëja unë. Ulur në bisht edhe ai kënaqej apo trishtohej njëlloj si unë me pamjen e bukur dhe të shëmtuar të kënetës. E kthente kokën andej nga e ktheja edhe unë. Çuditesha se sa besnikërisht më ndiqte. Prania e tij më dha një ide, t'i tregoja Xebos atë, Lugatin e Kënetës. Rast më të mirë s’ mund të kisha duke pasur për shok një qenije kaq besnike si Xebon. Xebo! Fillova të bisedoj më qenin i cili u bë tërë veshë e sy dhe po më dëgjonte. Sot ti do të shohësh një lugat tjetër, Lugatin Zalo. S'është si ai që ti e shqeve atje tek Përroi i Thatë. Nuk është i padukshëm. Është shumë i dukshëm dhe më i rrezikshëm pasi nuk tremb gra dhe përmbys kusi me qumësht si ai në Krushovë por vret e pret njerëz si unë. Si thua? Xebo tundi kokën. Dëgjo! Do dalim në kodrën përballë, atje tek kodra e Vloçishtit dhe nga atje do ta studiojmë se si ta shohim nga afër Lugatin. E di ti se unë kërkoj prej teje të më thuash, a është Zalo Kapteri vërtetë një lugat? Xebua ishte i gatshëm si përherë. Pritëm sa filloi të erret pakë dhe me të shpejtë kaluam lumin e Devollit, fshatin Maliq, kodrat e Libonikut dhe dolëm tek Kodra Plakë, sipër çadrës së Lugatit. Të burgosurit po bëheshin gati të niseshin për në Korçë. Ja më në fund e pamë dhe Lugatin. Xebo, ky është Lugati, ja tregova Zalon qenit me katër sy. Pastaj e pyeta edhe një herë nëse ishte vërtetë lugat kapteri. Xebua filloi të tundë bishtin. Xebo, të lutem tregomë nëse është njëlloj si ai atje tek Përroi i Thatë? Fillova t'i kujtoj atë natë kur ai mbyti lugatin. Mu duk sikur qeni më tha, ‘prit pak se ta tregoj unë.’ Pritëm sa Lugati Zalo po dilte për kontroll jashtë kampit siç bënte për çdo mbrëmje para se të largoheshin për në burgun e Korçës. Kur Zalua u ndodh vetëm 30 m larg nesh dhe i vetmuar, Xebo e sulmoi njëlloj si atë lugatin në përruan e Krushovës. Ju turr si rrufeja pa lehur dhe pa as më të voglën zhurmë. Ju hodh në grykë. Për dy minuta gurzhmaqi i Lugatit doli nga vendi i tij dhe qeni me gurmazin e Lugatit të Kënetës në gojë erdhi tek unë. O Xebo, ç’ na bëre kështu?! Nuk të thashë ta mbysje!"

Aty Halimi e ndaloi tregimin dhe ndenji pa folur gjatë. Unë më në fund ndërhyra. "Xhaxha, dua të di vazhdimin dhe si ti u arratise dhe përfundove këtu në Amerikë?" "E lemë për një herë tjetër." Balli ju rudh akoma më shumë por sytë e goja ju hapën në atë formë sikur të shijonte akoma kënaqësinë e fundit të "Lugatit të Kënetës".

33 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page