top of page

Listat


Listat

Fatmir Terziu


Lakimi i Listave


Njëri pas tjetrit shokët e mi, të tu, të Tjetrit, shokët tanë, ranë në hallkat e fa(k)tit. Rënia nuk qe e lirë. Nuk qe madje as e lehtë, e madje, madje as e vështirë. Nuk qe e vështirë të kapej në një zinxhirr. Një zinxhirr që shfaqet si në kohë të mirë, aq dhe në ditë të vështirë. E më fund duke numëruar me gishta, fap u nënshkruan në lista. Lista. Listat. I, e të/së listave…Ja që ndodhi dhe mbaroi dhe Lakimi i Listave. Po vetëm kaq?


Një errësirë ende e paqartë


Lista brenda një errësire të paqartë. Këtu tentohet të gjej prehje, një mision i zymtë dhe i pafund. Vetëm ky mision të çon në natën e përjetshme, duke premtuar një ëndërr të harruar. Sepse është ngrohës, madje edhe ngushëllues. Kapja e hidhur e vetmisë. Duke qeshur pafund, duke u dridhur në errësirë. Një figurë e dëshirës, që prodhon figurën e urrejtjes. Kjo figurë e urrejtjes, që tani urrehet nga vetë jeta e lëkundur në dritën e humbur të hënës së humnerës.

Listat janë tashmë plagët që nuk shuhen, tërbimi i pastër janë ato që shtyjnë kaq larg dhe përtej, sepse një zjarr ferri po i djeg brenda. Brenda një vrime të quajtur „seleksionimi“, „përzgjedhja“, „kri(z)teri“… „Misteri“. Megjithatë, kjo vrimë në këtë akt, kjo mpirje, e gjithë dhimbja konsumuese nuk do të lejojë më të shkoj përtej asaj që quhet ndotje. Një ndotje e vogël. Një figurë e vogël, e cila ka hequr qafe të gjitha emocionet. Dhe kjo e qartë. Vetëm që të mund të zgjohet në këtë boshllëk pa emocione sikurse ajo që është tani.


Zinxhirët e fatit


Njëri pas tjetrit shokët e mi ranë në zinxhirët e fatit. Ata ishin thjesht ëndërrimtarë me shpresë se panë një të ardhme lumturie. Dhe kështu zemra e tyre e dashuruar, e konsumuar nga agonia dhe urrejtja, vdiq. Vdiq tashmë në lista. Vdiq në lidhjet e pista. Vdiq aty ku vetëm sapo ka filluar e trishta.

Lista ku fle urrejtja. Sikur t'u ndahej në racione të gjithë njerëzve, ndoshta mund të ndodhte që të ishin përsëri vetvetja! Por deri atëherë, do të enden shifra, aritmetikëra, hesapëra dhe llogarira nëpër këtë errësirë ​​të pastër, nga e nxira. Nga e pafytyra.

Të kërkojmë hak për reflektimin e tillë? Gremina është një mërgim qetësues. Boshllëku i shfryrë. Brenda në këtë errësirë. Brenda kësaj errësire të paqartë, ku njerëzit diktohen nga gishta. Ja këto mbetën Listat. Mur. Një mur i thurrur tërkuzë në tridhjetë vjet. I gatuar nga faturat e strukura në letër. Duke u mbyllur, një mjedis i prishur po shembet më në fund. Një vrimë në tavan lejon një vështrim nga afër. Liria e humbur në sekonda, mbetet po ajo që nuk ka ekzistuar. E bllokuar. Të bllokuar. Të bllokuar brenda vetes. Të bllokuar në pamundësi për të shpëtuar.


Pa shpresë, plot zhgënjim


Trupi i zbrazët endet nëpër peizazhin e zymtë. Pa shpresë, plot zhgënjim. Endet si një urith, duke kërkuar që një pjesë e zhvatur të bëhet përsëri e plotë. Duke kërkuar fragmentet e një ndërgjegjeje të shkatërruar. Ngjyrat e fshira vizatojnë një botë të pikturuar gri.

Ndërsa i listuari, Njeriu i Listës, vuan me çdo hap të ndërmarrë, duke mos qenë në gjendje të hapë sytë, madje as të mbroj zemrën dikur të mishëruar nga ndjenja ndriçuese e dashurisë për Partinë, Liderin, Poltikën. A e kuptonte Ai këtë?

I rënë në humnerën e pafund, në pamundësi për të përparuar. Këto mendime të lumtura shënojnë fundin. Dhe gjithashtu një fillim. Rikthimin në ëndërra të tjera, të reja… Të gjumit të përjetshëm. Kur hallka e zinxhirrit shtohet nga të pistat, ... faturën e tillë e paguajnë vetë Listat.


Po pse Listat?


Shpesh paraqiten lista në të cilat njerëzit dhe strukturat e bëra nga njerëzit shfaqen me qasje të ndryshme, madje deri në ato pika sa që të duken si me "mbi dukuri natyrore". Këto lista janë simptomatike të interesave politike: për njerëz më të denjë dhe për të de-hierarkizuar marrëdhëniet njerëzore. Në të njëjtën kohë, listat e tilla zbulojnë gjithashtu pjesëmarrjen dhe pafuqinë e tyre përpara strukturave politike që ata dëshirojnë të lënë mënjanë ose të reformojnë. Listat, nuk janë gjithmonë utilitare në mënyrë transparente, përkundrazi ato janë një mjet i njohur retorik, madje edhe poetik, dhe prandaj shpesh bëjnë një punë ideologjike. Mjaft ti drejtohemi katalogut të famshëm të Tezeut në fund të „Përrallës së Kalorësit të Chaucer“, kuptojmë qartë këtë. Në grupimin e njerëzve së bashku, kjo listë natyralizon hierarkinë politike, duke u munduar të tendosë duke „fshehur“ veprimtarinë e vërtetë njerëzore, madje edhe enigmën, që kërkohet për ta ruajtur atë. Po të lexojmë kundër listës së Chaucer, listat e tilla tregohen se po bëjnë diçka të ngjashme. Duke insistuar në objektivitetin e përbashkët të të gjitha listave, kuptohet fare qartë se fshehin veprimtarinë njerëzore, në këtë rast punën e njeriut.

50 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page