top of page

Lindje, Perëndim


Pajtim Xhelo

Kur në Lindje ra tërmet, shpëtim ish Perëndimi, Ëndrat pa fund si det,u nisën pa rrugë kthimi,


Për traditë duhet të vinin të na ndihmonin, Kur e keqja të bie, më pranë ke gjitonin.


Nuk ndodhi kjo; shihnin ortekët që shkatërruan, Në sytë lotët e krokodilit nuk munguan.


Të ftohtë lotët, ftohur është dhe Atlantiku, S'qe shuar zjarri te Joni dhe Adriatiku.


Kur ortekët na përzinin në dete e male, Lindorët e gjorë ç'të bënin, të hidhnin valle?


Kur ne , me fuçi, në brigjet e shpresës arrinim, Atje tej mbase prisnin të na bënin varrimin.


Për habinë e tyre, shumica mbrrinin gjallë, Heronj të lashtësisë nga deti dilnin vallë?


Nëpër borë, shi, në terr ndriçonte vetëtima, Të paligjshëm, kufirit, në plumba shkonin trimat.


Falë mëshirës së popujve të Perëndimit, Dolën në bregun e ëndëruar të shpëtimit.


Pa të etur, të uritur, për bukë, për jetë, Mësuan marrëzi, si nuk gjetën të vërtetë.


Nuk dinin lindorët drogë e prostitucion, Para të pista, mashtrim që të terrorizon.


Jetonim ndarë nga bota dhe në varfëri, Ju na i mësuat lakminë për pasuri.


Na tundët themelet me tërmet nëntë ballë, N'udhëkryq kemi mbetur, askush s'na qan hallë.


Rrugë pa rrugë, shkretëtirës, të gjenim oaz, Në një pritje pa fund, po tretemi në maraz.


Na vutë kapistrën , na tërhoqët andej, Veç dielli perëndonte, ne mbetëm këtej.


Ëndëronim Perëndimin të kuq si pishtar, Retuar, i largët, i pamëshirshëm vrastar.


Na hapët portat, na zutë në lak porsi kuaj, Tani na kthyet krahët, na quani të huaj.


Ju harroni që dielli lind këtu , te ne, Mëngjesi agon dhe përshëndet ditën e re.


Nga Lindja nuk vjen as stuhia, as errësira, Na hapni portën në këto kohë të vështira.


Nëse jenë oaz i vërtetë, siç mendoni, Oazi nuk ka porta, këtë mos e harroni.

Pajtim Xhelo, 9 NËNTOR 2019

27 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page