top of page

Linda të befason me përfytyrimin e saj




Natyrën në vargjet e poeteshës Linda Agolli e ndesh pothuajse në çdo hap, pa munguar ideja e rinovimit të gjërave. Pasi art do të thotë t’iu japësh gjërave frymë, për të mos mbetur përjetësisht bota e rënduar materiale në konsumin e saj të pashmangshëm natyror, të vdekjes së detyruar të qenieve, gjendjes njerëzore pa shpresë, nga mungesa e hapjes së Kohës.

Qysh në faqet e para të librit me poezi, të titulluar “Troje”, Linda të befason me përfytyrimin e saj. Në poezinë e parë bën fjalë për një ambient të çuditshëm në natyrë, ku ajo shikon veten e saj në gjendje fëmijërore: “si pemën më të lartë në kodër”. Është një imazh që të indukton padashur në përfytyrim një gjendje parahistorike, në një kohë kur njeriu primitiv jetonte në natyrë i kredhur në botën e shpirtrave të së mirës e së së keqes. Ende nuk ishin krijuar fetë e para dhe sidomos monoteizmi, që në zhvillimin e tij të mëvonshëm, i korrigjuar nga Logjika Antike Greke, ndryshoi fatin e njerëzimit në tokë.

Në vijim të zhvillimit të poezive në libër, ky imazh përmbyset dhe jo më larg se sa në poezinë e tretë, fëmija mbi kodër në trajtën e pemës më të lartë, me sa duket, ka bërë hapa gjigante në Kohë. Del nga koha rrethore, përsëritëse, tragjike, kur shoqërive të para iu mungonte ai lloj qëllimi i madh mobilizues, që njeriu do të fillonte të provonte në rrjedhën e Kohës së re, vijëdrejtë. Linda bën fjalë për tri dyer që kërcasin me zë të ngjirur dhe që vdesin të tanishmen. Në gjuhën simbolike të poezisë, është një pohim tragjik aq sa nuk mund të bëhet, pasi të gjitha shoqëritë në botë në këtë gjendje nuk kanë të ardhme. Poetesha shkruan se këto dyer i përplasen në fytyrë. Poezia nga vetë natyra e saj, me aftësinë e pandërprerë lartësuese të gjërave dhe me cilësinë për të dhuruar kënaqësi estetike, është çlirim tensionesh shpirtërore. Dëshmon nevojën e jashtëzakonshme të artit në rrugën e zhvillimit human, ndërkohë që enigma, pothuajse mistike, mbetet përjetësisht e pandriçuar. Në këtë mungesë ndriçimi, por që emocionon lexuesin nëpërmjet ikonave të brendshme, të një bote imagjinare e njëkohësisht të vërteta deri në palcë, vetëm supozime të kësaj natyre mund të bëhen se çfarë ka dashur të shprehë poezia.

Tri dyert mund të konsiderohen si tri Kohët e jetës humane: e kaluara, e tanishmja dhe e ardhmja, ku nëse e dyta nuk bëhet lidhësja e dy të tjerave, por i lë përjetësisht të shkëputura nga njëra tjetra, shoqëritë nuk mund të shmangin kaosin, tragjedinë dhe vëllavrasjen shekullore.

Lindita Agolli

Linda shkruan: “Kërcasin tri dyer me zë të ngjirur / Njëra e kaltër, lojcake e ngjyrës / Më josh, më trallis, të tashmen ma vdes / Kërcasin dyer, përplasen fytyrës”. -Konkluzioni është se kur njëra nga tri kohët funksionon e mbyllur në vetvete, me një të tashme të vdekur, gjithë jeta e shoqërisë në grup mbetet një shkatërrim i përsëritur pafundësisht në histori.

Kjo është Shqipëria e sotshme.

Lexuesi ka rastin të mësojë edhe për fatin e Klarës, nuses së supozuar në një të ardhme me ëndrra të shumta, e vrarë me shtatë goditje thike nga vetë babai i saj. Diku Linda shkruan se është lumturi e madhe të grisësh letra me fjalë të mbushura me gënjeshtra, hipokrizi e kotësi. Krahas përshkrimit të aspekteve të hidhura të jetës, nuk mungojnë poezitë e dashurisë dhe të shpresës, të trishtimit, urave të komunikimit që qëndrojnë në ajër dhe sa e sa tema të tjera...

Ujkun, simbol instinktesh të fshehura humane, me egërsinë dhe lirinë e pakontrolluar në gjendje natyrore, e gjen të pranishëm në mjaft poezi, gjithnjë në rol të errët. Është diçka që mund të lidhet me ide, kujtime e sugjerime nga vetë eksperienca personale. Pse jo edhe nga bota e supozuar çliruese e pavetëdijes, me elementët e mirënjohur të repulsionit frojdian, që gjithnjë i shpëtojnë kontrollit të ndërgjegjes. Një interpretim që mund t’i bëhet poezive me temën e ujkut, është se poetesha zbulon në këtë rast, një sekret të madh rrëqethës të lidhur me njeriun. Nga pikëpamja ekzistenciale mbetet rob jo vetëm i kohës së tij por edhe i trysnisë së shekujve të tërë në shpirtin e tij, me pararendës brezat e mëparshëm, të pranishëm në traditë.

Janë fenomene që nuk bien kurrë në mendje. Vetëm filozofia është në gjendje për t’i zbuluar dhe për ti vënë në dukje. Prandaj ka rëndësi të zbulohen edhe në botën intelektuale shqiptare, në Akademi e Departamente Filozofie, sekretet e thella, të fshehta, të lidhura me të vërteta të kësaj natyre. Në këtë aspekt, bëhet fjalë për tema historikisht të panjohura, të pazbuluara dhe të patrajtuara kurrë. Deri më sot në Shqipëri nuk është shkruar asnjë libër me karakter antropologjik, që nga vetë natyra e tij ka aftësinë për tu futur në zemrën e problemeve tragjike, shekullore.

Temën e “Ikjes” poetesha e konsideron vdekje të çastit, duke bërë fjalë për “kopshte të mbushur me mollë të matur në meridianë me pëllëmbë degësh”. Poezi me estetikë të e mrekullueshme është edhe “Kur lind një ditë”. Në një motiv nokturn, “nata si grua shtatzënë, rilindëse e jetës, gëlltit perëndimet... derdh vesën përmbi gjethe e bar që dita e bardhë të rilindë përsëri”. Jo më kot mund të thuhet se poezia ka aftësinë të paraqesë me bukurinë e admirueshme të krijimit, anët e kundërta të medaljes. Gjërat e kundërta si nata dhe dita, asgjësimi dhe rilindja e pandërprerë e jetës nëpërmjet gruas, irracionalja dhe e logjikshmja, janë tema që mendimi i kualifikuar përpiqet t’i zbulojë dhe t’i interpretojë. Pikërisht siç ndodh edhe në rastin e energjisë së pakontrolluar të muzikës mistike të shpirtit në meditim, gjatë netëve të qeta të verës.

Mjaft interesante është poezia me titullin “Lavd”. Linda bën fjalë për fitimtarë, fitoret e të cilëve nuk shkojnë larg. Shkruan se “iu mungojnë krahët për të arritur në zemër të Diellit, pasi lavdinë e vërtetë nuk e nxë veç kupa e Qiellit”. Bëhet fjalë për një mrekulli. Më kujton një poezi me frymëzimin e më të Lartës, që në nivel praktik krijoi shoqëritë më të qytetëruara në botë. Kompozon At Pjetër Meshkallës, që u fut në burg me vullnetin e tij, në kohën e tre milionë skllevërve-duartrokitës, në Diktaturë. Mbinjeriu shqiptar në fjalë, trajton në vargje një nga më të mbuluarit me lavdi tokësore në botë, Napolon Bonapartin e internuar në Shën Helenë, një ishull i vogël në jugë të oqeanit Atlantik. Strategu i madh, një nga mendjet më inteligjente në historinë e njerëzimit, arrin të kuptojë një të vërtetë të tmerrshme. Se sa pa vlerë kanë qenë fitoret e tij me aq gjak të derdhur më kot, në krahasim me atë botë të bukur kulturore që mund t’i ofrojë njeriut me mendje të hapur: Dashuria, e Vërteta, Liria qiellore. Jo më kot Qielli, ky institucion i jashtëzakonshëm human, më i vjetri në historinë e njerëzimit, nga koha kur njeriu jetonte ende në xhungël, përherë i mbushur me mister, gjallëri e jetë të pashtershme, mbetet një destinacion i përjetshëm, për të ndryshuar fatin e njeriut.

Si konkluzion mund të thuhet se poezia cilësore e Linda Agollit, në rrugën e krijimit artistik, është një dëshmi më shumë se pamjet dhe ikonat mund të jenë trille të jashtëzakonshme, si ato që njeriu rastis të shikojë në ëndërr apo në vegime. Por e vërteta është se pas këtyre gjendjeve jo të zakonshme, me shpirtin e jashtëzakonshëm të krijimit, fshihen sy të fshehtë filozofikë, përherë në përgjim, të aftë për të hedhur dritë edhe në errësirat më të thella psikike, për ndryshimin e shoqërisë shqiptare, sot në nevojë më shumë se kurrë...

37 views2 comments

٢ تعليقان


Minush Hoxha
Minush Hoxha
٠٣ أكتوبر ٢٠٢٣

Sikur edhe në të tjera raste, Martiko jep një ese të mrekullueshëm. Aqë, sa të vie në mendje se ke lexuar poezitë e znj. Agolli. Dhe, tek lexon esenë, mëson mbi lartësinë e poezisë së zonjes, mesazhit filosofik dhënë përmes metaforave, kurse eseisti se ç'e gjenë vendin që ta vendosë kohësisht përmbajtësoren e poezisë. Di të jap tabllon e kohërave dhe pësimin e të tashmë, sikur dhe pasojat e diskontinuitetit të kohërave. Ese dhënë këtu, se ç'nxjerrë para syrit vlerat e poezisë, të cilat, pa këte ese, zor që t'i shihte syri. E natyrshme se z. Martiko, ka njohuri të thella për filosofinë po edhe aftësi të spikatura, t'i përdorë, aplikoj ato në raste të duhura. Kështu, midis sajeses letrar…

إعجاب
Bardhyl Maliqi
Bardhyl Maliqi
٠٣ أكتوبر ٢٠٢٣
الرد على

Interesante, duhet ta lexojmë këtë vëllim poetik!

إعجاب

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page