Unë të…
Nga Fatmir Terziu
E pres erën në poret e mia
si një ujëvarë me tërë frymën e saj
e bëj këtë se të dua
dhe ushqehem me një Frymë prapë
ndërsa pështillem bashkë me erën,
mbi re të mbushura plot,
nuk ka më asnjë zgjidhje,
vetëm të filloj një shi i fortë,
ulërritës, i lumtur, i dyfishtë,
derisa shtrydhet thuajse një Botë,
unë të dua,
me Ty fluturoj mbi majën më të lartë,
brenda një magjie që më ysht nga brenda,
ndoshta s’mund ta them me një fjalë,
kjo fjalë është vetëm për mua,
unë të dua!
Me një zë nga zemra falenderojmë
Zotin e madh që jetojmë.
Në ajër
Nga Fatmir Terziu
Sa kohë më duhet të ndjej,
mëngjesin,
ngjyrën e preferuar në të pirë,
e hap Qiellin dhe:
bota rrjedh si në pasqyrë mbi një ujëvarë,
koha ngec në një pikë duke parë,
sa kohë më duhet të shijoj,
drekën,
shijen e zbukuruar në ata dy sy,
e lus tryezën dhe:
zbret një mrekulli në sy,
aq sekonda sa mund të përsëris,
jam përsëri në të njëjtin mjedis,
sa i dashur është burimi për mua,
në këtë natë prush,
dhe gjendem i tëri në ajër
me lotin tënd bëj dush.
A mund të darkojmë?
Rrugët në ëndërr
Nga Fatmir Terziu
Rugët nuk janë thjesht rrugë në një ëndërr,
ecin edhe mbi zjarr,
prek dhe prek me të ëmbël,
një dimër,
flet, por s’ndjen asnjë fjalë,
shuhesh ngadalë,
në ecje e sipër.
Rrugët nuk mund të jenë rrugë në një ëndërr,
ato kanë stacione mijëra fjalë,
kjo ndodh kur je duke ecur i vetëm
është ndryshe kur të dy jemi bashkë.
Rrugët tona janë rrugë kudo që janë e dashur!
Ku po na shpini!
Nga Fatmir Terziu
Përtej gjurmëve të ndyra të qenit të braktisur
ngatë plloçave
ku ka ndal balta e një take të hollë,
ju na shkruani për të ardhmen.
E kuptojmë se jeni të humbur,
kjo do të mirëkuptohet si një plagë në Tiranë,
ndoshta sipas sistemit të qeverisjes
në tërë hapësirën mbarë.
Kur do ta kuptoni vetveten
ku po na shpini vallë?!
Libri i jetës
Nga Fatmir Terziu
Ky është libri që është shkruar për dashurinë
ndoshta pa ardhur Eva dhe Adami,
nuk ka kapakë të trashë si të gjithë librat,
është libri ku mund të shëtisësh pakohën,
yjet të zbresësh në çdo kohë,
është libri ku udhët s’pushojnë,
ku stinët janë në sinkron,
puthja është një magji,
prekja gjithashtu sikurse shkruhet,
kësaj i thonë dashuri,
me të asnjëherë nuk luhet.
Ky është libri për dashurinë,
një vapor me letër të padukshme,
një avion që s’ka aerodrom,
një tren që s’ndalon,
një femër që të sheh në sy,
një zjarr që ndizet tek Ty…
… ky është libri ku jo vetëm lexojmë,
punësohemi, edukohemi, jetojmë,
dhe kurë nuk mbaron së lexuari,
ky është i njëjti libër kur e shfletojmë
sepse një tjetër afër na pret gjithmonë,
për hir të vërtetës...
Është libri i jetës!
Urime e suksese miku nderuar Fatmir Terziu ,që në vazhdimësi krijoni poezi e prozë të magjishme me shumë vlera letare.filozofike .Është shumë vështirë të komentosh krijimet tuaja brilante që kanë thellësi mendimi,intuitën e të kuptuarit edhe të padukshmes. Ju uroj jetë të gjatë me lumturi se jeni burim frymëzimi për jetën e shqiptarve kudo që jetojnë nëpër botë