“Deti i peshqve të vegjël” libër i vyer e mbresëlënës i shkrimtarit Rizah Sheqiri
Sapo përfundova leximin e librit “Deti i peshqve të vegjël”, me autor shkrimtarin e mirënjohur e shumëplanësh Rizah Sheqiri, rezident në Suedi, i cili ka botuar deri më sot mbi 50 vepra letrare, një numër të konsiderueshëm veprash të përkthyera nga gjuha shqipe në suedisht dhe anasjelltas, autor e bashkautorë tekstesh shkollore, autor tekstesh këngësh për fëmijë, publicist dhe atdhetar, mësues model i përgjedhur nga fëmijët, i vlerësuar me çmime letrare për nivelin e lartë të krijimtarisë së tij në prozë e poezi...
Libri ”Deti i peshqve të vegjël” është botuar nga shtëpia botuese ”Rizah Sheqiri”, Suedi 2019 dhe ka redaktor z. Muhamed Krasniqi, i cili ka shkruar një hyrje vlerësuese për librin.
Një libër,
që fëmijët e duan si një shok të dashur të tyre
“Deti i peshqve të vegjël”, të tërheq dhe të përfshin në hapësirën e larminë e temave, episodeve, personazheve dhe mesazheve, si dhe në bukurinë e tyre. Rrëfimet vijnë radhë njëri më tërheqës e më mbresëlënës se tjetri, duke lënë gjurmë të dukshme në mendimin estetik dhe psikologjik të lexuesit, sidomos kur është fjala për qëndrimin dhe marrëdhëniet midis fëmijëve, botën e tyre të brendshme dhe komunikimin që krijojnë të rriturit me ta. Mund të them se, me rrëfimet tejet të sinqerta dhe të shkruara me art, me ndjenjë dhe me emocion, libri të krijon përshtypjen e një bashkëbisedimi të ngrohtë të shkrimtarit Rizah Sheqiri me lexuesit e çdo moshe. Duke njohur mjaft mirë botën kureshtare dhe ëndërrimtare të fëmijëve, ai rrëfen thjesht dhe pa bujë disa episode e ngjarje që ndodhin në përditshmërinë e jetës fëmijërore, e që, në tërësi ato dhe të tjera, përbëjnë atë mozaik ngjarjesh që bashkëshoqërojnë jetën dhe rritjen e fëmijëve. Si pakuptuar, tregimet e çojnë lexuesin e rritur në fëmijërinë e tij, i kujtojnë atij çaste apo episode të paharrueshme, duke shfaqur si në ekran gjurmë të pashlyeshme, që ai i ruan thellë në kujtesë, e që kanë ndikuar pastaj edhe në krijimin e personalitetit, të karakterit dhe të fizionomisë së tij. Ndërkaq, tregimet i krijojnë gjithkujt, shansin të ndërtojë marrëdhënie sa më të natyrshme e të sinqerta me fëmijët, të tregohet i kujdesshëm dhe i vëmendshëm në mirërritjen dhe edukimin e tyre. Kurse lexuesin e vogël, këto rrëfime e tërheqin fort e si me magji, e bëjnë atë të buzëqesh apo të skuqet me “bëmat” e tij e të shokëve të vegjël, duke i dhënë njëherazi e si pa kuptuar mësime të nevojshme për jetën. Krijoj bindjen se, këtë libër, fëmijët jo vetëm e pranojnë dhe e duan si një shok të dashur të tyre, por episodet dhe ngjarjet e librit ata i bëjnë pjesë të bashkëbisedave të sinqerta. Më bëhet sikur i dëgjoj të thonë: ”Ej, kujdes, se mos të ndodh si te libri “Deti i peshqve të vegjël”! Ose, “Lexoje, lexoje librin “Deti i peshqve të vegjel” dhe, me siguri që do të më japësh të drejtë!”...
Fëmijët, paqësorët më të mëdhenj të rruzullit
Tregimi i parë i këtij libri ”Deti i peshqve të vegjël” rrëfen një episod që ndodh shpesh me të vegjlit gjatë kohës së pushimeve në plazhe, por që “trondit” mendimin e ne të rriturve me mesazhin e tij befasues. Disa fëmijëve plazhistë, u ka shkuar në mendje të ndërtojnë një “det” fare të vogël, aty në bregun e detit teksa laheshin, luanin me dallgët, me rërën e shkrifët apo merrnin rreze dielli. Duke “punuar” rërën me duart e tyre të vogla dhe duke sjellë me kovë ujë nga deti, ata kanë në mendje e përfytyrim të bëjnë gjëra të bukura. Ata duan që “deti” i tyre të jetë pa peshkaqenë grabitqarë, pa peshq të mëdhenj që hanë peshqit e vegjël, pa peshkatarë që hedhin grepat e tyre dhe kapin peshqit...
Fëmijët janë edukuar me idenë se kafshët e detit, ashtu si edhe ato të tokës apo dhe shpendët e qiellit, kanë të drejtat e tyre të ekzistencës, edhe ata duan të jetojnë. Ndaj fëmijët e ndërtojnë dhe e përfytyrojnë “detin” e tyre si një det të paqes dhe të harmonisë, teksa të gjithëve na shkon mendja edhe te shoqëria njerëzore, te padrejtësitë, te luftërat, konfliktet e vazhdueshme midis njerëzve dhe shteteve...
Fëmijët simbolizojnë pastërtinë dhe dëlirësinë më të madhe shpirtërore, ata janë paqësorët më të mëdhenj të rruzullit, janë engjëjt e këtij rruzulli, idetë dhe përfytyrimet e tyre janë kaq të bukura; ëndrrat e tyre janë njëherazi dhe dëshira njerëzore për një botë paqësore... Sigurisht që, askush nuk do të guxonte t`i turbullonte përfytyrimet dhe ëndrrat e magjishme të fëmijëve, të cilat, nesër ata do të duan t`i bëjnë realitete jetësore.
Edukatorët e parë të fëmijëve janë prindërit
Po vijoj me tregimin tjetër ”Përralla e re”, ku autori rrëfen me mjete të gjetura artistike psikologjinë e fëmijëve, duke synuar të nxisë dashurinë për dije dhe kulturë, e, mi të gjitha, dashurinë dhe respektin e fëmijëve për njëri-tjetrin, jo vetëm kur ata janë të një gjaku, vëllezër e motra, por dashurinë dhe harmoninë e të gjithë fëmijëve, pasi kjo është mëse e nevojshme për të ardhmen e tyre.
Fëmija, personazh i tregimit, përpara se të flinte i lutej prindit që t`i tregonte një përrallë. Çdo fëmijë e ka të nevojshme të rritet me shëndet, por dhe të edukohet duke u rritur. Dhe, siç dihet, edukatori i parë është prindi, ndërkohë që fëmijët e një shkrimtari apo mësuesi, janë shumëfish të fituar, sepse njëherazi jetojnë me prindin, me mësuesin dhe me shkrimtarin. Fëmijët, si fëmijë edhe grinden, për një fjalë, për një lodër, për një veprim; ata janë të ndjeshëm dhe bëhen qejfmbetës apo mbajnë mëri edhe për iç gjë. Duke qenë mjeshtër i shkrimtarisë dhe i edukimit, Rizah Sheqiri e gjen një “zgjidhje” sesi fëmija që mban mëri, jo vetëm të përjetojë zbutjen e grindjes e të mërisë, por edhe ta shndërroj atë në mirëkuptim, miqësi dhe dashuri. Autori e përcjell këtë mesazh përmes një rrëfimi të krijuar aty për aty, por që ka efekt të madh psikologjik dhe edukativ te dëgjuesi, i vogël apo i rritur. Me atë rrëfim aq të sinqertë dhe të besueshëm, ai e bën fëmijën jo vetëm kureshtar, që të dëgjojë dhe të mësojë, por edhe i zgjon një dashuri edhe më të madhe sa ç`e kishte më parë për motrën me të cilën për içgjë ishte hidhëruar...
Tregimet e Rizah Sheqirit rrjedhin si ujëvara të bukura që përshkohen dhe ledhatohen nga rrezet diellore, ato shfaqin me mençuri ide dhe mesazhe të freskëta jete, ngjallin dhe nxitin edhe më shumë respekt dhe dashuri për njeriun, për natyrën, për gjallesat në përgjithësi, por sidomos për harmoninë e njerëzve me njëri-tjetrin. Lexuesi arrin në përfundimin edukativ se nuk ia vlen të grindesh me motrën apo me vëllanë, as me shoqen e shokun, as me të rriturit; ata duhet t`i dëgjosh me respekt, sigurisht duke shfaqur edhe ti mendimin tënd, por pa zhurmë e sherre, pa paragjykime, pa imponim e paternalizëm,”se kështu them unë!” “Se do bësh siç them unë!” “Se këtë e di unë!” “Se kështu dua unë!” Fëmijët nuk janë “gurë” shahu në duart e prindit apo të të rriturve, ata kanë të drejtat dhe liritë e tyre dhe ato duhen respektuar, doemos!
E ku nuk u shkon mendja fëmijëve!
Tregimi “Veja e çokollatës”, jo vetëm që ka vlera edukative, por është edhe argëtues, teksa ne, lexuesit e rritur, duke e lexuar tregimin buzëqeshim me përfytyrimin e pasur dhe brilant të fëmijëve, të cilëve “e ku nuk u shkon mendja”! Në vend që ta hajë vetë çokollatën, fëmija e copëton dhe ia jep pjesë - pjesë pulës, sepse mendon se ajo pulë do të bëj një vezë çokollate. Thua, ai fëmijë po e çonte vërtetë dëm atë çokollatë? Pa ua bëni fëmijëve këtë pyetje dhe do të dëgjoni sesi do t`ju përgjigjen. Përgjigjet e tyre do të jenë befasuese, pasi ata edhe mendimet e përfytyrimet i kanë ndryshe nga të rriturit, ata janë duke mësuar jetën përmes veprimeve, episodeve, ngjarjeve, leximeve, lëvizjeve kureshtare, duke përcjell e pasqyruar në trurin dhe mendimin e tyre realitetin ku jetojnë, por dhe atë realitet që dëshirojnë dhe ëndërrojnë. Ndërsa, disa nga ne të rriturit duam që fëmijët të mendojnë dhe arsyetojnë si ne! Sigurisht që kjo s`është e mundur dhe s`ka sesi të jetë e mundur, sepse fëmijët kanë të drejtë të kenë përytyrimet e tyre, ata kanë të drejtë të jetojnë jetën e tyre. Fëmijët nuk kanë lindur të rritur, ata duke qenë fëmijë s`mund të mendojë si gratë dhe burrat e rritur, ata s`mund të kenë mendime e përvoja si pleqtë?!
Jeta nuk është ëndërr,
por ëndrrat e mbajnë jetën
Jeta nuk është ëndërr, por ëndrrat e mbajnë jetën, e bëjnë më të bukur, ato “projektojnë” të ardhmen. Tek e fundit nga ëndrrat dhe fantazitë, kanë lindur edhe gjërat më të bukura dhe më të nevojshme të kësaj bote. Nga ëndrra për të lëvizur dhe ecur shpejt, u krijuan makinat; nga ëndrra për të fluturuar si zogjtë, u krijuan aeroplanët dhe raketat; nga ëndrrat për të notuar si peshqit, janë krijuar mjetet lundruese mbiujëse dhe nënujëse...Ëndrrat, dëshirat dhe nevojat kanë bërë të mundur ndryshimet më të mëdha njerëzore, në të gjitha fushat e jetës.
Me fëmijët,
takt, durim, sinqeritet, natyrshmëri, jo paternalizëm!
Ka humor të këndshëm tregimi “Tërfili me katër fleta”, i cili tregon “naivitetin” e fëmijëve, ndërkohë që shkrimtari përcjell mesazhin se mësuesit duhet të shpjegojnë se nuk është rastësia dhe fati që sjell ndryshimin në përvetësimin e dijeve, por puna e vazhdueshme e këmbëngulëse e fëmijëve, zelli dhe vullneti i tyre për të mësuar sa më shumë dhe për t`u futur sa më gjerësisht e thellësisht në të fshehtat e dijeve dhe të shkencave, të dukurive natyrore...
Mesazhin e dashurisë për kulturë dhe dije, si dhe këmbënguljen për të mësuar sa më shumë, autori e përcjell edhe nëpërmjet tregimit ”Si gëzohen prindërit”, ku, me përvojën e tij si mësues, shkrimtari Sheqiri di të prekë zemrat e fëmijëve, kurse trishtimin dhe ndjenjat e tyre, di t`i shndërrojë në forcë dhe besim si të thotë se, fëmijët brenda vetes, me ndihmën e të rriturve dhe sidomos mësuesve, në të ardhmen e afërt do të shfaqin energji të pashtershme për të përmirësuar jetën e tyre dhe të shoqërisë në tërësi. Në këtë tregim shfaqet dhe takti i prindërve për të qenë sa më të kujdesshëm dhe të vëmendshëm në mirërritjen dhe në edukimin e fëmijëve, duke u krijuar atyre kushtet e nevojshme që ata të zhvillojnë dëshirat dhe përfytyrimet e tyre të bukura, të arrijnë të gjejnë rrugët e duhura të jetës.Të mos harrojmë se nga bankat e shkollës e kanë nisur edhe më të mëdhenjtë e kësaj bote, dijetarët, shkencëtarët, artistët, krijuesit...Këta fëmijë sot, nesër do të jenë ata që do të lëvizin botën drejt zhvillimeve të reja në të gjitha fushat e jetës.
Tregimi “Zogu i shkollës” përcjell edhe ai dashurinë për shpendët, teksa zbërthen bukur psikologjinë e vogëlushes Donjetë, e cila e donte kaq shumë zogun e vogël, saqë fjeti gjithë natën me të, teksa ajo shprehte kështu edhe dëshirën e madhe që të mos ndihej e vetme në shtëpi. Ajo dëshironte që prindërit e saj të lindin edhe një motër të vogël, që ajo ta kishte edhe motër, edhe shoqe. “Fëmija do fëmijën”, na duket sikur na thotë autori përmes këtij rrëfimi të ngrohtë dhe mbresëlënës. Një fëmijë shfaqet i ngurtë, i drojtur, i turpshëm dhe pa iniciativë mes të rriturve, kurse në mjedisin e tij, mes fëmijëve, ai gjallërohet, bëhet i shoqërueshëm, çel si një gonxhe, cicëron me zë të hollë e të ëmbël si një zog, “fluturon” si një flutur krahëshkruar, “gugat” si një pëllumb paqësor, lëviz andej-këndej duke flladitur ajrin dhe duke përhapur jetë, gaz dhe hare...Aty, mes shoqeve dhe shokëve të tij, fëmija ndihet plotësisht vetvetja.
Jeta na jep mësime të vlefshme.
Ndodh shpesh herë që pësimet bëhen mësime.
Tregimi “Alarmi”, na jep mesazhin e nxjerrjes së mësimeve nga episodet apo ngjarjet që mund të na ndodhin në jetë. Sikurse është edukativ tregimi “Njeriu me tre sy”, ku nëpërmjet një ëndrre, shkrimtari orienton fëmijën të mësojë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të tregojë kujdes kur ecën në rrugë... Do të më pëlqente, edhe si një ish-mësues, që tregime të tilla të zinin vend edhe në librat shkollorë, për shembull kur mësohen rregullat e qarkullimit rrugor. Në këtë mënyrë, fëmijët do t`i mbajnë mend edhe më mirë këto rregulla dhe nuk do të gabojnë në zbatimin e tyre.
Kreativ dhe mësimdhënës është edhe tregimi “Nëpër shkallët e jetës”, ku shprehet i fuqishëm mesazhi se, sa herë “rrëzohemi”, duhet të gjejmë forca në vetvete të ngrihemi dhe të vijojmë rrugën e shkollimit, të dijes e shkencës, të dashurisë e të miqësisë, rrugët e gjera të jetës. Ka vlera edukative edhe tregimi “Lojë e rrezikshme”. Në jetë ndodhin episode apo ngjarje, të cilat po të mos vlerësohen dhe të merren lehtë, janë me pasoja të rrezikshme. E tillë ishte dhe ngjarja “Loja e rrezikshme”, ku tri notare zhyten në ujë. Njëra nuk dinte të notonte mirë dhe, e “mashtruar” se atje nuk ishte thellë, ajo u zhyt atje ku s`duhej dhe, thuajse mbeti në fund të detit. Madje gati sa s`u mbytën edhe dy të tjerat, që provuan ta shpëtonin. Shpëtimi erdhi vetëm nga zhytësit shpëtimtarë, kujdestarë të plazhit, njerëzit që ishin të stërvitur për të ndihmuar ata që rrezikoheshin gjatë notimit. Krahas, analizës psikologjike të pendesës ndaj fajit që bëri në atë episod njera nga personazhet, e cila deshi vetëm “të luante dhe të bënte pakëz shaka me shoqen”, lexuesi mëson edhe se, deti, i cili është sa i bukur dhe tërheqës, ai është po aq edhe fatal, nëse nuk vlerësohet rrezikshmëria që paraqet me dallgët e fuqishme, thellësinë, me gjallesat përbindëshe brenda tij, etj. Nuk është kot shprehja:”Deti është i bukur, por nga bregu!” Janë mësime këto për cilindo, jo vetëm për fëmijët, por edhe për të rriturit, sepse edhe të rriturit gabojnë përballë grishjes dhe tundimit, që krijon deti me bukurinë dhe madhështinë e tij. Fuqia e këtij tregimi, mendoj se qëndron edhe te sinqeriteti i thellë i rrëfimit, por edhe te vlerat dhe emocionet që përfitohen gjatë leximit.
Mesazhe origjinale me fuqi mbresëlënëse
Duket se në këtë vëllim, secili tregim përcjell bukur dhe në mënyrë bindëse mesazhe origjinale, që autori me mprehtësinë dhe me talentin e tij i bën të dukshme dhe edukative, pa bujë e zhurmë, pa komente dhe moralizime. Madje, natyrshmëria dhe jo moralizimi, që shpesh vihet re te krijimtaria për fëmijë, bie në sy në këtë vëllim të shkrimtarit Sheqiri. Ai e shmang mjeshtërisht moralizimin, duke treguar kështu fuqinë dhe magjinë e krijimtarisë së tij, por dhe origjinalitetin që e dallon.
Mendoj se ai që ka rastin t`i lexojë këto tregime mbresëlënëse, kur mbyll faqen e fundit të librit dhe bie në mendime, natyrshëm i burojnë falënderime dhe përgëzime për autorin, për shkrimtarinë e tij, për mesazhet, stilin e thjeshtë e tërheqës deri në detaje.
Në këtë shtrat është edhe tregimi “Pikëllimi”, ku keqdashja kthehet në bumerang. Duket se njeriu zhvillohet edhe duke e pësuar, madje mësimet që nxjerrë në kësi rastesh janë edhe më të fuqishme. Fëmijët rriten dhe mësohen gjatë jetës, gjatë përditshmërisë.
Tek tregimi “Bukuria e zezë e klasës sonë”, autori trajton një problem bashkëkohor, bulizmin, si dukuri që ndodh shpesh herë në mjedise sociale, e sidomos në shkolla, ku fëmijë dhe adoleshentë trazojnë, fyejnë, dhunojnë, përbuzin, poshtërojnë, tallin dhe satirizojnë shoqe apo shokë të tyre. Ky tregim, bart vlera edukative dhe mendoj se shërben edhe si një temë e veçantë për orën e mësimit, është një mesazh që të mbetet thellë në mendje, sidomos ideja se, në jetë, duhet të respektojmë këdo, qoftë shokun dhe shoqen, pa dallime ngjyre apo problemesh të tjera që mund të shfaqen apo vihen re tek njëri apo tek tjetri.
Po aq kreativ dhe i rëndësishmëm është edhe mesazhi i dhimbshëm i tregimit “Flamuri në gjysmë shtizë”, që trajton artistikisht pasojat e rënda që ka droga, e cila jo vetëm krijon vartësi te përdoruesit e saj, por edhe shkakton drama të dhimbshme, e deri dhe fundin e jetës së dikujt.
Mjeshtëri rrëfimi dhe bukuri artistike
Tregimet e këtij libri, të shkruara thjesht, me stil të zhdërvjelltë dhe gjuhë të pasur, i krijojnë lexuesit kënaqësi estetike gjatë leximit, por mesazhet e tyre njësohen shpirtërisht tek ai, duke pasuruar më tej mendimin dhe kulturën, veçanërisht duke zbuluar më tej psikologjinë e fëmijës, mënyrat e panumërta të komunikimit me ta në përditshmërinë e jetës, në edukimin e tyre të vazhdueshëm e humanë, kulturorë e shkencorë. Ato mbeten në mendjen e lexuesit, teksa janë të shkruara me ndjenjë, emocion, bukuri dhe art. Bie dukshëm në sy në këto tregime mjeshtëria e rrëfimit artistik, stili, kompozicioni, figuracioni, shprehjet frazeologjike, leksiku i pasur...
Libra të tillë, që lexohen me ëndje dhe dëshirë nga çdo moshë, mendoj se i duhen shumë shkollës dhe orëve mësimore edukative. Ato mbështetin bindshëm orët e mësimit dhe zgjerojnë vizionin dhe kulturën e nxënësit për tema të veçanta. Si lexues dhe si shkrimtar, i shpreh konsiderata të larta shkrimtarit të mirënjohur Rizah Sheqiri, e falënderoj atë për kontributin e madh e të vyer shkrimorë, duke i dëshiruar kurdoherë vepra të tjera me vlera dhe nivel të lartë artistik. Faleminderit!
留言