Letërsia dhe globalizmi


Nga Sadik Bejko




Letërsia dhe globalizmi… në të parë, ngjajnë si dy terma a fjalë që me përdhunë mund t’i vësh pranë e pranë. Në poezi pranëvënia e një fjalë me një tjetër disi jo të pranueshme për t’u vënë afër e afër, prodhon dimensionin artistik, befasinë asociative, shpërthimin e të moskuptueshmes, për ta kthyer edhe më qartë, edhe më ndritshëm në kuptimësi. Borhesi mund të jetë mësuesi i madh i pranëvënies së fjalëve a termave që, në shikim të parë, assesi nuk mund të qëndrojnë bashkë. Për shembull, takimi me Yllin Aleph në një bodrum nëntoke. Sot një fantazi e tillë është e prekshme. Yll Aleph në tunelin nëntokësor të një metroje diku në metropolet e mëdha të botës së sotme, mund të jetë kompiuteri. Kohët shkojnë dhe realiteti i teknologjisë së lartë ia kalon edhe një vizioni borhesian. Qytetërim i teknologjisë së lartë e ka globalizuar përfytyrimin dhe mënyrën tonë të jetesës... gjer në kufijtë e së pabesueshmes. Atëherë letërsia, ç’mund t’i japë letërsia një bote të tillë globale në tregje, në imazhe, në përfytyrime? Letra, shkronja, të shkruarit është atribut i individit jo i qytetarit. Kulturën, letërsinë, pikturën e bën individi. Qytetari, shoqëria bëjnë qytetërimin. Kur lexojmë një poezi të Safos, një poe