top of page

Letërkëmbimi i Mid’hat Frashërit një pasuri kulturore






Vepra madhore e Midhat Frasherit është pjesë tejet e rëndësishme e historisë dhe kulturës së kombit tonë, duke qenë njëkohesisht edhe shumë aktuale për sot edhe për neser. Botimi i plotë i veprës së tij është kthyer në një pasuri dhe veprimtari kulturore, në një kohë që interesimi për librin dhe kulturën përgjithësisht ka rënë apo është deformuar, dhe ky është një ogur jo i mirë, sepse gjuha, libri dhe kultura na kanë bërë të mbijetojmë si komb dhe të jemi gjithsesi evropianë

Letërkëmbimi i Mid’hat Frashërit (vëllimi 6 dhe 7) përbën kurorën e meditimit, të veprimtarisë shkrimore dhe krijimtarisë së tij: aty shfaqen idetë e reja iluministe të tij në çdo fushë të jetës e të mendimit, sfidat dhe vendimmarrja e tij në ngjarjet kyçe të historisë së kombit, shqiptarizmi si platformë dhe veprim, përpjekjet titanike në mbrojtje të çështjes shqiptare në krizë, këmbëngulja e palodhur për zgjidhjen më pozitive të saj, humanizmi dhe evropianizmi si frymë e model, diplomacia si mjeshtëri dhe art, debati me argumente dhe logjikë të pakundërshtueshme, elokuenca dhe sjellja fisnike, bashkëbisedimi dhe polemikat me personalitete të shquara historike shqiptare e të huaja, përfshirë presidentë shtetesh, kryeministra, ministra, kryetarë forumesh kombëtarë e ndërkombëtarë; shfaqen bashkëpunimi e bashkimi kombëtar, haxhiqamilizmi shqiptar, rreziku komunist, lufta për shtet ligjor dhe demokraci, morali, miqësia dhe dashuria, por edhe kritika ekzistenciale, protesta, largpamësia, kultura sipërore, informacioni i gjerë dhe sensi zyrtar, por edhe intim dhe artistik i këtij letërkëmbimi.

Në përvjetorin e vdekjes së Tij, përurojmë vëllimin e shtatë të veprës së zgjedhur te Midhat Frasherit, botim i Institutit te studimeve historike “Lumo Skendo”. Letrat e vëllimit të shtatë vijojnë nga vëllimi i gjashtë dhe ngërthejnë letërkëmbimin e periudhës mjaft të ngjeshur të vepimtarisë midhatjane përgjatë viteve 1921, 1922, 1923 dhe 1924, vite në të cilat ai ka qenë kryetar i Delegacionit Shqiptar nëKonferencën e Paqes në Paris dhe kryedelegat në Lidhjen e Kombeve, Gjenevë, si edhe ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë.

Edhe ky botim e tejkalon letërkëmbimin e zakonshëm, sepse përmban vlera të jashtëzakonshme historike, kulturore, gjeo-politike, antropologjike, diplomatike, albanologjike, sociale, ekonomike, statistikore, gjuhësore, artistike, pedagogjike, psikologjike, erotike, intime, që lidhen me periudha tejet të rëndësishme tëhistorisë së kombit e shtetit shqiptar dhe me politika e marëdhënie ndërkombëtare, personalitete të shquara shqiptare e botërore, por edhe me jetën, veprimtarinë e gjithanshme, shkrimtarinë dhe humorin e penën e hollë të Mid’hat Frashërit.

Ai ka shkruar dhe këmbyer letra me personalitete të botës shqiptare si Luigj Gurakuqi, Mehmet Konica, Kristo Luarasi, Gaetano Petrota, Dr. I. Temo, Dr. M. Turtulli, Fan Noli, Sulejman Delvina, Shtjefën Gjeçovi, Gjergj Fishta, Gjergj Pekmezi, Ahmet Zogu, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Dhimitër Berati, Aqif Pashë Elbasani, Pandeli Evangjeli, Arif Dino, Asdreni, Kolë Tromara, Kostë Çekrezi, Avni Rustemi, Seit Kemal, Hil Mosi, Skënder Frashëri etj; por edhe me personalitete te shquara të politikës e diplomacisë botërore si presidenti Wilson, Lord Robert Cecil, kryetar i Konferencës së Paqes në Paris, Jules Cambon, kryetar i Konferencës së Ambasadorëve, Eric Drummond, sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve, D’Estornuelles de Constand, Lloyd George, Aristide Briand, Aubrey Herbert, Edit Durham, Justin Godart, Baron Hayashi, Telford Erickson, Jean Pelissier, I.S. Barnes, Morton Eden, A.J.Balfour, Rene Vivian, K.Ishii etj. si edhe ministra, deputetë, këshilltarë, ambasadorë, albanologë, shkrimtarë, kryeredaktorë agjencish, gazetash e revistash, miq dhe armiq të Shqipërisë, njëherësh edhe të Mid’hat Frashërit.

Letrat janë hulumtuar e nxjerre nga arkivat shqiptare dhe te huaja dhe një pjesë e mirë e tyre janë përkthyer nga Footaq Andrea dhe Aurenc Bebja, në Francë dhe Lorena Dedja e Toni Makuçi në Shqipëri. Botimi është trajtuar shkencërisht dhe pajisur me gjithë laboratorin përkatës, me ilustrime e faksimile, si edhe me kujdesin e shtypshkronjës Oufri dhe të botuesit të mirënjohur Bujar Hudhri.




Mesazhe të zgjedhura nga letërkëmbimi i vëllimit VII


Mid’hat Frashëri, kryetar i delegacionit shqiptar ne Konferencen e Paqes, reagon fort ndaj disa Fuqive të Mëdha, që kërkonin coptimin e Shqiperisë:

“Më ndjeni që po u them të vërteta të hidhura, por është mirë që ato të dihen. Sidoqoftë, duhet vepruar në mënyrë të tillë që ato të dëgjohen se shqiptarët, nuk do ta lenë veten të therren si gjingjat dhe se një luftë guerile mund të zgjasë te ne për një gjysmë shekulli”-

*

Diplomati Frasheri nga Parisi –qeverise Shqiptare:

“Jam i lumtur t`ju komunokonj lajmin e mirë, që është njoftim zyrtar i Britanisë së Madhe, e cila nuk pranon t`i kërkojë Gjinokatrën dhe Korçën për Greqinë. Këtë erdhi vetë zoti Temperli të ma njoftonte dje, që do të thotë se kufijtë tanë jugorë janë jashtë rrezikut”.

*

Ministri i jashtëm i Shqipërisë Evangjeli i drejtohet Ministrit te Jashtem te Greqise, Alesandrit, janar 1923: “Qeveria shqiptare, me dëshirën për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike midis Greqisë dhe Shqipërisë, ka vendosur të akreditojë pranë Shkëlqesisë Suaj në cilësinë e të Dërguarit me Mision të Posaçëm, Zotin Midhat Frashëri, i Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë në Uashington dhe aktualisht për të administruar përkohësisht punët e Legatës së Shqipërisë në Athinë, deri në emërimin e titullarit përfundimtar. Cilësitë që e dallojnë këtë diplomat, zelli dhe përkushtimi i tij, më japin sigurinë që ai do të bëjë të gjitha përpjekjet e tij për të merituar vlerësimin dhe besimin e Shkëlqesisë Suaj”

*

Aleksandri, ministri i Jashtëm grek, në takimin me Midhat Frasherin në Athinë:

- Nuk munt të kuptoni se sa përparim është bërë që kurse kini ardhur në Athinë, sa ndalime kemi pasur dhe sa masa janë marrë. Sillogëvet te Vorioepirit ua preva fare fuqinë dhe u thashë të mos trazohen në punë. Pandaj edhe do të jem i lumtur që të kem se ç’tu them vorioepirotëve dhe t’u zë gojën.

-Përgjigjen e kini gati, i thashë, u thoni se Shqipëria ka afro 40 shkolla greqisht që i mban me të hollat e saj, kurse ne s’kemi asnjë shkollë shqipe ne Greqi!

*

Biseda me kryeministrin e Greqise, Venizelos:

Pardje i kërkova një pjekje zotit Venizelo. I bëra urimet e mia dhe i rrëfeva shpresën që ardhja e tij në fuqi do të lithnjë edhe një herë marrëdhaniet e mira të filluara midis dy shteteve.

Venizelo:

- Munt të jini sigur se ne mua do të gjeni njerinë më të konviktuar për kolaborim të mirë midis Greqisë dhe Shqipërisë. Qeshë i shtrënguar në Konferencen e Ambasadoreve ne Paris dhe Lidhjen e Kombeve ne Gjeneve të mbronj interesat e Greqisë, bëra detyrën time, si edhe ju bëtë tuajën. E shoh që ju kishit të drejtë. Teza juaj qe më e vërteta dhe unë përulem para jush.

*

Revista“Société des nations” boton fjalimin e mbajtur Mid’hat Frashëri, në selinë e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë. Nje fragment:

“Unë i përkas një rajoni të Evropës që ka vuajtur shumë, ndoshta ai që ka vuajtur më shumë gjatë dy dekadave të fundit. Është ky rajon i Evropës që kishte më shumë nevojë për paqe, pajtim dhe harmoni midis elementëve të ndryshëm të tij. Popujt ballkanikë kanë filluar të kuptojnë se ka vetëm një mënyrë për të arritur prosperitetin, vetëm një mënyrë për të shkëputur zakonet e këqija të së kaluarës, sipas të cilave çdo popull përtej kufirit konsiderohej armik. Ata tashmë e kuptojnë se një solidaritet interesash të përbashkëta, materiale dhe ekonomike, madje edhe morale e intelektuale, duhet t’i bashkojë popujt dhe jo t’i ndajë ata”.

*

Nga Letra e Midhatit drejtuar konsullit Eden :

« Para së gjithash, e quaj të nevojshme t`ju them se do të ishte gabim të mendohet se ka një lëvizje bolshevike në Shqipëri. Është kjo mendësi e mjerueshme të ngatërrosh liberalizmin, demokracinë dhe dëshirën për ndarjen e tokave, me sistemin e sovjetëve. Shqiptari është shumë konservator për t`u bërë bolshevik e leninist. Për mua ka vetëm një mënyrë që të normalizohet gjendja në Shqipëri: Mbajtja e lidhjeve me Lëvizjen Demokratike»

*

Letër e Midhat Frasherit drejtuar Kostandin Çekrezit, komisar i lartë i Shqiperisë ne Washington : « Karriera e priftërisë më duket një udhë në të cilën kur të dojë njeriu mund të bëjë shërbimet më të mbëdhenj. Mos harro se kleri dhe kisha shqiptare duan organizuar që nga koka e në këmbë, e do inspiruar frymë serioze dhe patriotike. Duke e shogruar veten në këtë udhë, do t’i kesh bërë padyshim të mirën më të çmuar Shqipërisë. Dua të bënj vetëm dy vërejtje të vogla, në më dhënç lejen.

1. Më thua se dy diplomatë të huaj, qenkan të interesuar në këtë punë. S’e kuptoj dot ç’punë kanë bajlozët e huaj në një çështje thjesht kombiare dhe shqiptare?

2. Më thua se do të bëhi kryetar i Kishës ortodokse Autoqefale, duke u dorëzuzr Peshkop i Durrësit. Pse ky pazarllëk? A nuk e shihni pak si kundër moralit dhe aq më tepër kundër moralit të krishterë? A nuk do të ishte më mirë të thonit se do të bëhi prift, dhe në paçi fat, në rrëfefshi zotësi, do të lartësohi në shkallët e arkimandrit, peshkopit dhe mandej kryetarit te Kishës? «

*

Atdhetari Midhat Frasheri:

“Ngjarja kryesore e muajit nëntor është kremtimi i Festës Shqiptare, 28 nëntor.

Atë ditë për herën e parë në Legatë dhe në Athinë u ngrit flamuri ynë ».

*

Midhati - qeverisë shqiptare:

“Kam nderin të heq vërejtjen e Shkëlqesës Suaj mbi çështjen këtu më poshtë:

Në Stamboll, Tekir-Dag, Uzun Qypri, Brusë, etj., gjenden afro 1.000 shqiptarë të Kosovës, të ikur nga plëngu i tyre, afro mot-mot e gjysmë më parë nga shkaku i reprezaljeve serbe..

Këta njerës edhe s’janë vendosur gjëkund dhe janë gati që të venë në Shqipëri me gjithë fëmijë. Karakteri punëtor dhe bujk i këtyre shqiptarëve më bën të besonj se transportimi dhe vendosja e tyre në Shqipëri do të na sjellë dobi të madhe materiale dhe politike:

Po fitimi më i math do të jetë se do të pritet shpresa dhe korenti i emigrimit drejt Turqisë të Kosovarëvet. Mjerisht këta një mijë veta, për të cilët bëjmë fjalë, janë të varfër dhe pa mjete. Duan, pra ndihmën e qeverisë sonë që të mundin t’ikin dhe t’instalohen ne Shqiperi.”


*

Mid’hat Frashëri e denoncoi publikisht shpërnguljen e paligjshme dhe me dhunë të shqiptarëvë nga trojet e tyre, grabitjen e tokave e të pasurive, kolonizimin me kolonë grekë, burgosjet, rrahjet dhe degdisjen në shkretëtirat e Anadollit. Ai demaskoi përpjekjen djallëzore të politikes greko-turke për t’i etiketuar shqiptarët si turq dhe për t’i shkëmbyer me turqit e Greqisë, duke e konsideruar këtë si një shkelje flagrante të traktatit të Lozanës dhe të konventave ndërkombëtare për minoritetet. Kështu,shkruan ai, u shpërngulën me mjete terrori e mashtrimi 35 mijë shqiptarë nga Kosturi dhe Follorina të cilësuar nga autoritetet greke si turq dhe 20 mijë shqiptarë të tjerë të Çamërisë, kryesisht nga Janina, Preveza, Parga, Gumenica, Paramithia, etj. “me shtrëngimet e zyrtarëve grekë gjindarmë ose myfti, apo më keq akoma me dru e shkop të gjindarmit”- shkruan Midhati. Shtëpitë dhe pronat, bagetitë, prodhimet bujqësore të Çamëve u sekuestruan dhe në pronat e shtëpitë e tyre u vendosën kolonët grekë.

*

Frashëri- qeverisë shqiptare:

“Kujtonj se do të qe mirë, për të prerë hovin e këtyre intrigave te brendshme dhe te jashtme, të bëhej një komunikatë zyrtare në agjencitë për të deklaruar që s'ka ndonjë korrent për copëtim ose kantonizmë në Shqipëri dhe për të theksuar programin e Shqipërisë që është për qendrësim dhe bashkim të ngushtë.”

*

Politikani M.Frasheri : « Shqipëria do të bjerë në një rrezik të madh politik dhe shoqëror, në qoftë se nuk bëjmë gjë për t’u përmirësuar gjendja e saj ekonomike.Pas kësaj vjen politika. »

*

Zeusi i Kulturës, Midhat Frasheri:

Do të qe mirë sikur të mundim të zgjojmë në disa qarqe një jetë intelektuale, një rrojtje me ide të reja, një jetë mendore. Le të përpiqemi t`i prapsim pak shqiptarët nga jeta politike dhe e kafenevet, t`i shtyjmë në studim dhe në merak për çdo send që i përket Shqipërisë dhe shqiptarizmës, se po që nuk zgjuam dot një kult, një adhurim për çdo send që i përket kombit dhe tokës sonë, nuk mund që të kemi as shqiptarë, as Shqipëri.

*

Sa dëm i math munt të vijë nesër Shqipërisë nga pikëpamja morale dhe ç’rrezik po i pregatitet nga këto manovra të errëta, nuk është nevojë që t’ua shpjegoj këtu. Vetëm dua të pyes ku do të gjejmë njësinë dhe bashkimin politik e moral për forcimin dhe mbrojtjen e Shtetit tonë? Kemi nevojë që çdo Shqipëtar të bindet se rrojtja e tij dhe interesi i tij janë lidhur dhe të pandarë prej Shqipërisë, sido që të jetë kjo Shqipëri. Edhe për këtë duhet që çdo Shqipëtar të ndjejë veten e tij të siguruar brenda në Shqipëri dhe të mos kërkojë derë dhe strehë të huaj.

*

Para së gjithash, e quaj të nevojshme t`ju them se do të ishte gabim të mendohet se ka një lëvizje bolshevike në Shqipëri. Është kjo mendësi e mjerueshme të ngatërrosh liberalizmin, demokracinë dhe dëshirën për ndarjen e tokave, me sistemin e sovjetëve. Shqiptari është shumë konservator për t`u bërë bolshevik e leninist. Për mua ka vetëm një mënyrë që të normalizohet gjendja në Shqipëri: Mbajtja e lidhjeve me Lëvizjen Demokratike.

*

Jemi në kohë realizmi, ku fjalët dhe ndjenjat përkthehen në akte dhe vepra.

*

Profeti Midhat Frashëri :

« Shqipëria ka nevojë për një ndihmë pa interes dhe mirëdashëse me qëllim, që të mbështetet në fillimin e jetës së saj politike. Kjo ndihmë duhet t'i jepet Shqipërisë nga një fuqi jo direkt e interesuar në Ballkan, për një periudhë disa vjeçare dhe ne mendojmë se Republika e madhe Amerikane SHBA do të kryente një shërbim të jashtëzakonshëm për njerëzimin duke realizuar këtë mision ».

17 views1 comment

1 comentário


fahri dahri
fahri dahri
13 de out. de 2022

Po. Dihen qendrimet atdhetare të mëndjendriturit Mit'hat Frashëri. Autori i këtij shkrimi, nëse mundet të bëjë një sqarim lidhur me letrën e Mit'hatit, në emër të Ballit, ku kërkohet që të njihen kufijt e vitit 1939 me Greqinë. Ç'farë duhet të kuptohet me këtë marrëveshje, mes Ballit dhe Edes-it? Ju faleminderit.

Fahri Dahri.

Curtir

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page