top of page

LETËR NGA KAMPI NAZIST


Kostandin Vogli

Me rastin e 9 majit, ditës së fitores ndërkombëtare mbi nazizmin, po publikoj letrën e një të internuari në kampet famëkeqe të shfarosjes në masë, ku kanë qenë të internuar edhe nga Shen Vasili e Nivica.


LETËR NGA KAMPI NAZIST


Shumë e dashura nënë!

Mbas një lodhje të madhe për zhbllokimin e një strehimi me fëmijë e pleq, si shpërblim na dhanë një orë pushim. Më lindi ideja të bëja një provë për të të shkruar një letër. Nga një i moshuar, që akoma dridhej nga bllokimi dhe nga të ftohtit, kërkova një letër dhe një laps. Është i shkolluar. Profesor, shumë i gatshëm dhe mjetet e shkrimit m’i dha. M’i dha së bashku me një puthje në faqe si dhuratë. Bllokun dhe lapsin i kishte në xhep të palltos.

I ulur në një gur fillova të shkruaj. Në fakt bënë shumë ftohtë, por ne nuk e ndjejmë se punuam shumë. Punuam me ndjenjë të shpëtojmë popullin. Po nënë! Të shpëtojmë një popull. Dhe këta janë gjermanë. Sytë i kam plot pluhur dhe lotë nga puna e nga malli, nënë. Ti më kupton. Një ushtar po më shikon. Automatikun e ka krahqafë. Për dore mban një qen me gjuhën jashtë , sikur na perqesh. Më shikon, por nuk më pyet çfarë shkruan. Shumë ushtarë, kaptera dhe officerë rreth e rreth me automatikët ngrehur.

Nxorra nga xhepi një patate të pa pjekur dhe e nduka sikur të jetë mollë. Jo se kam uri nënë. Ti do më kuptosh… Ushtari më pa, por nuk më ndaloi. Shumë shokë të mi, sa më panë mua, i nxorrën nga xhepat dhe fillua të hanë patate. Unë ha e shkruaj. Jo se këta nuk na japin ushqim. Ou, ta dish ti nënë sa supra hamë ne, sa na janë urryer! Me kokëlakër, me presh, me karrota, me patate, paçka se u mungon pak vaji. Ndërsa mish, besoj se do të na gatuajnë. Edhe bukë një fetëz të “madhe”. Më kupton, e dashur nënë!

Pak metra para kam kapterin, i cili më vëzhgon. Herë – herë më buzëqesh. Na ruajnë. Jo se do tentojmë për t’u arratisur, por zbatojnë rregullat. Qentë nuk i kënë për ne, por për zbavitje. Ti do më kuptosh, nënë e dashur. Patatja po më shijon shumë, paçka se është e gjallë. Jemi të ngopur, por të gjithë e hamë në vend të mollës.

Qeni që kam pranë filloi të angullijë. Ushtari nuk priti që qeni të ankohej shumë si i uritur. Nga çanta nxori një kuti me mish dhe ja zbrazi në një enë. Edhe atë e nxorri ng Çanta. Ndërsa ne që e pamë të habitur, gati sa nuk ramë të zalisur, Stomaku na u trazua. Jo se kishim uri. Ti më kupton nënë. Por se ishte ushqim që e hante qeni. Dhe ai mbasi e mbaroi, lëpiu buzët qoshe më qoshe, pastaj nxorri gjuhën sikur do të na përqeshte përsëri. Nga goja i kullonin jargë. Ushtari diçka kuptoi dhe ngriti supet. Ne na doli stomaku në gojë. Kullonim jargë edhe ne ashtu si qeni. Jo se kemi uri nënë, por në fakt edhe pak uri kemi se punuam shumë. Pas pak edhe ne do shkojmë të hamë supë të shijshme.

Kapteri po më shikon që shkruaj dhe ndofta edhe do të ma kërkojë që t`ja lexojë, sepse unë kuptoj shumë gjermanisht. Ai u afrua dhe më pyeti se çfarë shkruaj. Unë ju përgjigja, se i shkruaj një letër nënës. I thash se kam mall. E shkruaj ashtu kot, i thash, se nuk kam mundësi ta dërgoj. Po i shkruaj që jetojmë mirë. Se na ushqeni mirë shumë dhe nuk na ndëshkoni kurrë. Ja thash gjermanisht dhe ai i habitur më pyeti se ku e kam mësuar këtë gjuhë. I thash nga një fjalor italisht – gjermanisht, sepse italishten e kam mësuar në shkollë. Më lavdëroi që e pëlqeja gjuhën gjermane. Nuk i thashë asgjë, por ai vazhdoi të më thotë se duhet të jem njeri i ngritur. Unë i thashë se jam fshatar i thjeshtë. Zanatçi. Më pyeti në dinë patriotët e mi gjuhë të huaja dhe ju përgjigja se të gjithë dinë greqisht dhe italisht. U habit. Dhe për habinë time, ai m’u zotua se do ta postojë letrën ai vet. Më la të çuditur. Ta besoj!? Më pyeti në kisha uri. Jo zotëri i thashë. Jam i ngopur. Por ai më pyeti me mosbesim. “Me pataten e gjallë?” M’u shqyen sytë, sepse mu duk e pabesushme. E vërtetë vallë, paska dhe ushtar të mirë! Më tha të shkruaj adresën, por vetëm tënden, jo timen që e dërgoj.

Të gjithë i kanë sytë nga unë, por nuk e marrin me mënd se unë shkruaj letër për ty. Menduan se unë merresha si gjithmonë me fjalë të reja gjermanisht. Por mua më duket se m’u stampuan sytë e tyre në këtë letër, dhe unë mendoj se ti do t’i shikosh dhe të gjithë këta do të të shikojnë tya dhe të gjithë ata që do ta shikojnë dhe lexojnë këtë letër. Puthe letrën cep më cep, sepse aty janë sytë e të gjithëve.

U përqafojmë nga shumë larg të gjithë bashkëfshatarët, të cilët janë shumë mirë, pavarësisht se pak të dobët. Nuk kam kohë që t’i shkruaj emër për emër.

A do ta gjej letrën time vallë në u kthefsha? Shpresoj. Shpresojmë!...

Mosburg. Stalag. 7a Gjermani

112 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page