top of page

LEKSI I GRIKË, MANATISË ALEKSI I EKSARKIES SË ATHINËS DHE...


ALEKSI I GRIKË, MANATISË ALEKSI I EKSARKIES SË ATHINËS DHE KLODIANI I LASHKIZËS SË MALIT TË DARDHËS


Triptik që pikon gjak


Aleksandër i quajnë të dy, Aleks i thërresin... babai, nëna, motrat, shokët, miqtë...

I pari është nga Grikë Manatia e Lezhës, fshat në të cilin në vitin 1962, kur isha student, pata pi një kafe siç dinë ta pjekin e shtrojnë njerëzit e mirë, në ditë të mirë.

I dyti, Aleksi i Eksarkies është nga Athina, kryeqytet i vendit nga e ka prejardhjen fjala “demokraci”, fjalë që na vjen nga më se tremijë vjet jetë njerëzore. I treti, Klodiani është nga Lashkiza e Malit të Dardhës në Dibër, fshat që i qëndfron luginës së Drinit të Zi si ballkon...

I pari, Aleksi i Grikë Manatisë ishte i papunë, baba i tri vajzave dhe vëlla i katër motrave...

I dyti, Aleksi i Athinës ishte nxënës shkolle, katërmbëdhjetë pranvera parë e shijuar. Ishte bir i një familje të mesme greke.

Klodiani ishte 25 vjeç, priste të martohej...

I pari, Aleksandri i Lezhës doli në demonstratë për të kërkuar punë për të mbajtur gjallë familjen e tij, vocërraket që zgjatnin duart si zogjtë në fole...

I dyti, Aleksandri i Athinës, doli të shëtisë në lagjen Eksarkia me moshatarët e vet, shëtitje pafajësie fëmijësh në gëzim e hare... I treti, Klodiani i Laprakës doli në rrugë, për një paketë cigare në orën policore...

I pari, Aleksi i Lezhës mori një plumb në kokë nga policia e shtetit, një plumb që ka një autor me emër e mbiemër...

I dyti, Aleksi i Athinës mori një plumb rikoshetë nga një polic që shtiu në tokë për të treguar forcën e shtetit në lëngatë... I treti, Klodiani i Tiranës, u ndoq nga pas nga një polic i shtetit me dy shkrepje, njëra prej të cilës i mori jetën.

Për të parin, Aleks Nikën nuk do të ketë drejtësi, nuk do të ulet njeri në bankën e të akuzuarit... Nëntë vjet kaluan...

Për të dytin, Alexandros Grigoropoulos u zhvillua një gjyq. Polici, edhe pse e mbajti grykën e revolverit në tokë, u dënua me BURGIM TË PËRJETSHËM... Për të tretin 25 vjeçarin Klodian Rasha ende vazhdojnë pazaret policeske. Prokuroria e ndërroi akuzën nga “Tejkalim i vetëmbrojtjes” në “VRASJE ME DASHJE. A do të dënohet me burgim të përjetshëm si polici grek? * * *

Për të vrarët nga plumbat e shtetit demonstruesit në Tiranë bënë një mullar të madh me lule të freskëta në vendin ku derdhën gjakun, lule që dora vrasëse i fshiu me fshesën e frikës deri në palcë për tërë natën...

Në Eksarkia, vendin ku u vra pesëmbëdhjetëvjeçari grek, çdo ditë, edhe pas kaq vitesh, do të gjesh lule të freskëta...

Dhe jo vetëm lule...

Për Aleksin e Greqisë u dogj Athina, u zhvilluan zgjedhje të parakohshme. Për të, në kujtim të tij, prej asaj kohe, çdo vit, në ditën e vrasjes, zhvillohen demonstrata të dhunshme, digjet Athina.

Edhe sivjet, pas kaq vitesh dhimbje, pati lëvizje, demonstrata, protesta... Për Klodian Rashën vazhdon të digjet Tirana, të shkatërrohet vendi... Andej ku kam lindur unë dhe ku kam kaluar vitet më të gjata të jetës sime në Atdhe, për vrasjen ka një fjalë të urtë...

“Për të tërhequr këmbëzën e patllakes duhet një pendë qe...”

ËSHTË KOHA PËR DREJTËSI...


Abdurahim Ashiku

Athinë, 16 dhjetor 2020


19 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page