top of page

Lejlaja


Lejlaja

(Fragment nga romani “Mbi dudë”)

Fatmir Terziu


“Eh”, - pshërëtiu me veten Jakovi dhe vazhdoi duke nxjerrë zërin e tij si në qyp - “këto drurë nuk janë si tonat”.

“Fundja kanë damarë, kanë lëkurë më të rregjur se e jona, kanë degë të hallakatura që prekin lirshëm ajrin, kanë…”, - foli Zeqo, të cilit i kërceu damari i qafës në anën e djathtë, sikur ta kishte fryrë ndokush me pompë, kur pa se Jakovi ia ndërpreu fjalën në mes.

“Kanë m... që të hash. Nuk e shikon si janë katandisur?”

“Ore, Jakov, më duket se kërkon të buçasë ndonjë gjinkallë andej nga Shkumbini, më duket se kërkon belanë që në mëngjes?”

“Po për bela kemi dalë, se për tjetër, çfarë budallallëku do na kishte nxjerrë ne dy teveqelëve poshtë këtyre drurëve, që vetëm sorrat u sillen vërdallë.”

“Atë thuaj, atë. Budallallëk! Kjo kokë e ka fajin. Mori mendtë e një gjinkalle si ty, që di vetëm të buzhitë nëpër oda. Eh, kjo kokë e ka fajin…”

“Pse paske kokë ti? Unë e di që ke vetëm dy koçanë mbi këmbë dhe kaq. Po të kishe kokë ti, nuk do të pshurrje muhabetin në atë konak. Fundja ata na pritën mirë, si vëllezër të një gjaku dhe…”

“Dhe çfarë? Unë e kam fajin që ata e quanin manin dudë?”

“Ore, këtu e kam hallin unë. Këtu. Më mirë dëgjo dhe mbaj mend. Vetë fjala “dudë” që në shumë mjedise shqiptare është ndryshe dhe kuptohet si “mani”, pra fruti i ëmbël dhe i butë, na shpie tek miti.”

“Epo tani na doli miti. Ku e kemi hallin ne, e ku na shpie ti me këto fjalë të mëdha. Ore, vërtet ke studiuar në Britani të Madhe, por nuk më thotë mendja se di më shumë për këto gjëra.”

“Mirë, e lëmë këtë, dhe tani më dëgjo mirë”.

“Ndonjë imagjinatë, apo ndonjë njohuri tjetër?!”

“Unë besoj se imagjinata është më e fortë se sa njohuria, por kur të dyja bashkë vijnë në një formë të bukur nuk kanë ndarje mes tyre dhe madje as shërbesë tjetër për vetëm se në një pikë të përbashkët. Kjo ndodh, sepse forcohet ajo që krijohet, pra miti. Se miti është më i fuqishëm se historia. Se ëndrrat janë më të fuqishme se sa faktet. Kjo shpresë gjithmonë triumfon mbi përvojën. Se e qeshura është ilaçi i vetëm për pikëllimin. Dhe unë besoj se dashuria është më e fortë se vdekja.”

“E mirë, de, mirë prite tani filozofinë tënde. Ore kjo punë do kazëm, do muskuj, jo filozofi”.

“I do të gjitha, ndaj mes kësaj shpeshherë pyes veten se çfarë konsiderate ka udhërrëfyer mbjelljen e një mani në hapësirën e Bibliotekës Hartley të Universitetit të Southampton? Thjesht kam menduar se ndoshta ajo ishte e lidhur me institucionin origjinal Hartley, të themeluar në vitin 1862, nga i cili është zhvilluar universiteti modern. Por, fakti më doli ndryshe…”.

“Pra doli se kishte flori nën të?”

“Këtë nuk e them dot, por thuhet se mani u rrit ndjeshëm në pjesën e vjetër të kampusit, në një qemer të vogël me tulla përmes të cilit u hap një rrugë guri, e cila kalon tashmë nën degët e pemës. Çdo verë frutat e kuqe nga pema bien pikël mbi rrugën, dhe çdo verë rruga mbetet e rrethuar me shirita plastikë. Dhe aty janë kokrrat e manit që bëjnë detyrën e tyre stinore. Pema është ende atje, por rrethinat e saj kanë ndryshuar. Ndoshta fakti që ajo pemë është atje më ka bërë të shkoj më tutje…

“Po pse mendimet e tua i janë kthyer prozës së shkurtër me këtë pemë të veçantë kohët e fundit?”

“E para se ishte thjesht një shaka e treguar nga miku im Supar Baca, e cila vinte në formën erotike, dhe tjetra se pashë disa fotografi që kishin të bënin me gjendjen e tmerrshme dhe tragjike të një grupi emigrantësh, pakicash fetare të përndjekura të njohura si Yezidi, në Irakun verior dhe që vinin të kërkonin strehë në mjedisin ku ishin rrënjët e këtij mani. Dhe duke komunikuar me disa prej tyre mësova se pema e manit ka disa domethënie të trashëguara mes mitit për ta.”

“Mitit?’

“Po. Duke parë fotot e një varri të quajtur Varri i Shejh Adi në Lalish, kam vënë re numrin e pemëve të vjetra me kokrrat e manit të shpërthyera nëpër qymyr të oborrit të shenjtërores. Mani në oborrin e varrit të Shejh Adi, na jep të kuptojmë se është Dara Laile, një pemë Leile, një nënë e Yezidit dhe një grua e Shakhidit i Riu (i biri i Jar).”

“Vetëm kjo të bën të shkosh tek miti?”

“Jo. Mani është, ndoshta, më i famshëm se sa është përshkruar në letërsinë Evropiane. Unë di pak a shumë për rolin e tij në versionin Ovid tek miti Pyramus dhe Thisbe…”

“Në këtë pikë nuk ta merr kush kaçën nga buza. Vazhdo se na zuri gjumi nën man. Vazhdo…”

“Pyramus dhe Thisbe është historia e dy të dashuruarve në qytetin e Babilonisë, që ishin të ndaluar nga prindërit e tyre që të martohen, për shkak të rivalitetit të prindërve të tyre. Nëpërmjet një dukurie në një nga muret, ata pëshpërisin dashurinë e tyre për njëri-tjetrin. Ata u organizuan pranë varrit Ninus nën një pemë të manit, në një pranverë të ftohtë, dhe aty filluan të deklarojnë ndjenjat e tyre për njëri-tjetrin. Të rinjtë, të përfshirë prej dashurisë së zjarrtë e shprehnin këtë plot pasion e lotë, fshehurazi, rrëzë atij muri të lartë, nëpër të çarat e tij, mur ky që u ndante shtëpitë, diku në Babiloninë e vjetër. Vuanin pra, pa parë njëri tjetrin, njëri në një anë të murit dhe tjetri në anën tjetër. Së fundi, në një çast, ata vendosin të ikin larg. Takimi u la rrëzë një mani. E para arriti këtu Thisbe që u ndodh aty papritur, përpara një luaneshe me gojën plot gjak, prej gjahut të freskët. Duke vrapuar larg për të shpëtuar asaj i bie tyli, të cilin e merr dhe e gjakos me gojën e vet luanesha. Pas pak bisha e lëshon tylin dhe pasi pi ujë në një burim aty afër, largohet. Thisbe shpëtoi. Nërkohë këtu arrin Pyramus. Ky kur sheh tylin me gjak mendoi për keq dhe vrau veten me shpatë. Duke rënë rrëzë manit ai leu edhe pemën me gjak e cila dalëngadalë ndërroi ngjyrën e frutit në ngjyrë gjaku. Thisbe me tu rikthyer tek mani, sheh aty të vrarë Pyramus dhe pas vajtimesh të dhimbshme, vetëvritet edhe ajo, me të njëjtën shpatë. Edhe gjaku i saj u përthith prej pemës. Qysh atëhere në limfën e manit të zi rrjedh gjaku i të dashuruarve. Është kjo arsyeja, thotë miti, që mani i zi bën gjithmonë fruta me lëng ngjyrë gjaku. Mani i zi pra, nderon dashurinë e zjarrtë që nuk mundi dot të realizohej.”

“Kjo duket interesante. Por mani a është thjesht një mit i tillë e pastaj ngjyra e tij e zezë?”

“Kështu, ky mit më pas frymëzoi edhe Shekspirin për Romeo dhe Zhulietën, e që gjendet edhe tek Purgatori i Dantes… Kjo është ajo që vjen nga miti. Por, lëngu i manit të zi përdorej si një ndër ngjyruesit natyralë të verës. Tjetra është nga fakti se mani është dhe burimi më i mirë i mëndafshit natyror. Dhe e fundit është tek miti i dashurisë mbi dhe nën man”

“Prandaj ishin të gjithë ato mana në këtë kurriz të përdalë? Mos ndoshta i kanë mbjellë për Lejlanë e Manianit dhe “lejlatë” e tjera më pas si në këtë mit?”

“Le ta themi ndryshe. Mani ose (Morus) është pemë shumëvjeçare nga familja Moraceae. Mani njihet ndryshe si pema e mëndafshit, një produkt i veçantë i krijuar nga perandori Huang Ti, i cili ia bëri dhuratë gruas së tij 14-vjeçare. Tregojnë se kur Dario III iu dorëzua Aleksandrit të madh, ishte i veshur i gjithi me mëndafsh, aq sa fituesi i tij i kërkoi si haraç lufte tonelata mëndafshi. Karvanët e deveve transportonin mëndafshin nga zemra e Azisë, Damasku deri në Siri, pika e takimit mes Lindjes dhe Perëndimit. Mëndafshi u kthye në një lloj luksi mjaft të çmuar në Greqi e më vonë në Romë. Julio Çesari nxorri një ligj të veçantë sipas të cilit mëndafshi duhej përdorur ekskluzivisht për të dhe për togat e tij ushtarake. Pavarësisht nga urdhëri i prerë, përdorimi i kësaj fibre të çmuar u përhap gjerësisht mes shtresave të pasura.”

“Nuk e di sa duhet të rri me këtë kokë kaq të madhe sa të më zhvillohet edhe mua të paktën një kokëz e vockël, se ashtu sikurse thua ti …”

“Je pa kokë, dhe kaq…. A di ti se mëndafshi…”

“Krijimi i mëndafshit?! Mëndafshi është një fibër tekstile me origjinë shtazore, e sekretuar nga krimbi i mëndafshit dhe e përdorur për prodhimin e filleve të tjera e stofave me vlerë. Substanca prej së cilës përbëhet mëndafshi sekretohet në gjendjen fluide nga gjendra të posaçme të krimbit dhe emetohet përmes vrimave të quajtura endëse. Në kontakt me ajrin ajo ngjizet dhe merr formën e një filli të hollë e rezistent, të quajtur fill i fshikëzës së krimbit të mëndafshit. Edhe pse janë shumë insekte që prodhojnë kukulen, vetëm filli i larvës bombys mori apo i llojeve të tjera të ngjashme, që ushqehen me gjethe mani përdoret nga industria e mëndafshit.”

“Po, hajde more, hajde. Zeqo djali, ti qenke firaun i paparë. Jo kokëz, por me sa dëgjoj…, ndoshta e pata gabim ti qenke kokë më vete.”

“E kam lexuar dhe e di se në vendin tonë, në Shqipëri, duke qenë se vendi ynë është dhe ka kushte klimatike jashtëzakonisht të favorshme, mëndafshi mendohet se është kultivuar qysh në shekullin e gjashtë. Duke pasur kushte klimatike të favorshme për zhvillimin e manit kultivimi i mëndafshit u përhap në zona të buta të Shqipërisë së Mesme, si në Tiranë, Elbasan, Krujë, Lezhë dhe Shkodër. Ekzistojnë 10 deri në 16 lloje manash, që e kanë prejardhjen nga Azia, Afrika dhe Amerika Veriore. Në viset tona janë të përhapura dy lloje të manit: mani i zi dhe mani i bardhë.”

“Këtu të shtrëngoj dorën. Por ama, manin këtu e solli usta Maniani. Dhe ai e mbolli atë për Lejlanë, për atë bukuroshe që …, ta them më vonë. E solli nga Bullgaria. Nga Arbanasi. Atje ai u dashurua me Lejlanë, kur ishte usta dhe bënte arkitekturën e shtëpive.”

“Po si ka mundësi?”

“Atje mbi 500 vjet jetojnë shqiptarë. Dhe fshati ka emrin Arbanasi, që do të thotë arbëreshë. Por, përveç emrit të fshatit, lidhja me shqiptarët është ruajtur edhe me stilin arkitekturor, i cili ka paralele të qarta me Shqipërinë e Jugut. Krahasimi midis shtëpive në Arbanasi dhe këtyre në Gjirokastër dhe në Berat dëshmojnë për ngjashmërinë e njëjtë. Sipas disa shkencëtarëve shqiptarë edhe ikonografia (v. 1561) në kishën “Shën Gjergj” në Arbanasi është bërë nga Nikola, biri i Onufrit nga Elbasani (Gyzelev, B. Vep.epërm., f, 117.). Kjo dëshmon se edhe në këtë kohë ka pasur kontakte midis Shqipërisë dhe Arbanasit.”

“Ka pasur lidhje të tilla, apo vetëm ndonjë lidhje pune?”

“Jo thjesht punë, por shqiptarë ortodoksë kanë banuar edhe në disa fshatra të tjerë në Bullgarinë Verilindore. Në vendin e parë ka qenë fshati Çervena Voda (Uji i kuq). Edhe për këtë fshat ka dokumente osmane nga shekulli XV. Shumë njerëz sipas regjistrave kanë emra shqiptarë si Letrizi, Beko, Leka, Bika, Dede etj. Ky fshat ka qenë me rëndësi të madhe dhe për këtë faktin se dëshmohet edhe rezidenca e episkopit ortodoks në të. Nëpër Çervena Voda kanë kaluar shumë udhëtarë perëndimorë, të cilët kanë lërë përshtypjet e tyre mbi popullsinë e rajonit dhe për jetën e saj. Sipas tyre në këtë fshat kanë banuar mbi 1600 njerëz në fillimin e shekullit XVІІ. Por luftërat e shumta dhe sulmet plaçkitëse prishnin jetën e popullsisë dhe pas luftës ruso-turke në vitet 1806-1812, banorët e këtij fshati kanë mërguar në Valahi dhe fshati është djegur plotësisht në vitin 1811. Fshati Poroishte (në turqisht Arnautkjoj) është regjistruar për herë të parë në periudhën 1544-1555 dhe emrat e disa prej tatimpaguesve kanë qenë shqiptare si Andrie, Gin, Leka etj. Banorët e fshatit kanë qenë çliruar nga disa pagesa tatimore sepse kanë punuar tokat e Vezirit të madh Ibrahim Pasha.”

“Lidhje me Bullgarinë? Mjaft e mistershme. Thua do të ketë qenë dhe shkaku i mëndafshit?”

“Mundet. Por Bullgaria mund të bëhet përsëri prodhuese më e madhe e mëndafshit natyror në Evropë”.

“Mos ndoshta po rikthehen sytë tek mani dhe në ato vende ku u harrua tradita?”

“Dihet mjaft mirë se në udhëkryqin midis Azisë dhe Evropës, Bullgaria është një nga vendet, që ndodhen në udhën e mëndafshit nga atdheu i tij Kina deri te Kontinenti i Vjetër. Rritja e krimbit të mëndafshit dhe prodhimi i mëndafshit kanë një traditë të vjetër në Bullgari. Deri në fund të shekullit XX Bullgaria ishte në një nga vendet e para në Evropë dhe në vendin e tetë në botë për nga prodhimi i mëndafshit natyror për frymë të popullsisë. Ndërkaq jo vetëm për nga sasia, por edhe për nga cilësia.”

“Atëherë ndoshta kuptohet qartë, pse Maniani i solli manat… Ka dashur ta mbulojë Lejlanë e tij me mëndafsh…”

“Ndoshta, pasi ai sipas teje ishte dhe profet, apo jo? Maniani as e dinte se ku do të shkonte puna e mëndafshit…, thjesht mori manat dhe kaq.”

“Në rregull, në rregull por thuhet se fabrika më e madhe e konfeksionit të veshjeve prej mëndafshi natyror në qytetin danubian Ruse, prodhonte kostume, këmisha, fustane elegante dhe të bukura. Krahas kësaj 90 për qind nga prodhimi i vet eksportonte në mbarë botën. Mirëpo, shkatërrimi i ekonomisë, që filloi në Bullgari pas rrëzimit të Murit të Berlinit, i zhduki të gjitha këto arritje. Në fakt për vitin 2010 për sasinë e mëndafshit natyror të prodhuar në Bullgari, janë të regjistruara dy zero. Me këtë fakt nuk mund të pajtohen nga Klastëri “Koprina”, disa tog firmash, që janë me ambicien të rilindin lavdinë e vjetër të kulturës së rritjes së fshikëzave të krimbit të mëndafshit dhe të prodhimit të mëndafshit natyror. Kjo është një detyrë jo e lehtë, por e realizueshme, sipas përfaqësuesve të Klastërit.”

“Po për Manianin thuhet gjë aty? Apo mungon Lejlaja?”

“Po tall bezhdilet? Apo të duket vetja më i ditur? Ore, shko nga të duash një gjë po ta them se është fakt. Për rilindjen e industrisë së tekstileve në Bullgari, e cila zhvillohej me prosperitet në të kaluarën, është e domosdoshme të rimëkëmbet prodhimi i lëndëve të para të domosdoshme për prodhimin e tekstileve si pambuku, mëndafshi natyror, leshi. Kjo industri në fakt siguron shumë vende të punës. Për rimëkëmbjen e industrisë së tekstileve dy faktorë luajnë rol të rëndësishëm. Në radhë të parë bota filloi të heqë dorë nga veshjet artificiale, që ishin në modë. Krahas kësaj në politikën e përbashkët bujqësore të BE-së tashmë parashikohen stimuj special për rimëkëmbjen e rritjes së pambukut dhe të fshikëzave të krimbit të mëndafshit. Në periudhën më të mirë Bullgaria për vit prodhonte 3 mijë tonë fshikëza të krimbit të mëndafshit.”

“E pastaj, ku më kris mua për këto pallavra? Ore hajde se më griu, shkojmë e mbushim njëherë barkun pastaj kthehemi dhe filozofojmë nën man. Bjerri shkurt, a ke interes ti shkojmë deri në fund kësaj pune?”

“Koprina” e quajnë ata, bullgarët e quajnë kështu mëndafshin dhe prandaj kjo fjalë ka shumë lidhje dhe me atë që gjetëm për Lejlanë. Fundja ka më shumë se interes tek unë…”

“Atëherë mirë, më në fund e mora vesh se pse kërkon me kaq ngulm të rikthehesh nën dudë…”.

“Mos u tall pasha Zotin, mos. A nuk erdhëm sipas fjalëve të Kristos? A po bën më këndej dhe luaj bythën se jemi vonë…”

28 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page