top of page

Legjenda e Përroit të Pirros


Hekuran Halili

Legjenda e Përroit të Pirros


Nga Hekuran Halili


Muzgu u vinte nga para, andej nga dielli tretej magjishëm mbas malit të Orlës [1], ndërsa nga mbrapa i ndiqte frika e ndjekjes nga armiqtë. Bënte ftohët, i ftohtë janari, brisk,por i ftohti në këto vise jugore asnjëherë nuk është bezdi, përkundrazi, për ata dy kalorës që kishin gjithë ditën që kalëronin drejt veriut, u kish bërë mirë. Njëri prej kalorësve mbante para shalës një djalë sabi[2], që si kish mbush ende tetë vjeç. Ishte djal mbreti, i mbretit të Epirit ,që para tri ditësh e kishin rrëzuar nga froni në Artë[3] ,e nuk kishin mundur të merrnin asnjë nga të vetët ,andej nga ishte arratisur. Dy kalorësit ishin dy roje besnik të tij, burra trima e të forte ,që mbasi e fshehën djalin tri ditë, tani po e sillnin në fisin e së ëmës, në prasaibët[4], me kryeqëndër Çukën e Ajtrojtë.

Pjestarët e tjerë të familjes mbretërore i kishin vrar. Sapo kaluan lumin Thyamis[5], lanë mbrapa Lopsin[6] me kalanë pellazgjike në të djathtë dhe ndonse muzg , as errësirrë, as dritë e plotë, shquan bokrrimat e kuqe të Qafë Botës[7], kufiri ku fillonin trojet prasaibe. Kalorësi që rrinte mbrapa , ktheu kokën . Re puhuri dalloi dhe një koshadhe kalorsish që po i ndiqnin. Nuk ishin as dy kilometram larg. Ecë, i brriti shokut, se na zunë, dhe fshikulloi kalin e tij. U bënë erë, por edhe ndjekësit e shtuan turrin . Nuk arrimë dot në Ajtroj, ndaj ktheu në Kondispol[8], i tha kalorësi ,që mbante sabinë në prehër . Ashtu bënë. Në të hyrë të Kondispolit bënë përpjet dhe kalorësi që kish djalin sabi, u fut në një përrua të ngusht, të thellë, të mbuluar me gjelbërim. Tjetri ruante në të hyrë të përroit. Kalorësi që kish hyrë në përrua,eci nja dyqindë metra në të, dhe gjeti një gravë[9] të mbuluar me tufa dafine e përralli. Nga kali hyrja e saj arrihej lehtë. Kalorësi i vari djalit një varëse floriri ku kish të shkruar emrin e tij, Pirro, i hodhi krahëve një pelerine mbretërore të trashë, e puthi në flokët e verdhë, e zbriti tek dera e shpellës, i dha një fllaskë me ujë dhe një nape[10] me bukë e djath , një thikë të vogël,dhe i tha të futej thellë e më thellë në shpellë, e të mos dilte andej, po të mos dëgjonte zërin e tij.

U kthye tek shoku e bënë më të poshtë ,që të mos dihej vendi ku e fshehën djalin. Në zbritje, pikërisht aty ku fillonte fusha e Kondispolit ,u takuan me ndjekësit e filluan betejën. Ishin luftëtar të zot, të sprovuar në shumë beteja dhe nuk u bëri syri tërr, ndonse armqtë ishin gjashtë. Beteja vazhdoi gjat dhe në atë fillim fushe ,mbenë të vrarë të gjithë, edhe dy kalorsit që shoqëronin djalin, edhe të gjashtë ndjekësit.

11

Kualt të mbetur pa kalorës, u turrën më të poshtë fushës ergjele, pa e ditur se më mbrapa ata tetë kuaj do t’i jepnin asaj fushe emrin, fusha e kuajve…. Ra mbrëmja. Djali u fut brënda në shpellë, thellë e më thellë, si i tha kalorësi shpëtimtar.

Ndjeu një hungërimë, por nuk u spraps. Befas, para i dolën di[11] kulish ulku[12], jo më të mëdhenj se katër muajsh. Ishin të vegjël e nuk mund t’i bënin keq. I vinin vërdallë nëpër këmbë, e djali i largonte me kujdes ,duke i quajtur me vete si kulish qeni. Ku t’i njihte ai djalë i vogël kulishët e ulkut…?! Shpella nga brënda zgjerohej e lartësohej. Gjeti një vend të ngritur ku kulishët nuk ngjiteshin dot dhe atje shtroi pelerinën e trashë dhe u shtri. Nga lodhja e madhe e zuri gjumi për pak minuta, e ashtu fjeti disa orë, sa u çlodh. Kur hapi sitë, para i qëndronte një ulkonjë e madhe, e hirtë, që i shndrisnin sitë si zjarr. Ishte e jëma e kulishëve ,që në atë shpellë kishte strofullën e vet. Pirrua nuk kish parë kurrë ulk me si. E diti si qen, se vërtet ngjante shumë me qentë e pallatit të babait të tij mbret në Artë që sapo e kishin vrarë, që i donte shumë ,dhe e përqafoi . Filloi edhe t’a përkëdhel. Çuditërisht ulkonja uli kokën dhe e pranoi atë përqafim e ato përkëdhelje me një hungërimë të lehtë kënaqësie dhe dhimbsurie. Kur djali shkëputi duart nga qafa e gjoksi i ulkonjës, vuri re se i ishin lyer me gjak. Qentë e staneve aty afër e kishin çarë keq ulkonjën ,që mezi kish arritur tek shpella, tek kulishët e saj ,të cilët kishin ditë pa vënë gjë në golë[13]. Ulkonja e bindur se fëmijëve të saj nuk u vinte gjë e keqe nga ajo qënie që kish hyrë në shtëpinë e saj, u tërhoq tek kulishët. U shtri. Forcat po e linin nga ajo gjakderdhje që si pushonte. Kulishët ju futën në gji e kërkonin të thithnin ndonjë pikë klumësht[14], por gjinjtë e nënës ulkonjë ,kishin shteruar. Pirrua kish mbetur i shtangur e shikonte kulishët që duke mos gjetur gjë në sisët e nënës, i vinin vërdallë, herë sipër trupit, here tek koka, here tek gola. Ajo, në fuqitë e fundit të saj, herë pas here u mirrte erë, i lëpinte, i ngrohte me avullin që nxirrte nga gola,, ngrinte kokën , angullinte lehtë e trishtueshëm,si t’a ndjente fundin e vet dhe si të lënte një amanet për fëmilët[15] e saj të vegjël. Nënat janë njëlloj, pamvarsisht kujt specie i përkasin. Kishte çaste që sitë[16] që po i shuheshin si kongjilltë e zjarrit, i kthente nga Pirrua .E shikonte sikur donte t’i lënte amanet atij kulishët e vet. Këto shikonte djali e nuk po e mblidhte dot veten se ç’kish ndodhur me të, e pse ndodhej në atë shpellë. Solli ndërmënd rrugën me kalorsit, porosinë që i dhanë të mos dilte nga ajo shpellë pa dëgjuar zërin e atij që e strehoi aty. Koha rrodhi dalën gadalë dhe nga gjysëm errësirë , në shpellë po bëhej errësirë e plotë. U ngjit përsëri tek vendi , hapi napën me bukë e djathë, hëngri, piu ujë nga fllaska, u shtri. Kish fjetur boll, ndaj gjumi se zinte. Dëgjonte angullimat e kulishëve dhe të ulkonjës, që gjithnjë e më shumë mezi dëgjohej.

12 Zbardhi, e në shpellë filloi të bëhej dritë. Zbriti dhe u afrua tek kulishët që kishin kaluar natën në gji të së jëmës,por pa pirë gjë. Ulkonja kish dhënë shpirt. Kulishët ju pështollën nëpër këmbë, si ta ndjenin, se që tani e tutje, jeta e ture varej nga ai, Pirrua. Nxorri nga napa atë çikë bukë që i kish mbetur e ua hodhi. Dolli tek hyrja. Poshtë përroi, anash një udhë sa mezi kalonte edhe ulkonja. Bëri pas asaj udhe. Eci sa eci, dhe dolli në një shesh, nga ku pa kasollet e një stani. Qentë, ata që kishin shklier[17] ulkonjën, qenë të lidhur , por e nuhatën e filluan të lehnin. Dolën stanarët. E morën djalin e filluan ta pyesnin. Djali tregoi aq sa dinte e aq sa mund të thotë një fëmilë tetë vjeçar. Stanarët mbetën të habitur kur djali nxorri nga gjoksi varësen e florinjtë dhe e morën vesh me kë kishin të bënin. Bënë gate kualt dhe e shoqëruan djalin për tek qyteti i Ajtroj, tek gjyshi nga e jëma. Nuk ish as një orë larg. I pritën me gjithë të mirat, i shpërblien me flori e falnderime pa fund. Gjyshi e mori nipin në krah gjithë dashuri dhe e pieti fill e për pe për gjithëçka.

Ai folia q sa mundej , aq sa lejonte mosha dhe situate në të cilën ai i kish përjetuar ato ngjarje të frikëshme. Të gjithë sa dëgjuan mbenë golë hapur e nuk e besonin ç’kish nglarë[18].

Si kish shpëtuar djali nga ulkonja e prroit që ishte me nam për egërsinë e saj...?! Kish ndodhur mrekullia.

Gjyshi , kur Pirrua i tha se kish përqafuar ulkonjën e ajo i ishte bindur, e kuptoi se nipi do bëhej njeri i madh. Ndërkohë që po i spjegonte nipit se nuk kishte qënë qen, por ulkonjë ajo që kish përqafuar, ai e ndërpreu. -Dua të vemi përsëri në shpellë, t’i marrim kulishët, dua ti rrit vet. Pa një ,pa dy, së bashku me çobenët që e kishin sjellë në pallat, e shumë kalorës të gjyshit kriezot të asaj zone,, u kthie në përrua, mori kulishët e ulkonjës, dhe I çoi në qitetin e gjyshit. I rriti vet me shumë dashuri e kujdesje.

Kur Pirrua u bë mbret dhe mori mbretërinë e të jatit ne Artë, nuk i ndau kulishët e ulkut në oborrin e tij mbretëror, por edhe në luftrat që bëri.

Shumë here ata kulish, që i bindeshin vetëm atij, i shpëtuan jetën..

Që nga ato kohëra, ai përrua ku kish strofullën e saj ulkonja, ku u fsheh Pirrua, u quajt ,

Përroi i Pirros…

Kështu quhet ai edhe sot e pas di mile[19] viteve në Konispol…

Përroi i Pirros… !

[1]- Orla-toponim-emër mali


[2] - Sabi-fëmijë


[3] -Arta- toponim-kryeqyteti Epirit në mbretërinë e Pirros.


[4] -prasaibët- degë e fiseve thesprote që popullonte zonën nga fusha Kestrinës, deri në Igumenicë.


[5] -Lumi Thyamis- emër i lashtë i lumit Kalama.


[6] -Lopës- toponim-emër fshati buzë lumit Kalama


[7] - Qafë Botë- toponim


[8] -Kondispol- emri i lashtë i Konispolit të sotëm. ( një nga gjashtë variantet për emrin e tij)


[9] -gravë-shpellë


[10] -napë-dialektore-trastë-çantë


[11] -di- dialektore-dy


[12] -ulku-dialektore-ujku


[13] -golë-dialektore-gojë


[14] -klumësht- dialektore-qumësht


[15] -fëmilët-dialektore-fëmijët


[16] -sitë-dialektore-sytë


[17] -shklier-dialektore-shqyer


[18] -nglarë-dialektore-ngjarë


[19] -di milë-dialektore-dy mijë

47 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page