LEGJENDA E SHPELLES VARDHAN, BALLCJAPIT, DHE DY EREMITEVE, APO BARINJVE TË GRIGJES KRISTIANE QE JETUAN DHE U FLIJUAN NË TË.
Nga Mentor Serjani & Ideal Serjani.
08/2023
Para se të tregojmë legjendën e mësipërme,e shikojmë me vend të bëjme një spjegim të shkurtër se ç’janë shpellat,megjithëse këto dihen.Shpellat janë banime të hershme të njeriut,posa ky u shfaq mbi tokë.Ato janë të veshura me stalagmite , stalaktike,pamje veshkore dhe druze*, të cilat tërheqin edhe sot e kesaj dite,shumë turistë e studjues të ndryshëm,pasi këto rrëfejnë ashtu,heshturazi,ngjarje të çuditshme, të ndodhura shekuj e shekuj më parë,por që kanë arritur deri në ditët e sotme në formë mitesh apo legjendash.Por mundësia e eksplorimit të këtyre shpellave është shumë e paktë,pasi mungon infrastruktura (rrugët)dhe guidat, për të shkuar dhe studjuar ato . Për të përgatitur këto guida duhen studiues të fushave të ndryshme të shkencës, në mënyrë që jeta në këto shpella të dalë sa më e plotë dhe evoluimi i tyre natyror të ndriçohet sa më qartë.Çdo shpellë për karakteristika të veçanta që mund të ketë ,e madhe apo e vogël qoftë,por edhe për historinë apo ngjarjen që mbart,duhen rregjistruar dhe studiuar imtësisht që të mos i mbulojë pluhuri i harresës dhe këto vlera të trashëgohen në brezat e ardhshëm.
Edhe shpella Vardhan ose shpella Sasaj është një shpellë karstike, qysh nga epoka e Neolitit,dhe forma të ndryshme të erozionit shkëmbor.Kjo shpellë ndodhet në një përrua të ngushtë dhe të thellë . Banorët i thonë edhe Përroi i Vërës,pasi derës së shpellës ,populli i thotë edhe «vërë»(vrimë,birë).Por le të kthehemi te legjenda e shpellës..Deri në ditët e sotme ,gojë më gojë , kanë mbërritur dy variante :Varianti i parë:-Thuhet dhe mendohet se ketu, në këtë shpellë janë vetësakrifikuar të jetojnë në vetmi,dy priftërinj ortodoks.Pra këta klerikë,duke jetuar në vetmi të plotë,u shndërruan në eremitë.Nuk dihet se nga erdhën,se kisha,fshati Sasaj dhe Bunec,kishin disa.Por zakonisht eremitët për tu bërë të tillë,ikin shumë larg vendbanimeve të tyre ose vendqëndrimeve kishëtare,sepse natyra e eremitit kërkon që ky të jetë sa më I fshehtë,sa më i panjohur,sa më i heshtur,sa më absurd,sa më pak i ekspozuar,sa më shumë memec etj,etj.Si rezultat i këtyre veçorive të eremitëve nga klerikët e tjerë dhe njerzit e zakonshëm (besimtarët),duhet të kenë qënë mysafirë të largët të shpellës.
Eremitët janë të betuar të jetojnë vetëm .Kështu që nuk dihet se sa kanë jetuar,kur kanë vdekur,ku janë varrosur dhe kush i ka varrosur.Dihet vetëm që këtu kanë jetuar dy eremitë.Disa gojëdhëna të tjera thonë se këta quheshin,Llazar Kosta dhe Vartholome Prifti.Keta kishin bagëti, dhi dhe cjep që i kullosnin në pyjet përreth,kryesisht në Ballëcjap, në Lisat e Koste dhe në Vathra.Prane kësaj shpelle ndodhet edhe një burim uji.Sipas riteve të eremitëve këta i ndihmonte populli me ushqime,pasi konsideroheshin njerëz të shenjtë,nuk bënin festa e gosti dhe qëndronin larg dëfrimeve e gëzimeve,vetëm kryenin ritet e sherbesat fetare.Besimtarët e fshatit Sasaj e Bunec I kishin lejuar të kullosnin bagëtitë e tyre në të gjithë territorin.Varianti i dytë:-Thuhet se kanë shkuar deri në njëfarë vendi dhe aty e më pas i kanë folur njeri -tjetrit dhe njëri nga këta nuk është përgjigjur.Si duket ka rëne në ndonjë humnerë.I dyti është kthyer mbrapsht deri tek hyrja e shpellës, që dukej nga drita që hynte nga jashtë.Si murgjit ashtu edhe fshatarët kanë ecur pran njëri -tjetrit.l dyti i thërriste të parit:Je? I pari përgjigjej Jam!.Pas këtij komunikimi vazhdonte ecja.Nuk dihet sa vazhduan,pasi i pari nuk foli më (siç duket ra në ndonjë humnerë dhe vdiq),kurse i dyti qëndroi një çast dhe shtrëngoi fort në dorë tërkuzën e gjeshtërt, të cilën e kishte lidhur fortë në një gurë në hyrje të shpellës,ndërsa në dorën tjetër mbante kërrabën e çobanit,me të cilën siguronte hedhjen e hapit përpara gjatë ecjes dhe mbështetej në të për tu çlodhur.Me kërrabën e çobanit mati litarin për të përcaktuar distancën e përshkruar,pra kërraba ishte edhe një etalon matës.Në fund tregojnë se ishte tridhjet apo dyzet kërrabë,disa kërrabën e njësojnë me 1,2m,disa me1,4m.Deri më sot përmasat në brendësi të shpellës nuk dihen,pasi nuk është eksploruar nga gjeologët dhe speleologët.
Për ndriçim janë përdorur Urat e Zjarrit,por ato nuk mbanin aq shumë dhe fikeshin,thuhet,nga pleqtë e vjetër se murgjit për ndriçim kanë përdorur edhe eshkën të vendosur në majën e një shkopi të çarë në krye,duke e tundur majtas ,djathtas, eshka digjej ngadalë dhe bënte një dritë të kufizuar sa për të hedhur një hap
.Më pas,nuk e mori njeri guximin që t’i shkonte deri në fund shpellës.Edhe sot e kësaj dite,që ka mjete ndriçimi, të fuqishme,nuk i është shkuar deri në fund asaj, për të parë mjediset e brendëshme,formën, gjatësinë,gjërësinë,lartësinë e sheshit, të tavanit dhe pjerrësinë e saj në gradë etj,etj.I pari nga eremitët që humbi, që besohej se ra në humnerë ishte Vartholome Prifti.I dyti që shpëtoi dhe nuk vazhdoi të ecte më,ishte Llazar Kosta.Ky vazhdoi të jetojë në vetmi,kur një natë ,nga një tërmet i fortë,u shkëput një gur i madh dhe e zuri derën e shpellës në brendësi të saj.Kështu vdiq dhe murgu i dytë:Dhitë dhe cjeptë , që diheshin në shpellë bashkë me të zotët e tyre,vinin rrotull të shqetësuara.Fshatarët panë që bagëtitë dhe besimtarët nuk po delnin në kullotë,iu afruan shpellës,pasi dëgjuan vërritjet dhe zilet e stanit,por s’kishin si t’i shpëtonin.Kështu që edhe ato u flijuan.Hyjnitë i morën shpirtrat,i morën hyjnitë e natës, në një natë me hënë dhe i shpunë tek të dy lisat:njërin në Lëmë Lazër dhe tjetrin në Lëmë Prift.Atje i shenjtëruan përjetësisht.
Pastaj hyjnitë dhanë shira të stuhishme,duke formuar dy përrenj të thellë, të cilët i qëndronin anash një kodre të bukur që përsëlargu ka formën e ballit të cjapit dhe kështu vendin e shenjtëruan përsëri hyjnitë:Ballëcjap l Në kujtim kjo të shpirtrave të bagëtive që i kishin mbajtur të dy eremitët me qumësht,djath,gjalp,mish e lëkurë gjatë gjithë jetës Pas kësaj thonë se hyjnitë u shndërruan në thëllëza me sqep të kuq , të simbolizojnë vajzat dhe nuset e bukura ,me trëndafil në buzë e me buzë të kuqe.Atje është vendi i thëllëzave si askund në vend tjetër,i bekuar nga hyjnitë e qiellit të detit e tokës,si dhe me ujë të paktë, të ftohtë e plot shëndet Kemi degjuar nga pleqtë,se qysh atëherë hyjnitë bekuan gjithë malin e Làvanit,me ujët e paktë të shpellës, të Suneve, të Përjelës dhe Erriminit.
Ndersa poshtë shpellës shpërthyen burimet e Ujit të Arrëve,Ujit të Shtogut,Ujët e Gropave etj,duke i mbushur baçet me pemë frutore e perime të shijshme.Poshtë nën fshat, rrëzë kalasë së Harcës një burim tjetër edhe më i madh, që u quajt lumi i Bunecit, që begaton gjithë luginën,gjersa prehet i lodhur, në detin Jon, Sasaji një fshat i bekuar nga hyjnitë u shkatërrua,sepse njeriu vuri dorë mbi atë ç’ka kishin stolisur Perënditë,dhe ato të ndëshkojnë po u hyve në vathën e tyre.Që kur u hap tuneli,Lávani u godit në zëmër dhe fshati bashkë me të u shëmtuan.
*Terma në shkencën e kristalografisë ,e cila merret me studimin e kristaleve,llojet dhe mënyrat e formimit të tyre ,pra forma kristalore me përbërje kimike karbonat kalçiumi (CaCO³), të cilat janë formuar nga pikat e ujit të ngopura me përbërje karbonatike.Pra kristale kalciti ,klasike ,në formë tufe, që krijojnë në pjesën e poshtëme «trungje»dhe në pjesën e sipërme «degë».
Comments