
Lavazh mëngjeseve
Nga Fatmir Terziu
Mëngjeseve ua zdrugoj lëkurën
damarëve të zinj të natës në trupin tim.
Do të doja të përdor hënën si sapun.
Sytë e kërkojnë në qiell ku përplasen zërat
hingëllimat e kuajve pa kalorës,
në këtë luftë,
dëgjoj zbrazëtinë,
mbush shinikë të dalë nga haure të harruara,
dëgjoj radion „Iliria“ me një frymë,
veshët…,
veshët njësoj më oshëtijnë.
Mëngjeseve i kthehem një dëshire fëminore,
pikturoj jashtë fytyrës sime errësirën.
Dhe kërkoj në tërë këtë kanavac vetveten.
Lexoj gazetat bashkë me Bashkim Hoxhën,
ndjej të lëvizin vitet vendnumëro,
shfletoj me sy Botën,
sytë…,
sytë nuk mund ta pikturojnë pakohën.
Mëngjeseve kërkoj krëhërin në xhepin e kostumit
kreh ëndërrat jashtë flokëve të rëna.
Dhe i bëj ikjes rixha mes parfumimit.
Shoh brohoritje në ekranin „Iliria“ pa njerëz
i kthej sytë në sheshe,
në fusha,
në stadiume,
në rrugë… ku të duash po deshe,
zgjohem dhe habitem: të gjithë kafshojnë bukën me vete
në podiume.
Recetë leksionesh me laps
(Profesorit tim të ekonomisë Arian Starovës)
E humba një laps në kopshtin e portokallave
„Dhaskal Todhri“ ma risolli me magjinë e tij,
të skicoj rrënien e flokëve,
hapit tim të butë,
rrugëve të Londrës.
Shkumbini e përcolli në detin Adriatik
mbi pikëtakimet e botës së ujtë
me djersën, me lotin tim,
me shirrat,
përcjelljes së lumit Tamiz
mbi një ylber
me të cilin besojmë magjinë?
Bota ngjyroset me të si një paketë „Luksi“
cigaret i pinë vetmia,
brenda filxhanëve që tresin plazmën e kafesë,
në librin e vjetër ku shfletohet Ekonomia,
e lapsi i harruar i kohës,
rrokulliset në shënimet e mia,
me stilin e leksioneve të Arian Starovës.
Comments