Lamtumira e shkrimtarit Dhimo Tarusha
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Nov 11, 2020
- 3 min read

Të hënën e kaluar në Elbasan i dhamë lamtumirën e fundit shkrimtarit Dhimo Tarusha. Ai qe me plot gojën Njeri. Fisnik e i drejtë, bashëshort e prind model, gjysh i përkushtuar, shok i pazëvendësueshëm. I kishte hije, peshë e zgjuarsi fjala e ngrohtë, shakaja, buzëqeshja e çiltër. Po mbi të gjitha, ai na la pas një pasuri të paçmueshme, mbi njëzet vepra letrare me vlerë për lexuesit e shumtë, shqiptarë e të komunitetit vllah.
Dhimoja lindi më 1947-n në një stan vllah të Kolonjës, Ersekë. Në moshën 5-vjeçare u vendos familjarisht në Elbasan, ku mbaroi edhe gjimnazin.
Që në bangat e shkollës u shfaq talenti i tij për artin. Së pari, në fushën e pikturës. Nga ana tjetër, mësuesja e pasionuar e letërsisë Nexhmije Bordi zbuloi e vlerësoi dhuntinë e tij letrare, e inkurajoi dhe e nxiti të shkruante. Dhe qysh atëherë pena e tij nuk reshti. Në vitin 1964 në gazetën Zëri i rinisë botoi tregimin e parë Ana rend nëpër zabele.
Ana e tij 'rendi' vërtet nëpër zabele, por personazhet e tjera të tregimeve, të novelave e të romaneve ngecën në udhë dhe nuk e panë dritën e botimit. Shkak u bë virusi i kohës me emrin luftë klasash, të ashtuquajturat njolla në biografi. Se familja e tij vllahe, e pasur në bagëti, e ndihmoi bujarisht luftën çlirimtare. I strehoi e u shoi urinë në stanet malësore luftëtarëve të lirisë. Por Pushteti dhe udhëheqësit nacionalçlirimtarë u treguan bukëshkalë pas Çlirimit, kur pushka reshti. E shpronësuan familjen e Dhimos, ua morën gjënë e gjallë dhe i përndoqën e i burgosën njerëzit e saj. Edhe djaloshin e zgjuar nuk e lanë të ngrinte krye, të vazhdonte liceun artistik për artet figurative apo studimet e larta që të aftësohej në talentet e tij, dhuratë të Perëndisë. Në vend të penelit e të penës i ngjeshën në duar pincat e çelësin anglez dhe e dërguan mekanik në Parkun automobilistik të mallrave.
Vetëm shndërrimet e sistemit shoqëror ia mundësuan udhën e botimit. Më 1994 ai mundi të botonte së pari romanin Lulja e përgjakur. Dhe pas tij vërshuan simotrat e tjera romanore: Natë e gjatë(1997), Vllehët (2000), Buronja e livadhit (2002), Përtej mjegullës (2004), Cigani me def (2008), Vajza e valëve (2013).
Shkrimtari lëvroi edhe prozën e mesme. Botoi novelat: Klithmat e Voskopojës (1998), Xhimo (1999), Elbasani është larg (1999), Vasilla (1999), Ciganka (2000), Trajta e mallkimit (2011).
Një panel të veçantë zënë monografitë letrare te ky autor. Përmendim librat: Dhori Gërnjoti - legjenda e boksit (2001), Vasil Zguri (2005), Tarusha Rruvella (2009), Kristo Taqi Kristo (2013), Vëllezërit Gjika (botuar aksidentalisht me autor B. Myftari).
Po shkrimtari la pas në sirtar edhe mjaft vepra të pabotuara, si monografinë letrare për këngëtaren Eli Fara, studimin Përqendrimet e vllehëve në Ballkan, ditarin Vit i dëshpëruar ’97 etj. etj.
Përgjithësisht, librat e tij kanë si temë kryesore jetën e doket e vllehëve, përpjekjet dhe ëndrrat e tyre. Autori u mundua edhe të ndriçojë disa figura me vlerë kombëtare në lëmin e kulturës, të shkencës e të sportit, siç është për shembull ajo e boksierit Dhori Gërnjoti, madje me përmasa europiane e botërore.
“Në krijimet letrare, qofshin ato biografike,- theksonte shpesh Dhimoja,- duhet të fryjë lirizmi. Nw to duhet të japim jo thjesht jetwn e heroit me hyri këtu e doli atje, por të shpërfaqim shpirtin i tij”. Dhe, siç shprehet njëri nga redaktorët e tij, Lirim Deda, librat e Dhimos dëshmojnë se autori është “piktor i peizazhit, i natyrës mes së cilës lindi dhe u rrit, si dhe zhbirues i shpirtit të vllehëve, në labirithet e një jete të skëterrtë, ku ajrin e lirisë e zëvendësojnë vetëm kurajoja, dashuria, tradita dhe zakonet e trashëguara brez pas brezi ndër vllehët”. Ndaj themi që romani Lulja e përgjakur, për vlerat që mbart, u përkthye dhe u botua edhe në vllahisht nga shtëpia botuese amerikane “Tiberus”.
I dashur Dhimo! Ne, shokët, kolegët dhe miqtë e tu e përjetuam nga larg kacafytjen tënde në spital me virusin e tmerrshëm. Çdo ditë interesoheshim për gjendjen tënde shëndetësore. Na gëzonte e na lumturonte fakti kur ti bëheshe më mirë dhe na e ngjallje shpresën se do t’ia hidhje. Sepse ti e doje jetën. Kishe ndërmend të shkruaje sa e sa krijime të tjera që të bujisnin në kokë. Por fati nuk deshi që ta fitoje atë luftë... Dhe kështu, të humbëm, i dashuri ynë. Do të na mungojnë buzëqeshja jote, fjala e ngrohtë, shakaja gazndezëse jotja... Megjithatë, do të të kemi gjithmonë pranë, midis nesh, në tryezën tonë, në bisedat tona. Se ti na le pas një pirg veprash letrare me vlerë, se jeta jote, si rrallëkush, në çdo ditë qe një luftë e përkushtuar për të mirën dhe përparimin e shoqërisë...
Lamtumirë, Dhimo Tarusha! Të qoftë i lehtë dheu i qytetit tonë të përbashkët, Elbasanit, per të cilin ti bëre aq shumë. Lamtumirë!
Comments