Lamtumirë, neutralitet shekullor
Boros, 7 mars 2024
Suedia në NATO
Mbretëria e Suedisë në luftë me Rusinë cariste humbi Finlandën me 1809.
Sipas marrëveshjes së paqes, ujdhesat në arkipelagun e Olandit, u demilitarizuan, se ishin afër përballë Stokholmit. (Aty, në kryeqytetin e regjionit, në Mariehamn, edhe sot ka selinë konsullata e Rusisë. A i erdhi fundi edhe kësaj klauzole, mbetet të shihet.)
Në vitin 1814, pas rezistencës së dobët, Suedia e detyroi Norvegjinë të hyjë në një union të përbashkët, formë e cila zgjati deri në vitin 1905, kur u ndanë në mënyrë paqësore.
Që nga viti i lartpërmendur, Suedia mbeti neutrale, apo asnjanëse në tëra konfliktet ushtarake deri më sot, gjë që nuk ishte as e lehtë, as e thjeshtë për këtë shtet nordik.
Ndoshta ne shqiptarët, duhet të kujtomë vitin 1912, kur Konferenca e Ambasadorëve i caktoi Suedisë të merrte përsipër aftësimin e doganave, të xhandarmërisë edhe të tërë administratës së Shqipërisë, që ajo të ngritet dhe bëhet shtet neutral në Ballkan. Qeveria e Suedisë, skeptike ndaj çështjes shqiptare, zgjodhi t’i organizoi Lojërat Olimpike (1912). Ishte negativ, në mos përbuzës deklarata e kryeministrit Hjalmar Branting, i cili cilësohet si baba i kombit, kur në gazetën “Social-demokraten” shkroi me 4.12.1912 këtë qëndrim:
“...për grindjet lokale të llojit më të ultë në Ballkan, që me seriozitetin më të mprehtë mund të vihen në pyetje, a duhet pra që popujt më të fuqishëm të Evropës të dërgojnë ushtritë milionëshe dhe flotat e tyre shkatërruese kundër njëri tjetrit, që edhe forcat më të mira të shteteve me qytetërimin më të lartë të zhdukën për dallimet e tyre në mendime rreth një porti serb (është fjala për portin e Durrësit, v. a.) apo për shkallë të autonomisë për fiset shqiptare!”
Gjatë Luftës së Parë Botërore, Suedia e furnizoi me hekur e çelik të tërë makinerinë ushtarake të Gjermanisë së Kajzerit. Kur, gati të gjitha shtetet e Evropës harxhonin në armatim, përjetuan humbje në njerëz e infrastrukturë, Suedia doli e padëmtuar dhe me fitime. Këtë qëndrim Suedia e ruajti gjatë periudhës ndërmjet dy luftërave botërore.
Vetëm, në vitin 1920, kur Finlanda fitoi pavarësinë, ushtria suedeze depërtoi brenda në arkipelagun e Olandit, kinse të lironte suedezët (pasi shumica e banorëve janë suedezë). Finlanda e paraqiti çështjen në Ligën e Kombeve, e cila mori vendim që ushtria e Suedisë të tërhiqet nga territori i Finlandës. Prej atëherë e deri më sot, rrallë, aty – këtu, shumë rrallë dëgjohet ndonjë zë për ta kthyer Olandin në përbërje të Suedisë.
Që në zaptimet e para të Gjermanisë naziste në Çekosllovaki (regjioni i Sudetit) dhe të okupimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, qeveria e bashkimit kombëtar të Suedisë mori vendim që të ruaj neutralitetin me çdo kusht. Megjithatë ajo mori masa mbrojtëse, pasi tashmë e kishte të zhvilluar në nivel të lartë industrinë ushtarake dhe të armatimeve.
Nuk është e parëndësishme të ceket se, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Enti i radio-përgjimeve të Suedisë ia arriti ta thyente shifrën ushtarake të Hitlerit, shumë më parë se atë ta bënte Alen Turen në Angli. Atë e ruajti për nevoja të veta dhe nuk ia dha askujt. Me këtë përcillte aktivitetin ushtarak të Gjermanisë naziste. Kur ushtria e Hitlerit i kërkoi kalim të ushtrisë e të pajisjeve të saj nëpër Suedi, për të arritur në veriun e Evropës, nën presion, Suedia, megjithatë u detyrua që t’ua lejonte kalimin, por që pajisjet të kalonin në transporte të veçanta, po ushtarët të ishin të paarmatosur nëpër territorin e Suedisë.
Suedia e pajisi makinerinë Gjermaninë naziste me hekur e çelik. Pagesa u bë në ari, që një pjesë ishte plaçkitur nga hebrenjtë dhe një pjesë thesari i plaçkitur nga shtetet tjera të okupuara. Më vonë, një pjesë e këtij ari, me marrëveshje iu kthye titullarëve.
Para fundit të Luftës së Dytë Botërore, Suedia bëri bartjen nga kampet naziste më se dyzetë “autobusëve të bardhë” me hebrenjë danez e norvegjez, të cilin aksion e udhëhoqi Folke Bernandot, që për ironi atë e vranë izraelitët në Jerusalem, në shtator të vitit 1948.
Në dhjetor të vitit 1944, për t’i shpëtuar hebrenjtë e Hungarisë nga deportimi deri në kampet naziste, Raul Valenberj ishte në krye të legatës suedeze në Budapest. Duke lëshuar pasaportat e Suedisë neutrale, duke blerë e huazuar hapësira në atë kryeqytet, ai shpëtoi me dhjeta mijëra njerëz nga vdekja e sigurtë. Kur aty hynë forcat sovjetike, përcjellësit iu pushkatuan, ai zu rob dhe aty u zhduk. Sipas shpjegimit të mëvonshëm sovjetik (rus), ai u mbajt në atë burgun famëkeq Lubjanka në Moskë, ku sipas burimeve ruse vdiq me 1951.
Qeveritë, por as neutraliteti i Mbretërisë së Suedisë nuk e ndihmuan dot këtë njëri.
Pas Luftës së Dytë Botërore, estonezët, letonezët dhe lituanezët, që gjetën strehim në vitin 1939 kur Armata e Kuqe i okupoi tri shtetet baltike, si shtetas sovjetikë, u përzunë nga Suedia. Pjesa më e madhe u dërguan në llogoret sovjetike në Siberi, ku pak mbijetuan. Këtë akt dobësie, as sot suedezët përparimtarë kurrë nuk ia falën qeverisë së tyre.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Evropa ishte në rrënoja, Suedia ishte e paprekur. Shpejt u aktivizuan resurset natyrore, shkencore-teknike, hulumtuese e ekonomike, kur mori hov zhvillimi, duke e radhitur Suedinë në krye të listës së vendeve të zhvilluara industriale.
Personi tjetër, që vlen të përmendet, është Ollaf Palme, ish kryeministër suedez.
Ollaf Pallme ishte kryeministër i Suedisë në dy mandate dhe kryetar i Partisë më të madhe Socialdemokrate. Ai, si paraardhësit e tij ishte kundërshtar i luftës, konflikteve dhe i padrejtësive në botë. Aktivisht ishte figurë frontale kundër despotisë së lindjës (BRSS), por edhe kundër luftës amerikane në Vietnam. Ai nuk lejonte hyrjen, por as pjesëmarrje në ushtrimet me NATO. Ishte edhe kundër anëtarësimit në BE. Ai ndërmjetësoi me sukses në shuarjen e luftës në mes të Iranit dhe Irakut, ku dështuan të gjitha shtetet tjera.
Rast, që vlen të ceket me këtë rast është edhe Dag Hamarshold, Sekretar i përgjithshëm i OKB, që në rrethana të pasqaruara deri sot, u vra në Rodezinë Veriore (Zambia e sotme).
Koha e gjatë e paqes, stabiliteti shoqëror, neutraliteti dhe pozita asnjëjëse në shumë sfera të jetës, sidomos në raportet ndërkombëtare, krijoi shumëçka të veçantë në Suedi.
Megjithatë, politikanë e diplomat, nuk do të quheshin me atë emër, po të mos i bënin të thjeshta gjërat e komplikuara, dhe të komplikuara ato më të thjeshtat. Si duket, kështu u bë edhe me neutralitetin dy shekujsh të Suedisë dhe animin kah anëtarësimi në NATO.
Shumë aktivist të paqes, pacifist, analistë e të ditur të Suedisë, si të ishin në gjumë, kur filloi një fushatë për hyrjen e Suedisë në NATO. Është shkak lufta në Ukrainë, mësimet nga e kaluara me Rusinë, (Suedia humbi luftën me Rusinë në Polltavë, afër Odesës në Ukrainë me 1709), reagimi i shpejtë i Finlandës, që ishte në kufi me Rusinë, apo edhe ndërrimi i raporteve ushtarako strategjike në botë, bëri që të majtë edhe të djathtë, qeveritarë dhe opozitarë, politikanët u rreshtuan pro – NATO-s, në strukturat ushtarake të Aleancës Veri Atlantike. Vetëm partitë e të gjelbërve dhe majtistët mbetën kundër, por ishin pakicë. Më parë për NATO ishte vetëm Partia Liberale, e cila sot ka afro pesë përqind të elektoratit.
Suedia ishte një zë i pavarur dhe autoritativ në arenën ndërkombëtare, si në perëndim, në lindje, apo në vendet në zhvillim, para e pas dekolonizimit, që nga fillet e neutralitetit.
Ishte pioniere në kohën e dekolonizimit të shumë vendeve në Azi, Afrikë e Amerikën Latine. Ishte zë i fuqishëm kundër intervenimit ushtarak sovjetik në RD të Gjermanisë (1953), në Hungari (1956), kundër intervenimit të Paktit të Varshavës në Çekosllovaki (1968). Ishte kundërshtare e rreptë e Aparteidit në Afrikën e Jugut e të tjera. Në arenën ndërkombëtare, në Kombet e Bashkuara e gjetiu, ishte e mbeti zë për të drejta të njeriut, të minoriteteve dhe të fëmijëve. Konventën e OKB për të drejtat e fëmijëve, që e hartoi dhe e propozoi, para tri vjetësh, Suedia e ka inkorporuar dhe tashmë është ligj i Suedisë.
Me 1981 ishte krah i fortë i “Solidaritetit” të Polonisë për liri nga kthetrat sovjetike.
Që nga viti 1981, kur çështja e Kosovës shtrohet si çështje kombëtare e shqiptare në Jugosllavi, Suedia e vendet nordike ishin skeptike. E dinin mirë, në kanalet diplomatike, informative e të tjera, por propaganda jugosllave se: “Çështja kombëtare më së miri është zgjedhur në Jugosllavi”, ishte si ndonjë tabu. Mund të flisje këtu kundër çdokujt e kundër secilit vend në botë, por Jugosllavia kishte atë status, që ishte vështirë të ndryshonte. Me takimet e para të refugjatëve, këtu u vu në rend të ditës si çështje humanitare. Vonë, ndër vendet e fundit në Evropë, nordikët u radhitën edhe në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Norvegjia, si anëtare e NATO-s mori pjesë në bombardimin e Jugosllavisë së mbetur, por Suedia jashtëbllokiste ishte furnizuesi i fundit i Armatës Popullore të Jugosllavisë.
Gjatë luftës, me topat suedezë u mor Srebrenica, gjë që e zbuluan gazetarët suedezë.
Kur Evropa e bota pas luftës së përgjakshme në Kroaci, pas gjenocidit në Bosnje, ishte afër të reagonte në mënyrë unike, zëri i Suedisë neutrale ishte autoritativ. Atëherë tërë opinioni suedez, pa një dallim në të djathtë a në të majtë, u radhitë në krahun e Kosovës.
Pas vizitave të Ana Lind në Gjenevë e OKB, në Stokholm, pati deklaruar guximshëm:
“Nuk jemi të lumtur se do të bombardohet Serbia, por të gjitha mundësitë diplomatike dhe politike deri më sot dështuan. Prandaj mbetet vetëm zgjidhja ushtarake.”
Pak ditë me vonë, nga Mijaillo Mijailloviqit e theri me thikë në qendër të Stokholmit.
Me anëtarësim në NATO Suedia fiton siguri më të madhe kolektive. Industria e saj do të jetë pjesë e armatimit të NATO-s. Do të jetë pjesëtare në të gjitha operacionet luftarake që bëhen kudo në botë në emër të NATO-s. Do të jetë standarde edhe ushtria e saj me NATO. Do të ndajë rreziqet, barrën financiare dhe përgjegjësitë krahas shteteve tjera anëtare.
Çka fiton NATO? Më parë në këtë pjesë të Evropës, vetëm Norvegjia ishte anëtare, por ishte një rrip i ngushtë dhe kishte hapësirë të vogël për manovrime të mëdha ushtarake. Tani, me hapësirat e Suedisë dhe të Finlandës, krahu verior i NATO-s forcohet shumë, si në hapësirë, si në sasi, pasi këto dy vende kanë kapacitet real ushtarak dhe teknik. Janë dy anëtarë stabil, të besueshëm dhe shtyllë e fortë e kësaj aleance ushtarake.
Suedia e deritashme, prej sot nuk është më e njëjta. Ajo duhet të harmonizojë qëndrime politike, ushtarake, ekonomike e financiare në përputhje me standardet e anëtarëve tjerë.
Deri dje ishte e ndaluar eksploatimi i uranit suedez. Dje u hoq ajo ndalesë. Arsyetimi ishte që është i nevojshëm për prodhim të rrymës elektrike. Danimarka e Norvegjia kanë veçim për të mos u instaluar raketat bërthamore në territorin e tyre, Suedia e Finlanda as nuk e kërkuan një gjë të tillë. Kjo është brengosëse për lëvizjet paqësore e kundërshtarët e përhapjes dhe të përdorimit të armëve nukleare. Protesta e kundërshtime pati fare pak.
Boritë e luftës nga Krimea (1914) dhe aneksimi i saj, invazioni agresiv rus mbi shtetin e pavarur të Ukrainës (pavarësinë e tërësinë territoriale të së cilës, së bashku me shtetet tjera të mëdha e garantoi edhe Rusia, kur ia morën armët atomike), si një valë e ethshme, po shtohen e shpeshtohen në Evropë. As Evropa nuk është më ajo e djeshme. Këto krisma e boritë e luftës nuk po i dëgjojnë vetëm të vdekurit, të shurdhrit dhe ata që nuk duan t’i dëgjojnë. Si duket burrështetas vizionar dhe të guximshëm po i mungojnë Evropës, apo?
Për Suedinë, një ndarje me një epoke më se dy shekujsh me neutralitetin e saj, të cilin e shfrytëzoi në mënyrë shumë racionale në dobi të çdo qytetari të saj, por edhe të tjerëve.
“Politika ndërkombëtare nuk është ndonjë ehe apo bëë!”, thoshte i ndjeri Ollaf Pallme.
“Anëtarësimi në një aleancë ushtarake, nuk është e njejtë as i ngjashëm me anëtarësim në ndonjë klub futbollistik”, pati thënë Vili Brant në vitin 1974 në Rjekë të Kroacisë.
Me fat Suedi anëtarësimi në klubin më të ri, si anëtari i 32.
Pate njerëz vizionar, largpamës, të arsyeshëm, të matur, racional, humanist, të ditur, të pajisur edhe me ideale për tërë njerëzimin. Ti i dhurove botës vepra dhe ide të mira e të dobishme. Dhurove ndihmë, përkrahje në përpjekjet e njerëzimit për përparim, për një botë më të drejtë, pa shtypje, pa gjakderdhje dhe pa varfëri. Ishe edhe mbështetëse për të uriturit, për të robëruarit, për të rrezikuarit, që në momente krizash, ju dhuroje shpresë.
Do të ndikosh edhe në bashkëpunim me të tjerët, por kam përshtypjen se diçka humbe!
Megjithatë, neutraliteti i yt do t’i mungojë shumë kujt në Suedi, por edhe nëpër botë.
Nuk besoj që asnjë vend neutral në botë, mund ta zë vendin dhe nivelin tënd!
Dëshiroj të mos pendohesh.
Hamit Gurguri
Lindormsgatan 27
506 44 Borås – Suedi
0046762518888.
Comments