top of page

Lame Fandi i bën nder...




Lame Fandi i bën nder rrjeshtit të shkrimtarëve në prozën e shkurtër


Fatmir Terziu


Pranverë brenda vjeshtës“ i përket një sfondi artistik ku peneli i piktorit të imazhit dhe fjalës, Harallamb Fandi, shkon në misionin e thjeshtë të rrëfimit të pastër. Është një lëvizje ngjyrimesh të akuarelta, që zhvendosin botën e thellë të rrëfimit në një mbivendosje me kohën. Nis me një poezi të shkruar hershëm që në pikëtakimin rinor të autorit nga një poet me emër në Vlorë, e në mjedisin krijues shqiptar, që sqaron distinktivisht thelbin e rrëfimit të pastërtisë, e dedikimi është për një lule, lulen Agavi, e cila është një bimë që lulëzon vetëm një herë në jetë. Brenda kësaj pasqyre që ndodh me natyralen, narrativin dhe përzgjedhjen kuptojmë që në krye se në brendësi të mendimit nuk ka asnjë përzierje, asgjë të tepërt në të, veç esencës. Pra, aty mbetet vetëm thelbi që i jepet shkrimit në ato momente të privilegjuara në të cilat thyhet sipërfaqja konvencionale e qenies, sikurse ndodh me dorën dhe mendjen e një piktori, jo thjesht të një farmacisti mjaft popullor, sikurse e njohin në Vlorë, që u jep ilaçin e duhur sipas një recete. Duke lexuar poezinë, dhe duke shkuar në rrjedhë të rreth pesëmbëdhjetë tregimeve të përfshira në këtë libër, shkrimtari na bën të ditur diskursin e frazës së përzgjedhur. Vetë frazat dhe episodet e përzgjedhura, janë jo thjesht një plotësi në kohë, hapësirë dhe vend, por përbëhen nga substanca transparente të momenteve më të mira, dhe fatura e mendimit, edhe pse është larg realitetit dhe të tashmes, ajo zbret në tryezën e leximit mes pikave të çimentuara të dritës, gjë që pikturon në thelb vetë stilin dhe komplotin e këtij libri për të na folur me preambulën filozofike të kohës, hapësirës dhe vendit.

Në fund të fundit, kjo qasje e penës së shkrimtarit risjell në formën tablo, vetë mesazhin në kanavacin e shtruar për art, ku ndjesitë e rifituara gjatë leximit, mbesin jo thjesht të shndërruara në territorin e imagjinatës, por mendime që përjetohen e ristrukturohen në mini-imazhe të tjera nga memorja e lexuesit. Në këtë kuptim, hapësira spontane, por që vjen në jetë tek këto tregime „Pranverë brenda vjeshtës“ është e strukturuar qartë që nga tregimi i shkurtër „Deti“ deri tek i fundit „I vogli tashmë i rritur tregon“, por që paraprihet nga tregimi i spikatur i kësaj tematike „Akuareli, kënga e lejlekut dhe…“, ndoshta vazhdimi shkon e pikëtakon një pikturë të vetë autorit të realizuar në vitin 1967.


Në thelb nuk ka ndonjë lidhje me lejlekun e tregimit në fjalë, as me atë që emeton diskursi i pikturës, ku pesha e jeshiltë që mban në krah njeriu, nuk është thjesht ushqimi natyral për dhitë, në hapësirën që sheh qiellin lart, as edhe fati i qenit të zezë në të, por forma dhe forca diskursive që mban i biri, Mjeku Adi Fandi, në zyrën e tij në Londër, këtë mesazh të bukur që nga mosha 3-vjeçare e tij, si një formë narrative e bashkuar përfundimisht në kohën e „rigjetur“, ose „rizbuluar“.

Në tërësinë e kësaj vlere që vjen nga „Pranverë brenda vjeshtës“ tregimet shihen si të përvijuar me një elitaritet të gjerë të jetës dhe lidhjeve me vetë jetën, por që nuk janë aspak thjesht si një koleksion kujtimesh. Në brendësi të çdo tregimi lexuesi nënkupton faktin që saktëson narrativi, se për kalimin nga një rrafsh në tjetrin, peneli dhe pena e autorit, nuk kanë përdorur ndonjë inskenim, por atë që ka gjetur vetë autori i këtij libri të jetë më e pastër, më e vlefshme si lidhje dhe si një fenomen i kujtesës. Dhe për të larguar keqkuptimet e mundshme, lexuesi gjen se Harallamb Fandi është një udhë jete në këtë libër, më shumë se “rrëfyesi narrativ që thotë unë”, por që në thelb nuk është gjithmonë „unë“, pasi pikërisht këtu është vetë thelbi i rrëfimit të pastër, sikurse ndodh në leximin e një pikture të bukur.

Nga ana tjetër, rrëfimi i imagjinueshëm midis tregimeve të „Pranverë brenda vjeshtës“ duket se funksionon për të mbështetur metodën e vetë tipologjike të autorit, për të cilin është veçanërisht e rëndësishme të zbulohet personaliteti aktual brenda dhe pas leximit, ku zbulohet vetë vlera. Vlera e paçmueshme e këtyre memorialeve për kohën e kërkimit të Fandit është se ato na ndihmojnë të lexojmë më mirë dhe më thellë. Por nuk kam ndjesinë se diku “atje jashtë” këtyre tregimeve kam takuar autorin “e vërtetë”. As fantazia e tij dhe ajo që ndodhnga leximi në të vërtetë nuk përjashtojnë njëra-tjetrën.



Një shembull (një nga shumë, në fakt) është tregimi „Humoresque“, në të cilën Fandi paraqet një dedikim për mësuesit e tij të gjuhës dhe të letërsisë K. Suli, M. Shaka, M. Duni, dhe P. Xhiku, por që në thelb kuptojmë qartë thelbin „është dreqi vetë ai“, apo „nuk le dy gurë bashkë“ për të kuptuar më thellë „ç'mund të presësh nga ata llafazanë…“. Është koha kur piqen vitet dhe trembëdhjetëvjeçarët zgjojnë atë që kanë në brendësi të tyre. koha sjell në këtë narrativ vetë kohën që zbret si një vizitore në një ekspozitë të hapur pas shumë vitesh, për të parë pikturat e artistit të saj të preferuar, pra të vetë kohës në dy dimensione kohore.

Disi më thjesht në këtë narrativ të shkurtër koha bëhet më e qartë në sallën e ekspozitës, ku shkrimtari dhe lëvruesi i artit “të vërtetë” Fandi, të cilin autori i këtij shkrimi e lexoi me entuziazëm, e përkthen: e asimilon bukurinë mes thjeshtësisë së rrëfimit të pastër dhe kapërcen kohërat për ti bërë të flasin në një kohë, duke shpërndarë kuptimet e tij estetike në tregimet e tij. Por thellësia e rrëfimeve të pastra të këtij autori, mbetet gjithmonë një “sekret” në amalgamën e pagjurmueshme të kujtimeve, momenteve dhe përshtypjeve të rikuperuara, citimeve të fshehura, “huazimeve” të vetëdijshme dhe orëve të metamorfozuara në frymëzim.

Ndoshta kjo “thellësi” është edhe për shkak të dritës që buron nga faqet e „Pranverë brenda vjeshtës“ , padyshim e re dhe e natyrshme, libër i cili duket se është përpjekur të zëvendësojë kohën spirale me një vijë të drejtë. Për sa i përket vetë-reflektimeve të rrëfyesit për prezencën e tij në narrativ, mendoj se “unë”, apo “vetja e parë” e Fandit më tepër hyn në rolin e vëzhguesit me një talent të rrallë pamor për komiken në jetën e rretheve dhe shoqërive të mbyllura, që natyrshëm zhbirrohen që në fëmijërinë, apo rininën e tyre, sikurse rrëfehet tek tregimi „Ishim të rrinj…“.

Këto zhbirime jetike kapin një situatë ndryshe tek „Do të doja të lija një kujtim të bukur, Gjergj…“. Leximi i narrativit na udhëton tek doktori, libri me lidhje të re në tavolinën e tij, ku koperina e vjetër ishte me shkas e zëvendësuar me një të re, por ama na rrëfen se „libri ishte një bashkëudhëtar që nga klasa e parë e shkollës“, e mes kësaj udhëton metafora e vetë jetës deri tek vdekja. Autori nga fundi i këtij tregimi e saktëson qartë me këtë metaforë: „Këtu nuk duket fare që ka të vdekur….“ Dhe „i vdekuri këtu jam unë! Sapo ma vërtetuan ata që i dinë të gjitha“. Kjo na shpie tek ajo që shkrimtari i mirrënjohur Albert Camus e qartësoi një pikë të ngjashme kur ndoshta ndjeu më fort atë që ishte karakteristikë si për Prustin e papërsëritshëm ashtu edhe për veprën e tij, në “Fletoret” e tij, ku ka shënuar edhe rreshtat e cituara më poshtë, thotë sa vijon: „Në gjurmët e kohës së humbur“ është një vepër heroike dhe burrërore: 1. për shkak të këmbënguljes së vullnetit krijues; dhe 2. për shkak të mundit që kërkon nga një pacient.



„Kur krizat për shumë ditë dhe netë më privuan jo vetëm nga gjumi, por edhe nga shtrirja, pirja dhe ngrënia, kur lodhja dhe vuajtja u bënë të tilla sa nuk e shihja se si do të shpëtoja ndonjëherë prej tyre, mendova për këtë. Një udhëtar u hodh në breg, i helmuar nga barërat e dëmshme, duke djersitur nga ethet me rrobat e tij të lagura me ujë deti, e megjithatë pas dy ditësh u ndje më mirë, duke u nisur përsëri rastësisht në kërkim të disa banorëve që mund të dëshmonin se janë kanibalë. Shembulli i tij më dha forcë, ma ktheu shpresën dhe ndjeva turp që e kisha lejuar veten të humbasë guximin për një moment.“ (Sodoma dhe Gomorra)

Me sa duket nuk ka asnjë dyshim për Camus, se Proust po flet për veten e tij në Sodomë dhe Gomorrah. Vetë Prusti e dinte se çdo ditë i ishte dhuruar nga fati. Dhe në pranverën e vitit 1922, Proust, i lodhur dhe i buzëqeshur, i telefonoi një mikes së tij për t'i thënë: „Kam një lajm të madh. Atë natë vura fjalën “fund”. Unë mund të vdes tani.“ Ai u largua në moshën 51-vjeçare, në kulmin e fuqive të tij krijuese dhe intelektuale, u largua sikurse lulja që vuri në fillim autori i „Në gjurmët e kohës së humbur“, shkrimtari dhe arstisti i fjalës së bukur, Harallamb Fandi, duke na kujtuar se lulja Agavi është një bimë që lulëzon vetëm një herë në jetë. Pasi e bën këtë, ajo vdes. Kjo është kështu sepse është një bimë monokarpike, si Aeonium, Puya, bromeliads dhe shumë e shumë të tjera. Por brenda së keqes, ajo që mund të konsiderohet e mirë është se është normale që atyre luleve, si ajo në poezinë e bukur e të përfsirë në këtë vëllim me tregime të shkurtra, u duhet shumë kohë për të prodhuar lulet e tyre, pasi ajo vjen nga memorja e rinisë, dhe vjen nga mendja e një poeti vlonjat sikurse është dhe mbetet Hiqmet Meçaj, i cili natyrshëm ka pikën e duhur të referimit tek autori i këtyre rrëfimeve që në rininë e tij.

Edhe zërat e tjerë që mbijnë si lule të tilla në këtë pasqyrë narrative, por që kanë rendin e tyre në bashkëudhë për të thënë atë që meriton „Në gjurmët e kohës së humbur“, që nga Ilirian Zhupa, Viron Kona, Timo Flloko, Faruk Myrtaj, Bashkim Kozeli, Jozef Radi, Mina Naqo, Vasillaq Kedhi, Shpëtim Mezini, Vasil Qesari po aq dhe ballina „Vajza e luleve“, vepër e piktorit Juri Krotov, flasin ngjashëm. Pra, vërtetojnë dhe saktësojnë se Lame Fandi (Harallamb Fandi) i bën nder rrjeshtit të shkrimtarëve në prozën e shkurtër

113 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page