top of page

Lakmia-udhë karvani


Lakmia-udhë karvani ********************************************* E dashur, Lindëm dhe u rritëm rrëzë malit, në shoqëri me ujëvarat, me egërsirat, me pyjet. Rrotull kishte shumë ujq, por ne nuk u bëmë si ata. Ndonëse u prisnim gurmazin bagëtive. Ndonëse i shqyenim në copa më të vogla. Miq ishim me arinjtë, por e hiqnim gëzofin kur vinim në shtrat. * Jetonim në stan. I gëzoheshim rrezeve të diellit, dritës misterioze të hënës, rrebesheve të qiellit. Dashurinë ua dhuronim me shumicë të afërmve, gjësë së gjallë, luleve, pemëve. Gonxhet e mëngjesit shtrinin petalet dhe harliseshin tek na shihnin. Jo me flladin apo zefirin, me ne harliseshin, sepse ne i dashuronim. E ndjenin se, pikërisht, neve na mungonin. Besonim virgjërisht në Fuqinë që krijoi gjithçka dhe, megjithatë, betoheshim “Për këtë bukë!”, “Për këtë baltë!”, “Për këtë diell!”. Kështu i zbrisnim në tokë, i lëndëzonim, i ulnim rreth vatrës perënditë dhe të dërguarit e tyre. * Por ... Më tej njerëzit ndryshonin botën. Si ishte jeta në atë botë të ndryshuar? Ç’ngjyrë kishin lulet? Po dielli si ngrohte? Si dashurohej? Si dëshirohej? Sikur u bëmë ziliqarë. Sikur na pushtoi lakmia. Vendosëm të ndryshonim. Deshëm të bënim stanin fshat, fshatin qytet, qytetin kryeqendër, kryeqendrën botë. Kopshtin e Edenit, atë që nuk e përjetësoi dot krijuesi, deshëm ne ta sillnim në oborrin tonë dhe ta përjetësonim. Nuk mundëm. * Dëgjuam se, diku më tej, njerëzit ishin të arsyeshëm. I rrëmbenin tokës baltën, gurin, lulen, pemën për të lulëzuar avllinë e tyre. Rrëmbenin për të ngritur shtëpi, vila, pallate, makina, varka, anije, vaporë, mjete fluturuse. Shtrydhnin parfumet e maleve dhe pllajave, luginave, fushave që t'i derdhnin mbi të dashurat e tyre. Kështu duhet të bënim dhe ne. Atëherë, me vështrim në pafundësi, morëm vendim. Ta lëmë stanin! Të ikim! Larg nga strofkat e egërsirave! Larg zhurmave të pyllit! Larg virgjërisë së natyrës! * U afruam në fshat. Edhe aty na prishnin gjumin ulërimat e ujkut, të çakallit, sokëllimat e ariut, shtrëngatat, jehonat e pyllit dhe të shpateve të malit. Na trembnin rrokullimat e gurëve. Donim ca më shumë barazi. Me natyrën të barabartë nuk mund të ishim. Donim cazë më tepër qetësi. As për qetësinë nuk kishte mirëkuptim.

Në fshat shtrohej më dendur sofra, ngrihej më shpesh kuvendi, vinte më e freskët fjala. Dëgjon? Diku ekzistokan liria, qetësia, e drejta, barazia. Ato janë më të shtrenjta se tërfili, se trëndelinat, se thëllëzat, se hëna, se mali, se ujëvara, se ajri. Janë më të shtrenjta se dielli. Atje ndërtojnë shtëpi edhe për Zotin. Me flori ia veshin shtëpinë të dërguarit e tij. Atje luftojnë më pak me natyrën dhe janë më të pasur. Më të pasur?! * Me zilinë dhe lakminë thellë hejbeve, zbarkuam në qytet. Eh, aty gjallesat përreth na shëmbëllyen edhe me dhelprat, edhe me ujqit, edhe me grabitqarët e qiellit. Miku i djeshëm të vërviste në hendekun anës udhës për një vend pune, për një shtëpizë, për një karrige. Aaa, liria, e drejta, barazia e paskan kullën gjetkë. Në kryeqendër. Ndoshta. Atje pallatet janë me xhama, udhët të ndriçuara, kurmet femërore mbushnin ekranet. Të shkojmë! Pse? Sepse atje do gjejë truallin e vet lakmia jonë. Jo, jo! Mos artikulo fjalën lakmi! Kurrë! Vetëm, mos gabo ta braktisësh. Është yll karvani. Yll karvani për vesin, për ambicjen, rrëmbimin, për shtytjen, për asgjësimin e jetëve. * Për më shumë liri dhe drejtësi, morëm rrugën e gjatë, atë të pafundmen.

Shpërngulën plaçkë e laçkë, kuç e maç dhe, pëlltuq, i lëshuam në mes të vendit. S’qe e thënë, e dashur. Kryeqendra qenkej plot e përplot me shpella e guva. Mali i kishte më të rralla. Shumë më të rralla. Mospërfillje atmosferike. Midis turmave mizëri ndiheshim më të vetmuar!!! As vëmendjen e shpendëve dhe kafshëve të pyllit nuk e gjetëm midis fqinjëve. Ca prej tyre (sa shumë fqinjë rreth nesh!) mbartnin pamëshirësinë e kuçedrave. Villnin zjarr. Përvëlonin kufoma. U rrëmbenin rrënjët e shpirtit pastaj i vajtonin. Nga çurka e lotëve, kishin ngjashmëri me krokodilët këto lloje kuçedrash. Përveç se kishin dy, katër, njëzet e katër kokë (dyfish më shumë fytyra). Përveç se shëtisnin me markat e fundit të mjeteve lëvizëse dhe vishnin petka moderne. Kot mundimi. Kot përvoja jonë rrëzë malit, mes pyllit, mes gërxheve dhe egërsirave, pranë sokëllimave e ulërimave të natyrës. Ç’ishte lakmia jonë para kësaj pangopësie gëlltitëse? Një piskamë fëmije. Një kuisje kulishi në realizim të nepsit. Anemike. Mikroskopike. Duhej dhe një shpërngulje tjetër. * Fati ynë qenkej ai të shumtëve, qenkej larg, larg, fare larg; në një autostradë, në një qiellgërvishtës, në një aneks restoranti, në një jashtëqitrrufitëse të veshur me pllaka faqeshkruara. Si akull vezullonin mermerët e bardhë ku shkelnin njerëzit e kësaj bote. Xhamat e qiellgërvishtësve e shumëfishonin diellin. Vajtëm. Na ndritën sytë.

Dritë, asfalt, shkëlqim mondan, mirësjellje nga ekrani. Sa të lumtur ata njerëz për të cilët shërbenim! Ne u radhitëm tek të shumtët. U lehtësonim jetën zotërinjve tanë për mbijetesën tonë. U lehtësonim jetën vajzave që shisnin lakuriqësinë me çmimin e disa jetëve tona. Ama, edhe ata ishin gjallesa. Ndotnin. O Zot, sa shumë durim duhej t’u largoje ndotësinë atyre jashtëqitjeve! Ndotësinë, që nuk ishte vetëm njerëzore. Liria nuk po shfaqej në rrugën tonë. Ikëm. Ikëm. Ikëm. ***

Sot gjendemi mbi këtë ajsberg gjigand. Akulli vezullon si mermerët e bardhë të botës që pas e lamë. Mbi ne qielli. Në të katër anët oqeani i thellë, i kaltër, i zi, zhurmëmadh. E dëgjon turfullimën? Ulërima e ujkonjës, sokëllimat e ariut, bubullimat e qiellit, gjëmimet e malit si zhuzhitje mizash duken, tek rrethohesh nga kjo gjeratore e përbindshme. Kështu rrëshqitka toka nën këmbët e njeriut!? Kështu qenka fundi?! Joooo! Ja Dielli. Ja jetëdhënësi. Mos! Edhe Dielli na duhej tani që ndodhemi në këtë pllajë të akulltë. Ç'na duhet? Tashmë, jetëdhënësi është kundër nesh. Po na shkrin pikën e mbështetjes. Përveç Diellit, edhe uji, edhe ajri kundër. Tre mjekët e mëdhenj janë njësuar në vijën e sulmit për të na asgjësuar. Duan të marrin atë që na dhanë, jetën. Lakminë nuk na e marrin dot. Pse të na i marrin dhuratën që na i prunë me urdhrin e qiellit?!

U lëngëzua ajsbergu? Hap sytë! Shushurijnë frikshëm roitjet në të gjitha anët. Pas nesh, u ça në mes tërë ai mal akulli shëndritës. Shëndritja u shndërua në grope të zezë. Ariun e bardhë, që na drithëronte zemrën tek afrohej, e përpiu ajo zgavër bark katran.

Kape dorën time! Mbaju fort! Do të lundrojmë së bashku mbi këtë mal akulli të ngritur nga uji deri sa të rikthehet në mitrën e vet.

Ku shkon? Mos më lërë vetëm tani që perëndoi Dielli! Shtrëngoje dorën time! Të mos e lëmë të ndahet në dy pjesë këtë ajzberg. Është yni! Është vatani ynë, dëgjon? Dielli perëndoi. Kemi yjet.

Ku janë yjet tanë? Në ç'kontinent? Në ç'ëndërr? T’i shohim dhe njëherë. A do t’i gjejmë? Po të ndjekim gjurmët e lakmisë, do t’i gjejmë patjetër. Shtrëngoje dorën time! Shtrëngoje!

31 views0 comments

ความคิดเห็น


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page