Resmi Osmani Tregim
Ngacikli ”Koha e çudirave”
LAKJA SHKON NË VOTIM
Lake Llullaja, pas dhunimit dërrmues që i kishin bërë, megjithë përkujdesjet e Sheqeres, po e merrte veten ngadalë. Atë të premte mbrëma,teksa Sheqerja po u vinte rrotull punëve të shtëpisë, i mbështetur në jastëkët e ngritur te ballina e shtratit, se trupi i therte ende, ia kishte qepur sytë ekranit të televizorit. Ishte dita e fundit e fushatës elektorale e pastaj fillonte heshtja zgjedhore. “Sa mirë që do ta mbyllin sqepin, dhe s’do t’ua shohim më surretet, mendoi Lakja , se na shuan me gënjeshtra e na pataksën: yjet i zbritën në tokë,malet i bënë fusha,detin e bënë kos e qumësht, errësirën dritë, të zezën të bardhë… Mos e pyet o mjeran se ç’po dëgjon e me ç’po ta trullosin fiqirin, por Lakja s’është nga ata që e hanë sapunin për djathë dhe pret që të bien petulla nga qielli”, i tha vetes. Herë pas here, me shkronja të mëdha, që zinte tërë ekranin shfaqej e shkruara :”Shqipëria Vendos” dhe bëhej thirrje që të gjithë të delnin në votime. “Vërtet i rren mendja, se këtë radhë do të vendosë Shqipëria?” pyeti veten Lakja mosbesues, por më tej nuk u thellua se e ndërpreu i biri.
-Baba,ti do të votosh pasnesër?- e pyeti Laken i biri.
-Si ta thotë mendja? Të dielën Shqipëria vendos. Llauzi do të derdhet rrëke për të hedhur votën. Emigrantët për këtë sebep po vijnë nga Filifistuni. Po Lakja, që e ka te dera e shtëpisë, do të hiqet mënjanë për turp e faqe të zezë? Patjetër duhet ta hedh votën time. E merr vesh apo jo: Shqipëria Vendos dhe unë jam pjesë e kësaj Shqipërie! Pastaj, ne denbabaden, jemi me trashëgimi patriotike e demokratë: gjyshi i ndjerë fanolist,babai,që u prehtë në paqe, partizan. E po mor bir,gjaku nuk bëhet ujë!
I biri shpesh nuk e kuptonte të atin,kur e kishte me shpoti e kur përnjimend, kur ishte esëll e kur kishte rrëkëllyer ndonjë gotë e fliste çapraz.
- Të pyeta se kushedi, ti ke kaq ditë që ke zënë dyshekun dhe mbase nuk ngrihesh dot.
-Pse gëzon babai që ka djem? Hë? Gjeni një karrocë invalidësh, ngrimëni hopa dhe me të më çoni në qendrën e votimit. Ta shohë gjithë qyteti që Lakja bën detyrën qytetare, siç e kërkon demokracia. Posi! Po nuk shkova do t’i bëja qejfin hasmit. Pastaj është edhe ajo puna e tregëtisë së votave. Po nuk vajta, do thonë e do të më përflasin që unë i kam shitur vërtet votat! Por kjo nuk është hiç e vërtetë. Prokurori nuk e vërtetoi dhe mbeti si guhak. Lakia është burrë i ndershëm, kështu tha avokati dhe padinë e quajti “Nul juridik”. Atë nulin nuk e mora vesh. Më pas avokati më tha që ashtu I thonë zeros në drejtsi. Do shkoj ta hedh votën që ata rrugaçët, të cilët më sakatuan e zdrumbalisën, të plasin nga nakari e marazi dhe ta marrin vesh që s’më tutën dot e që me Laken u shkoi druri huq.
* * *
Ndryshe nga ditët që e paraprinë, të kthjellta, plot dritë e të nxehtë përvëlues, me netë që i ndrinte hëna e plotë, njëzet e tre qershori u gdhi i vrenjtur. Ca re të bardha puplore, si të pambukta, kishin veshur tërë qiellin nga lindja e juglindja. Bënte më freskët se të djeshmen, por shi nuk dukej se do të binte. Më pas retë u davaritën e qielli u hap. Filloi vapa.
Djemtë e Lakes shkuan në spitalin privat ”Zemra e Përdëllyer” dhe kërkuan përkohësisht një karrocë. Motra Anjeza, kryeinfermierja, kur mësoi përse e donin çunat karrocën, u mallëngjye aq shumë nga gjesti qytetar i Lakes, sa desh i rrodhën lot dhe ua plotësoi kërkesën.
Në mëngjes, kur njerëzia ishin ende duke surbur kafetë, në rrugët e lagjes, buçiti sa drodhi ajrin, daullja e Dull Jevgut. Dulla, zakonisht, delte për ditët e mira dhe të dy Bajramëve, por sot kishte dalë për votimet. Bam, bam, bam daullja, pastaj: “O milet! Dëgjoni e mbani vesh atë që do t’u thotë Dulla: të gjithë në votime! Votues të lagjes dilni dhe shoqëroni, Lake Llullanë, që po ngrihet nga jataku për të votuar!” Bam, bam, bam…….
Lakja u vesh, vuri kasketën, por nuk u rrua. Mjekra e bënte të dukej më të vuajtur e për të ardhur keq. U kujdes që në xhepin e vogël të xhaketës të vinte trandafilin e bardhë. Karroca priste në oborr nën hijen e manit. Sheqerja vuri në kokë një shami me hoja dhe në mes një përparse të qëndisur.Laken, që rënkonte me ah e oh, e ulën në karrocë. Në dorë Lakja mori patericën, se mbase i duhej.
Në të dalë të portës i priste shoku i halleve, Cufe Zavalli. Karrocën e shtynte djali i madh. Dy të tjerët dhe Sheqerja i shkonin pas. Cufja i rrinte anash. Nga portat e gjitonëve, nisën të dalin e bashkohen me ta votues të tjerë, aq sa u bë një vargan. Fëmijët, që u bashkuan me ‘ta, vërshëllenin e bënin potere. Qentë e lagjes, të trembur nga zhurma e zallahia, nisën të lehin, por karvani shkonte përpara. Duke ecur,duke u shtuar,si ato rrëketë e ujit që mblidhen në një vijë, arritën. Oborri i shkollës, ku ishin qendrat e votimit, ishte mbushur plot votues, që prisnin. Kur hyri në portë karroca e Lakes dhe e shoqëruesve, u hap një korridor dhe të pranishmit, si t’i kishte porositur njeri, duartrokitën fort. Lakja, që u ndje i vlerësuar, për t’i përshëndetur, ngriti lart patericën dhe e tundte si ta kishte flamur: “Faleminderit, faleminderit ore miq! Rroftë demokracia” Cufja sokëlliu mesa i hante zëri: ”Liri demokraci !”
Sakaq ia behu gazetarja e njohur Olta Fusha e televizionit “Alfa &Omega” dhe operatori. Olta ishte e bindur se ky ishte lajm i ditës dhe nisi menjëherë ligjërimin, duke e mbajtur aq afër mikrofonin sa dukej sikur do ta gëlltiste: ”Jemi duke transmetuar lajf, mbërritjen në qendrën e votimit, të bashkqytetarit tonë Iliaz Doko, i njohur edhe si Lake Llullaja. Për të bërë detyrën e tij qytetare, është ngritur nga shtrati dhe në një karrocë invalidësh, ka ardhur të ushtrojë detyrën dhe përgjegjësinë e tij demokratike e kushtetuese edhe në një gjendje shëndetësore të rënduar. Le të shërbejë ky rast, të dashur shikues, si shembull frymëzues i qytetarit model, për gjithë ata që ende nuk kanë vendosur të shkojnë në kutitë e votimit!”
Fotografët nisën të shkrepnin aparatet. Fotografitë e tyre do të bënin xhiron e botës. Fama e Lakes do të merrte dhenë!
-Zoti Doko! Cili është mesazhi juaj për bashkqytetarët tanë?- pyeti Olta.
-Rroftë demokracia! Votoni,votoni,votoni…!
Përsëri duartrokitje dhe thirrje: ”Bravo Lake! Ja bëre forra!”
Sikletit të Lakes i dha fund kryetari i KZ-së, i cili u tha se ishin të ndaluara mitingjet dhe deklarimet. Përndryshe do të urdhëronte forcat e rendit të ndërhynin.
Kur hynë në korridorin e gjatë të shkollës, u ndanë. Për invalidët ishte përgatitur një dhomë e veçantë, Laken e futën aty. Sheqerja me djemtë u ngjit në katin e dytë, por edhe aty u ndanë se nuk dihet përse. Edhe të një familje ishin në qendra të ndryshme.
Aty nuk kishte radhë. Lakja, serioz e i përvuajtur, përshëndeti komisionerët. Pastaj vazhdoi protokolli: u paraqiti letërnjoftimin, firmosi në listë, i lyen gishtin me bojë, i dhanë fletën e vulosur të votimit dhe një djalë i sjellshëm, e shtyu karrocën në dhomën e fshehtë. Pasi bëri shënimin, i thanë si ta paloste fletëvotimin, që të dukeshin të dy vulat dhe Lakja e hodhi në kuti.
Erdhi djali i madh, që sapo kishte votuar dhe ata u nisën të dilnin. Sheqerja po vonohej.
-Ngjitu bir, shiko për tët ëmë, pse po vonohet?
Kur erdhën, Lakja pa që Sheqeres i kishte ikur fytyra nga vendi dhe nuk pushonte së shari.
-Ç’ke? Ç’të gjeti?
- Nuk votova dot!
-Pse?
-Kërkuan e kërkuan dhe thanë se nuk e kisha emrin në listat e zgjedhësve. Kur po kërkoja emrin, erdhi një djalë I ri dhe më pyeti: ”Mamaja e Turit je ti?”, ”Po”,i thashë.”Ma jep letër njoftimin,se ta gjej unë emrin” Ia dhashë. Erdhi një copë herë rrotull dhe kur u kthye më tha se nuk e kisha emrin. I kërkova letërnjoftimin. Po ai bëri të çuditurin dhe më tha se ma kishte dhënë. Kërkova në çantë dhe portofol, por nuk e kisha. Ai sakaq u zhduk, si ta kishte pirë dheu. Nuk sos që nuk votova, por humba edhe letërnjoftimin.
-E njeh po ta shohësh?
-Zor ta them,se kisha parë ndonjëherë.
“Të lira,të drejta e të ndershme” mërmëriti Lakja.
Në të dalë të portës, u kishin zënë pritë ca djem të rinj, me blloqe shënimesh dhe diktofonë, që nuk duhet të ishin nga ai qytet. Pasi e përshëndetën Laken me të tijtë, u thanë:
-Jemi të eksit pollit. Ja edhe autorizimi. Nëse s’keni kundërshtim, do t’u bëjmë ca pyetje.
- Ç’është ky eksiq polici? Edhe këtë kishim mangut!
-Zotëri, eksit polli,është pyetje pas votimi, për të parashikuar se kush ka fituar.Deklarimi pas votimit nuk është i ndaluar.
-Paguani gjë?
-Jo,zotëri.
-Pa pgesë or mik,s’këndon as zogu!
Po kjo?
Intervistuesit mbetwn si shushko.
-E po,nejse. Bëjini ato pyetjet.
-Për cilën parti votuat ju?
-A,b,c, ç,d, e………..Y,v,z,zh!
-Çfarë do të thotë kjo?
-Që partia gjendet brenda këtyre shkronjave të alfabetit të shqipes. Lista e partive ishte sa një çarçaf. Po mundët, gjejeni, se unë nuk e mbaj mend!
-Ta themi ndryshe, për cilin numur: 1,29,44,56, apo tjetër? Mund të na e thoni?
-Posi jo.Numri që votova është nga njëshi deri në gjashtëdhjet e katër! Aty midis tyre është.
- Sipas jush kush do t’i fitojë këto zgjedhje?
-Më i miri.
-Dhe kush është më i miri?
-Ai që e ka mërzitur më pak popullin dhe gënjen më me lezet!
Intervistuesi e falenderoi dhe u mundua ti shkruante të plota përgjigjet, ngaqë mendoi se gjeti subjektin e duhur për të shkruar një ese të hatashme:”Gjeniu popull” në gazetën “Fakti” të Kol Bushgjokës.
Kur arritën në oborrin e shtëpisë, Lakja zbriti nga karroca si të ishte atlet dhe i këputi asaj një shkelm, ajo u rrokullis dhe qëndroi te muri i avllisë.
Cufes i dolën sytë kallëp:
-Lake,por ti sikur… ?
-Cufe,mos e lodh shumë mëndjen ,që të dish sa ka zanati, se plakesh para vakti! Detyrën e bëm, tashti na takon ta festojmë, - tha dhe i thirri Sheqeres,- Na bëj pak meze, moj nikoqire dhe sillna një shishe t’ia thyejmë grykën, se na është bërë gurmazi eshkë!
Sheqerja dukej shumë e mërzitur. Cufja e ngushëlloi:
-Për kokën tënde, o Sheqere, mos u sëkëlldis se të ngrihet ai i shkretë tension e na bën ndonjë hata, se demokracia do bëjë si të bëjë edhe pa atë votën tënde. Që ta dish ti, ky panair kështu e ka: ca shesin,ca blejnë , ca vjedhin, disa qeshin,të tjerë qajnë e një takëm bëjnë sehir! Kështu ka qënë si sot, si qëmoti.- përfundoi fjalimin e tij filozofik Cufja.
Lakja që i kishte mbushur kupat, e bëri bromp me Cufen:
-Ja të paça. Këtë radhë daltë për mirë, se kur zihen atllarët, shkelmat i hanë gomarët. Besoj do të marrin atë që u takon, sa për ne ata që ishim ata do të jemi!
Televizioni lokal po jepte lajmet. Sheqerja u thirri që të shihnin veten në ekran, por ata nuk e prishën rehatin, po u shijonte më shumë ajo gota nën hije të manit.
Comments