top of page

LAHUTARI SHQIPTAR ISË MURIQI (ELEZI)


LAHUTARI SHQIPTAR ISË MURIQI (ELEZI) ULET KËMBËKRYQ E KËNDON NË HARVARD


Leonora Laçi

Promovimi i një vendi përmes trashëgimisë kulturore materiale e jo materiale përpara botës asnjëherë nuk është e mjaftueshme.

Më datë 31 mars 2023 në Nju York, mora pjesë në një nga auditoret e Universitetit të Columbisë(University of Columbia), mes studentëve shqiptar dhe dashamirësve të folklorit, i pranishëm ishte dhe Ambasadori i Kosovës z.Blerim Reka dhe perfaqësues të Shoqatës Rugova.

Studentët shqiptar të këtij Universiteti kishin themeluar Shoqaten e studentëve shqiptar si për të mbështetur njeri-tjetrin në rrugëtimin e tyre në këtë Universitet.

Pata fatin te ritakohem me lahutarin Isë Elezi(Muriqi) ku sëbashku me profesorin e njohur akademikun Zymer Nezirin na prezantuan librin që ishte promovuar fillimisht në Universitetin e Harvardit e për ta vazhduar në Nju York. Ise Muriqi (Elezi) eshte dëshmuesi ndërsa profesori Neziri shkruesi, një punëtor i palodhur ku i ka kushtuar gjithë jetën e tij njohjes anëkend botës të trashëgimisë kombëtare asaj materiale dhe jo materiale. Te dy bashkë si në simfoni kanë bashkëpunuar edhe me lahutaret e tjerë që të përçojnë vlerat e lahutës si instrument autokton shqiptar deri në Universitetin e Harvardit dhe universitetet e tjetra të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Lahutari Z.Isë Muriqi (Elezi), i cili është një njohës i këngës e folklorit tonë, i cili njeh më shumë se 5 mijë vargje, ai ka ardhur nga Kosova pikërisht për këtë rast.

Isë Muriqi Elezi krenar me kostumin popullor të Rugovës nën tingujt e lahutës dëshmon atë çfarë shkruhet në libra. Ai është dëshmia e gjallë e historisë së folklorit tonë. Z.Muriqi (Elezi)me lahutë në krah ka shëtitur cep më cep të botës për të treguar që lahuta nuk është serbe dhe ashtu si historinë duan të na tjetërsojnë dhe këngën, por faktet i mungojnë.

Një burrë që komunikon shtruar dhe ngadalë, e që fjala merr peshë. Kur e pyeta sa vite i ke me tha: -“ 50 vite”. Ndonëse i kishte kaluar të 70-tat.Qeshëm të dy.

Pozitiviteti i tij dhe perqafimi që me dha më kujtoi takimin tonë në Pejë ku lamë përgjysëm projektet që kishim sëbashku para se të vija në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por në një të ardhme të afërt do ta vazhdojmë aty ku e kemi lënë. Një takim që më ngeli në mendje për njohurit e tija që zotëronte dhe dhimbjen që ndjente se s’kishte mundur dot të ua trashëgonte lahuten tek nipat e mbesat e tij.


Sa i takon aktivitetit promovues është bërë një punë kolosale studimore e disa profesorëve shqiptar e të huaj që mbrojnë folklorinë tonë, ku përmes këngëve dëshmohet vazhdimësia jonë. Siç thotë vetë profesor Zymer Neziri:”Janë 20 vite punë, 300 ditë ekspedita nga 15 deri 500 km secila, në 5 shtete të Ballkanit; 148 lahutarë e 197 rapsodë të regjistruar, muslimanë e të krishtërë, që me lahutën me kryet e dhisë a gjarprin (simbole të lashta ilire), mbajnë gjallë epikën legjendare të kombit teksa krenar promovon librin “Wild Songs, Sweet Songs” (“Këngë të egra, këngë të buta”), publikuar në Universitetin e Harvardit.

Profesor Zymer Ujkan Neziri, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, kujtoi vlerёn historike qё pёrfaqёson kjo vepёr, e cila pasqyron njё numёr tё jashtёzakoshёm këngësh epike tё trevave shqiptare. Profesor Neziri në fjalën e tij shprehet se:” Sot po e përurojmë librin e këngëve shqip, që janë kryesisht krijime epike, të përkthyera anglisht, mbledhur në vitet ’30 të shekullit të kaluar. Libri është antologji, sipas propozimit tim, më 2002, kur bëja punë kërkimore në fondet arkivore të Harvardit. Projekti u miratua aty, më 2003. Është botim i Koleksionit të Letërsisë Gojore të Millmen Perit, Univ. i Harvardit. Epikë shqiptare në Koleksionin e Millmen Perit dhe të Allbert Llordit. Pra, këngë të egra, po edhe këngë të ëmbla, se disa sosh nuk janë epike. Përg. për shtyp e librit u bë nga profesorët Nicola Scaldaferri, John Kolsti, Victor A. Friedman dhe Zymer U. Neziri.

Lahutarët. Janë këngë të kënduara para afër një shekulli nga rapsodët e Eposit të Kreshnikëve, shumica të lindur në gjysmën e dytë të viteve 1800. Ata janë të të dy besimeve. Pa asnjë dallim, se dikur thuhej, pa të drejtë, se ato i këndojnë vetëm rapsodët e besimit islam. Në këtë vëllim janë: Salih Uglla ose Ugljanin (Sanxhak i Pazarit), Fatime Biberi ose Biberoviq (rr. e Prizrenit), Gjergj Pllumi (Dukagjin i Alpeve), Marash Nika (Dukagjin i Alpeve), Sokol Martini (Mërtur), Ali Meta (Rr. i Dukagjinit), Adem Brahimi (Plavë e Guci), Rexhep Zeneli (Rr. i Dukagjinit).


Përmbajtja. Personazhet, 30 kreshnikë të çetës, i kryesojnë vëllezërit Muja e Halili, me fuqi mitike nga qumështi i zanave. Temat e motivet e këngëve janë nga jeta e tyre në viset e Ilirisë: mbrojtja e kullosave, e bagëtisë, e kullave dhe e nderit të familjes, kryesisht. Mbizotërojnë legjendarja, fantastikja e mitikja, si dhe qeniet mitike: Ora e Zana. Kanë bukuri poetike të rrallë. Kanë vlerë evropiane e botërore. E kanë vendin në UNESCO. Janë hallkë e këndimit epik ilir-arbëror dhe janë jehonë e përgjakjeve me sllavët e Jugut, nga ardhja e tyre në Gadishullin Ilirik.

Rëndësia. Derë e hapur për studiues. E para, materiali shqip e anglisht, që hap një derë të madhe për studiuesit e epikës. Deri më tash ishte derë krejt e vogël për ata që nuk e njihnin shqipen, madje nga vitet ‘60, kur aty u krye disertacioni i parë i doktoratës, nga Gjon Koleci ose Kolsti, student i Llordit. E dyta, në libër tashmë janë katër punime studimore, që kanë peshë për epikologët. Në një të pestën e librit aty janë ndihmesat e Gjon Kolstit, Zymer Nezirit, Nikolla Skalldaferit, Viktor Fridmanit, pos Parthënies dhe Hyrjes, nga Nikolla Skalldaferi. Ana teknike shkencore. Në këtë libër janë me interes edhe letrat e Llordit, shënimet, fotografitë, hartat, fjalorthi, treguesit e emrave të njerëzve e të vendeve. Pra, ky libër e ruan autoritetin e majave të shkollës me famë botërore, e njohur me emrin Universiteti i Harvardit.

Ndërsa i lidhur përmes zoom videocall Profesori arbëresh Nicola Scaldaferri, nga Universiteti i Studimeve të Milanos, kujtoi punёn e çmueshme qё kanё bёrё autorёt e librit, tё cilёt kanё pёrshkuar vise tё ndryshme shqiptare pёr tё takuar persona e gjetur kёngёt epike, njё ndёr ta ishte edhe françeskani At Bernardin Palaj.

Kujtojme se folklori shqiptar, përkatësisht poezia epike, kangët për kreshnikët dhe proza gojore, sidomos përrallat ka qene hulmtuar, mbledhur dhe botuar nga Eterit françeskane At Bernardin Palaj dhe At Donat Kurti me titull “ PRRALLA KOMBTARE” në dy vëllime. Keto vepra janë botimi më komplet dhe më i vlefshëm i përrallës shqiptare si për nga cilësia ashtu edhe për nga sasia, që ishte botuar deri në atë kohë. Vëllimi II me titull ‘Kangë Kreshnikësh dhe Legenda' i serisë pesëmbëdhjetë vëllimëshe të ‘Visareve të kombit’ janë mbledhë dhe redaktua nga At Bernardin Palaj e At Donat Kurti, një nga perlat e krijimtarisë gojore epike.

Prof. Scaldaferri në paraqitjen e veprёs, nё anglisht, 'Wild Songs, Sweet Songs' nёnvizoi bukurinё dhe vlerёn e tekstit tё kёngёve epika shoqёruar nga tingujt e lahutës, si mjet qё ka mbajtur gjallё historinё e traditës gojore me atё tё njё populli, si ai shqiptar.

Në këtë promovim u shfaq dhe një dokumentar që kishte mbledhur lahutarët nga të gjitha viset shqiptare në pak minuta për të prezantuar më së miri rendësinë që ka folklori në identitetin tonë.

Aktiviteti u përmbyll me një foto të përbashkët.

10 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page