top of page

Kështu që këtu shkojmë


Kështu që këtu shkojmë

(Fragment nga romani: “Shtëpia në Kornizë”)

Fatmir Terziu


Përsëri një orkestër e vogël e pandashme e lëngët dhe qiellore në xhamat e pabindur, që t’a riprodhojnë ndryshe…,

... ndodh ndërsa kapakët e syve bëjnë rrokadë me lëvizjen tredimensionale të kohës…

Dhe pos kësaj muzike të ndjeshme, nga aty ku mornicat e trupit bëhen njësh me huazimet në qelq, në Bedford House, Londër, dëgjohet një derë tjetër e largët, që mbetet e hapur nga brenda. Sa hapet të kujtohet vetvetja për katër dimensionet e saj. Dimensioni i parë është pastina dhe paraballina, i dyti është poshtë dhe lart: të dy ngjashëm me derën vetë, janë paqtinë e sheshtë. Dimensioni i tretë është jo i sheshtë, por vjen përpara dhe shkon pas të plotësojë hapësirën ndërmjet. Me të hapet jeta. Dera është hapur, por hezitimi vazhdon. Dimensioni i tretë para meje përmban diçka më shumë se hapësirë: aq i trashë si melasa, ajo strehon një të katërtën e embrionit të huaj. Dhe dimensioni i katërt është koha. Pra një Kohë Tjetër…, hyrja në atë kohë.

Nëse ndodh kudo, do të duhet të ndodhë edhe këtu. Në kohën e gjendjes sime të atjetejshme, në atë adresë, unë isha personi i vetëm në rrugë. Ishte errësira, ajo që më bënte të kuptoja se sa i vetmuar isha unë. Përreth meje asgjë përveç lehjeve të qenve, tjegullave të thyera në rrugë, tek-tuk të ndonjë mur-qosheje të lënë diku pa u ngarkuar për ndonjë ripërdorim gjetkë, gjësendëra të braktisura në mbrëmje dhe shtëpitë e mbetura të vjetëruara, dhe ato që rishtaz ishin ngritur dhe të dy palët që ishin bosh. Ndonjë llamburitje e rrugës ndante me sytë e mi pakëz arsye për përkujdesjen e dritës, secili sy merrte aq sa i duhej dhe duart u vinin në ndihmë syve dhe pjesëve të tjera, që të mbanin trupin drejtë e në këmbë, me arsyen e qasjes burrërore para asaj dere. Ajo flashitje e dritës zbuloi gurë të tjerë të veshur me myshqet e trafikut ikës-ardhës të njeriut të asaj dere, që e bënin grimnajën e errët të së jeshiles së veshur të tyre të shkëlqejë në ajrin e lagësht të natës. Një erë e pakëndshme e mbeturinave të braktisura mbeti në përcjelljen e minutave të hershme të zbardhjes së ditës në pritje të paradites që shpresonte të dilte dielli e të ngrohte sadopak atë hapësirë.

Në distancë, gjithnjë, mbetej zëri papushim i jehonës që zbulonte misteret e natyrës dhe gjuhën e saj mes vetes, krijesave, ndodhive, gjësendeve dhe organizimeve të tyre në një disiplinë disi të harruar për veshët dhe shikimin tim. Ndonjëherë zëri dukej si një alarm hajdutësh, që vinin aty të gllabëronin atë që kishte mbetur pa u bërë plaçkë për të Tjerët, për të ridimensionuar identitetet, gjuhët, traditat, kulturat e për të bërë pasaportën e lëvizjes intrigante. Zëri ishte edhe dëshimtar i largët. Nuk shuhej dot mes gurëve. As mes tymnajës së viteve. Ai fliste me krenari edhe për djegmat e dyta. Të dytat ia kishin faturuar si faj të madh “oxhakut”. “Oxhaku” kishte bërë gjëmën. Ishte dashuruar me erën e madhe dhe kishte bërë flakë dynjanë. Në atë djegmë njerëzit u rikujtuan të kthejnë sytë lart dhe të lusin Perëndinë për fatin e jetës së tyre. “Oxhaku” i dogji shumë! Unë diku e kisha quajtur djegja në tru. Nuk e di pse, por ja që kështu m’a kishte dhënë truri edhe mua. E kisha thënë këtë në një mjedis kur duart e njerëzve të asaj ane rriteshin me oxhakun, zgjoheshin me gurin dhe flinin me të, duke bërë art me duart e tyre. Kishin ndërtuar botën, por veten e kishin lënë në mëshirë të fatit. Dhe fati i lënë në duart e rastësisë ishte si kjo puna e “oxhakut” që bëri gjëmën. “Nuk ishte kashtisur mirë!”, ende vinte zëri i largët. E si gjithmonë zëri donte dhe një përgjigje. Përgjigjja mbetej në Raven, Raduç, Kallogjer, Koçarren e gjetkë, aty ku mjaft bashllakë ende mbanin shpirtrat e ikura të djegur nga ajo jetë.

Pas pak mbretëroi një magji foleje, që çdo i sapo ardhur shpejt mbetet i lidhur si me filmin ku përjetohet magjia skenike e “Jack the Ripper”. Të gjithë banorët që dikur i hidhnin këmbët e tyre nxitimthi nëpër këto rrugë ishin zhdukur tashmë, isha vetëm: isha i lirë. Me këtë pamje si skenë e fiksuar dhe pa televizion, çdokush dhe gjithçka në të mund të shihej si në teatër. U zgjova. M’u duk se isha në mëngjesin e parë. Dhe bëra disa hapa, për të ecur nëpër qoshe dhe për të gjetur një shenjë jete në hapësirën e asaj shtëpie, e shtëpisë … në atë vend. Diku dëgjova një mjaullimë. Dhe vërtet u ndjeva mirë. Fundja kishte një arsye jete. Ishte në jetë. Ishte një mace, por ishte vetëm një e tillë në mendjen time. Shikimi më qaste një krijesë ndryshe. Ndryshe dhe në sjellje, ndryshe dhe në …

Nuk ishte ajo mace që mbaja në duar, nuk ishte ajo që më gricte, kur bëja detyrat e shtëpisë. Nuk ishte ajo mace që më derdhi bojën blu dhe më bëri të gjitha librat e fletoret e detyrave pis. Nuk ishte ajo mace që më bëri të vuaja dënimin e mësuesit Muçit, që të qëndroja me një këmbë përpara klasës, ndërsa fletoret e mia ishin asgjë më shumë se një blu. Ajo kishte rënë nga një dritare e shkrafanjitur, duke arritur poshtë e rraskapitur, me aq forcë sa për të shkulur nga vendi edhe portikun e kulmit të asaj ndasie mes dhomave që bënte hapësirë të të çojë, në telizin me dërrasa ku të gjitha hapësirat, vegimet dhe shikimet janë bërë aty për pak qetësi. Kjo bënte që t’i jepte arsyes sime, të zhytej më tej për të menduar për më shumë detaje rreth kësaj pike, ku një fole e vogël në murin e pastinës mbante ende kujtimet e mia të fëmijërisë për macen dhe zogjtë e asaj foleje.

E shihja, duke e lënë mendimin për folenë e botës së vërtetë, që do të thotë se nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të përdorësh njësoj si zogjtë dy këmbët e tua dhe të ecësh, me dy këmbë, … dy krahë, dy duar, mbijetesa është rreth dy këmbëve dhe krahëve, të ecësh dhe të jesh i gatshëm për të “fluturuar”. E gjitha është rreth dyshit! Dikur i kisha dëgjuar prej gjyshit. Dikur i kisha lexuar …, edhe fshehurazi, kur vizitoja shtëpinë e Hoxhës në mëhallën tjetër, kur shkoja për të paguar “vitre”. Në një moshë të caktuar të gjitha këto rima fëmijërie, tregime, lidhje dhe legjenda fetare ose të tjera, së bashku me lojërat dhe fantazitë, që herët e vunë ndërgjegjen tonë në gjendje të ndryshme kënaqësie, papritmas nuk janë më të vërteta.

Jeta ndërpritet, dhe ekspozimi ndaj botës siguron presionin për të na bërë të gatshëm që të përqendrohemi drejtpërdrejt në gjërat që i lëm pas. Lind kështu inteligjenca komplekse, për të qenë i zgjuar, nuk ka dashuri tjetër përtej asaj që duhet të merret në rrugën e asaj që syri i mendjes sonë mund të shoh qartë. Dhe këtu përpara të gjithë asaj që ngarkohej e shkarkohej në kornizë, ishin dhe bëheshin “Ata kundër Nesh” dhe anasjelltas bëheshim “Ne kundër Atyre”. E gjitha dialektike. Familja ime, fisi, grupi, miqësia, krushqia, shkollimi, gjinia, afëria, ikja dhe rivendosja, të gjitha pothuajse ishin dhe mbeteshin në këtë skenë. Brenda kornizës, shtëpia si shtëpi, mbante me forcë trarë e patarva, ristela e olluqe, mindere e kolltuqe, qilima e sexhade, perde e tantella, mbante të gjitha orenditë e saj që të mbante këtë skenë të gatshme për të gjithë brezat. Dhe aty ndodhte gjithnjë lëvizja. Ndodhte edhe kur mbylleshin sytë, për t’u hapur ndonjë ditë në letra të tilla që i shkojnë pas midesë së madhe të kësaj kornize.

Kështu që këtu shkojmë. Mbrapa në kohë. Unë qëndroj para të gjithë këtyre sistemimeve perfekte të memorjes në këtë shtëpi, një sy, dy sy, një palë sy, dyfish dhe u kërkoj të gjithë gjësendeve, të gjitha memorjeve të mbyllin sytë. Në fillim hezitojnë. Pastaj më binden dhe rifreskojnë në errësirën e tyre të gjitha prekjet. Të gjitha shenjat. Të gjithë jetërat e jetarve të tyre. Dhe dalin në skenë kuaj, buaj, kafshë e frymëra të lëvizshme. Të gjitha ngjallen mjeshtërisht në errësirë. Të gjitha zgjohen më mirë në këtë mënyrë. Drita ua vret jetët. Ua vret sytë e tyre të harruar nga vetë drita. Dhe të gjithë pos kërkesës sime hapin sytë menjëherë. Sa hapin sytë mbyllet ai kapitull. Mbyllet rikapja e dytë e asaj vizite në shtëpinë në kornizë… “Oxhaku” i dogji shumë! Në atë djegmë… jeta u transferua. Kështu…, që këtu shkojmë.

42 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page