top of page

...ky ështe një nga romanet më të bukura të letërsisë së sotme shqipe


Agron Tufa

Une mendoj, pa u hyrë në hak romaneve te tjerë të Thanas Medit, se ky ësh një nga romanet më të bukura të letërsisë së sotme shqipe. I shkruar me një lehtësi të papërballueshme dhe delikatesë poezie, ky roman të vë në mendime e përjetime ala Proust. Gjithkënd e rikthen për të ripërjetuar e ripërtypur një jetë! Por duhet gjuhë e logjikë fraxhile për t'i cekur këto virtute, çka mendoj se do ta bëj se shpejti.

Nuk njoh deri me tash ndonjë roman që ta kétë dërrmuar, ta ketë bëre estetikish të shpifur e të papranueshëm në çdo aspekt diktaturën dhe kaq perjashtimisht, sa e bën ky ky roman, permes kontrastit/pasqyrës së bukurisë. Markela është pasqyra/ ku pasqyrohet mënxyrra/e paanë dhe e pafund/ në qytet e në katund...


Fragment nga romani:



Meqë erdhëm te “frika”, do desha të të flisja më gjatë, më hollësisht. Si për të më njohur më mirë edhe ti, për të më kuptuar njëfarësoji, ngushëlluar dhe veten, gjetur burimin e së keqes tek e fundit, kush më bëri mua ky që jam. Ta them që në fillim, pa të fshehur asgjë: mua frika më gatoi kështu. Frika nga ca sy të kallkantë, që vetëm përgjojnë; frika nga kushdo dhe gjithçka. Ajo, frika, më mban në këmbë, më orienton në jetë, më ngujon në burgun e guackës sime të sigurtë. Më shkul veshin mos gaboj, mos dalë nga “vija”, s’më lë të bëjë jetën që dua, më kontrollon çdo hap që hedh, kalon në vrimë të gjilpërës çdo fjalë që them. Vendos ajo për mua ç’të urrej e ç’të dashuroj, më do zvarranik, hije mbi tokë, buall kokëulur që tërheq i bindur parmendën e vetë...

Besoj është e kot të të kujtoj, se nuk jam vetëm unë kështu; i ngulur si përgjithmonë në parmendë, i ngecur ligsht në kthetrat e frikës. Janë të gjithë, është një popull i tërë, mos shiko që vetëquhemi “trim”, “kreshnik”, “legjendarë” e plot gjepura nga këto. Që të rrijmë shtrembër e të flasim drejt, populli ynë i dashur s’është aspak ashtu siç gënjen veten e trumbetohet gjithëandej, është thjesht frikacak. Më pordhaci nga gjithë popujt e tjerë është, frikën ka për palcë kurrizi, me frikë ushqehet përditë. Ne, shqiptarët, s’jemi aspak ata që na pëlqen, rrahim gjoksin se jemi, bijtë e shqiponjës, siç na teket të themi; jemi bijtë e frikës në të vërtetë. Ne ngjizemi me frikë që në mitrën e nënave tona, mëkohemi me frikë që në shpërngënj, rritemi me frikë, marrim frymë me frikë, flasim me frikë, mendojmë me frikë, qeshim me frikë, qajmë me frikë, këndojmë me frikë, brohorasim me frikë, dashurojmë me frikë, dhjesim me frikë, rrojmë e vdesim me frikë. Frika e syrit që përgjon, e veshit që dëgjon dhe e kërbaçit që ndëshkon; shoqëron deri në varr çdo shqiptar. Çdo njeri të këtij vendi, nga Konispoli në Vermosh... Më bëri dhe mua ky që jam; njeriun kallp, frymorin që e heqin nga hunda, i shpëlajnë trutë, e mësojnë si të jetojë pa bërë jetë. Si të vegjetojë, t’i rrahë zemra për atë që duhet. Si të mbys zemrën që gabon, të shkul andej atë që është e ndaluar, e kampit armik. Qenie e dyfishtë, që zvarritet në të fshehtë, dashuron pa u dukur, flë me hijen e asaj që do dhe jo me atë vetë. Gënjehet me dashuri të paqenë, bën sikur e ka atë që nuk e ka. E sjell në ëndrra apo vjen vetë, ç’rëndësi ka, prishet në gjumë...Sidoqoftë, një gjë mund ta pohoj me siguri: unë ty të dua. Të dua shumë!

35 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page