top of page

Kuvend


Astrit Lulushi



Majtas dhe djathtas sjellin në mendje më shumë spektrin politik sesa drejtimet e rrugëve. Politika ka hyrë në çdo qelizë tonën, është bërë pjesë e saj. Nuk dihet se kur, por koha është kapur dhe si çdo gjë që zotëron, njeriu e vë atë në shërbim të vetes.

Por, si hyri politika mes nesh? Për të na bashkuar, tha, por na përçau. Pse liberalët quhen të majtë dhe konservatorët, të djathtë?

Historitë e origjinës gjithmonë janë tërheqëse, por me kohën e shpërdorur ato edhe ndryshojnë, psh., liberali i djeshëm është konservatori i sotëm. Përsëri dyshoni?

Historia e së majtës dhe të djathtës në politikë rezulton të jetë e veçantë, ku e majta u referohet njerëzve dhe partive që kanë pikëpamje liberale. Kjo në përgjithësi do të thotë se ata mbështesin reforma progresive, që veçanërisht kërkojnë barazi më të madhe shoqërore dhe ekonomike. E majta përdoret edhe për njerëz me pikëpamje më ekstreme, siç është komunizmi dhe socializmi-ështē barazia ideale që këta synojnë, por është provuar e pamundur, utopike.

Fjala e djathtë, në të kundërt, i referohet njerëzve ose grupeve që kanë pikëpamje konservatore. Kjo zakonisht do të thotë se ata janë të predispozuar për të ruajtur kushtet dhe institucionet ekzistuese, ose duan të rivendosin ato tradicionale. E djathta ekstreme shpesh përdoret për pikëpamjet nacionaliste, përfshirë fashizmin dhe disa ideologji shtypëse, që në fakt e kanë origjinën më shumë në të majtën, e cila armë të fortë ka propagandën për të ndryshuar çdo ngjyrë.

Origjina e të majtës dhe të djathtës politike lidhet me udhëdrejtimet fizike. Majtas dhe djathtas tregojnë pozicionet ku përfaqësuesit u ulën fillimisht në Asamblenë Kombëtare Franceze të vitit 1789, parlament i formuar pas Revolucionit Francez. Në krahun e djathtë të kryetarit të këtij kuvendi, u ul fisnikëria dhe udhëheqësit më të lartë fetarë. Në të majtë zunë vend përfaqësuesit e thjeshtë dhe klerikët më pak të fuqishëm. Ana e djathtë mbronte aristokracinë; ana e majtë ishte pro shtresës së mesme. Përfaqësuesit e moderuar u ulën në qendër. Ata ishin konstitucionalistët. Të pavarurit zunë vend në qendër të këtij spektri. Normalisht, Kryetari nuk duhej t’i përkiste asnjërës anë.

Më 1946, në Shqipëri, Kuvendi u shkëput nga kjo traditë parlamentare. Gjithë vendi “votoi” majtas. Kjo traditë me një spektër të majtë vazhdon. Sikur të paktën t’u kishte ngjarë kuvendeve të kohërave kur nuk kishte ende shtet dhe anë - sot ngjarjet në parlamentin “tonë” nuk do të shiheshin si shfaqje për të qeshur nga ata që s’revoltohen.

16 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page