Kur e shihje nga larg, e sidomos nga deti, fshati ynë të kënaqte syrin e të ngazëllente shpirtin. I vendosur mes gjelbërimit të ullishteve dhe fare pranë hijeve të rrepeve shekullorë në atë shpat kodre prej nga gurgullonte një përrua me ujin akull të ftohtë, ato shtëpitë e vogla prej guri, nga çatitë me rrasa të të cilave tymi moskokëçarës i oxhaqeve ngjitej qiellit përpjetë ku dhe humbiste, të ngjallte një ndjenjë magjie të pashlyer dhe shijen e një bukurie që s`të shqitej kollaj nga mendja. Por, sapo futeshe brenda tij, pra teksa kaloje në ato rrugicat e ngushta me gardhiqe anash, plot bajga e kakërdhi që i kishte mbytur bari i egër, ferra e hithra, dhe sidomos kur gjendeshe brenda atyre shtëpive me mure të nxira e të pa suvatuara, aty - këtu edhe të rrëzuara për tokë, kuptoje se varfëria e mjerimi ishin ulur këmbëkryq. Dhe s`kishte sesi të ishte tjetërsoj, gjersa ishte kohë lufte. Pastaj, duke qenë se te ne s`kishte familje që të mos kishte një, dy, a më shumë djem e vajza që kishin rrokur armët, kuptohet që edhe pasojat do të ishin shumë të rënda. Ishte djegur dy herë nga pushtuesit dhe ja tani, kishte nisur dhe Operacioni i Dimrit, me të cilin gjermanët e tërbuar, synonin ta shuanin përfundimisht lëvizjen çlirimtare. Mirëpo, njerëzit sikur ishin mësuar me krismat, gjëmimet, zjarrin e flakët. Atyre nuk para u bënte përshtypje shkatërrimi dhe çuditërisht edhe lotët për të vrarët, sikur u ishin shterrur. Kishin ngritur shpejt e shpejt, me ç`kishin mundur, në mes të pyllit, ca kasolle të shëmtuara dhe me ato pak bagëti që u kishin mbetur e kishin ndarë mendjen ta kalonin ashtu keq e keq atë dimër të egër. Mungesa e burrave e vështirësonte situatën akoma më shumë. Partizanët ishin larg. Po ashtu dhe çeta e Ballit. Kurse ata të batalionit territorial, darkave zakonisht ktheheshin pranë familjeve të tyre. Ja këtu e kishin caktuar Selim Çelën, atë çobanin nja dyzet vjeçar, me trup të lidhur mirë e shpatullgjerë që njihej e respektohej nga të gjithë si njeri punëtor dhe i ndershëm. E vërteta qe se ai kishte kërkuar të vente me partizanët, por ata të komandës i kishin thënë se ngaqë kishte një vatër me fëmijë, le të bashkohej me ata të territoriales, se fundja njësoj ishte, dhe nga ana tjetër mund t`u gjendej për çdo nevojë atyre. Kështu që Selimi, gjatë ditës, hidhte tallaganin e bardhë krahëve dhe pushkën e vjetër supit dhe zhdukej së bashku me shokët nëpër aksione. Edhe trim ishte Selimi. Dhe kjo kishte rënë edhe në sy të komandës. E dinte edhe ai majori anglez i hollë e i gjatë që qëndronte pranë tyre i cili pikërisht për karakterin e tij e propozoi si njeriun e përshtatshëm që i duhej besuar financa. Se anglezët ndihmonin edhe me të holla që përdoreshin për nevojat e luftës. Selimi, e kreu mësë miri edhe këtë detyrë, gjersa një ditë gaboi. Dhe ja si ndodhi:
Vajza e tij, që s`ishte më shumë se tre vjeçe, mori një të ftohtë të rëndë. Pikë të dobët e kishte Selimi Borën e vogël që kishte lindur pas katër djemve. Dridhej nga ethet dhe temperatura e lartë, aqsa të këpuste shpirtin. I lajmëruar nga Selimi, e pa dhe infermieri i partizanëve që e thërrisnin doktori i cili pasi i dha disa hapje që i mbante gjithmonë me vete në një çantë të vjetër lëkure, i tha Selimit se duhej çuar diku tjetër, pasi në atë kasolle, ku ç`frynte jashtë hynte brenda, ishte me rrezik të madh. Si u mendua një copëherë Selimi, vendosi që të hidhte shpejt e shpejt tavanin e njërës nga dhomat e shtëpisë së djegur dhe t`i çonte atje fëmijët dhe gruan. Duke parë se gjermanët qenë larguar dhe me bindjen se në rastin më të parë do shiste nja dy dele dhe do t`i zëvendësonte, pas shumë mëdyshjesh, futi dorën në qesenë e parave që i kishin dhënë dhe nxorri njëzet dollarë, me të cilat bleu qerestenë. Më pas, pa humbur kohë pagoi nja dy ustallarë të moshuar dhe rregulloi tavanin e njerës dhomë. E solli aty familjen dhe si kaloi nja një javë, vajza nisi të përmirësohej. Ja kishte treguar një shoku punën e atyre dollarëve, ndaj nuk zgjati shumë dhe fjala mori dhenë: Selimi rregulloi shtëpinë, me paratë e luftës. E thirrën. E pyetën. U përgjigj me zë të dridhur. Tha se do i zëvendësonte në rastin më të parë, por nuk e besuan. Kjo është armiqësore, i thanë. U mundua t`i prekte me sëmundjen e vajzës, por ishte e kotë. Kërkoi t`i vërtetonte fjalët e tij edhe doktori, por ata ngulnin këmbë në të tyren. Pra, se ai kishte tradhtuar. Fjalët e fundit që i thanë ishin se do dilte para gjyqit partizan. Dorëzoi qesen me para dhe defterin me shënimet e shpenzimeve te komandanti i cili tregonte në fytyrë shumë më i madh se ç`ishte në të vërtetë dhe sa herë i duhej të fliste, nuk harronte të thosh se kur të çlirohet vendi, do hamë me lugë floriri. Selimi e dinte se jo larg fshatit të tij, sapo e kishin pushkatuar një nga luftëtaret e dëgjuara, për punë morali. Dhe ishte aq e re. Kurse ai e kishte akoma më keq, pasi akuzohej si hajdut. S`kishte rëndësi as shuma dhe as ideja se ato para do t`i kthente sërish. Mendoi gruan e fëmijët e vegjël; si do bënin ata pa të, dhe i mbetën në veshë fjalët e atij që e ruante dhe që qe komshiu i tij, se keq e kishte punën. Ndaj vendosi të ikte sa më parë. Në fshat, s`kishte kuptim, se do e gjenin menjëherë. Do e quanin edhe dezertor, dhe ndëshkimi me vdekje ishte i sigurtë. Atëherë, po shkoj me ata të Ballit, tha. Shqiptarë janë dhe ata. Shumicën i njoh dhe do të më kuptojnë. E dinë që nuk kam vjedhur ndonjëherë. Rrugë tjetër s`kam. Aty është dhe vjehrri im.
Kur Selimi shkoi dhe u bashkua me ata të Ballit, u a tregoi fill e për pe atë që i kishte ngjarë. Gabim kam bërë, u tha, por ju e dini se kurrë nuk e kam ndyrë dorën. Dy herë ma kanë djegur shtëpinë dhe përveç këtij tallaganit, asgjë tjetër nuk kam. Nuk mund të mbaja sehir sesi po më vdiste vajza e sëmurë mes acarit. Ndaj u nxitova, por e bëra se jam baba. Ata e pranuan.
Por partizanët ia kishin bërë benë Selimit. Nuk kaloi shumë, dhe në një pusi e kapën. E lidhën dhe e quajtën të poshtër e bashkëpunëtor me armikun.
Ashtu duarlidhur e shpunë në një stan, te stani i Goricës, ku qe vendosur komanda dhe ku e pritën me këmbët e para. U struk rrëzë një gëmushe dhe ashtu si mundi u mbështoll me tallaganin e bardhë, pasi ju bë sikur po ja shponin shpinën me mijra gjilpëra torturuese. Ndihej i turpëruar dhe i përbuzur kur shihte që shokët e tij, pra bashkëfshatarët, i kalonin pranë dhe jo që s`i flisnin me gojë, por dhe e shihnin me urrejtje. Hej bela! Kur u err, e futën brenda stanit, ku era dhe blegërima e bagëtive i sillte aq kujtime. Aty ishin dhe tre vetë nga batalioni që do ta ruanin me radhë. Njeri prej tyre, i zgjati një sapllake me qumësht të pa zjerë, duke urdhëruar: Merre! E piu, por gjumë në sy nuk vuri gjithë natën. Ku nuk i shkonte mendja. Kur zbardhi dita, dhe zunë të mblidheshin burrat e batalionit, nga bisedat e shkëputura që i vinin në veshë, kuptoi se pritej të vinte dikush i rëndësishëm. Aty nga ora njëmbëdhjetë erdhën në njëshkolonë dhe partizanët e çetës. Pa mes tyre dy vëllezërit e të shoqes, Hënës. Lëmsh ishte bërë kjo punë.
Pak çaste më vonë e morën Selimin dhe e nxorrën në atë si livadh. Dielli shkëlqente por nuk kishte fuqi të ngrohte. Aty, në atë lartësi edhe në verë ishte fresk. Duke mbajtur kokën poshtë, Selimi ngriti sytë dhe pa ç`bëhej. Një mori njerëzish, ca me uniformë e ca ashtu copë e çikë, qenë ulur dhe në heshtje ia kishin ngulur sytë. Binte në sy nga uniforma e re një burrë plot shëndet që e dëgjonin të gjithë me respekt. Nga e folura, duhej të qe serb. Me të ishte dhe i deleguari i Qarkorit, një burrë autoritar që e njihnin të gjithë. Dy minuta më pas, për çudinë e tij, sollën të lidhur dhe Mezanin. Mesa dukej do gjykohej edhe ai. Këtë e kuptoi mirë, por ajo që nuk e shpjegonte dot ishte se ç`lidhje kishte ai me të. Te një dërrasë e nxirë nga vjetërsia dhe e vendosur qysh më parë mbi nja dy furkaçe, zunë vend nja katër a pesë vetë nga ata të komandës. Mes tyre ishte dhe komandanti i batalionit territorial, Latifi, shoku i tij i fëmijërisë që rrinte - rrinte dhe fërkonte mustaqet me pëllëmbën e dorës. Ishin rritur bashkë, por ja tani… Ai që u prezantua si kryetari i trupit gjykues, me një zë që sa vinte dhe bëhej më i sigurtë, sqaroi se sot qenë mbledhur për të gjykuar dy nga ish shokët e tyre, Mezanin dhe Selimin, të cilët kishin bërë faje të rënda, pasi i pari i kishte quajtur partizanet të përdala, kurse ky tjetri kishte vjedhur paratë e luftës. Në vazhdim, Mezani e pranoi gabimin që kishte bërë dhe tregoi rrethanat në të cilat i kishte thënë ato fjalë. Ai, kujtoi se ishte mërzitur shumë, ngaqë partizani Sh. A. që kishte qenë i fejuar me vajzën e tij, dashuronte një vajzë tjetër, partizane kjo, dhe e kishte prishur fejesën, sidoqë kishin prerë dhe ditën e martesës. Këtë e dinte i gjithë fshati. I fyer nga kjo punë, Mezani pranoi se nuk qe menduar shumë dhe në inat e sipër i kishin shpëtuar ato fjalë të papeshuara. Ndaj kërkonte falje para të gjithve dhe se ai e dinte mirë se partizanet ishin vajzat më të ndershme të fshatit. Nisën të flasin dhe të tjerët që vunë në dukje se Mezani kishte bërë gabim të madh duke çuar ujë në mullirin e Ballit, por duhej pasur parasysh se ai qe atdhetar, pasi kishte lënë Amerikën ku kishte qenë emigrant dhe kishte ardhur në fshat. Edhe luftën e kishte ndihmuar familjarisht dhe se kishte shumë fëmijë për të mbajtur. Tani po mbante qëndrim të sinqertë dhe e kuptonte drejtë gabimin që kishte bërë. Prandaj, dënimi të mos ishte aq i rreptë.
Kur u ul Mezani, kryetari i gjyqit urdhëroi Selimin të ngrihej. Ky, gjithmonë me kokën ulur, u çua në këmbë. Dikush nga ata të trupit gjykues i tha ta hiqte atë tallaganin që na kapardisej si të qe bej, me qëllim që ta shihnin mirë partizanët hajdutin e parave të tyre. Pas këtyre fjalëve, Selimi që nuk e deshi veten, e hoqi tallaganin, e la mënjanë dhe u drejtua. Deshi të thosh se ai, sa herë kishin pasur nevojë, u kishte dhënë gati gjysmën e tufës dhe kështu ishin larë me kohë, por ju duk e tepërt. Le që mund të thoshin se donte të shfajësohej. Foli pastaj dhe komandanti i tij që tha se më shumë se hajdut, ky është tradhtar. Dhe më shumë tradhtar, ky është ballist. Nisën debatet se kush ishte më i rrezikshëm, hajduti apo ballisti dhe si i dha karar ai i deleguari se ballisti ishte dhe hajdut, ata të trupit gjykues u tërhoqën për të marrë vendimin. U futën në kasollen e mbuluar me kashtë thekre dhe si diskutuan nja gjysmë ore, dolën me një hije të zezë triumfi në fytyrë. Kryetari, duke ngritur zërin e gjithë solemnitet, lexoi një letër të zhubrosur ku thuhej se Mezani, për hir të disa gjërave, dënohej që të mos mbante më armë dhe paralajmërohej se po të fliste dhe një herë pa përgjegjësi për motrat tona, duhej t`i bënte mirë hesapet, kurse ballisti Selim Çela dënohej me vdekje me pushkatim. Ky vendim i dhënë në emër të popullit, do të zbatohej menjëherë.
Selimi dhe vetë u çudit me gjakftohtësinë me të cilën e priti lajmin e vdekjes së tij. Vetëm mendoi sesa e ngatërruar qenka të jetosh dhe sa e thjeshtë qenka të vdesësh. Aty për aty, u ul dhe mori tallaganin. Ndjeu aromën e shtëpisë së tij para djegies, të gruas dhe fëmijëve dhe ju shfaq e gjallë Bora e vogël me ato duart e bardha topolake. Po vdiste vetë, por të paktën do rronte ajo. U kthye nga Mezani dhe ja zgjati tallaganin, duke i thënë që t`ja shpinte të shoqes si kujtim. Dhe t`i thoshte se e kishin vrarë, ata, fshatarët e tij, për atë dreq tavani.
Kur po e shoqëronin për te vendi ku do e pushkatonin, Latifit, nuk ju durua dhe gjithmonë duke fërkuar mustaqet i tha që ta dëgjonin të gjithë: “Nuk prite, se nuk më besove mua kur thoja se do hamë me lugë floriri.”
Selimi nuk iu përgjigj, por i shoqëruar nga dy roja me armët me bajonetë mbërthyer, vazhdoi rrugën ashtu i qetë, deri ku i thanë të ndalonte. Fare pranë pa një gropë dhe anash saj një pirg me dhe të shkoqur. Kuptoi se e kishin para vendosur dënimin e tij. Turma e luftëtarëve nuk kishte lëvizur nga vendi. Ndofta, nuk donin ta shihnin ish shokun e tyre në çastet e fundit. Ndofta, kishin bërë efekt fjalët e komandantit të batalionit që pasi kishte thënë ato fjalët e mësipërme, kishte shtuar: “Merreni! Le të shkojë.”
Ata të tre që përbënin skuadrën e pushkatimit, Selimi nuk i kishte parë ndonjëherë. Pak më tej i zuri syri të deleguarin që ja kishte pushtuar fytyrën ligësia dhe atë jugosllavin që ju duk sikur po lumturohej nga sa po ngjiste. Dëgjoi komandën për mbushjen e pushkëve dhe mori frymë thellë. Hodhi si për herë të fundit vështrimin andej nga fshati, por e pengonte një zgjatim kodre. Vuri re vetëm një re të bardhë tymi që rrinte varur mbi të. Atje nuk e dinin se ç`po ngjiste me të. Për fare pak gjë, u kishte lënë turpin. Dhe atë tallaganin pa mëngë. Pastaj u dëgjua një komandë dhe krisma e disa armëve. Edhe pamja, edhe mendimi morën një ngjyrë të verdhë. Kaq ishte. U këput e ra përdhe. E kapën nga duart dhe nga këmbët dhe e hodhën brenda gropës. Në pak minuta e mbuluan me po atë lopatë që kishin hapur varrin.
Kur Mezani, pas nja dy orësh, iu afrua shtëpisë së Selimit për të çuar në vend porosinë, fëmijët luanin e qeshnin në oborr. Me ta qe dhe Bora, tani e shëndetshme dhe e gëzuar. Jetimët e gjorë, tha Mezani dhe u tha të njoftonin të ëmën. Ata vrapuan kush e kush më parë dhe Hëna, me një shami në kokë dhe përparësen vënë, u duk në derë. Urdhëro Mezan, foli. Ai, u fut brenda gardhit dhe i zgjati tallaganin. Ajo lëshoi një klithmë habije dhe nuk pyeti si e qysh, por vetëm tha: Kush? Shokët e tij, qe përgjigja e Mezanit, i cili pasi e ngushëlloi “të të rrojnë fëmijët”, u largua. Në këtë moment të vështirë, ajo nuk kishte me kë ta qante hallin; babai dhe vëllezërit ishin në mal për të njëjtin qëllim, por në krahë të ndryshëm. Për ca kohë nuk doli fare nga shtëpia. Dhimbja e kishte vënë poshtë. E kishte dashur shumë të shoqin. Dhe nuk guxonte të pyeste njeri se ku e kishin groposur. Kur e pyesnin fëmijët, u thosh se është me të tjerët në luftë. Vetëm djali i madh që ishte nja dymbëdhjetë vjeç, nuk pyeste. Ai gjithmonë mendohej dhe hiqte në zemër.
Aty nga mesi i vjeshtës, u pa që pushtuesit e kishin humbur davanë. Në ato anë, nuk dukej këmbë gjermani. Fshatarët filluan të lëviznin lirisht arave dhe kullotave.
Një ditë erdhi djali i të zotit të stanit të Goricës i cili me pretekstin se donte të takonte djalin e madh të saj, i tha Hënës se e dinte ku qe varrosur Selimi dhe po të donte ishte gati t`ia tregonte. E kishte parë me sytë e tij kur e pushkatuan.
Ajo e çuditur dhe plot mirënjohje i tha se do ngjitej të nesërmen vetë atje në mal. Dhe ashtu bëri. Mori një bel e një batanije me të cilën mbuloi samarin e mushkës dhe shkoi. Atje takoi dhe babanë e atij djalit dhe mësoi se atë e kishte dërguar i jati. Qau edhe një herë me ca fjalë të mbytura dhe pastaj u tha stanarëve, se do ta zhvarroste dhe do e merrte me vete për ta vendosur diku afër shtëpisë. Kjo ishte punë me rrezik, pasi edhe pushtetin tani e kishin partizanët që s`mund ta lejonin një gjë të tillë, por ajo do vepronte fshehurazi. Të prekur nga kjo, babë e bir, pasi morën dhe atë lopatën e tyre, u përveshën dhe e zbuluan kufomën. Trupi nuk ishte prishur. Me erën e rëndë u mësuan shpejt. Me shumë kujdes e ngritën dhe e vendosën kryq mbi samarin e mushkës. Gruaja, duke përsëritur fjalët “Derëziu ti. Derëziu ti”, e mbuloi me batanije dhe pastaj e lidhën me litar që të mos binte. Ishte errur dhe nuk kishte të ngjarë t`i shihte njeri. Zbritën me të edhe të zotët e stanit të cilët kur hynë në oborrin e shtëpisë, atje ku u tha ajo, poshtë të vetmes kumbull që kishte, çelën një gropë. Ndërkohë, gruaja shkoi brenda të rehatonte fëmijët. Pastaj doli përsëri, dhe së bashku e futën trupin e Selimit brënda gropës. E mbuluan dhe shpërndanë dheun e tepërt. Shtruan dhe disa plisa për të mos u dukur. Si morën falenderimet nga e zonja e shtëpisë dhe pasi burri tha “t`u ketë lënë uratën”, babë e bir u larguan. Kur zbardhi dita, Hëna mori djalin e madh dhe e çoi te varri i babait të tij. Ti e di, filloi ajo, që babanë e vranë partizanët. Je i rritur tani dhe duhet ta dish që çdo gjë që të thonë për të, nuk është e vërtetë. Ai ishte njeri i ndershëm dhe në bëri në jetë një gabim të vogël, e bëri për ju. Unë e solla këtu dhe ky është varri i tij. Ta dish vetëm ti dhe ta nderosh. Si kujtim të ka lënë tallaganin. Mos e hiq nga trupi. U përlot djali dhe premtoi se askujt nuk do t`ia tregonte varrin e të jatit.
Kur u çlirua vendi, Hënës i erdhi haberi se edhe njeri nga dy vëllezërit e saj ishte vrarë, duke luftuar në tokat e Jugosllavisë, ku kishin shkuar brigadat partizane në ndjekje të armikut. Tani, kryetar i këshillit antifashist qe caktuar ish komandanti i batalionit territorial, Latifi i cili ja bëri të gjitha nderimet si dëshmor. Hëna u pikëllua pa masë, ama ndihej edhe krenare. Por një gjë duhet thënë: nuk dinte ku ta rreshtonte veten; grua e armikut të pushkatuar, bijë e babait ballist që e kishin shpallur dhe kulak apo motër e njërit vëlla dëshmor e tjetrit oficer.
Nga ana e tij, me kalimin e viteve, kryetari i këshillit rast e pa rast, mbante fjalime, ku i mëshonte avazit se duhet të punojmë sa më shumë, pasi do ndërtojmë një jetë të lumtur ku do hahet me lugë floriri. I varfër kishte qenë fshati ynë dhe po i varfër mbeti, pavarësisht pallavrave që thuheshin. Në varfëri e çuan jetën edhe fëmijët e Selim Çelës. Djali i madh këndonte bukur dhe herë pas here e aktivizonin ata të kooperativës. Kur vinin shokët udhëheqës nga Tirana, në raste përvjetorësh, ai i delguari që tani ishte ngjitur shumë lart dhe që kishte miratuar pushkatimin e të jatit, e thërriste në tavolinën ku qe shtruar dreka dhe i thosh t`ja merrte një herë këngës. Dhe ai, pasi hidhte krahëve atë tallaganin e bardhë ja niste më të vajtuar. I deleguari, përlotej e vihej në mendime. Por nuk besoj se e bënte ngaqë e vriste ndërgjegja se kishte vrarë një hallexhi që duke luftuar për atdhe, mori njëzet dollarë për t`i shpëtuar jetën vajzës së sëmurë. As se nuk po realizoheshin premtimet e gënjeshtra që i kishin marrë mendjen komandantit të batalionit territorial, besnik deri në fund i idealit të partisë që ai vetë ia kishte ngulitur në kokë. Aq sa edhe kur erdhi koha që vetë ai sistem të varrosej me turp dhe eshtrat e Selim Çelës të varroseshin si gjithë të tjerët, Latifi mbeti po ai trumykur, sa nuk mori mundimin të merrte pjesë në ceremoninë e nderimit të një martiri. Ama, kur vdiq vetë, të nesërmen te varri, dikush i kishte varur një garuzhde. Ndofta, në vend të asaj lugës së florinjtë.
Comments