Kush e pengon shtatoren e Pjetër Bogdanit në Prishtinë?


Gani Mehmetaj




Harrova t'i them edhe disa pjesë të dialogut me Dimen, pa e ditur kush është dhe pse me duronte.


-Na e morët Aleksandrin e Madh, e përvetësuat Filipin, vëllezërit Manaki i bëtë kineastë tuaj, ndërsa ishin shqiptarë, e morët Kështjellën ilire, Shkupin e bëtë tuajin. S’na latë asgjë? i thashë me mllef Dimës, mikut tim sllav, ndërsa pinim birrë të Shkupit buzë lumit Vardar. Ai më pa me vëmendje, paksa i befasuar me këtë shpërthim të vonuar të zemërimit tim.

- Jua lamë Hamamin, xhamitë e mejtepet. Jua lamë qebaptoret, kundraxhinjtë, berberët, hanet e kuajve, pazarin e pistë të zarzavateve, bakllavaxhinjtë. Ç’donit më shumë?

- Ato që ju lamë, ato i meritonit, nuk ishit për më mirë -, ma ktheu flakë për flakë.

- Ju Aleksandrin e Madh e Filipin i mohuat. Kështjellën ilire nisët ta mbushni me qebaptore e restorante dasmash. Ashtu si e braktisët fenë e moçme, i braktisët monumentet tuaja që jua mori turku. Braktisët pjesën aristokratike të qytetit për t’u futur në lagjet orientale që duken si lagje të Kandaharit. Kur kaloj rrallë në lagjet tuaja, Çair e Butel, më vjen turp që jam në të njëjtin qytet, një mur kinez do t’jua bëja në mes. Pastaj që ta keni më të qartë, Shkupin, nuk jua morëm ne, para nesh jua morën ca palo turq që turqisht s’dinë, shqipen përpiqen ta harrojnë me çdo kusht, maqedonishten e flasin për faqe të zezë, megjithatë më me dëshirë flasin sllavisht se sa shqip. Janë bastardët tuaj-katundarë, që kur erdhën në qytet nga turpi i të qenit shqiptarë u deklaruan turq. Gjithë Ballkani atëbotë turqit i dinte të paarsimuar e të vonuar, ndërsa katundarët tuaj i dinin për simbol të qytetarisë. Me ta keni probleme ju, me gjenin tuaj të zvetënuar. Kot që më bie në qafë. Ata jua mohojnë gjuhën, ata jua mohojnë historinë, heronjtë, ata bëhen me ne që t’ju luftojnë ju.

-Por ju i ndërseni?

-Pse është qeni, pos të ndërsehet. Janë servilë ndaj nesh, por shumë të zellshëm, kur i ndërsejmë kundër jush. Ju as shkopin kundër tyre s’jeni të zotët ta përdorni.

-Por ju do të na akuzoni për nacionalistë, - ia ktheva.

-Nuk keni frikë nga akuzat tona, frikësoheni se do t’u hidhërohet Erdogani, ai ju ka në dorë si ju si ata. Ai jua ndërsen. Tanët i përdorim kur ju duhen.

Më mbeti lëngu i elbit-birra në fyt, gati m’u zu fryma. Dimçe më shihte e buzëqeshte me djallëzi.

-Gëzuar nipi i Pjetër Bogdanit, apo nuk je nipi i tij? - ma cakërroi gotën e birrës. - Erdhe në pjesën tonë të qytetit, sepse në pjesën tuaj mjekërcjeptë (vehabistat) jua kanë ndaluar birrën. Atyre s’guxoni t’u bëni gëk as mëk, neve na hakërroheni. Jua kanë futur këmbët në një këpucë, jua kanë ndryshuar gjuhën, përshëndetjet, sjelljet, ju kanë bërë si majmunë që imitoni arabët, - ma tha në fytyrë pa i lëvizur qerpiku.

Ku e mori këtë guxim Dimçe i butë, nuk e mora vesh. Prandaj vazhdova me sulmet e reja ndaj tij.

Se ç’i keni bërë ato përmendore të mëdha, ciklopike, në qytetin e Shenjtores Terezë, të merren mendtë kur i sheh.

-Do të duhej t’ju vinte mirë, edhe sikur të jenë dyfish më të mëdha. S’keni pse zemëroheni përderisa thoni se janë tuajt. Pse nuk vini të faleni para tyre.

U shtira kinse nuk e dëgjova.

-Gjergj Kastriotin nuk na e morët dot, megjithëse u përpoqët, - ia ktheva fitimtar. - Prandaj jua vumë shtatoren e tij për ballë.

-Ju na e ofruat për vëllazërim-bashkim edhe Gjergjin, shkruat se e paska nënën sllave, por ne nuk jua pranuam. Mezi e ndërtuat shtatoren e tij në cep të autoudhës. Bile habitem si nuk jua rrënuan hoxhallarët që s'lanë gjë pa thënë kundër tij, ndërsa ju nëpër xhami i shihni si delet, vetëm sa s' blegërini kur ata flasin kundër flamurit e kombit tuaj. Por shtatoren e Pjetër Bogdanit nuk guxonit ta ndërtonit, nuk ju lënë hoxhallarët. Bëjeni një të tillë në Prishtinë, po ua mbajti?

-Megjithatë e ndërtuam në qendër të Shkupit.

-Në Prishtinë ku ai vdiq dhe turqit ia nxorën eshtrat mbi dhe, nuk ia bënë asnjë përmendore a shtatore. Kush i pengoi dardanët tuaj? Ne?

Ku i di ai turpet tona?

Për ta neutralizuar desha t’ia numëroja padrejtësitë e tjera, mikut tim Dimçe, me të cilin takoheshim në Paris, Kanë e Bolonja, por s’dija si t’ia nisja.</