top of page

KURTHI I PSIKO-ANALIZËS I NJË ROMANI


KURTHI I PSIKO-ANALIZËS I NJË ROMANI

(Disa vështrime kritike mbi romanin e Namik Dokles, “Covid-1984” botim “Toena” Tiranë 2022)


Trinia e çrregullimit mental,

Zgjimi i komplekseve të frikës

“turpit, pendesës”, të parët tanë

brez pas brezi e kanë kuruar me

trininë e shenjtë: “tri lulet”, një kundër

turpit, tjetrën kundër frikës dhe të tretën

kundër çdo të keqeje kërcënuese”.

Pasi botova vështrimet kritike mbi romanin bashkëkohorë, me ngarkesa të thukëshme sociale “Ditët e lakuriqëve të natës”, në konceptet e reja që po përftoja, nga botimet refraktare, të kohës që kemi përjetuar e po përjetojmë, më qerthulloi në mendje një sentencë circeite e Floberit, “Tani me dorën time të djegur, kam të drejtë për të shkruar mbi natyrën e zjarrit”.

E unë, “i djegur” me perceptimet e mija me romanin e parë, thashë me bindje: “Le të përcëllohem” në këndvështrime dhe në romanin “Covid 1984”, të romancierit tashmë të mirënjohur ndërkombëtarisht, Namik Dokle.

Sindromi i riminishencave të së kaluarës, ndërlidhur fortas me sindromin e Covidit, komunikimi diversiv mes njerëzve në këtë roman, nxjerr në pah, në tophanën shoqërore, shumi karakteresh, përmes një dramaciteti shoqërorë, gati-gati në handikap. Autori evidenton përpjekjet e fundit me një seri vdekjesh fizike, morale, mendimore, si pjesë e jetës së njeriut për të kapërcyer këtë handikap, duke na i prezantuar personazhet përmes filigramesh karakteresh, në një kompleksitet piktural, ku mbisundon e kuqja e gjaktë e Françesko Gojas.

Në mendjen time, ky roman, me kurthin e psiko-analizës shoqërore, e cila rrymon, si një lumë psiqik, gjatë gjithë romanit, duke patur si shembull sentencën hamletiane, e cila zhbiron si një tyrielë në boshllëk shoqërorë trurin e njeriut, më ngjan si një blem i vazhdimësisë.

Më shkoqur, në konceptin personalizues, autorial, në esencën e trajtimit të filozofisë së jetës, ky roman më ngjan si “vëllai” i romanit “Ditët e lakuriqëve të natës”, me gene letrare të përbashkëta, koncepte psiko-analitike, por që vjen në substancë tjetër kohore, duke imbarkuar dhe ngjarje e fenomene të një kohe të shkuar, e cila e kontaminon akoma shoqërinë e sotme shqiptare.

Në strukturën rrëfimore, të ngjarjeve e fenomeneve shoqërore, romani ndërtohet mbi bazën e një antagonizmi refraktarë, përmes të cilit lexuesit i përçfaqet një gjendje e rënduar psikologjike e personazheve. Përçartja shpirtërore, post traumatike, është sa reale, aq dhe alegorike e reminishencave të së kaluarës. Megjithë ndërfutjet e elementeve inarrativë të bashkëkohësisë, si elementet ditarikë, personazhet poetike, sentencat nga urtësia popullore (si veçori e stilit të Dokles), romani në strukturën e tij, vjen i ngjeshur, ku tragjizmi dhe lirizmi mbarështrojnë njëri-tjetrin, aq natyrshëm, sa edhe vdekjet e rëndomta në hedhjet nga ballkoni i spitalit.

Në këtë trysni covidiane, liria në universin e saj, shpaloset e cunguar, ku mbetjet e së kaluarës totalitare, gjymtojnë thelbin e të drejtës njerëzore dhe, në këtë demokraci infantile, ku personazhi Zenun Vengu, një ish punonjës i sigurimit, mbart në vetvete si “Gurë Pendimi”, peshën e fajit në emër të indokrinimit totalitar, ndërsa personazhet Fitim Zagora, doktoreshë Borjana, Azize Venga, mbeten shpirtërisht të gjymtuar në ndërgjegje e shpirt. Ky gjymtim shpirtërorë, i cili, vazhdon në forma të manipuluara, gjoja të së drejtës së njeriut, prodhon edhe përçartje shpirtërore tek doktoreshë Borjana dhe Azizja, sa që, në thelbin rrëfimorë, vijnë si unikalë në rrafshin alegorik.

Në këtë stil inovativ, do e quaja në drejtimin e ri letrar, autori siç duket, ka patur si shembull një referencë të Mihail Bahtinit, i cili sintetizon: “T’i strukturosh ngjarjet me një nivel volarizues- kohorë me vetveten dhe me bashkëkohësit e tu, (e në bazë të kësaj, sipas përvojës dhe trillit personal) do të thotë, të bësh kthesë radikale, të kalosh nga bota epike, në botën e romanit”. (Çeshtje të romanit, Rilindja Prishtinë 1980 fq.31.)

Sigurisht që, në këto kontekste, kohën e tij të kaluar dhe të tashmen, autori e ka përjetuar dhe përjeton epikisht e tragjikisht, si një amalgamë e përbashkët me substancat e saja shoqërore.

Autori e vendos theksin tek pikëpamjet historike, distancimet e largimeve kohore e shoqërore, duke aluduar, jo nga perspektiva e të tashmes, por prspektiva e substancave shumë të dëshirueshme shoqërore, kur e kaluara përjetohet familjarisht si deduksion i reminishencave të së kaluarës.

Një rol të parë në këtë aspekt ka domosdoshmëria e përjashtimit të vetëvetes tonë në aspektin e kontaktit familjarë, ku çdo gjë mbetet në personalizimin e prototipit, si mbetje e një vullkanizimi shoqërorë.

Sjellja e situatave postcovidiane, arrin kulmin narrativ gjatë përshkrimit të atmosferave mbytëse, në ditën kur në pavion vjen Zenun Venga. Shkrimtari sjell atmosferën e një ferri të ri. Në këtë ferr, në kacafytje ruxherosh shqiptarë, shohim të mpleksen lloje të ndryshme gjuhësh dhe ndërgjegjesh, përmes një dramaciteti paksa tragjik në prevalimin e tij, ku gjuhët e vdekura të totalitarizmit, mbartëse të një ideologjie të vdekur, vijnë si të vërtetat urtake të popullit se: “I mbyturi të mbyt”. Kjo gjuhë e vdekur mes të gjallëve, ndonëse në përçartje, ku mbartësi vjen si një fantazëm i vetvetes, me monologët, dialogët, si klithma të një bote të vdekur, akoma e pavarrosur, por që me kundërmimin e saj, ndot e kontaminon klimën e re shoqërore.

Ky agresion psikologjik, kish arritur në qeniet njerëzore, një masë aq të madhe kontaminimi shpirtëror, sa që humania doktoreshë Borjana, në supkoshiencën e saj definon: ”... të bëhej insekt, të bëhej në të vërtetë grerëz, që t’i futej Zenun Vengut në vrimë të veshit apo të hundës, të zhbirilonte në brendësi të kafkës së tij, deri në atë masë trunore, që kish prodhuar dhe vazhdonte të lëshonte impulse vrasëse në botën e njerëzve”.

Me mjeshtri artistike, në një substancë shoqërore të agravuar, Dokle evidenton këto dukuri të totalitarizmit, si një agresion psikologjik, përmes ndezullimeve makabre të Zenun Vengut, një ish sigurims e manipulator i dosjeve, në një mori pseudonimesh, i cili dhe tani vazhdon ta “shesë helmin për mjaltë”.

Në këtë konceptim filozofik të një jete, bota shpirtërore dhe bota mendore, vijnë në kompleksitet si promotorë të jetës, ndaj dhe Zenun Vengu, në këtë botë, ngulmon që të riaktivizojë, me manipulimet e dosjeve, psiqikën e shoqërisë njerëzore, nën shembullin e një kameleoni.

Romani “Covid 1984”, vjen në drejtimin e ri letrar, jo vetëm autentik shqiptar, por edhe më gjërë, në hapsira të gjëra shoqërore, me kanonizmin e tij. Në të zhvillohen dhe integrohen, në format më antrakse, dimensionet jetësore të një jete, shoqërisë së re shqiptare, duke na dhënë një përbajtje disi absurde, përmes një semantike, e cila me metaforën e saj, përfaqëson një konglomerat shoqërorë paksa të turbullt në polivalencë.

Nga mënyra e formatit stilistik, paksa mozaik në detajimin e ngjarjeve dhe fenomeneve, në hapsirë e në kohë, romani na afron afër një areali spitalorë, pamje dhe interpretime të ndryshme, me vlera sociale, artistike dhe estetike, duke ngritur pikëpyetje esenciale, mbi kumtet njerëzore, përmes natyrës psiko-filozofike në ekzistencën e qenieve njerëzore, në raport me shoqërinë e re.

Në thelbin e mesazheve dhe në kuptueshmërinë e ideve që përcjell tek lexuesi, përmes personazheve antagonistë me njëri-tjetrin, në planin shpirtëror të Fitim Zagorës, Bekim Murgës, Azize Murgës, Zenun Vengut e Borjana Donatit, romani ndërthuret ngushtas në njohjen e kuptueshmërisë sociale të këtyre personazheve. Personazhet Borjana, Azize dhe Zenun modelohen si figura kryesore rreth të cilëve satelitohen personazhet e tjerë ndihmës, të cilët në kompleksitetin e tyre, gjenerojnë ngjarje e fenomene shoqërore. Në këtë kontekst duhet çmuar edhe afirmimi i kuptimit ekzistencial i veprës.

Modelimi i karakterit antraks i marrëdhënieve shoqërore, përbën një interesim të madh për shoqërinë e re shqiptare, në këtë tranzicion të stërzgjatur, në luftë me “ishët”, duke i dhënë përparësi një individi të kultivuar, me nocione të reja sociale, racional, e me gjykim të mprehtë shoqëror.

Situatat e krijuara nga autori, përmes kësaj gjendjeje covidiane, anamneza shoqërore që ai përcakton përmes gjendjes shoqërore dhe emocionale, relacionet në arealin jashtëspitalorë dhe rrugëtimi në të cilin përballen personazhet, brenda kësaj shoqërie me turbullimën e saj, janë majaja që brumëzon të gjithë rrëfimin romanor.

Bota e jashtme dhe ajo e trashëguar, vjen gjithmonë sfiduese, antagoniste dhe e mistershme, me qyrkun e saj fshehës. Autori përmes kësaj fshehtësie të kamuflimit shoqëror, shtron për lexuesin prerogativat e demaskimit të saj, si një mbeturinë shoqërore, ndaj ajo duhet të njihet, të eksplorohet përmes dyshimeve, të cilat të çojnë në shpjegime të qarta relative.

Bota e brendëshme e doktoreshë Borjanës dhe e pacientes Azize, është e konstruktuar në mënyrë detajore, intuitive e meditative, e cila përshfaqet përmes psiko-terapeutikës që doktoresha kryen me pacientet e saja, në përfaqësime të ndryshme shoqërore në realizimin e ambicjeve të saja humane. Ajo është, jo vetëm një mjeke e mirë, e shumëkualifikuar, por mbi të gjitha, një humane shoqërore me këmbënguljen e saj për të takuar djalin e Azizes, Blerimin. Takimi me bashkëortakun e Blerim Murgës, vjen me plot të papritura, përmes një fikcioni të thukët dramatik, i cili zhvesh lëvoren e ndasive familjare, duke vënë në pah të vërtetat shoqërore. Drama familjare, integrimi shoqëror, dashuria për jetën, një trinitet, i cili të ndjek kapitull pas kapitulli, në faqet e fundit të romanit.

Një hapyend shoqërorë në absurdin e sotëm, ku militon si një gangrenë e kaluara e hidhur, por e sjellë bukur, përmes një psiko-analize dialoguese, ku drama shoqërore prevalon dukshëm supkoshiencat e personazheve: Borjana, Azize, Blerim, Bim, si një pranverë plot murlan e ngrica, por edhe një shirok, i cili buis sythet e të ardhmes. Në këtë buisje, Zeno Vengu, në qerthullin e tij përjeton: “Ç’vdekje e palavdishme do të kish qenë, mendoi Zeno Vengu!”; “Me një lëkurë hurme! Unë që kam shpëtuar shtetin nga shtatë grupe armiqësore, unë që shpëtova udhëheqjen nga tre atentate, unë që hetova katër ministra e tre anëtarë të Byrosë Politike; që kontrolloj tani dhe çdo fjalë të shtatëmbëdhjetë deputetëve”!

Një monolog që do ta kishte zili edhe ushtari i mirë Zhvejk, me një grotesk kaq të thukët e mesazhesh të një ekzistencializmi dhe realizmi në kontekstin kohorë, që po përjetojmë, ku e kaluara akoma është vulmëtare, në ecurinë sociale të jetës shqiptare.

Në konceptin dialektik ne nuk mund të njohim këtë botë aq dhe në pështjellimet e mbetjeve totalitare, pa u ndeshur me të. Në këtë ndeshje, definon autori, do të masim se sa forcë e peshë kemi në këtë shoqëri të re, në këtë tranzicion të tejzgjatur shoqërorë.

Për doktoreshë Borjanën, por dhe për pacienten Azize, problematikë madhore janë të sëmurët, familja me të ardhmen e saj, zhveshja e paragjykimeve përmes afrimit, zgjatjes së dorës për ndihmë, por, pa lënë mënjanë këmbënguljen për të dalë nga mjegullnaja e paqartësisë. e demoralizimit shoqëror.

Siç duket në këtë kontekst të trajtimit romanorë, Namik Dokle e ka të udhës sentencën e Heideggerit, i cili pohon se: “...të kuptuarit nuk është një aktivitet njerëzor autonom, as historik, por një ndërmjetës, përmes të cilit bota vjen tek njeriu, i cili në një farë kuptimi, karakterizon qenien e tij”. Në këtë status shoqërorë, autori lufton me vetveten, e sheh si pjesë të një rrugëtimi jetësorë, në shoqërinë e re, për të cilën aspirojmë aq shumë. Në të kundërt të qëndrimit, në mjegullën që na servir punonjësi i totalitarizmit Zenun Vengu, me dosjet e tija manipuluese, njeriu kthehet në një Covid 1984, kthehet në një “njeruc” i pamfletistit të famshëm Vilhelm Rait.

Në kontravers, autori njeriun e lidh me atë që afron më shumë ndjenja shpirtërore, ndaj edhe në mënyrë graduale, ky pasion pushton shpirtërat e tyre, duke u bërë kalorësi Templarë i jetës së tyre.

Për Doklen. nuk ka fat më të mirë se sa të jetuarit në dy jetë krijuese: qoftë si gazetarë, si politolog, qoftë si shkrimtarë, jeta e ka ushqyer me shumë histori, ngjarje e fenomene shoqërore. Në konceptin tradishent, kur themi histori, kuptohen dramat shoqërore e njerzore, mes një dyzimi mendor, “as kështu, as ashtu” ose lidhëzat “edhe kështu, edhe ashtu”, të cilat në një mendyshje, ndjekin personazhet:Borjanën, Azizen, Fitim Zagorën, Pedro Murën.

Përmes këtij dyzimi shpirtëror, romani i strukturuar disi “kapriçioz”, me strukturën jolineare, i përcjell lexuesit, jo vetëm një tragjizëm shpirtëror, të mbartur nga e kaluara, por përmes një psiko-analize, dëshmon ngjarje dhe fenomene shoqërore, të një kohe, me çmenduritë e saja covidiane. Me një trajtim të tillë metaforik, në kuptimin social, autori dëshmon se kjo substanciale shoqërore, në çmendurinë e saj, në mënyrë diskrete, kërkon mbijetesën e një sistemi të përmbysur tashmë me një xhybe të re demokratike. Këtë mundohet ta realizojë , më së miri, me moritë e dosjeve, ish hetuesi Zenun Vengu, i cili nëpërmjet manipulimit të njerëzve normalë, i raporton si bashkëpunëtorë në gjygjet e së kaluarës, si bashkëfajtorë të një persekutimi.

Duke ngulmuar në sigurinë e mbijetesës, në përpjekje për të ruajtur ndikimin e prezencës sociale e shtetare, ai përpiqet që t’i mbajë në gjirin e vet të pistë, duke i spërkatur me lavandën e re, të një sistemi të ri shoqëror, në mënyrë që të mos i vijë era e keqe e të kaluarës. Por autori, në gjithçka që i ka afruar jeta, sjell si një domosdoshmëri e shpërvjeljes të një antagonizmi të atillë shoqëror, në kontekste të reja, kujtesën ditarike, duke i futur ditarët si suplemente gjeneruese.

Futja e këtyre suplementeve ditarikë, si pjesë të rrëfimit, afron për lexuesin një konceptim më produktiv, në kuptimin e aspektit të ri social. Kjo kohë, duke qenë e mbarsur dhe me shumë mbeturina të së kaluarës, domosdoshmërisht, në artin shkrimorë, e ka të domosdoshëm suplementin ditarik historikisht e shoqërisht mbushamendës.

Risjellja e ditarit të Pedros, një “dhuratë” e një publiçistike të letrarizuar, vjen në retrospektivë, përmes një arome ndjesie që hapëron në 99 male e hapsira oqeanike. Ashtu sikundër në romanin “Ditët e lakuriqëve të natës” dhe në këtë blem të vazhdimësisë romaneske, dashuria e ndaluar, në hapsira të gjëra shoqërore “...është djegur si prushi nën hirin e politikës dhe po nuk e zbuluat, hi do të bëhet” definon Paloma hispanike, e dashura e Pedros. Por në mendjen e zemrën, shpirtin e Pedros, kjo dashuri vjen si një paradigmë e një dëshire të madhe për jetën e re, për të cilën aspirojmë ku: “Akoma nuk mundem të imagjinoj nëse ne do të mohonim njëri-tjetrin, duke takuar njëherësh të njejtët, por dhe të ndryshmit tek ne”.

Ky ditar, me lirizmin e tij inkandishent, i ka dhënë shumë ndjesi shpirtërore, e ka bërë më njerëzore prozën romaneske. Në të tillë shembuj, ndërkombëtarizimi i marrëdhënieve, në thelbin shoqëror, vjen si një koncept i ri, më i hapët, më njerëzor, larg trysnive politike, duke rritur produktivitetin në aspektin shoqëror, përmes globalizimit të tij.

Letrarizimi publiçistik i këtyre kapitujve ditarikë, ka rritur dukshëm valencat artistike dhe përmes një paralelizmi të thukët figurativ, si dukuri artistike shumëfunksionale. Kjo e ka bërë rrëfimin më të këndshëm përmes epitetesh, simbolesh e metaforave. Sidomos futja e pasazheve poetikë e poetit Ernesto Cadenal, e fragmenteve poetike të stisura nga autori, vijnë si një dukuri shumë ndjesore e romanit bashkëkohor, duke rritur dukshëm protonizmin në lirikën e tij aq shumë të thekur.

Riprodhimi i realiteteve përmes një psiko-terapeutike me anë të përmbajtjeve të këtyre suplementeve ditarikë, përbën një dëshmi të rëndësishme për natyrën analitike të sistemeve shoqërorë, ku në fakt, si rezultat i një trysnie të së kaluarës, në shoqërinë e sotme vihet re një amnezi shoqërore.

Duke u thelluar në psiko-analizë, në frymën frojdiane, për të kaluarën, padyshim që të tashmes i hapen shtigjet e një psiko-terapie në kontekste të reja. Me të ligat dhe të mirat e saja, e kaluara, sado e trishtë të ketë qenë, ajo është e jona e do na ndjekë në jetë, si pjesë e domosdoshme e rrugëtimit jetësor.

Jeta në konceptin dialektik zhvillohet në bazë të ligjeve të mohim-mohimit dhe përballja e të kundërtave presupozon, në aspektin shoqëror, premisa zhvillimi. Ndonëse në këtë apokalips shëndetësor “politika ishte treguar më dinake, duke hedhur gurët dhe duke fshehur duart, për të zbrazur të gjithë mllefin e pakënaqësive të njerëzve diku tjetër dhe jo në oborrin e saj”.

Në të tilla raste dialogu konstruktiv i doktoreshës me gruan e të vetëvrarit, vjen shumë domethënës, përmes një antagonizmi të thukët me “kazanin mediatik”. Sinqeriteti përmes një komunikimi njerëzorë, vjen si prioritet i një shoqërie pa mllefe. Autori, përmes Fitim Zagorës, risjell ngjarje e fenomene të së kaluarës, si një parabolë e cila vjen gjer në të tashmen si vazhdimësi ku: “...mendonte shpesh Fitim Zagora. Frika dhe fati, çfarë bashkëjetese e çuditëshme dhe dramatike në jetën e tij”!

Tranzicioni shqiptar, mbarsur dhe me të kaluarën, ka krijuar njeriun e ri. Një njeri sa ëndërrimtarë, drejt një Go-westi, aventurier drejt nocioneve të reja jetësore, të dëshpruar e të lodhur nga pakënaqësitë e mbijetesës, nervoz në pritshmëritë e premtimeve elektorale, papërballshmëritë e shërbimeve shëndetësore, sidomos në gjendeje Covidi e pas Covidi, lumturisht i gënjyer nga fanfarat e fjalimeve nëpër mitingje, apo dialogu i bashkëshortes së Fitim Zagorës me doktoreshën ku: “Atë më thosh gjithmonë, kur i shkruante këto kujtime, jetuam me frikë e tani jetojmë me turpin dhe pendimin pse patëm frikë”.

Një fenomen ky, jo shumë i përveçëm në kohën e trysnisë shpirtërore e totalitare, të cilën një miku im shkrimtar, duke komentuar një libër të një ish zyrtari partie shkruan: “Të shkruajsh në robëri” e ka quajtur me të drejtë fenomen i “Dautizmit”, i kohës kur nga shumëkush shkruhej në fshehtësi dhe groposej në bodrume, në kanaçe djathi.

Ky njeri, i ardhur nga një sistem, i cili e kish detyruar që të fliste si “miza në qyp” nga “Shtëpia e gjetheve” (përgjuesat e sigurimit) u gjend papritur në një liri të pamatë, absurde, ku e drejta e njërit shkelmon të drejtën e tjetrit. Ky njeri krahas këtij Covidi, tashmë po përballon në thelbin e vet dy tranzicione: “atë biologjik dhe politik”, është njeriu i prerë në besë nga pritshmëritë e reja, i zhgënjyer në rrafshin ekzistencial.

I zhgënjyer nga emigrimi, nga policët e vrarë, të vrarët në bulevard, gjygjet në pambarim, bilanci financiar i Bankës së Shqipërisë, ku 5% e popullit disponon 85% të parave e pensionistit, ku në fund të muajit numëron qindarkat e fundit, në xhepin bosh të xhaketës të ngrënë nga mola e varfërisë.

Romani “Covid 1984”, si roman i një drejtimi të ri letrar, në konceptin stilistik, cilësohet edhe nga formati i larmishëm gjuhësorë, i cili përbëhet nga sisteme të ndryshme të aplikuar në roman. Ato, në bashkësi përbëjnë mozaikën e leksikut dhe të fonetikës, përmes vokapolarit të tyre. Nëqoftëse nuk do të kishim një larmi të tillë, të hiqnim gjithë thonjëzat, sentencat e përveçme krahinore, intonimet, zërat e romanit dhe stilet e tyre të përveçme, llojet e portreteve gjuhësore e të linim vetëm të folurën e drejtpërdrejtë të autorit, do të kishim një roman me një konglomerat rrëfimorë, pa stil dhe pa veçori gjuhësore e formash stilistike të ndryshme. Këtu qëndron veçoria e bukurisë e një polifonie të tillë gjuhësore në romanin e Dokles. Autori ka dijtë me mjeshtri të gërshetojë veçoritë gjuhësore në një ansambël polifonik.

Në këtë kompleks del më qartë trinia e një “çrregullimi mental, si zgjimi i komplekseve të frikës, të turpit dhe të pendesës”, përmes të cilave, autori i jep rrëfimit larmi shpirtërore e shumi karakteresh, me një përmasë metaforike, të pushtetshme, në kohë të ndryshme.

Përmes një stili të tillë, diversiv në përmbajtësinë e ngjarjeve e të fenomeneve, ai organizon një botë të mëveçme, të aftë të prodhojë diskusivitet shoqërorë gjatë leximit. Mbështetur dhe në eksperiencat e dy jetëve krijuese, stili rrëfimorë vjen disi modern, ku janë të mplekur diturika me sentencat e marra nga urtësia popullore, pasazhet poetike, rrëfimet e mirënjohura të ngjarjeve e fenomeneve.

Në mëvehtësinë e një stili (inovativ do e quaja) i Dokles, përgaset bindshëm me atë të simotrave bashkohore, si një gërshetim i saktësisë, qartësisë mendore dhe elegancës gjuhësore. Përmes kësaj elegance, autori ka dijtë të vërë stilin e të shkruarit, si shprehje të personalitetit, duke e shtrirë dhe në kahje ekstreme të shumisë por, dhe për mistikën e shpirtërave njerëzorë.

Në këtë drejtim, autori, personalizimin e stilit dhe të gjuhës, larminë e saj, i sjell të aranzhuar bukur me sentencën e Mishel Butorit i cili sintetizon: “Por stili nuk është vetëm mënyra në të cilin zgjedhon fjalët branda një fjalie, por dhe mënyrë, në të cilën fjalët ndjekin njëra-tjetrën, kapitujt dhe episodet” (Çeshtje të romanit, Rilindja Prishtinë 1980 f.207)

Futja në prozadorinë romaneske e një larmie të tillë gjuhësore, sidomos visaret e popullit me veçoritë e tyre, vjen si dukuri inovative e këtij produkti letrar. Kjo ka shtuar dukshëm kënaqësitë estetike të lexuesit, kur nëpër faqet e romanit shijojmë ndjesitë e aromave të fjalëurtave të tilla si: “Mirë, do të shihemi përsëri! Ta dish, nuk ka blerim në acar”, apo konceptimi filozofik si shumë të tjera “...dimrin e ndjejnë këmbët e pleqve, duart e fëmijëve dhe zemrat e grave” e shumë të tjera.

Këto “mballoma artistike” siç i quan esteti Umberto Eko, kur përdoren me dozën e duhur dhe në vendin e duhur, luajnë një funksion të lartë artistik, në përçimin tek lexuesi, të njësive të përveçme artistike, aq edhe filozofinë e “virgjër” të popullit. Një ngarkesë e tillë, me ekstrakte nga folku i ka shërbyer autorit dhe si një indikator e lakmues i supkoshiencës njerëzore. Këto fjalëurta janë si një çelës i artë në lakmimin e absurdit shoqërorë, në konceptin e letrarizimit të ideve frojdiste mbi psiko-analizën e psiko-terapinë nën frymën Jung e Lakan.

Tek këto fjalëurta e ka burimin dhe një veçori tjetër dalluese e këtij romani: grotesku i thukët, si vëllai i Jerosllav Jashekut, i sjellë në kontekste të reja kohore, si një dukuri thelbësore e jetës shqiptare, para dhe pas totalitarizmit ku: “sapo e kish takuar të sëmurin e tij (Enverin VM) doktori francez e kish pyetur: pse nuk bëni një kolibe për ushtarin që të mos lagej nga shiu? –Ashtu është më mirë, - iu përgjigj i sëmuri (Enveri VM), -ashtu ëndërron koliben, ndërsa po të ketë koliben, do të ëndërrojë të hyjë në shtëpinë time”.

Me të tilla “mballoma artistikë” huazuar nga ekstraktet e folkut popullor, Namik Dokle, në një mozaikë, e ka bërë rrëfimin romanesk të këndshëm, plot aroma ndjesishë, si një strategji e re artistike.

Po në këto aspekte ka bulëzuar edhe trinia e një çrregullim mental, ai zgjimi i komplekseve të frikës, të turpit, të pendesës. Autori me mjeshtri, përmes mesazheve që ato përcjellin tek lexuesi, ka promovuar artistikisht kuartetin : psiko-analizën, ditarikën e letrarizuar, pasazhet poetike, sentencat dhe figura të lartume të artit botërorë. Një mision pararendës i një arti të vërtetë në zhvillimin e shoqërisë shqiptare përmes një romani bashkëkohorë plot aroma ndjesishë.


Shkurt –mars 2023 Vladimir Muça

26 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page