top of page

“KUR ZIHEN ATLLARËT....”


Safet Ramolli

Kjo është pjesa e parë e një fjale të urtë të popullit shqiptar, e cila pasohet nga pjesa e dytë e saj “shkelmat i hanë gomarët”. Por për situatën aktuale se si po zhvillohen ngjarjet në vendin tonë, do të parapëlqeja fillimisht që në të dy togfjalëshit përbërës të kësaj fjale të urtë, të ndërrohej vetëm kryefjala. Ka kaluar më shumë se një vit që dy “atllarët” e dy institucioneve kryesore shqiptare: Presidencës dhe Kryeministrisë, për rrjedhojë edhe ndihmësit e tyre, gjuajnë papra me shqelma njëri-tjetrin, fillimisht në mënyrë të koduar por që populli e merrte vesh fare lehtë se në ç’ferrë “... flinte lepuri”, ndërsa prej disa muajsh krejt ashiqare dhe që s’është nevoja që populli të kërkojë lepurin nëpër ferra apo gëmusha. Që në krye dëshiroj të pohoj jashtë dëshirës sime, se dy titullarët e shtetit Shqiptar nuk duhet të pretendojnë dhe as që mund të quhen apo thirren “Atllarë”. Populli me zgjuarësinë dhe fisnikërinë e tij, diferencën midis dy nocioneve që shërbejnë si kryefjalë në fjalën e urtë të mësipërme, e bën nisur jo nga shërbesa që këto dy krijesa kryejnë ndaj tij, por nga mençuria, përgjegjshmëria, përkushtimi, etika, fisnikëria dhe, mjaft tregues të tjerë të kësaj kategorie, me të cilën ata përmbushin detyrimin juridik, moral, human dhe plot nocione të tjera të kësaj kategorie. Ata zihen e “grihen”, akuzojnë njëri-tjetrin nga mëngjezi në mbrëmje, ndërkohë ndihmësit e tyre “me besnikëri” por jo me fisnikëri, vrasin gjumin por jo mendjen, për të sajuar mbrojtjen e udhëheqësve të tyre shpirtërorë, duke marrë kështu përsipër rolin e vështirë të sejmenëve të verbër ndaj bejlurçinave që abuzojnë me pushtetin dhe imunitetin që buron prej tij. Që të dy palët të armatosur mjaftueshëm dhe të pozicionuar në “istikame” të fortifikuar mirë (llogore, hendeklidhje, transhe, çerdhe zjarri etj.), të përkrahur dhe mbështetur edhe nga aleatë dhe aleanca gjithëfarëshe, bëjnë zhurmuesin gjithë ditën e perëndisë, pa menduar aspak se çfarë efekti bën ky veprim tek populli, i cili i ka zgjedhur dhe i mban duke sakrifikuar jo pak nga xhepat e tij të shpuar, të grisur apo të rreckosur, por gjithësesi me një nga shtatë lëkurat e mbetura akoma në trupin e tyre si një mbulesë natyrore por jo turpi, sepse gjithë pjesët e turpit të trupit tashmë janë ekspozuar qartësisht për vetë turpin e tij. Nuk është faji i popullit, i cili akoma vazhdon të ketë turp, ndërkohë që drejtuesve të tij më të lartë shtetarë, politikë, partiakë, pushtetarë në qëndër e në bazë etj. nuk u ka mbetur më cipë turpi në fytyrë, sepse nga të shtatë lëkurat e mundëshme që thuhet se ka njeriu, aty-këtu shfaqet, sidomos kur afron fushata e zgjedhjeve, ndonjë imazh cipeje në formë arneje të dalë boje, apo të ndonjë njolle që ngjason me cipën e zakonshme por jo me cipën e turpit.

Akuzat janë të drejtpërdrejta dhe të adresuara me emër e mbiemër, bile edhe me emrin e babait, për fat të keq, si një përjashtim krejt absurd në kontinent e më gjerë, edhe emrin e nënës që ka ndërruar jetë! Më ngjan kjo si një pafytyrësi njerëzore, si një marrëzi fëminore apo si një humbje e plotë e kontrollit ndaj mendimeve dhe veprimeve. Nuk e di nëse arësyetojnë se çfarë imazhi përcjellin tek fqinjët dhe ndërkombëtarët, kur nuk lenë asnjë problem të familjes shqiptare pa e bërë të njohur ndërkombëtarisht pa pikë përgjegjësie dhe ndjesie njerëzore e kombëtare! Vallë presin që përfaqësitë diplomatike edhe në këtë çështje të na ngrejnë ato që ne i ulim aqë papërgjegjshmërisht dhe ditë pas dite, ashtu sikurse na janë ndodhur dhe kanë vepruar në vijimësi? Nuk e kuptoj se çfarë logjike i komandon apo çfarë alogjike i drejton dhe udhëheq në veprime kaq absurde!

Cila mund të jetë zgjidhja? Drejtuesit, që pretendojnë të jenë “atllarë” por që janë vitedritë larg nga përmbajtja fisnike e këtij nocioni, bëjnë mirë “të rrëfehen” diku jo për çdo mëkat (sepse ato janë aqë shumë sa nuk ka kandar “që t’i peshojë”) por të paktën vetëm për pasuritë që kanë dhe si i kanë vënë ato. Vetëm kaq do të mjaftonte dhe ata nga lartësia e të qënurit “atllarë” do të groposeshin apo qorrolliseshin në botën e shëmtuar të të qënurit g*****. Nëse nuk kanë kurajon të bëjnë këtë, le të bëjnë gjestin më të përgjegjshëm: të vetëzhvishen nga funksionet shtetërore, pra dhe nga imuniteti që u garanton ai, të kenë kurajon të paktën të paraardhësve të tyre nga lartësia mbi 1000 metra nga vijnë, sikurse e pohojnë me gojën e tyre, dhe le të ballafaqohen në institucionet e drejtësisë, të cilat edhe ashtu si janë të sëmura dhe të goditura ashpër edhe nga vetë ata, me siguri që do t’ua lehtësojnë sado pak mëkatin që kanë bërë dhe detyrimin që kanë për të shlyer ndaj popullit të tyre dhe të realizojnë postulatin që përdorin me aq krenari të tipit “Malet tona më të larta!”, sikurse pretendojnë që t’i kenë. Nëse nuk kanë kurajon dhe burrërinë të bëjnë këtë, të këshilluar edhe nga këshilltarët e tyre “të dijshëm” të cilët hera-herës, ndoshta të përfshirë nga emocionet por edhe për të rrëfyer besnikërinë e patundur ndaj shefave të tyre, marrin përsipër të veprojnë tej hapit që i lejon funksioni, duke folur më shumë dhe me ton më të ashpër apo me ngjyrime më të dukshme, se sa shefat e tyre, (çka populli e epiteton “Kur bëhet bishti më i rëndë se sqepari”), të bëjnë diçka më të kontrolluar dhe më të përmbajtur, duke u folur më parë logjika se sa gjuha. Unë absolutisht nuk do të këshilloja që mosdakortësinë tashmë të shpallur botërisht, ta zgjidhin “shqiptarisht” sikurse po ndodh rëndom në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve apo për më keq “Prishjen e pazareve” në mjaft raste në jetën e përditëshme të komunitetit shqiptar.

Tetor, 2020; Safet N. Ramolli

8 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page