top of page

KUR PLAGOSET PËLLUMBI



Kohët e fundit miq e të afërm të mi më postojnë në facebook një video, fare të shkurtër, ku duket një pëllumb i bardhë që lëshohet nga dy duar të një njeriu e ai fluturon i lirë në qiellin e paanë.(Shih ne fund te shkrimit) Besoj se edhe ju, miq e lexues të këtyre radhëve, e kini parë këtë video që, për mua është shumë domethënëse. Pse? Sepse para ca kohësh dërgova për lexuesit e nderuar një tregim , një ngjarje të vërtetë për vdekjen e lejlekut si dënim nga shokët e tij. Sot ma kënda të përcjell për ju një ngjarje edhe kjo e vërtetë dhe përsëri nga bota e shpendëve ku ka , ma merr mendja, psikologji e pedagogji brenda. Bëhet fjalë për pëllumbin, simbolin e paqes por jo vetëm kaq. Në paçi kohë e durim dëgjojeni ngjarjen e vërtetë,

Studentët e gazetarisë të Universitetit, që bënin praktikën në një nga gazetat qendrore të ish Bashkimit Sovjetik dëgjonin e shikonin me vëmendje shefin e redaksisë së brendshme se si hapte një nga një letrat nga republika dhe krahina të ndryshme të vendit dhe lexonte përmbajtjen e tyre. Ndodheshin aty studentë nga vende të ndryshme të kampit socialist, pra edhe nga Shqipëria, po edhe nga vende të tjera të botës, ruse po e po. Ishte fundi i viteve 50-të dhe fillimi i viteve 60-të të shekullit të kaluar..

Në një moment shefi picërroi sytë dhe po shikonte më me vëmendje përmbajtjen e një letre. E lexoi me zë. Bëhej fjalë se si një nxënës kishte goditur me gurë pëllumbat e fqinjit dhe për pasojë një prej pëllumbave ishte plagosur, i ishte thyer krahu! Shefi ndërpreu leximin. Disa nga studentët filluan të qeshnin, me demek, pse për një krah pëllumbi u dashka drejtuar te shtypi qendror dhe serioz?! Shefi i redaksisë po hetonte reagimin e auditorit. Nuk po u thoshte gjë studentëve.. Priste reagimin deri në fund. Kur pa që reagimet kishin pak a shumë një emërues të përbashkët, pra pse për një krah pëllumbi u dashka bërë problem gazete?.. ai u tha: “Duhen parë më në thellësi gjërat, jo në sipërfaqe. Prisni pak sa të shkoj t’i relatoj kryeredaktorit”. Dhe u largua. Kthehet pas pak. U drejtohet studentëve: “Nesër unë tok me disa nga juve do të nisemi me avion për te vendi i ngjarjes. Nuk është fjala vetëm për krahun e thyer të pëllumbit. As se pëllumbi është zog, simbol i paqes po e po. Rasti ka të bëjë me edukimin e brezit të ri…”

Ka kaluar shumë kohë që kur e kam dëgjuar këtë detaj. Sot rri e vras mendjen se sa të drejtë ka patur shefi i zyrës së redaksisë së brendshme të gazetës. Këtu nuk kemi pse futemi te politika e prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me ish Bashkimin Sovjetik. Të merresh me politike në këtë rast do të thotë ta banalizosh skajshëm problemin pasi fjala është për edukimin e brezit të ri, për të cilin çdo vend, çdo shtet harxhon qimet e kokës për të siguruar vijueshmërinë e mishirimit të cilësive me të mira humane dhe virtytet më të shtrenjta për një komb. Më shkon mendja te sentenca e një filozofi të lashtësisë, i cili ka thënë përafërsisht “Më jepni edukimin e njerëzve që unë të kem mundësi të lëviz botën”. Dhe edukimi fillon që nga gjërat më të vockla, që nga një krah pëllumbi, që nga një thyerje dritareje të fqinjit pa u futur thellë te vjedhja e xhepave të qytetarëve. Fronti i parë i edukimit dihet qe është familja, pastaj shkolla, pastaj shoqëria…në fund organet e specializuara. Por, kuptohet, që lufta për edukimin nuk është e lehtë. Në botën e brendshme të njeriut, qoftë ai i vogël, qoftë i ri kush e di se sa procese të koklavitura, të tendosura tepër ndodhin për të arritur deri te brumosja e karakterit. Ja pse vlerësimi që na gjerat e vogla duhen marrë me seriozitet…

Le të kthehemi për një moment te paragrafi i dytë i këtyre rreshtave. Një nga ata djelmosha, student i gazetarisë ishte edhe ai, që sot është Profesor Dr. në fushën e gazetarisë, i mirënjohuri Hamit Boriçi. A është kështu i nderuar Hamit për çka shkrova më sipër? Fiqri Shahinllari

42 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page