top of page

Kur koha pikëtakon Jeronim De Radën me „Flamurin e Arbërit“ në Elbasan


Kur koha pikëtakon Jeronim De Radën me „Flamurin e Arbërit“ në Elbasan


Fatmir Terziu


Koha është rendja më e mirë në kohëra „të tjera“ kur shkel këmba në Elbasan. Rendja e shpejtë, e pallogaritshme, fluturuese, kur mbetet tek vlera, në hapësirën me librin, me kulturën, me shkrimin, me leximin. E në këto kohëra të tjera që mbetën në syrin e historisë ishte dhe aktiviteti i nxënësve të shkollave të mesme të Elbasanit, më saktë konkurrimi me esetë e tyre në kuadër të 140 vjetorit të daljes në dritë të gazetës së Jeronim De Radës, „Flamurin e Arbërit“ organizuar nga Biblioteka Publike „Qemal Baholli“. Ky konkurrim sikurse mësuam ishte takimi përmbyllës i aktiviteteve për muajin tetor në bibliotekë. Nxënës nga gjimnazet e qytetit paraqitën esenë me temë: „Të ecim në gjurmët e publicistikës së De Radës“. Një juri e përbërë nga pedagogë, mësues dhe krijues nxorri dhe evidentoi vlerat e paraqitura bukur nga nxënësit. Në këtë kontekst kishte dhe biseda, fjalime, evidentime dhe mesazhe të qarta. Të gjitha rrekeshin tek shkrimi, thelbi i tij në vite, libri, leximi dhe mesazhi i gjithë risive.


Drejtoresha e kësaj Biblioteke Manjola Hatellari theksoi se në fund, „shkollave pjesëmarrëse iu dhuruan libra që do të bëhen pjesë e fondit të bibliotekave të shkollave përkatëse. Falënderojmë mësuesit dhe nxënësit pjesëmarrës si dhe drejtoritë e shkollave, të cilat janë gjithmonë mbështetëse në organizimin e aktiviteteve në bibliotekë“. Pra ishte një kohë me të cilën me praninë e ftesën për ne lexuam dhe mësuam për kohërat që kaherës, dhe tashmë në krye të herës, bashkohen në pikën e duhur të vlerës. Kësaj radhe ishte Jeronim De Rada, ky poet i Madh, pasi mahniti Lamertinin, Viktor Hygonë, Dora D'Istrian, dhe pasi pa rrezikun e asimilimit nxorri në dritë „Flamurin e Arbërit“, për të cilin shkruan esetë edhe këta nxënës në një kohë tjetër, që natyrshëm prek mesazhin për një vlerë, për një kryevepër që na frymëzon edhe sot patjetër. Ajo vepër e thjeshtë, e çmuar në atë kohë, por e domosdoshme edhe në këtë kohë, natyrshëm veç të tjerave frymëzoi brezat edhe në Kosovë.


A ju kujtohet revista e Seksionit Letrar „De Rada“ në Ferizaj?


A ju kujtohet revista e Seksionit Letrar „De Rada“ në Ferizaj? Natyrisht ajo mund të jetë diku në arkivat e Kosovës, në mesin e librave të shkrimtarëve dhe të poetëve, por normalisht kontributi i madh i kryetarit të saj Hajro Ulqinaku, Drejtorit Shukri Hoxha, natyrisht që nuk mund të harrohen.

Ajo revistë quhej „Zgjimi“. Revista botohej nga Qendra e Kulturës në Ferizaj. Në Kolegjiumin e Revistës „Zgjimi“ ishin: Nuhi Vinca, Nol Berisha, Mikarić Milovan, Rexhep Rifati, Nazmi Marevci, Josip Živka, Hajro Ulqinaku dhe strugani i paharueshëm, Rahmi Tuda. Kjo revistë kishte për Kryeredaktor të saj Rahmi Tudën dhe si redaktorë teknikë Beqir Drizën dhe Reshat Arapin.

Kjo revistë letrare gjithëpërfshirëse dilte një herë në dy muaj. Në faqet e saj kishte mjaft materiale interesante, të cilët më pas bëheshin dhe pjesë e frymëzimeve dhe botimeve me karakter kërkues dhe shkencor për kulturën dhe traditën shqipe, për letërsinë dhe krijimtarinë në fjalë dhe për trashëgiminë letrare e kulturore.

Revista kishte dhe funksion të dyfishtë pasqyrues me teatikën nga kultura. Kultura, thuhej se para masave të dhunshme serbe të viteve 1990-1999, komuna e Ferizajt ka pasur 7 biblioteka publike me 60.565 libra. Biblioteka kryesore ka pasur 30. 913 libra, derisa degët në Gaçkë, Komogllavë, Talinoc të Muhaxherëve, Nerodime, Babush dhe Shtërpcë kanë pasur 29.525 libra, por pas luftës bibliotekat dhe koleksionet e librave duke përfshirë edhe ndërtesat dhe inventarin kanë qenë shkatërruar. Për pasojë, kjo komunë tash ka vetëm 5 biblioteka me gjithësejt 26. 352 libra. Dy bibliotekat në Nerodime dhe Babush dhe 34. 213 libra kanë qenë shkatërruar.



Edhe jeta e Teatrit ka qenë prezente në këtë revistë. Ferizaj, natyrisht ka edhe Teatrin Profesional "Adriana Abdullahu". Veprimtaria teatrore zë fill që nga viti 1943, ku sipas shënimeve themelues i teatrit mendohet të ketë qenë Hasan Dyngjeri. Deri më sot jan dhënë afro 143 Premiera teatrore.

Kjo revistë është sikurse e cituam pjesë e grupi letrar "Jeronim de Rada" që ka mbi tridhjetë vite që funksionon, i cili ka zhvilluar një aktivitet të dendur letrar mbi 30 vjet. Janë botuar shumë vepra, panorama poezish etj. E gjithë veprimtaria është kryer në baza vullnetare. Por, sot pas lufte thuhet se klubi nuk ka zyrë.

Që nga krijimi i saj, Revista „Zgjimi“ kishte dhe një synim të vetin për të mbajtur gjallë vlerat dhe frymëzimet deradiane, ku herë pas here është shkruar dhe përkujtuar me forcën e domosdoshme kulturore figura e De Radës. Dhe thuhej se përkujtohej ky poet i Madh, pasi ai mahniti Lamertinin, Viktor Hygonë, Dora D'Istrian, këtë poet të Madh që pasi pa rrezikun e asimilimit nxorri në dritë „Flamurin e Abërit“.

Kjo e fundit ndoshta ishte më e rëndësishmja dhe më e ndjeshmja e aktivitetit të Revistës „Zgjimi“ në ato kushte ku ndodhej Ferizaj, Kosova dhe tërë shqiptaria e vënë nën kthetra uzurpatori. Gjithësesi e ndjeshmja e revistës dhe e djeshmja e saj tingëllon bukur dhe ka timbër të fortë e sotmja ende nuk ka një zë të mjaftueshëm që të bëj të paktën një sinjal të domosdoshëm kulturor, kur dihet se ajo trevë gjithnjë është shquar për krijimtari letraro-artistike. Gjithësesi le të përkujtojmë sot Revistën „Zgjimi“ dhe stafin e saj të drejtuar nga një ekip i mrekullueshëm i saj, por dhe të falenderojmë këtë aktivitet të bukur të shkollave të Elbasanit në Bibliotekën që drejtohet nga e apasionuara Hatellari, si një mesazh dhe për leximin, vlerën dhe shkrimin…, shkrimin që diku në sytë e nxënësve padashje ushqen vetë „krimin“, e më saktë e pështiros vetë leximin. Kjo kur shkrimi përcillet me tentativa, e më tej me ato që dikush i quan „direktiva“.


Krimi me shkrimin



Dhe ndodh të ndjehemi kështu me shkrimin. Me shkrimin, që e lexojmë nga kënde të ndryshme. Të ndryshme?! Hera-herës edhe të ndryshme dhe të pa-arsyeshme! Të lexueshme sipas arsyeve dhe jo-arsyeve, sipas shijeve. Shijeve tona. Shijeve që na dalin mes dritës, dhe hera-herës edhe si pjesë e errësirrës. Si pjesë e dukshme dhe e padukshme. Si pjesë e gjendjes së brendshme. Por, edhe si errësirë e nëndheshme. Edhe, … edhe pos zbrazëtisë dhe hapësirës, mes dritësisë së errësirës.

E logjikshme! E gjitha në një mur që shemb dhe përthyen gjërat, dritërat, emocionet, zërat. E gjitha …, në një mur që shembet përditë e më shumë. Një mur që e paskemi ngritur me zor. Një mur që rezulton si gur mbi gur, por të lidhur vetëm me zhavorr.

Në një mur…. Në një mur, pa nur, që ka mbetur i lidhur ende krijimtarisht me ushkur. Në një mur vrasës nëpër errësirën e ditë-natës! Në një mur të tillë që na ndan, na cfilit, na bën të kthejmë kokën vetëm ndanë, pas, në kohën që na lë në fraq. Dhe bëjmë ende paq. Paq me shkrimin e shkruar, dhe shkrimin e harruar!

Tronditje! Gjendje alarmante. Fjalë pikante?! Fjalë që të shkulin mendtë …, edhe sot, edhe për nesër, edhe mes nesh, ende përshesh, fjalë pa vend edhe atje në parlament.

Tronditje dhe çapitje të turpshme, të ngutshme, të palogjikshme, të frikshme. Tronditje të mundimshme, të zbritura nga koka tek këmbët që dridhen pa ekuilibër, duke kërcyer me fjalën lart e poshtë, e duke sharë me libër. Dhe pastaj vazhdojmë të pranojmë se na hedhin hi syve, sikurse ndodh jashtë kësaj hamendësije në vallëzimin binjak të tyre.

Ne mbetëm një shkëndijë përcëllyese në sy. Eh, or mik, or vëlla, or …Njeri i shkrimit të lirë, moj shoqe, moj zonjë… hej, a je ti i zgjuar për të vazhduar, për të ndryshuar? Më kot e zgjata. Dhe ndoshta kaq e pata. Nuk gjeta përgjigje. Nuk gjeta ligje? Të gjithë ishin për ofiqe. Që nga koha kur e dëgjuan këtë fjalë, askush më pas nuk u bë më i gjallë. Madje dhe kur e kishin me bindje e shkruan nga jashtë tërë atë Rilindje. E atëherë? Prit dimër të dalë pranverë… si përherë.

Doni të dini kush ishte më e sakta, më e qarta? Thjesht një rrjetosje nga një merimangë me këmbë të gjata. Në të vërtetë një merimangë e dashurisë së dashurive të përhumbura bëhej pe dhe pre. Vetë rrjetosja e mburrte, e ajo vazhdonte të thurrte. Thurrje, thurrje në dritë-errrësirën jetike me rrjetën e saj. E rrjetosja ndiqje modele, variante dhe yrniqe të huaja. E, Unë? Unë vazhdoja vetëm të shkruaja? Ende me leximin e Klubit të Selanikut…, ende me shenjën e turpit të bërë letërsi të lexueshme prej Çajupit. E merimanga ende rrjetos. Nakatos.

Ajo zbret mes alfabetit të germave të Gjuhës Shqipe dhe godet, duke u përpjekur për të udhëzuar forma të reja, për të zhvendosur, apo arratisur diku larg shkrimin e tjetërsuar mendërisht nga ky makth. Në fakt, ky makth ndjehet në këtë rast mjaft. Zhubroset si një modul i butë, i ngjeshur mes shkrimit dhe kësaj ndjesie shumëkëmbore të zvarritjes shkrimore, i jepet një përqafim i helmët i qelqurinës së kapakosur të dy syve. Kështu ndodh para një gazete. Kështu ndodh para një libri. Kështu sillet dhe në ekranin e ndonjë filmi. Dhe koha transferohet në tashmëri. E tashme?!



Dashurisht dashuritë nisën përshpëritjet. Dashurisht nuk mund të kuptohej shkrimi, aq thjesht sa vetë krimi. Dashurisht shkrimtaritë reflektoheshin sikur kilikoseshin nga shkrimi. Ishte një klishe dyfishe. Ndjesia ishte ndryshe. Zbehej vegimi. Aty kishte zbritur frymëzimi. Frymëzimi pëshpëriti heshtazi dhe paksa fjalorthazi lëshoi një mesazh për të zgjuar: “Shkrimi zbret dhe ngjizet vetëm dashurisht mes dashurive!” Dhe tutje nguci zvarritjen e ikjes. Zvarritjen e ikjes së një kohe të shkrimit të sakatuar, aq kaq nga një kohë e zymtë, thjesht në një të kaluar.



Një hije e gjatë, e harruar në humnerën e ngarkesave të kohës, zbriti dhe zhveshi merimangën lakuriq. Ishte bruto. S'kisha parë një të tilllë nudo. Qoftë dashurisht? E shkruar në letrën zyrtare të pa shpirt, që errësirës i thoshte dritë.

Ishte hapi i nxituar i shkrimit intim. Nuk kishte pushim. Kishte vetëm pasion. Pushimi nuk ishte opsion. Ishte shkrim intim. Ishte një përkushtim. Ishte i urritur. Një përkushtim i përgjakshëm i errësirës së zhuritur, që ngadalë po bëhej fantazmë në shkrim. Fantazma shkruhej dashurisht prej dashurisë së urdhëruar për të.

Ah, fantazma! Fantazma të shkrimit. Dhe kuptohej…, koha na rrëfente. Po të gjithë heshtnim, të gjithë heshtim.

Merimangat, mblidhen në një natë të errët të caktuar pas krimit. Bëhen një rrjetë e pagrisshme. E pagrisshme…

Tarantula. Një tarantula e tillë tejkaloi idenë time, pa ndonjë qëllim për të kafshuar, por la pas hijen e kafshimeve, atë më të frikshmen, më të rrezikshmen. Ajo ishte vërtet hija. Ishte hija …, por nuk ishte hija me të cilën po rrjetëthurrej. Nuk ishte …, nuk ishte aty afër. Ajo jargavitej djersërisht me kalorësit e Fjalës. Dhe vetëm mburrej.

Kalorësit, si të mpirë, kalorësit e mi të dashuruar, më saktë, thirrën përreth meje të gjitha dashuritë, dhe vazhduan gjatë gjithë dritë-errësirës të shmangin kilivitjet. Ata mbetën duke kërcyer në tokë me këmbët e tyre në vallëzimin e tyre shkrimor. Ishte realizimi më i errët i syve. Realizimi përmbyti mendjen time. U bë i pamëshirshëm, duke mpirë të gjitha shqisat e mia. E aty mbeti e veja e zezë e tij. Kërkoi ti hidhte hi syve.

E veja e zezë e urrejtjes u duk në një tërbim të pastër, në dorë mbante zambakë të synimit vrasës.

Nuk isha unë! Ishte shkrimi! Ishte krimi me shkrimin …, me shkrimin më vrasëtar se krimi. Ndaj vrapoja të ikja. Të ikja nga ky lloj shkrimi. Të ikja nga krimi. Ikja dhe vetëm ikja. Ikja nga vetja ishte ajo që unë e bëra në të gjitha këto vite, por jo më si një ikje nga e vërteta. E vërteta më ka folur ndryshe. Ende më flet ndryshe. Ndryshe dhe në poret e lëkurës, ndryshe dhe në timbrin e lëvizjet dhe dëgjimet muzikale. Është kërcimi dhe vallëzimi më i mirë kur shkrimi është vërtet jeta dhe ëndrra. Ishte më mirë të jem kështu. Sepse më duhej baza fantastike, përjetësia e kësaj fushe të fantazisë.

Në fund të fundit, ne të gjithë kemi kohë të pafundme që fantazojmë dhe jetojmë mes fantazisë edhe në ëndrrat tona. Pastaj u zgjova, u hodha ujë syve dhe rikujtova: “Shkrimi zbret dhe ngjizet vetëm dashurisht mes dashurive!” Dhe ndodhi… Dhe ndodh të ndjehemi kështu me shkrimin. Me shkrimin, që e lexuam, na detyruan ta lexojmë, dhe që lirisht vazhdojmë ta lexojmë nga kënde të ndryshme. Ende sot… përloten vetvetiu arkivat, kur rilexojnë qëllimisht „direktivat“. „Direktiva“ në shkrim, thjesht një krim!


Duke përfunduar


Në këtë kohë tjetër, jashtë atyre që u thanë dhe mbesin në letër, shkojmë të pikëtakojmë kritikun Krist Maloku, që na tha se De Rada, mbi të gjitha shembi muret e dritëhijeve. Dritëhijet që ushqenin rrezikun e asimilimit. Mes sakrificës e mundimit, ai rendi pas ëndrrës dhe realitetit të të bërit, jashtë fluksit të fryrjes që vjen pas emrit, pas rendit dhe qejfit, dhe nxori në dritë „Flamurin e Abërit“. Aty ku sot lexohen mjaft mirë „kiaroskurot“ (dritëhijet) që ai shembi dhe na la dritë të shohim përtej errësirës që krijon vetë drita e emetuar për të të errësuar. Në këtë dritë nxënësit folën mjaft mirë. E bënë më të lehtë edhe këtë angazhim plotë dritë.


Shënim: Fotot u realizuan nga mjeshtri Lirim Abazi

10 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page