top of page

Kur këndonte Naim Shëngjergji i pavdekshëm


Kur këndonte Naim Shëngjergji i pavdekshëm


Prof. Dr. Fatmir Terziu


Atë e dëgjonim më së shumti nëpër dasma. Dhe aty ku zëri i tij oshëtinte, natyrishëm gjithkush atë e ndiqte, e shoqëronte, e bëhej korr. Zëri pastaj oshëtinte anë e mbanë, dhe jo vetëm në qytet, jo vetëm në Elbasan. Ai zë të ngrente instiktivisht prej vendit, ai zë njihej nga të gjithë, ishte zëri i thjeshtë, por melodioz i Naim Shëngjergjit.

Naim Shëngjergji këndonte këngët e Bodinit, këndonte këngët e Myzyrit, këngët e Vinit, por edhe këngët e tij të shlirshme, të teksteve të tij të ndihshme, edhe kur liria e teksteve ishte e frikshme. Ai kishte një tekst dashuror, të lirë, demokratik, një tekst dhe një melodi që gjithkush e kapte lehtazi pa frikë. Ndaj ai u bë mjaft popullor në vitet që mori përsipër të bëhej kryefjala e dasmave në Elbasan.

Ai ishte jo vetëm një artist popullor, por dhe një njeri me shpirt e zemër të madhe. Ai ishte bujar, human dhe fisnik. Mbaj mend një rast të një familjari të ardhur rishtas në Elbasan, por që dasmën kishte vendosur ta bënte në krahinën nga kishte ardhur, pasi prindërit e tij të vjetër nuk donin të vinin në qytet. Ai kishte dasmën e djalit të tij. Dhe vetëm ditën e parafundit një nga orkestrat e pajtuara muaj më parë ia kishte dredhur me një këngëtar që kishte shkuar në një dasëm tjetër. Naimi, që gjendej jo pak herë afër ish-Shtëpisë së Kulturës, e dëgjon këtë rast dhe i vjen në ndihmë, duke mos bërë bujë dhe zhurmë. Atë natë të diele, aty u dëgjua një zë melodioz. Karakteristika ishte zëri i pazakontë i këngëtarit, i cili këndoi një këngë të zgjeruar dashurie. Dëgjuesit ishin të hutuar dhe pyesnin se kush ishte ky këngëtar me një zë të jashtëzakonshëm.

Naim Shëngjergji këndoi dhe dasma mori zjarr. Ai me shokët e tij të ndarë në dy orkestra, bënë mrekullinë që mbahet mend nga familjarët e asaj dasme, dhe nga mjaft të tjerë që më pas e përcillnin mirësinë e Naimit duke gjerbur kafenë në mes të Elbasanit. Ka qenë kënga “Tetëmbëdhjetë vjeç dhe moj” që ka hyrë në repertorin e tij si një nga perlat e këngëve rinore në vite. Thashethemet thonë se kjo këngë që u bë e njohur është shkruar nga dashuria e sinqertë e autorit që kujdesej për dhimbjen e tij therrëse në zemër. Ajo këngë është liri, është melodi, është vrull, është mesazh, është thirrje, zë, gumëzhimë lirie. Janë dhe disa të tjera, që vitet ia shuan nga kohërat e errëta, që nuk e donin lirinë dhe vrullin e lirë rinor. Gjithashtu, ato këngë janë të pamundura për t'u shënuar. Edhe nëse në performancën e dikujt janë të incizuara, atëherë, pa e ditur mënyrën e këngës, është e pamundur të realizohen. Veçantia e këtyre këngëve të kënduara është se edhe pa i kuptuar fjalët, njeriu si magnet zgjatet drejt melodisë dhe befas fillojnë të rrjedhin lotët. Ka gjithashtu shumë kujtime të njerëzve që kanë vizione të tilla të hapësirave dhe kujtimeve ku nuk kanë qenë kurrë kur këndojnë këngë të gjata.

Jo më kot sot në Perëndim interesohen dhe hetojnë fenomenin e tillë lirik të dalë nga mendja e lirë dhe nga shpirti artist. Në këtë kontekst, kënga e tillë veçohet ndër këngët e tjera si më e vështira, por edhe si më e bukura për t'u interpretuar. Jo të gjithë mund ta zotërojnë këtë art, teknikisht është i vështirë dhe kërkon shumë aftësi dhe talent. Interpretuesit duhet të kenë një gamë vokale prej të paktën dy oktava. Interpretuesit duhet të jenë ngjashëm me stilin dhe talentin e Naimit, gati tenorë dhe të formës së gjerë e lirike. Gama maksimale e një kënge të tillë të shkarkuar arrin dy oktavë me një të katërtën, ose të pestën, kur e interpretonte Naim Shëngjergji.

Naim Shëngjergji e ngriti lart ndër vite këngën popullore të Elbasanit. Këngët „Mu ke shtylla me gëlqere“; „Tabakone“; „Ty, Ty, Ty bie boria- Skoda ime-Kënga e shoferit“; „Bahçe bahçe me zambake“, këngët e shumta të dasmave, që i krijoi ai dhe mbi të gjitha kënga e teksti i tij që u bë hit, tetëmbëdhjetë vjeç…, e mjaft të tjera e të tjera, që ai i këndonte me shpirt e zemër, tashmë janë një thesar që mbetet për frymëzimin e talentëve të rrinj.

Me këtë rast, po ripostij një poezi timen, të përkushtuar për këtë artist të paharruar elbasanas, për Naim Shëngjergjin e madh, me të cilin, kur punoja gazetar në mediat dhe gazetat shqiptare, dhe sidomos kur punoja në TV „Dardan“ ndanim një copë kohë dhe bisedonim për art, kulturë dhe për këngët e qytetit të këngëve të mëdha në vite.


(Kantautorit dhe këngëtarit popullor elbasanas Naim Shëngjergji)

Nga Fatmir Terziu


Nata e kishte harruar mbulesën në netët e ftohta

kur ishte dehur

gjumi krihej trazavaç në qiellin e fryrë

luante vals me hënën e fshehur

nga dashuria,

e verdha vallëzonte gjerdan mbi pemë,

në skajin e mprehtë të ëndrrës,

merrte hua buzën e zbehtë,

ia merrte këngës

ai njëzetë vjeç dhe ti tetëmbëdhjetë,

gjithçka dhe pa gjithçka ngrihej prej vendit,

nga teksti i thjesht i Naim Shëngjergjit.

248 views5 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page