top of page

KUR GËNJESHTRAT-MASHTRIMET MPOSHTIN TË VËRTETATVUVOSET DREJTËSIA



VI.-PSE KA NDODHUR GJENOCIDI?

(WHY)?(¹)

Në mbyllje të kësaj trajtese le të njihemi me disa nga arësyet “Pse” është mbajtur ky qendrim i shtetit ortodoks Grek karshi pakicave etno-fetare. Për shtjellimin e tyre do të njihemi me disa dëshmi (witness) që tregojnë qendrimet hipokrite të palës greke ndaj të vërtetave.

● Italo-gjermanët, në vitet 1940-1945 e pushtuan Greqinë, nëpërmjet territorit të Shqipërisë, e cila ishte e pushtuar nga Italia fashiste më 07.04.1939. Me mbarimin e L2B shteti Grek, me që ato ishin dhe janë shtete të fuqishme, krijoi marrëdhënie diplomatike, bashkëpunimi dhe miqësie; ndërsa me shtetin Shqiptar (i pa fuqishëm), me pretekstin se u sulmua nga territori shqiptar, vazhdon të mbajë “Ligjin e Luftës”. Në thelb ky qendrim allagrek tregon qëllimin ekspansionist për të pushtuar edhe më troje shqiptare! Qendrim Lajkatar-obsequiousness, me ata që e pushtuan, dhe qendrim arrogant me fqinjin e mirë të dikurshëm, para krijimit të shtetit ortodoks Grek!

● Tmerri i vërtetë, si i djeshmi dhe i sotmi, që mban të pushtuar shtetin dhe kishën ortodokse Greke, janë të vërtetat historike që përmban Rajoni i Çamërisë (që sot përfshin tre prefekturat: Thesprotinë, Prevezën dhe Artën), të cilat me gjithë përdorimin e mjeteve, metodave dhe veprimeve keqdashëse për zhbërjen e emrit Çamëri dhe banorëve të saj autoktonë, si ata të krishterë e myslimanë (vllezër të nje gjaku) nuk ja ka arritur, kjo sepse dihet që të vërtetat nuk zhbëhen kollaj. 

● Rajoni i Çamërisë, i banuar nga banorë të etnisë shqiptare, historikisht asnjëherë nuk ka qenë i përfshirë në territorin e Greqisë para 1913-tës dhe as të Greqisë së lashtë. Por duke qenë territor etnik në vazhdim të kufirit greko-shqiptar, përbën ankth të vazhdueshëm të shtetit dhe kishës Greke. 

● Banorët e Thesproti/ Çamërisë, duke qenë se ishin dhe janë të besimit mysliman, nuk përcaktohen dot të kombit grek, sepse duhet të ndërronin besimin, të pagëzoheshin të besimit ortodoks. Një ndërrim i tillë në besimin fetar, i siguronte Kishës dhe shtetit Grek shtrirjen e helenizmit edhe në rajonin e Çamërisë. Nëse arrihej ai akt, veprim, përjetësohej rajoni i Çamërisë si territor grek dhe banorët e saj do të quheshin shtetas dhe kombas grekë. Kjo nuk ndodhi, siç ndodhi në rajonet e tjera të qyteteve dhe fshatrave shqiptare si të Janinës, Konicës, rajonit të Grebenesë etj. Një e vërtetë që mban të ndezur zjarrin e patriotizmit për vendlindjen e të parëve, nëpërmjet qendresës së pathyeshme të çamëve, banorë të etnisë shqiptare.  

Erdhën luftrat Ballkanike dhe dy Botëroret, ku diplomacia, forca shtetërore dhe pozicioni i favorshëm i ngjarjeve, i dhanë shanset e suksesit kishës dhe shtetit Grek, ku mashtrimet e tyre duke i përdorur herë me “Aleatët” dhe herë me “Boshtin”, arritën dhe e mposhtën qendresën paqësore të çamëve, por kursesi ndjenjën e ndërgjegjes kombëtare. 

● Kisha dhe shteti Grek, përdorën me sukses, përcaktimin e kombit mbi baza fetare. Në bashkëpunim me shtetin Turk, realizuan Konventën e turpshme, që banorët me besimin ortodoks, në trojet e tyre në Turqi, dhe që quheshin rum, i konsideruan të kombit grek dhe i përfshinë në këmbimin e popullsisë nga Turqia në Greqi. Po kështu vepruan edhe me banorët shqiptarë çam myslimanë të Çamërisë, duke qenë të besimit mysliman, i quajtën turq dhe gjysmën e popullsisë çame, e shpërngulën dhunshëm në Turqi. Ndërsa pjesa tjetër, megjithëse u vërtetua në Lozanë se nuk ishin turq, por të etnisë shqiptare, mbetën pa u shkëmbyer, gjë kjo që për kishën dhe shtetin ortodoks Grek ishte e papranueshme, prandaj vazhduan me mashtrime dhe “marifetet” greke, derisa sa arritën tek kryerja e gjenocidit etno-fetar ndaj çamëve myslimanë, të cilat tashmë janë të njohura por të pa dënuara. 

● Epiri, jo ai i termave të ndarjes që u shfaq nga viti 1914, në të vjetër dhe në të ri, ka lindur si emër gjeografik dhe politik aty nga shekulli i IV-të para Krishtit dhe u krijua mbi bazën e tre fiset ilire: Kaonët, Thesprotët dhe Mollosët. Epiri dhe epirotët, nuk ka asnjë dyshim, asnjëherë nuk janë përfshirë në hapësirë Greke, as në Greqinë e vjetër dhe as në të renë deri para vitit 1913. Por në fillimet e shekullit që shkoi lindi emri “Epiri i Veriut” ose “Vorio Epiri”. Duke qenë se në Epir, ashtu si në gjithë Shqipërinë kishte edhe shqiptarë të besimit ortodoks, sipas teorive abstrakte të kishës ortodokse greke, ata i quan grekë dhe territorin e lakmojnë hapësirë greko-helene.

Del shumë qartë se kufiri shpresëmbajtës i kishës dhe i shtetit Grek për “Vorio-Epirin”, që, sipas tyre fillon me jugun e Shqipërisë, u prish punë dhe hedh në “erë” gjithë pretendimet dhe mundin për “Vorio Epirin”. Kjo sepse rajoni i Thesproti/Çamërisë, është shumë më në jug se Përmeti, Këlcyra, Himara, etj, si rrjedhojë nuk mund të shkohet në “Vorio-Epir” pa kapërcyer malet, fushat, detet dhe lumenjtë e Çamërisë. Prandaj Rajoni i Çamërisë dhe banorët çamë myslimanë, bashkë me “Çështjen Çame”, kurrsesi, sipas palës greke, nuk mund të ekzistojnë, dhe për këtë ndërtohet kori grek “Çështja Çame” është inekzistente. Andaj ata tmerrohen sa herë u dëgjojnë veshët këtë çështje, që për ta është vdekje e “Epirit të Veriut” dhe e frenimit të përhapjes së helenizmit në trojet shqiptare.

● Edhe marrëveshja dypalëshe nuk ka arritur ende të kapërcejë racizmat e lloit “Pavlopoulos“, fakt ky i qartë që pala greke nuk heq dorë nga synimi i shtrirjes dhe zgjerimit të helenizmit, prandaj shteti Shqiptar nuk ka pse të humbasë më kohë. Me që po shtjellohet problemi i komunitetit shqiptar të Çamërisë, shteti Shqiptar është me shumë vonesë në krijimin e një organizmi të veçantë, me miratim nga Parlamenti dhe i dekretuar nga Presidenti i Republikës. Ky organizëm është tepër imediat dhe një orë e më parë duhet të krijohet dhe të ngarkohet me fillimin e procedurave për hartimin dhe dërgimin në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës Akt-padinë ndaj Republikës së Greqisë, për gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve të rajonit të Thesprotisë si dhe të drejtat e komunitetit shqiptar çam të besimit të krishter me banim në vendin e tyre në Çamëri, sipas Konventave dhe Ligjeve Ndërkombëtare. 

● Hipokrizia, ligësia dhe nënvlerësimi inferior që mbart shteti dhe kisha greke ndaj kombit shqiptar, del qartë edhe në incidentin me heqjen e flamurit grek, nga nxënësit feancezë në një varkë në ishullin e Kretës-Greqi. Fillimisht incidenti shkaktoi reagime të forta dhe u vu në qendër të vëmendjes dhe pa asnjë burim informacioni, akuzat u derdhën “lumë” ndaj shqiptarëve me pretendimin se flamuri grek ishte hequr nga shqiptarët. Më pas u saktësua se heqja e flamurit ishte kryer nga disa nxënës francezë, pala greke nuk i akuzoi nxënësit francezë, por me dinakërinë e saj e justifikoi veprimin e nxënësve francezë, të cilët i përkasin një shteti më të fuqishëm dhe superior ndaj shtetit grek, me finokllëk (insidious), gjoja se nxënësit francezë e hoqën flamurin për ta patur si “suvenir”!!. Gjetja e justifikimit nga pala greke, është një mashtrim për faktin se nxënësit e kujtdo shteti, një flamur grek për “suvenir” mund ta blinin ose mund t’ju dhurohej nga agjencia turistike. Trajtohet kjo ndodhi rutinë për të treguar qendrimet armiqësore të palës greke dhe dy fytyrësinë e saj ndaj të përdorur në të gjitha rastet kundër kombit tonë. Në rastin konkret, nëse atë veprim do ta kryenin nxënës shqiptarë, do kuzohej Shteti Shqiptar, në Bruksel po se po, por deri edhe në OKB.

Shteti Grek, nëpërmjet mashtrimeve arrin që të vërtetat ti paraqesi të pavërteta me synim përdorimi për përkeqësim dhe armiqësi mes dy vendeve tona. Mënyra se si u përdor nga pala greke incidenti i flamurit, me pak humor, na lë të kuptojmë se edhe pushtimi i dikurshëm "nazi-fashist”, nuk ishte se ata donin ta pushtonin Greqinë, por e deshën për "souvenir”, ndërsa me shtetin Shqiptar, megjithëse nuk ka luftuar asnjëherë territorrin grek, vazhdon të ruaj “Ligjin e Luftës” dhe të tjera qendrime të marrosura. Këto janë disa nga “Pse-të” e kryerjes së gjenocidit ortodoks grek ndaj banorëve të Çamërisë!.            Disa përfundime

● Mos harroni: Të vërtetën e madhe e keni mes jush, tek ata që janë më të mëdhenj se ju, ata mbartin edhe të vërtetat e brezave para tyre. Të gjitha ngjarjet e shkuara, për ju janë të reja, ndërsa për ata jo!. Mbani parasysh se ngjarjet para se ti lexoni, apo dëgjoni, krijoni kujtesën se etnia shqiptare, e kudo ndodhur në Gadishullin e Ballkanit, i ka ndierë, si i thonë fjalës, në “mishin dhe thoin“ e tij të gjitha mashtrimet, përbuzjet, diferencimet profane (përdhosëse), deri edhe spastrimet etno-fetare, shpërnguljet me dhunë, të cilat kanë hyrë në vetëdijen e traumatizuar fizike dhe shpirtërore të brezave para jush. Mos u besoni deklarimeve greke, qofshin dhe të pranueshme, në brendi të tyre fshihen gënjeshtrat, mashtrimet, hipokrizia, por i dëgjoni dhe me kujdes e durim i hetoni!

 ● Për të  ardhmen alternativat janë nga më të ndryshmet, por  mendoj se njerëzit pas shumë përpjekjesh arritën të shkëputen nga “Katërkëmbëshi”, por në të ardhmen, fatkeqësisht njerëzimi po shkon drejt  “shkëputjes”  edhe nga “Dykëmbëshi, si efekt i inteligjencës artificiale.  

● Kush është Atdheu për këtë grupnjerëzish (komunitetin çam) që sapo u fol?. Përvoja personale më shpie në përkufizimin: Po. Atdheu i tyre është një kujtim fëmijërie, e gërshetuar me dëshirën dhe shpresën për t’a rigjetur!?. Atdheu është historia jonë, janë ngjarjet e përfshira në kujtesën e kombit ndër shekuj, është flamuri, identiteti dhe rrënjët tona, janë gjuha e nënës, traditat, zakonet. Atdheu ështe djepi i fëmijërisë së secilit dhe për fatlumët është edhe streha e prehjes së përhershme.

● Kujtohuni se “Gjenocidi ortodoks grek ndaj banorëve autoktonë të Rajonit të Çamërisë”, me etni dhe besim fetar ndryshe nga ai i shtetit Grek, është dhe mbetet një “Holokaust moral, politik, social, ekonomik i rëndë”, por dhe përcaktues i seriozitetit të Euro-Atlantikëve ndaj zbatimit të parimeve demokratike.

● Dijetarët para nesh, shqiptarë dhe të huaj, edhe të kombeve që na kanë sunduar dhe kërkuar asimilimin, jo vetëm që nuk e kanë vendosur kombin tonë në hemisferet e lindjes, por kanë deklaruar me shkrim e me zë se: “Në mesjetë, Albania ishte e zhvilluar në nivelet e vendeve më të përparuara të europës”. Krahas rolit të fisnikëve arbëror, në lidhjen e Albanisë me perëndimin, luajti rol kisha katolike, si thotë M. Šufflai:“Me ndihmën e Selisë së Shenjtë, Tivari dhe më pas e gjitha Albania, u shndërruan në bazat operative të perëndimit, kundër ortodoksisë dhe kundër sllavizimit”; ndërsa L.Thallòczy shkruante: “Françeskanët ishin e vetmja rezervë e perëndimit, që qëndroi në Albania dhe kur interesat e Europës për këto vise u shterën krejtësisht".(shif Prof.dr.Lutfi Alia, tek “Zemra shqiptare”, dt. 08/06/2020).-

Paragrafe këto që tregojnë dy të vërteta të veçanta, specifike, që e kanë ndarë dhe e ndajnë kombin tonë, si me lindjen dhe me ortodoksinë e Bizantit (lindjes). Janë pikërisht këto dy qendrime dhe të vërteta shqiptare, që kemi qenë dhe jemi shinjestra (objekt) sulmesh nga kishat ortodokse serbo-greke.

Në përmbledhje të historisë 100 vjeçare të komunitetit shqiptar të Çamërisë, të cilat u renditën sipas gjashtë pyetjeve, që përbëjnë strukturën e përgjithshme të elementeve të ndryshme të fjalive, konkretisht: WHO- WHAT-WHERE-WHEN-HOW- WHY, në shqip: KUSH-ÇFARË-KU-KUR-SI-PSE, mendoj se kam arritur të jap edhe gjashtë përgjigjet, të cilat tregojnë vërtetësinë e historisë së trishtuar dhe tronditëse të banorëve të krahinës etnike shqiptare të Çamërisë që nga viti 1913 e në vazhdim. 

● Pyetja e shtatë i takon të ardhmes së tyre, por përgjigjja e pyetjes së shtatë është shumë komplekse dhe e vështirë, për vetë faktin se kjo pyetje lidhet me numurin 7 (shtatë). Dihet, njerëzit numrin 7 e konsiderojnë numër të “Fatit”, kjo pasi përkon me disa të vërteta natyrore si: java ka shtatë ditë, ylberi ka shtatë ngjyra, shtatë janë notat muzikore, shtatë kontinente, shtatë janë mrekullitë e botës, një tjetër sistem Diellor që ka 7 Planete, shtatë mrekulli janë edhe në vitin 2020.

Në Gadishullin e Ballkanit njihen 7 popuj sipas racave: shqiptarët, maqedonasit (thrakët), grekët, rumunët, turqit, sllavët dhe egjyptianët. Nga këta, dy popuj kanë qenë dhe janë agresorë, ekspansionistë, njëri nga këta është një pjesë e sllavëve që përfaqësojnë shtetin serb (i ardhur në këto troje) me strategji: projektin “Нацертание” (Naçertanie) (1844); tjetri është shteti ortodoks grek (shtet i sajuar me bazë fenë-ortodokse) me strategji- projektin “Μεγάλη Ιδέα”-Megalloidea që parapriu shpalljen e Kushtetutës të vitit 1844. Kuptohet, nuk është e nevojshme të ndalemi tek “pse”-ja e këtyre dy shteteve, që në të njëjtin vit hartuan të njëjtën strategji për shfarosjen e etnisë shqiptare. Nisur nga ky realitet, në mos qofsha i gabuar, por qofsha i mirëkuptuar, mendoj se përgjigja e pyetjes së shtatë (e ardhmja e komunitetit çam), lidhet me seriozitetin, sinqeritetin, përgjegjshmërinë e “Euro-Atlantikëve” në venien në zbatim të të Drejtave Universale të Njeriut. 

Nëse arrihet që komunitetit shqiptar të Çamërisë do ti njihen të gjitha të drejtat sipas Konventave dhe Ligjeve Ndërkombëtare, atëhere përgjigja e pyetjes së shtatë, është se vërtet numuri 7 është numur “Fati” dhe të gjithë popujt e Gadishullit të Ballkanit, do të kenë “fatin” të jetojnë në paqe, do të sigurohet vllazërimi, bashkëpunimi reciprok dhe bashkëjetesa kaq shumë e dëshiruar prej të gjithëve. Është detyrim dhe domosdoshmëri që e nesërmja t’a korigjojë historinë gjeo-politike të Rajonit të Çamërisë, sepse është një e drejtë e pamohueshme historike.   

●- Zakonisht tre qendrime njihen në vendim marrjet  e çdo lloj problemi: pro veprim; kundër veprim; dhe mos veprim. Në trajtimin e historisë së shqiptarëve të Çamërisë, ku ndaj saj u vërtetuan qendrimet armiqësore shumë dimensionale të kryera nga disa shtete dhe insitucione ndërkombëtare, arrihet në dallimin e vendimmarrjeve. 

● Pala greke që nga viti 1913 e në vazhdim është karakterizuar nga qendrimet kundër të vërtetave dhe të së drejtës;

● Pala shqiptare që nga 1939 e në vazhdim karakterizohet nga qendrimet e mos veprimit ndaj të vërtetës dhe të së drejtës; 

● Ndërsa vetë pala e dëmtuar (shqiptarët e rajonit të Çamërisë) karakterizohen nga qendrimet pro veprimit të së vërtetës dhe kërkimit të vendosjes të së drejtës.

 Duke shkruar mendimet në fund të këtij studimi, u njoha me një konkluzion të Friedrich Nietzsche të botuar tek "Fjala e Lirë" nga z. Arqile V. Gjata: "Nëse e vështroni për një kohë të gjatë humnerën edhe ajo ju vështron juve". Gjykova se kjo thënie shumë kuptimplotë, nëse do ta përdorim në rastin e ngjarjeve të masakrave dhe dëbimit të komunitetit çam (humnera e padrejtësisë së çamëve), duke mos e harruar dhe trajtuar vazhdimisht problemiin, sigurisht edhe për një kohë të gjatë, konstatoj se vërtet Çamëria çështjen e banorëve të saj nuk do na harrojë, por do të na vështrojë neve. Kështu që Çamëria sëbashku me njerëzit e prejardhur prej saj, sigurojnë përjetësinë e tyre.

MOS HARRONI ÇAMËRINË!

76 VJET GJENOCID ETNIK, FIZIK, PRONËSOR, DHE MORAL

Shënim (¹):- Si një memorial në 76 vjetorin e gjenocidit për 8,332 burra, gra dhe femijë që humbën jetën gjatë gjenocidit ortodoks grek në vitin 1944 dhe për 19,314 çamët që gjatë 76 viteve kanë ndërruar jetë larg vatanit, duke marrë me vehte ngjarjet masakruese, dhimbjet e shpirtit për pronat e shpronësuara, plagët, dëshpërimet, pasojat e dëbimit të dhunshëm dhe marazin që nuk e vizituan më vendlindjen e tyre.    

Tiranë, më 15/Qershor/2020.     Studiues  Fahri Dahri

14 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page