top of page

Kur fliste shqip "Robinson Kruzo"


Prof Dr Astrit Bishqemi

Astrit BISHQEMI

1.

Lumo Skëndoja (Mithat bej Frashëri) përmendej si i pari përkthyes kur bëhej fjalë për Daniel Defonë në shqip; thuhej se ai që më 1909-n kishte botuar në Selanik pjesë nga romani "Robinson Kruzo". Dhe se përkthimi i plotë i atij romani qe bërë nga Halit Selfoja e Bujar Dokoja më 1966 (ribotuar: 1982, 1998). Por e vërteta qëndronte ca më ndryshe…

Në librushkën "Librari-kartoleri "ARGUS" / KATALOGU I LIBRAVE/ Tiranë, 1934/ Shtypshkronja Gutemberg" hasëm në një informacion të vlefshëm. Në f. 29, 30 të asaj broshure shënohej se libri "Robensoni" i Daniel Defosë njihte tri botime të përkthyera respektivisht nga L. Skëndo, Dh. Kotti, Dr. Georg Pekmezi.

Veç këtyre gjetëm edhe një përkthim të bërë në Shkup nga Remzi Pustina.

U munduam të hulumtojmë rreth këtyre botimeve, si dhe përkthyesve të tyre.

2.

Mithat Frashëri (Lumo Skëndo) (1880-1949), siç dihet, qe biri i Abdyl Frashërit, nip e nxënës i Naimit e i Samiut. Së bashku me Faik Konicën, konsiderohen nismëtarë të prozës artistike shqiptare. Njeri me aftësi e dhunti intelektuale, veprimtar e krijues patriot.

Ai u lind në Janinë më 25 mars 1880. Në moshën trevjeçare u shpërngul në Stamboll, ku edhe u dha me mish e me shpirt pas mësimeve që të bëhej njeri i ditur, në mënyrë që t`i shërbente sa më mirë vendit e popullit të vet, Shqipërisë e shqiptarëve. Iu vu edhe mësimit të gjuhëve të huaja. E jo vetëm turqishtes. Qysh kur ishte trembëdhjetë vjeç, ai shkruan se "Në frengjisht kam zotësi e kompetencë të gjerë. Persishten e marr vesh, arabishten e kuptoj, gjermanishten e greqishten i lexoj" [1]

Në vitin 1905 Mithati vendoset në Selanik, ku pas tri vjetëve zgjidhet edhe kryetar i shoqërisë së shqiptarëve të atij qyteti, shoqëri e cila hapi një klub dhe një shkollë shqipe. Në këto vite shkolla shqipe u hapën edhe në shumë qytete të tjera të Shqipërisë. Shqiptarët kërkonin të shkuanin e të lexonin në gjuhën e tyre. Për këtë gjë duhej zgjidhur problemi i alfabetit dhe të shkruheshin e të botoheshin sa më shumë tekste mësimore e libra të tjerë në gjuhën tonë.

Ky qe edhe qëllimi i Kongresit të Manastirit, që u mblodh më 22 nëntor 1908. Me votime të fshehta kryetar i punimeve të tij u zgjodh Mithat Frashëri. Kurse në komisionin e ABC-së (alfabetit) kryetar u zgjodh Gjergj Fishta, ndërsa anëtarë: Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Mithat Frashëri.[2] Me propozimin e këtij komisioni u vendos që për dy vjet prej shqiptarëve të përdoreshin të dyja abc-të: ai i Stambollit dhe tjetri, thjesht latin.

Në vitin 1909 Lumo Skëndoja nxjerr në Selanik revistën kulturore "Diturija". "Programi dhe qëllimi ynë është që ta bëjmë një revistë të dobishme, pak a shumë për të gjithë këndonjësit, për nxënësit, studentët, mësonjësit, si dhe për amatorët e këndimit dhe të nxënit, të japim një lëndë të këndshme për një ushqim moral për çdo intelektual", – thotë botuesi i asaj reviste[3].

Më vonë, për një kohë, Mithat Frashëri jetoi e veproi në gjirin e kolonisë shqiptare të Sofjes. Atje drejtoi e botoi Kalendarin kombiar, që doli për më tepër se tridhjetë vjet (1897-1928) dhe, siç vlerëson studiuesi Prof. Nasho Jorgaqi[4], u bë një enciklopedi e vogël kulturore-letrare për shqiptarët. Si gazetar ai gjatë gjithë jetës dha ndihmesë të veçantë. Kështu, në vitet 1908-1909 botoi në Selanik gazetën e përjavshme politiko-letrare Liria; në Zvicër revistën dymujore në gjuhën frënge L'indipendence Albanaise (Pavarësia e Shqipërisë).

Në kohën e Zogut, në vitin 1926, ky veprimtar i çështjes shqiptare u largua nga shërbimi diplomatik, ku shërbeu disa vjet, u vendos në Tiranë dhe hapi një librari.

Mithat Frashëri qe personalitet me kulturë të gjerë. Ai pati një bibliotekë me rreth 19.000 vëllime[5], që më pas u bë baza e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Qe themelues i Ballit Kombëtar në vitet e Luftës. Për këtë arsye sistemi monist dhe Partia Komuniste e konsideruan tradhtar dhe ia mohuan të gjitha përpjekjet, punën dhe veprën e këtij gjeniu të kombit tonë, siç e quan një nga studiuesit e kësaj figure, Uran Butka. Për këtë arsye, pas Luftës së Dytë Botërore ky atdhetar detyrohet të largohet nga Shqipëria mëmë, nga ajo Shqipëri për të cilën u robtua me mish e me shpirt gjatë gjithë jetës. Emigroi në ShBA, ku edhe vdiq në vitin 1949.

x x x

Duke marrë shembull nga xhaxhai, Sami Frashëri, e nga rilindasit e tjerë, Mithati bën thirrje për libra "popullorë", që lexohen e kuptohen prej kujtdo, "libra të diturisë së vulgarizuar" siç i përcakton ai, për të cilët shprehet se janë "po aq të dobishëm sa edhe librat e shkollës për një popull të mbetur larg dijes e qytetarisë" [6]

Dijet me të cilat u pajis, Mithat Frashëri nuk i mbajti si stoli për vete, por i vuri në shërbim të të tjerëve. Shkruan pareshtur. Në Bukuresht boton më 1898 broshurën "Mënyrat e mjeshtërive". Për të autori 18-vjeçar sqaron: "Kjo librë është fort e shkurtër, por është edhe mjaft e gjerë, për t`u dhënë të kuptojnë nxënësve se kanë një barrë gjëra për diturinë". [7]

"Harton e boton në Selanik më 1901 "Këndimet", tekst për shkollat shqipe; në Sofje më 1902 "Dhetregonjë" (gjeografi, biologji, darvinizëm); në Bukuresht më 1902 "Metodë praktike për të mësuar gjuhën frënge" si dhe në vitin 1908 një metodë të gjuhës angleze për shqiptarët që dëshironin të mësonin vetë anglisht, plotësuar me një fjalor të vogël anglisht-shqip. Në Selanik boton "Këndime për shkollat e para" (1910) ndërsa në Stamboll shtyp sipas programit të mësonjëtoreve të para: "Këndime" (1912), "Këndime diturie me figura" (1912), "Dheshkronjë me figura dhe harta" (1912)…[8]

Këto janë që të gjitha libra në ndihmë të shkollave. Po krahas tyre, Mithat Frashëri përkthen e boton nga gjuhët e Perëndimit edhe libra artistikë: romane, tregime dhe përralla, si: "Gaulleme Telli-n" e Lamartinit (1898), "Bëje të mirën pa hidhe në det" të Hofmanit, nga gjermanishtja (Sofje, 1900); "Robenson" të Defosë nga frëngjishtja (Selanik,1909); "Shkurtabiqi i verdhë, Miu i vockël, Sorkadhja e bardhë" nga anglishtja (Sofie, 1914) etj.

Që i ka përkthyer e botuar për fëmijë e të rinj shumë nga këto vepra, dëshmon edhe fakti që disa nga ato mbajnë në mbulesë apo në faqen e parë shënimin Prallë për djemtë apo Libërtore e djemet:

- "Prallë për djemtë/ BËJE TË MIRËN PA HIDHE NË DET/ Prej Franc Hofman/ Shqipëruar nga gjermanishtja prej Lumo Skendo/ Sofje/ ndë shtypshkronjet shqipe "Mbrodhësia" Kristo P. Luarasi dhe Kosta I. Trebicka, 1900"

- "Libërtore e djemet, nr.1/

Shkurtabiq` i verdhë

Miu i vockël

Sorkadh` e bardhë

Prej Komtesa D`Aulnoy / shqipëruar nga anglishtja prej: Lumo Skendo/ Sofje/ Shtypshkronja dhe Libraria "Mbrodhësija"/ Kristo. P. Luarasi/ 1914"

Kështu, nxjerrim si përfundim që Lumo Skëndon mund ta konsiderojmë me plot gojën edhe shkrimtar të letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj.

x x x

Përkthimi i Mithat Frashërit ka këtë mbulesë:

"ROBENSON / prej Daniel De Foe / shqipëruar shkurtazi prej Lumo Skëndo / Selanik, shtypshkronja "Mbrodhësia" Kristo Luarasi, 1909"[9].

Libri është botuar me alfabetin që vendosi Kongresi i Manastirit. Ky fakt del edhe po të shikojmë shtypin e kohës. Te gazeta "LIRIJA", që botohet në Selanik nën drejtimin e Lumo Skëndos, në numrin e datës 18 vjeshtë e 2-të 1908, lajmërohet se ka një javë që shtypshkronjën "Mbrodhësia" të Kristo Luarasit e ngritën nga Sofja dhe e sollën në Selanik me makineri, shkronja etj.

Po në këtë gazetë, në numrin e datës 14 shkurt 1909 ka një "zëdhënje": "U apim zë këndonjësve se shtypëm Abetaren me shkronjat që zgjodhi Kongresi i Manastirit, me të cilat po shtypet edhe gazeta LIRIJA që nga numri 20 e këtej.".

Rrjedhimisht, del se edhe libri "Robenson" u shtyp me të njëjtat shkronja.

Në të njëjtin libër, në mbulesë dhe në frontespic, jepen dy vite botimi: 1909 dhe 1910. Mos është kjo një lajthitje?

Jo.

Gazeta LIRIJA, në nr. 54 të saj, mot i dytë, datë 25 korrik 1909, ka filluar të botojë si nënfletë librin ROBENSON. Botimi me puntata ka vazhduar në njëzet numura dhe përfundon në nr. 73, datë 30 janar 1910. Menjëherë, pastaj, po në atë gazetë, në nr. pasues jepet njftimi se libri u shtyp veçan:

"ROBENSON

Kjo librë u shtyp veçan me 110 faqe. Është një libërzë që mund të këndohet prej çdo njeriu me dëshirë të madhe, ashtu si në shkollë si librë këndimi…"

Pra, libnri është dorëzuar e është radhitur në shtypshkronjë gjatë vitit 1909, ndërsa data e saktë e daljes dhe e hedhjes së tij në qarkullim është janar 1910.

Le të kridhemi tani në brendësi të faqeve të tij për të nxjerrë në pah disa nga vlerat e këtij botimi.

Për ta afruar në kohë një vepër që është shkruar e botuar aty e njëqind e nëntëdhjetë vjet më parë (1719 – 1909), Lumo Skëndoja ka bërë shumë shpjegime me shkronja të vogla në fund të faqeve. Këto shënime janë të natyrave të ndryshme.

Kemi shpjegime të natyrës gjeografike, për një sërë vendesh në të cilat endet ngjarja. Për shembull, në f.6 për emrin Kanari – Nisitë Kanari janë në perëndim-veri t`Afrikës, në f.7 për Brazilin shpjegohet se ai është një vent i parë n`Amerikë të Jugësë, në f.8 për Barbadësë – një nisi në mëngët të Meksikësë, n`Amerikë etj.. etj.

Disa shpjegime kanë të bëjnë me dijenitë e ndryshme shkencore, historike etj..: Njeriu duke ecur në këmbë mer afro 4 kilometra n`orë (f.18); Në vendet tona djelli gjithnjë në mezditë është nga perëndimi, po në vendet që janë nënë barëzimt (ekuator – sh. im, AB) djelli në mesditë është drejt mi kokët të njeriut (f, 27); qillogram – një mijë gram, do-me-thënë 312 derhem (f. 39) etj.

Shpesh përkthyesi shpjegon fjalët e huaja, si: kanibal (është fjalë në gjuhë të vendëset t`Amerikës dhe do-me-thënë njeri i egër që ha mish njeriu, f. 80); senjor (spanjisht do të thotë zot, f. 99) etj.

Po ky kujdes nuk mbaron këtu. Si gjithë rilindasit, Mithat Frashëri i jep shumë rëndësi pastërtisë së gjuhës shqipe. Në skicën "Shqip kuvendojmë apo çorbë trazojmë", botuar te Kalendari Kombiar i vitit 1906, qorton ata shqiptarë që përdorin fjalë të huaja: "Bëjmë faj duke përdorur fjalë të huaja, harrojmë fjalët shqip, dhe prishim gjuhën tonë… Në vend që të themi efëndëm, duhet të themi zot, zotni… në vend të kalimera, fjalën e bukur shqipe – mirëdita, në vend të efharisto, fjalën e mençur shqipe – tungjatjeta etj"[10]

Kurse në gazetën "Liria" më 1909: "Gjuha shqipe është shenja e gjallërisë sonë, e bukurisë sonë, është shpirti ynë. Të punojmë për bukurinë e saj, të njohim gjithë hollësitë dhe thellësitë e saj".

Edhe në përkthimin për të cilin po bëjmë fjalë, Frashëri i kushton vëmendje të veçantë gjuhës. Ajo është shumë e pastër dhe prioritare. Barbarizmat e shumta turke e greke të kohës, të cilat gjëllonin si ferra në lëndinën e blertë të shqipes, autori mundohet t`i tëharrë duke futur në ligjërimin e tij fjalë të pastra shqipe, duke e pasuruar edhe me fjalë të reja. Ja një mori fjalësh që jepen me shpjegim edhe në fund të faqeve: anijetarët (njerëzit e anijesë: gjemiçi); avllanije (vapor: anije që ecën me avull, f. 5); tregtar (tyçar, f. 6); plan (tertip, f.6); këshillë (nasiat, f.7); pikasa (mora vesh, kuptova, pashë, f. 16); timon (turq. dymen, f. 16); sulm (turq. huçum, f.20); qerre (arraba, karrocë, f.32); kushinë (vent ku bëhetë buka; ashëf, kuzina; magjirjo, f.32); shkak (sebep, f.36); të shpeshtë (që bëhetë shumë herë, f.38); më kushtoj (më qëndroj, më kostisi, f.39); orë (saat, f. 40); falje (dua, f.42); shtrat (jatak, stroma, f.42); të shëtitja (të gjezdis, f.42); pyllishtë (i mbuluar me pyll, f..45); mërzitur (sëkëlldisur, f.48); tjegull (qeramidhe, f.56); pendim(pishmanllëk, metanoisis, f. 75); qetësinë (rahat, f. 79); me shumë zel (me zjarr, me dëshirë, f. 90); gotë (qelqe, potir, kadah, bardak, f.97); shërbëtor (hyzmeqar, ipiretis, f.105); mashtrim (hile, tertip, f.106) etj.

Disa nga këto fjalë të përdorura në këtë botim njiheshin në atë kohë (për shembull gjënden edhe në veprën "Kristomaci" të Gjerasim Qiriazit, botuar në Sofje më 1902, pra 7-8 vjet para), domethënë që nuk i ka krijuar Lumo Skëndoja. Atëherë lind pyetja: përse i shënon shpjegimet ai në fund të tekstiti të faqeve? Ndoshta ky është një tregues tjetër që këtë vepër autori ua adreson që në fillim moshave të reja, si dhe për ta bërë sa më të pëdorshëm librin për masat e gjera të lexuesve.

x x x

Siç shprehet vetë, "Robensonin" Lumo Skëndoja e "shqipëroi shkurtazi" nga romani i përmendur i autorit anglez Daniel Defo.Dëshirojmë të ndalemi ca në këtë term të tij, pra në faktin se ç`ka dashur të thotë Skëndoja me shprehjen "shqipëruar shkurtazi" dhe si duhet ta kuptojmë ne sot.

"Robensoni" nuk është vetëm një pjesë e romanit të Daniel Defosë, siç na është informuar në ndonjë rast, por i gjithi, veçse i "shqipëruar shkurtazi". Është ndërtuar në këtë formë jo sepse përkthyesi "i ka rënë shkurt", nuk ka patur kohë të mjaftueshme apo sepse ka përtuar ta përkthejë të gjithë veprën (gjë që do ta kishte edhe më të lehtë). Jo. Ai e ka botuar në një formë më të përtypshme për lexuesin shqiptar të asaj kohe, lexuesin e rritur fillestar e të pashkathtësuar, të pakualifikuar dhe atë fëmijë. Sidomos për këtë kategorinë e dytë, për lexuesin e moshës së njomë. Pra, nuk është thjesht një shkurtim me gërshërë, apo një redaktim, por një përpunim serioz, në formë më të thjeshtuar. Për këtë mund të bindemi qoftë duke krahasuar çfarëdolloj fragmenti të tij me ata të plotët: të Pekmezit apo të botimit tjetër – "Daniel Defo: Robinson Kruzo (roman) përkthyer nga Halit Selfo dhe Bujar Doko, Shtëpia botuese "Naim Frashëri", Tiranë 1966".

Ja, fillimi i romanit në përkthimin e Selfo-Dokos (f. 15-16):

Linda në motin 1632, në qytetin e Jorkut, nga një familje e mirë, por që nuk ishte vëndase, sepse im atë ishte një i huaj nga Bremeni, i cili në fillim u vendos në Hull. Atje arriti të verë mënjanë një pasuri mjaft të madhe me anë të tregtisë; pastaj, si hoqi dorë nga tregtia, u shpërngul në Jork, ku qe martuar me nënën time, bijë nga familja Robinson, një nga dyert e para të atij vendi. Prej tyre edhe unë u quajta Robinson. Im atë e kishte llagapin Krojcner, po, nga që englezët e kanë zakon t`i shtrembërojnë fjalët e huaja, neve na quajtën Kruzo. Tani edhe ne vetë kështu e shqiptojmë dhe e shkruajmë emrin tonë, Kruzo; edhe shokët e mi me këtë emër më thërrisnin kurdoherë.

Unë kisha dy vëllezër më të mëdhenj. Njëri ishte oficer në një regjiment englez të këmbësorisë që kish shërbyer në Flandër dhe që kish pasur dikur si komandant të famshmin Lokhart; ai arriti gradën e nënkolonelit dhe u vra duke luftuar me spanjollët në betejën e Dunkerkut. Se ç`u bë vëllai tjetër, as unë nuk e mora vesh, ashtu siç nuk muarën vesh më vonë im atë dhe im më se ç`u bëra unë.

Duke qenë djalë i tretë i familjes, nuk më mësuan asnjë zanat, dhe mua nisi të më mbushet koka, që në moshë të njomë me gjithfarë ëndërimesh. Im atë që ishte shumë plak, më kish dhënë mjaft dituri…

Të gjithë këtë pasazh Lumo Skëndoja na e ritregon me një fjali të vetme (f. 3):

Kam lindur më 1632 në qytet të Jork-ut, ku im atë ish hequr si kish lënë tregtinë. Im atë më kish dhënë një mësim mjaft të gjerë…

Siç mund të kuptohet, janë hequr e janë shkurtuar përshkrimet e gjata, arsyetimet etj., të cilat e plogështojnë veprën. Kësisoj, romani është bërë edhe më dinamik. Nga 370 faqe (format i madh) i përkthyesit Pekmezi, është dhënë me 107 faqe, madje me format të vogël (7-10 cm), nga Lumo Skëndoja.

Intelektuali Skëndo e ka bërë më bashkëkohor ritregimin e tij duke e ndarë në kapituj, gjë që nuk e shohim te përkthimi i Selfo-Dokos. Kapitujt e Lumo Skëndos nuk përputhen me ato të autorit Defo (me ato të përkthimit të Gjergj Pekmezit, se përkthimi Selfo-Doko është realizuar duke ia hequr fare kapitujt). Ky është një tregues tjetër i botimit së tij kryesisht për lexuesit e moshave të njoma ose për lexues jo fort të përgatitur.

Ja, kapitulli i fundit, XXXVIII, që përbehet vetëm nga tri paragrafe, as një faqe gjë e formatit të vogël, përmbledh 26 faqe të ligjërimit të Defosë.

Që nuk është një redaktim mekanik, mund të bindemi qoftë duke marrë në shqyrtim ditarin që Robisoni mban në ishullin e shkretë. Nga tridhjetë e ca datat e para (f. 81 - 87 të Selfo-Dokos), Skëndoja na ka dhënë shënime (edhe këto të thjeshtëzuara e të shkurtuara) vetëm për shtatë data, më të rëndësishmet (f. 31-33).

Gjithashtu, Lumo Skëndoja në librin e vet është përqëndruar vetëm në aventurën kryesore të Kruzosë, në jetën e tij në ujëdhesën e pabanuar, aventurë që në përkthimin e Gjergj Pekmezit shkon deri në faqen 222. Kësisoj, janë lënë jashtë pasqyrimit 150 faqet e fundit, të cilat bëjnë fjalë për udhëtimet e tjera të Robinsonit pasi ai kthehet në Angli prej ishullit të tij, në të cilin jetoi i vetmuar për njëzet e tetë vjet. Janë lënë jashtë edhe udhëtimet e peripecitë e para, në Brazil e në Afrikë. Personazhi Xuri (Pekmezi e ka përkthyer Syrjai këtë personazh) që i bëhet ndihmës, shok e mik në Afrikë (si Premti në ishullin e pabanuar) është hequr fare dhe nuk figuron në asnjë faqe të Lumo Skëndos.

Në botimin e Skëndos ka edhe ndryshime e thjeshtëzime të tjera. Për shembull, pjesa kur Robinsoni u drejtohet kryengritësve të anijes, të cilët janë zënë rob.

Sipas Gjergj Pekmezit kemi (f.221):

Në qoftë se edhe juve dishroni të vini me ne, kapidani po u merr, po vetëm në veriga dhe, me të mbrritur në Londrë, do t`u dorzojë gjyqit të përkatshëm, apo ma mirë me thanë konopit, se kjo asht vërte detyra e tij e këtë punë s`e luen as topi. Pra, në qoftë se u dhimset jeta, duhet të rrini këtu mbi këtë ujdhezë, e unë do të mundohem që t`u a lëhtësojë disa gjendjen e këtushme."

Asht e ditun se atyne ma tepër u kandte t`jeshin gjallë mbi ujdhezë, sesa të shkoshin n`Angli e të viheshin në konop. Mbasi ma çfaqnë këtë dëshirë të tyne të fundit, u dhashë atyne do këshilla të nevojshme përmbi mënyrën e jetesë atypari, ua kallxova atyne të gjith pasunit e mia mbi ujdhezë, të cilat…

Ndërsa Lumo Skëndoja (f. 108):

U thashë që, të gjithë doninë varurë në trat të madh t`anijesë; po do t`ja u dhuronja në daçin të më dëgjojn`e të rrinë në nisi; m`u falnë nderjes nga kjo fjalë. Me këtë u rrëfeva ca gjëra dhe u mësova qysh të rrojnë mirë.

Çka u tha këtu na shpie në përfundimin se libri "botuar shkurtazi" i Lumo Skëndos nuk është gjë tjetër veçse një përpunim i romanit të Defosë, një përshtatje e tij, një rikallëzim apo një ritregim, siç e quajmë ne sot.

x x x

Jo vetëm në botë, po edhe në gjuhën shqipe është e zakonshme një praktikë e tillë. Janë rikrijuar për fëmijë nga shkrimtarë të përmendur veprat: Iliada e Odisea e Homerit, David Korperfildi i Dikensit, Të mjerët e Hygoit etj. Njihen te ne përshtatjet, ritregimet e rikrijimet e Mitrush Kutelit ("Xinxifillua" dhe "Tregimet e motshme shqiptare"), ato të Odhise Grillos ("Historia e Skënderbeut", "Don Kishoti" etj.) e të ndonjë tjetri. Por sot, duke hedhur dritë mbi këtë vepër të hershme, "Robensonin", themi se po e pasurojmë fondin e librave tanë të ritreguar për fëmijë.

Edhe diçka tjetër. Mithat Frashëri nuk na e thotë origjinalin nga e ka përkthyer këtë vepër. Uran Butka shënon se ai e ka përkthyer nga frëngjishtja. Por, ka dy mundësi:

a) Vetë origjinali të jetë i ritreguar në mënyrë të shkurtër nga francezët. (Nuk është çudi kjo gjë. Gjergj Pekmezi, përkthyesi tjetër i romanit të plotë të Defos, na jep një shifër të pabesueshme në parathënien e botimit të vet, kur thotë: "Gjermanët deri më sot e kanë përkthyer 230 herë në mënyra të ndryshme përveç robinsinadave të panjehuna, që rrjedhin prej kësaj kryevepre".[11] Gjithashtu, siç do ta shikojmë në këtë studim më poshtë, edhe botimi në Maqedoni i këtij romani është një përshtatje, një ritregim). Pra, Lumo Skëndoja e ka marrë të gatshëm këtë ritregim. Dhe ne mbrojmë këtë mundësi. Veç atëherë libri nuk duhej të shënonte në mbulesë "shqipëruar shkurtazi", por "shqipëruar nga një variant i shkurtuar". Të jetë pasaktësi ky shënim?!

b) Mundësia e dytë është që përkthyesi ynë ta ketë bërë vetë përmbledhjen, të ketë përgatitur vetë një përkthim të përmbledhur, të shkurtuar, të përshtatur, të ritreguar.

Po të jetë kështu, pra po të jetë se "shkurtimi" është bërë nga vetë Skëndoja, duhet t`i lëvizim ca piedestalet; të themi se Mithat Frashëri është përshtatësi e ritreguesi i parë në letërsinë shqiptare për fëmijë e të rinj.

3.

Botimi i Gjergj Pekmezit mban këtë frontespic:

"Daniel Defoe: ROBINSON (CRUSOE) / Këtë veprë të famshme mbas do përkthimesh të mira gjermane e rikallzoi shqip Dr. Gjergj Pekmezi / E rekomanduar nga Ministria e Arësimit si libër leximi për klasat e nalta të shkollavet fillore dhe klasat e ulta të shkollavet të mesme / Tiranë, Shtëpia Botonjëse KRISTO LUARASI, 1936"

Për këtë botim prej 370 faqesh, revista e kohës "Shkolla Kombëtare", nr. 2/ 1937, f. 61, në rubrikën e saj "Bibliografi", shkruan:

"Është një libër shumë i dobishëm për këndim të lirë për nxënësit e klasave të larta të fillores e për ata të shkollave të mesme. Autori i tij Daniel Defoe, është bërë i famshëm prej këtij libri, por edhe zoti Pekmezi s`ka mbetur prapa në përkthimin e mirë e të rrjedhshëm që i ka bërë në gjuhën tonë."

x x x

Në leksikonin e Hasan Hasanit gjejmë këtë informacion për këtë përkthyes:

"PEKMEZI, Gjergj (1872-1938). Lindi në fshatin Tushemisht, afër Ohrit, dhe vdiq në Jenë të Austrisë. Mësimet e para i mori në vendlindje, të mesmet në Manastir, ndërsa studimet e larta i kreu në Beograd dhe Vjenë ku u diplomua për filozofi dhe filologji. Më 1903 emërohet shef i katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin oriental të Republikës së Austrisë. Më 1928 emërohet profesor i katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Vjenës, ku punoi derisa vdiq. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Vjenë, ku më 1924 emërohet konsull shqiptar. Njihet si gjuhëtar. Shkroi një gramatikë të gjuhës shqipe që është ndër të rëndësishmet e këtij lloji.. Po ashtu, për kulturën e letërsinë shqipe Gjergj Pekmezi është i njohur edhe si përkthyes veprash nga letërsia botërore në atë shqipe.

Vepra: "Gramatik der albaneischen sprache (Gramatikë e gjuhës shqipe) 1908 – Vjenë."

Në botimin "Asllani, Uran Prof. Dr. – Studentët shqiptarë të Austrisë dhe veprimtaria e tyre – Tiranë 2000, f. 170, nën titullin "Prof. Dr. PEKMEZI, Gjergj" marrim këtë informacion:

"Më 1900 dergohet në Shqiperi (nga Vjena - shën. im, A.B.) për të mbledhur materiale për studimin e dialekteve të gjuhës shqipe duke shkelur me këmbë gjithë viset e trojet shqiptare. Rezultat i kësaj veprimtarie është teza e doktoratës "Tiparet dalluese më karakteristike të dialekteve themelore të shqipes, gegërishtes dhe toskërishtes" dhe "Raporti provizor për studimin e dialektit të Elbasanit" që u botua më 1901, nga Komisioni Ballkanik i Akademisë së Shkencave të Vjenës.

… kur më 1 shtator 1916 krijohet "Komisia letrare e Shkodrës" ku marrin pjesë pesonalitetet e arsimit dhe kulturës shqiptare, Dr. Pekmezi zgjidhet si kryetar i saj. Ai ishte për përdorimin e dialektit të Elbasanit si fond bazë për gjuhën e unifikuar shqipe."

Prof. Jorgo Bulo te botimi "Magjia dhe magjistarët e fjalës", Dituria, Tiranë 1998, f 164, thotë për Dr. Gjergj Pekmezin:

"…ai botoi një sërë veprash shkencore: më 1908 botoi "Gramatikën e gjuhës shqipe", më 1909 së bashku me F. Manekun dhe A. Stos botoi "Bibliografi shqipe", më 1913 së bashku me H. Mosin botoi "Udhëzuesi i gjuhës shqipe", kurse po në këtë vit së bashku me M. Lambercin botuan "Libër mësimi e ushtrimesh i gjuhës shqipe", më 1904 botoi "Libër mësimi e ushtrimesh të gjuhës shqipe" me një shtojcë krestomaci i përgatitur së bashku me A. Hauser si dhe "Gjuha shqipe e dialektet", më 1924 botoi "Bletën" e Th. Mitkos të transkiptuar e të përgatitur prej tij. Në këtë bibliotekë të pasur veprash filologjike e didaktike duhen dalluar tre më të rëndësishmet: disertacioni për tiparet dalluese të dialekteve të shqipes, gramatika e gjuhës shqipe dhe botimi monumental i veprës së Mitkos." (f. 164)

x x x

Romani hapet me një parathënie të bërë nga vetë përkthyesi Dr. Gjergj Perkmezi dhe që mban në fund shënimin "Vjenë, 1927". (Që këtu mund të merret me mend se odisea e përkthimit dhe e botimit të kësaj vepre i ka kushtuar përkthyesit më tëpër se një dhjetëvjeçar pune).

Përkthyesi u jep lexuesve një informacion të thjeshtë për jetën e autorit Daniel Defoe: "I ati ishte kasap dhe kishte pasun dëshirë që t`i bëhet i biri prift, prandaj e kishte vendosun në nji seminar apo kolegj. Mirë po, porsa kishte dalë prej asaj shkolle, në fillim ishte marrë me tregti e industri e më në fund me shkrime, libra e fletore (botim gazetash – shën. AB) të ndryshme."

Dhe më tej thekson se ai guxoi t`ia mbante "kohës së vet pasqyrën parasysh". Danielin "shumë herë e kishin pas burgosur e disa herë e kishin vu edhe në pranga; po, kur bahej gjendja e rrezikshme dhe ndodhej bota ngusht, e çliroshin prej burgut dhe e emnoshin edhe këshilltar të mbretënve e ministrave, e, kur mbaronin ata punën e vet, përsëri me tradhtina të ndryshme e përzishin prej rretheve të tyne."

Ndërsa për rëndësinë e romanit, Pekmezi vlerëson: "Këjo vepër e famshme deri më sot asht përkthye në tridhjet e disa gjuhë të ndryshme."

Studiuesi ynë jep informacion edhe për gjenezën e veprës:

"Idenë e këtij libri e kishte marrë auktori prej njij detari ingliz Aleksandër Selkirk, i cili katër vjet me radhë kishte qenë i nevojitun t`jetojë fillikat i vetëm mbi ujdhezën "San Fernando", të cilin mbasandaj më 1709 papritmas e kishte pasë gjetun atje nji avullore e Anglisë dhe e kishte marrë e pru n`atdhe, ku nji ditë ishte ndeshun edhe me auktorin e këtij libri.". Dhe nuk harron të vlerësojë që "Asht e ditun se landa e këtij libri ka nji thellësi të posatshme e nuk asht assesi vetëm nji përshkrim i jetës së detarit të naltpërmendun…"

Së fundi, Gjergj Pekmezi vlerëson lart edhe veprën e Defosë: " Pedhagogët ma të përmendun të botës thonë se Robinson Crusoe asht nji prej librave ma të rrallë, që mundet njeriu gjithmonë, e pa ndonji dyshim e frikë t`ia dorëzojë çdo djali apo goce, të cilët, po sa fillojnë ta lexojnë, sakaq bahen zjarr e flakë, besa edhe shkrihet mbi atë, e me mund shumë të madh mundet kush t`ua shkëputi atë prej duersh."

x x x

Ndoshta Gjergj Pekmezi nuk e ka përkthyer veprën nga origjinali anglez, po nga ndonjë variant gjermanisht. Kësisoj vepra edhe ka humbur ca nga lëngu jetësor. Arrijmë në këtë përfundim qoftë duke krahasuar ndonjë fragment. Për shembull, episodi i vrasje së ariut nga Premti është një nga më të bukurit e më me humor në roman. Po le ta shohim këtë në përkthimin e Pekmezit e në atë të Selfo-Dokos. Te i pari ky episod (pjesa që shfaqet ariu dhe deri kur vritet) zë vetëm 64 rreshta (f. 230 -232), ndërsa te i dyti – 126 (f.297 - 300), pra, gati dyfish. Por nuk është fjala te gjatësia. Pekmezi e ka varfëruar përshkrimin duke zëvendësuar ligjëratën e drejtë me atë të zhdrejtën. Ai shkruan: "…deshëm ta qillojmë arinë, po Premti prapë s`na la e na u lut që t`ia leshim atij atë barrë."(f. 230). Ndërsa Selfo-Doko:

"Kur e pamë ariun. mbetëm të habitur. Po Premtit as që iu tremb syri fare, dhe neve na u bë zemra mal kur e pamë që u turr si një fatos duke thirrur tri herë:

- Oh! Oh! Oh! imzot! Ma lësho t`i shtrëngoj dorën atij. Dua t`ju bëj të gjithë të qesheni.

Gëzimi i tij i tepëruar nuk më pëlqeu, edhe më çuditi.

- Qënke i marrë,- i thirra,- ai të gllabëron të gjallë.

- Ai të haj mua! Ai të haj mua!- tha nja dy a tri herë Premti.- Unë e ha atë. Tani unë ju bëj të gjithë të kukuriseni. (f. 297)

Dihet që dialogu konsiderohet pjesë e veprimit në kallëzim, i jep gjallëri e dinamizëm ligjërimit. Selfo-Dokoja përdorin 15 ligjërata të drejta në këtë episod, ndërsa Pekmezi vetëm një, atë përmbyllësen: "A e shifni? Ja, kështu i kemi gjuejtun na bishat n`atdhe, po atje i kemi vra jo me pushkë po me thikë" (f. 232). Ndërsa Selfo-Dokoja këtë batutë e jep me tri replika:

"- Në vendin tim kështu vrasim arinj.

- Si i vrisni?- e pyeta aty për aty.- Po në vendin tuaj nuk ka pushkë!

- Jo pushkë, po qëllojmë me shigjeta gjata" (f. 300)

Në këtë pasazh, siç mund të vihet re, herë-herë fjalët e Premtit janë dhënë me shkronja të zeza në tekst, për të shënuar gjuhën e tij jo korrekte (ai nuk e zotëron mirë anglishten), gjë që e bën edhe më të këndshme ligjërimin e autorit.

4.

Libri i Dh. Kotit ka këtë frontespic: "ROBINSON (KRUZO)/ Në ishullin e tij/ Përmban ngjarjet e vojtjet e Robinsonit/ Shtyp.& Libraria Dhori Koti, Korçë".

5.

Para botimit të Halit Selfos e Bujar Dokos (Tiranë, 1966), romani i Defosë në shqip njeh edhe një botim tjetër të bërë në Shkup. Libri mban këto të dhëna:

Në mbulesë e në frontespic: "Daniel Defo/ Robinson Kruso/ "Koço Racin". Në faqen e dytë: "Biblioteka shkollore/ Redaktor: Aco Shopov/ Përktheu: Remzi Pustina/ Botue në shtypshkronjën "Nova Makedonia" – Shkup, gjatë muejit mars 1954 në 2.000 copë".

Për të njohur përkthyesin Remzi Pustina nuk na ndihmoi as leksikoni i Hasan Hasanit.

Ndërsa libri i tij është një botim me 96 faqe gjithësej, pra jo romani i plotë, por përkthim nga ndonjë variant i përshtatur për lexuesit e moshave të reja.

Botimi paraprihet nga një "Parathanje" pa emër autori, ku flitet për jetën e veprën e Daniel Defosë. Më tej, në faqen 7, fillon romani. Materiali organizohet me disa sythe, të cilët kanë si tituj:

- Shënime biografike (f. 7, për Robinson Kruzonë – sh. im, AB)

- Ditët e para (f. 13)

- Hollësinat ma të imta rreth jetës s`ime n`ishull (f. 20)

- Pushteti mbretnuer (f. 30)

- Gjurmat mbi ranë (f.37)

- Krismat e topave (f. 43)

- Premti (f. 47)

- Shkollimi i Premtit (f. 55)

- Banorët e ishullit shumëzohen (f. 61)

- Planet për të çliruem (f. 67)

- Lufta me kusarët (f. 73)

- Robinsoni largohet nga ishulli (f. 86)

- Përfundimi (f. 93)


178 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page