top of page

Kur 1938-ta kishte kryefjalë të „enigmës“ estetike të papërsëritshmen Liza Laska




Kur bukuria dhe estetika shqiptare kishte kryefjalë të „enigmës“ gjermane të papërsëritshmen Liza Laska


Prof Dr Fatmir Terziu


Periudha e viteve 1935-38 ishte një udhëtim i shpejtë për fotografinë. Ky udhëtim u shtua dhe u përshpejtua nga konkurrenca në kërkim të përsosjes së ngjyrave. Kështu fotografia me këtë shpejtësi pikëtakoi dhe diktoi mjaft surpriza, që ende mbahen dhe diktohen si të avancuara për kohën kur ata u shfaqën. Shpejtësia e ngjyrave, përsosmëria e tyre në vazhdim zgjoi dhe konkurrencën. Në këtë konkurencë u vunë dhe mediat, sidomos revistat e asaj kohe. Revista gjermane „Die Woche“ („Java“) ishte ndër të parat që u përfshi në këtë konkurrencë të qasjes së fotografive me ngjyra. Kopertinat e saj tashmë kishin në plan të parë ngjyra dhe pamje të reja, figura të panjohura e të ekspozuara mirë artistikisht. Gjithnjë kërkohej një botë e re, një botë e panjohur. Shkaku ishte jo thjesht ekspozimi, por dhe fitimi i besimit të kompanive të konkurrencës fotografike të asaj kohe.

Ishte viti 1938. Në këtë vit, u prezantua një fletë filmi në madhësi të ndryshme për fotografë profesionistë. Me të u bënë disa ndryshime për të kuruar problemet e hershme me ngjyra të paqëndrueshme. Si pasojë u krijua një metodë përpunimi disi e thjeshtuar. Në fakt ishte ajo që duhej vazhduar më tej, pasi në vitin 1936, „Agfa“ gjermane konkuronte me filmin e saj integral të trefishtë, „Agfacolor Neu“, i cili ishte përgjithësisht i ngjashëm me „Kodachrome“, por kishte një avantazh të rëndësishëm. „Agfa“ kishte gjetur një mënyrë për të përfshirë bashkuesit e ngjyrave në shtresat e emulsionit gjatë prodhimit, duke lejuar të tre shtresat të zhvillohen në të njëjtën kohë dhe duke thjeshtuar shumë përpunimin. Kjo ishte ndikuar nga puna e amerikanit Eastman Kodak, që ishte ndjerë në vitin 1935, si një sukses i jashtëzakonshëm. Ishte një punë që kërkonte bashkëpunim të gjerë e po aq dhe konkurrencë të vazhdueshme.

Kështu udha e kërkimeve dhe eksperimenteve me ngjyrat e fotografisë që në vitin 1840 kishte tashmë një pikë të rëndësishme. Në këtë pikë media, dhe sidomos revistat e kishin fjalën e parë. Kryefjalë e kopertinave u bë femra. Edhe në kopertinën e „Die Woche“ („Java“) në vitin 1938 protagoniste u bë Liza Laska. Ajo shfaqet me sytë e saj bojëqielli, si Deti Adriatik, që lag Vlorën, ku ajo kishte lindur më 6 shkurt të vitit 1926. Fustani i saj plot dekoracione dhe ngjyra të ëmbla roze të butë, të gërshetuara në mëndafshin e copës dhe në ngjyrat e brezores bojëqielli me të kuqe e të verdhë, natyrshëm qëndrojnë me një vlerë aestetike të gërshetuar të bukurisë dhe pasurisë që mbart në kokën e zbukuruar me ar, po aq dhe në duar e në qafë. Stolitë e arta dhe të argjendta, vathët e plota, monedha të arta, janë një arsye më shumë për të shtuar më shumë tek ajo që shoqëron kopertinën: „Në këtë broshurë: Kush e njeh gruan shqiptare?“.

Kjo e fundit është dhe vetë preambula sekrete dhe e fshëhtë që zbulon konkurencën e asaj kohe, në luftën me ngjyrat e fotografisë. Tashmë ajo nuk është më enigmë, është një arsye më shumë edhe për faktin dhe fatin e fotografisë me ngjyra, edhe për bukurinë e padiksutueshme të femrës shqiptare, dhe pse quhej e panjohur. Kjo femër shqiptare, një nga protagonistet më të ndjeshme femërore të shekullit XX natyrisht më vonë do të bëhej një aktore me mjaft role në filma dhe në teatër, dhe do të mbante titullin "Artiste e merituar". Ajo u vu në qendër të vëmendjes së vitit 1938-të, kur fotot e femrave me ëmër kishin bërë vendin e caktuar në atë konkurencë globale të asaj kohe.

Ishte fotoja e imazhi me ngjyra i aktores Maria Babanova që solli dhe një stigmë të re. Dramaturgu Aleksej Arbuzov dhe aktorja Maria Babanova u treguan grave sovjetike se jeta nuk ka të bëjë me martesën si një synim përfundimtar, përkundrazi, ka të bëjë me të qenit me atë që ata janë. Sakaq në tërë aspektin e ngjyrave yjet femërore vetëm diktonin atë që duhej dhe pritej të realizohej.


U shfaqën me ngjyra në vitin 1938 Barbara Stanwyck, Stella Stevens. Barbara Stanwyck ishte një aktore, modele dhe valltare Amerikane. Një yll i skenës, filmit dhe televizionit, ajo ishte e njohur gjatë karrierës së saj 60-vjeçare si një profesioniste e përkryer dhe e gjithanshme për praninë e saj të fortë, realiste në ekran.



Stella Stevens ishte gjithashtu një aktore amerikane e filmit, televizionit dhe skenës. Po në këtë priudhë emra të tjerë u bënë arsyeja e kësaj konkurence që kërkonte vendin e duhur e të avancuar të bukurisë femërore mes ngjyrave në fotografi. Femra shqiptare, padiskutim hyri në këtë konkurencë me një pamje të gjallë, me realitetin e krenarinë e bukurisë shqiptare, dhe kështu atë e shënoi në realitet bukuria e Liza Laska dhe arti e estetika e veshjeve shqiptare. Pra ishte viti 1938. ishte koha kur bukuria dhe estetika shqiptare kishte kryefjalë të „enigmës“ së medias gjermane të papërsëritshmen Liza Laska, këtë simbolikë të ngjyrës dhe koloritit konkurues femëror të asaj kohe në fotografi.


34 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page