top of page

Kultura fizike dhe sporti i Pejës...


Me rastin e përurimit të veprës shumëdisiplinore”Kultura fizike dhe sporti i Pejës prej Besa-Besë, Gajretit e deri te Majlinda”, në 18 maj 2023, në kinoteatrin”Jusuf Gërvalla”,në Pejë.

Vepër affirmative, historikisht e dimensionuar nëpër koordinata të kohës që, në thelb ka shpjegimin drejtues të filleve të para e deri në ditët e sotme të zhvillimit të Kulturës fizike dhe sportit pejan në përgjithësi.

Vepra Monografi – dokumentare, mban titullin “Kultura fizike dhe sporti i Pejës prej Besa-Besë, Gajretit e deri të Majlinda”, e cila kapitalizohet në pesë kapituj jolinerarisht të ndarë në dy vëllime, me gjithsej 1100 faqe, 6500 emra sportistesh, trajnerësh, zyrtarësh dhe përfaqësuesish sportivë, e ilustruar me afro 3000 fotografi e faksimile të kësaj fushe, me shumë të pathëna apo të pashkruara deri më sot.

Libër, ky që prej shumë vitesh u ka munguar librarive, bibliotekave tona dhe kuptohet vetë lexuesit shqiptar.

Në vazhdim të këtij shkrimi, fjala e recensentit të librit në fjalë:

Përurimi i librit” Kultura fizike dhe sporti i Pejës prej Besa – Besë, Gajretit e deri te Majlinda”, të autorit pejan Prof.Jakup Kasapolli, pa dyshim shenon një ngjarje me rëndësi të veçantë për Pejën dhe qytetarët e saj, duke pasur gjithmonë parasysh se nga kjo komunë dolën emra të mëdhenj të kulturës fizike e të sportit, të cilët me angazhimin e tyre të përhershëm e të qëndrueshëm i shkruan faqet e historisë sportive , madje duke arritur deri në majat më të larta të sportit botëror, e duke u shndërruar kështu edhe në “ambasadorë” të vërtetë të çështjes sonë kombëtare.

Në këte frymë, i pushtuar mjaftueshëm nga e pëlqyera dhe e bukura e shprehur në formatin dhe stilin e dhënë, vëmendshëm e me kujdes kam provuar t’i peshoj idetë dhe pikëpamjet shkrimore të shkarkuara në projektin e parë si dorëshkrim, ku spikatin portretet e figurave autentike të kulturës fizike e sportive, të dimensionuar nëpër koordinata të kohës, me ç’rast natyrshëm e me shumë besim më ka bërë të ndihem i nderuar dhe i priveligjuar që m’u besua recensioni dhe redaktura gjuhësore e veprës në fjalë, kësaj vepre me vlera të nivelit, e fisnikëruar me dialog shpirti të autorit, si udhërrëfyese historike me efekte dhe potencial të levërdishëm që nga fillet e para të kësaj fushe e deri më sot, duke nënkuptuar se betejat sportive me karakter garues nuk përfundojnë kurrë.

Prandaj, nuk është dhe nuk mund të jetë asgjë e rastit, kur dihet mirëfilli që ky veteran i kulturës fizike e sportive Prof. Jakupi, pas botimit të tre librave gjatë viteve 2005- 2011 dhe librit në bashkëautorësi “PejaMonografi”( 2017), përmes një pune sistematike serioze e shumëvjeçare si dhe përsiatjeve shumëdisiplinore me fuqi shkencore historike, por edhe si hisedar i drejtpërdrejtë i vlimeve të mëdha zhvillimore sportive, do të na shfaqet me dy vëllime të ngjeshura me materiale të shumta, gjithnjë duke u mbështetur në binomin e kaluar - e tashme apo dje dhe sot, në kuptim të pasqyrimit sa më objektiv të ngjarjeve sportive në komunën tonë.

Duke kërkuar nëpër faqet e kujtesës dhe faktorit kohor, si refleksione aspirative në frymën e bindjeve të sinqerta, historikisht të konsoliduara për të kapë thelbin e zhvillimeve të kulturës fizike dhe sportit pejan, për të cilën edhe lëndëzohet përmbajtja e këtij libri monografik, me vlera të mëdha historike dokumentare e kombëtare, mpleksur me logjikën e arsyes dhe dëshirën e madhe të autorit që këtij ambienti të qytetarisë pejane dhe jo vetëm, t’ia prezantoi me pjekuri gjithë potencialin njerëzor e infrastrukturorë sportivë, në frekuenca periudhash të caktuara, si pjesë e një mozaiku përmasash të mëdha, ku vërvon një galeri e tërë personazhesh e autoritetesh kulturore e sportive në përgjithësi.

Me mjeshtri e pasion të veçantë autori do ta trajtoi këte temë madhore, të hulumtuar nëpër vite e etapa kohore, me të vetmin qëllimin që, për aq sa ka mundësi të vilët dhe shterohet çdo material me substancë të dëshiruar, çdo burim si referencë e faktorizuar, çdo bisedë gojore e gjallë në aspektin konsultativ, çdo publikim shkencorë të kësaj fushe, çdo informacion të munguar, të harruar apo të pabotuar e që nuk është ruajtur në dokumente të shkruara dhe çdo dëshmi tjetër arkivore si kontribut i shumë gjeneratve që përmbushin kriterët e një shkrimi kaq të lodhshëm, por me shumë vlera në dimensionin kulturor e intelektual, material e shëndetësor, fizik e shpirtëror, që lexuesit ia qartësojnë tendencat zhvillimore të kulturës sportive dhe ia përafrojnë idenë dhe vizionin e artikuluar të autorit, duke e ngrit dhe kapitalizuar këte sajesë dokumentare në kryevepër universale të komunikimit sportivë.

Vepra përligjet me realitetin kohor, duke përjashtuar çdo gjë që përkon me improvizime, me abstrakten dhe imagjinarën, sepse autori është vetë realiteti i provuar, vetë ngjarja që e ka shijuar këte sferë jete në aspektin pragmatik, deri në nivelin e përvojave dhe njohurive personale si pedagog në cilësinë e ligjëruesit, si sportist, gjyqtar, trajner apo edhe si kërkues praktik në aspektin e saktësisë e të shumësisë së informacionit, por gjithashtu na dëshmon se është i mbrujtur fund e krye me pjekuri fjalësh e shprehjesh të thjeshta në kuptimin më origjinal të mendimit intelektual, kryesisht të përthëlluara me ide e detaje nga fusha arsimore, edukative, psiko-pedago-gjike e psiko-fizike e në bashkëjetesë të harmonizuara mes veti me të vërtetat e ngjarjeve të shumta sportive të realizuara në Komunën e Pejës dhe më gjërë.

Monografia – dokumentare “Kultura fizike dhe sporti i Pejës, prej Besa – Besë, Gajreti e deri të Majlinda”, të autorit Kasapolli, në gjithë përmbajtjen e saj shpjegon brumin tematik të një epoke të vështirë mbi 100 – vjeçare, si një rrugë më pak e rrahur në përthyerjet më vendimtare historike të sportit dhe sportdashësve të kësaj treve pejane. Prandaj, në aspektin kohor dhe në vazhdimësi, vepra paraqet kompleksitetin e ngjarjeve dhe parashenjat e formësimit arkistruktural të mikro dhe makrostrukturës sportive pejane, por edhe më përtej me të gjitha resurset njerëzore, materiale dhe infrastrukturore ambientale, si sentimentin historik me objektiva të paracaktuar, mbase deri më sot të pathëna apo të pashkruara.

Ky shkrim, më shumë se Ditar monografik, fillimisht niset me një përshkrim të shkurtër të historikut të qytetit të Pejës, nga antika e deri në ditët e sotme, duke u përqëndruar, përveç tjerash në zhvillimin kronologjik të kulturës fizike dhe ngjarjeve sportive, në nivele të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, përkundër sfidave, presioneve dhe vështirësive të paimagjinueshme që përcilleshin me përplasje shqetësimesh nga regjime shoveniste diktatoriale të pushtuesve të huaj.

Të gjitha ngjarjet sportive, duke i përkufizuar si individuale – vetjake dhe kolektive ekipore që nga fudbolli si sporti më i popullarizuar e deri të shahu si shkathtësi mendore, përmbushin qëllimin dhe rëndësinë më domëthënëse të zhvillimit të kulturës sportive, duke filluar nga koha e Perandorisë osmane, asaj Austrohungareze, Mbretërisë SKS që përfshinë kapitullin e parë (1900 – 1912), pastaj atë gjatë LDB dhe pushtimit Gjermano-italian(Kapitulli i dytë 1941-1945) dhe Kapitulli i tretë (1945-1990), që janë të përfshirë në Librin e Parë, për të vazhduar me shumë përkushtim me kapitullin e katërt (1991-1998) dhe të pestë (1999-2022) që do të përfshihen në Librin e Dytë.

Prandaj, ky rrugëtim i gjatë historik i kulturës fizike dhe sportit pejan, nis që nga koha e Kuvendit të Pejës”Besa- Besë”, me synime e ideologji kombëtare e patriotike, me predispozita të mëdha për ecje përpara, ku gjatë administrimit nga pushtues të huaj, nëpërmjet kërcënimeve dhe shantazhimeve të përhershme, formimi i ekipeve sportive me emërtime në gjuhën shqipe ishte i ndaluar, duke ia mohuar shqiptarëve në çdo mënyrë identitetin kombëtar e gjuhësor. Kjo ishte e mjaftueshme për ndalimin e veprimtarisë së shumë ekipeve sportive si: Gajreti, Përparimi, Ardhmenija, Behari, Partizani”, Ramiz Sadiku”etj. Megjithatë, edhe në periudhat e mëvonshme do të trumbetohen ndryshime në aspektin e barazisë dhe të drejtës ligjore, por në praktikë gjithmonë qëndronte e kundërta nga ana e qarqeve vendimmarrësve të kohës, edhe përkundër entuziazmit të madh dhe fitoreve të shumta. Kjo do ta lëndojë sportin dhe sportistët pejan në përgjithësi, do të shprehet Prof Jakupi.

Duke e analizuar, pa ndonjë hollësi nga pikëpamja e zhvillimit evolutiv dhe marrëdhënjeve shoqërore në fushën e kulturës sportive, sot të rinjtë, më shumë se kurrë, kanë nevojë për trajnerë, udhëheqës, këshilltarë dhe sportistë me prirje dhe experiencë të duhur në përsosjen e çdo disipline sportive me pajisje specifike të sofistikuara, që ndërtojnë vizion garues sipas performancës në nivele konkurruese, në të gjitha hapësirat gjeografike të vendit tonë.

E gjithë lënda e kësaj vepre gjithëpërfshirëse vëllimore, nuk mund të jetë asgjë tjetër përveç një kronike shumëpërmasore në historikun dhe dokumentacionin e kulturës fizike dhe sportit, të cilën duhet kuptuar si mesazhin më të drejtpërdrejtë që i drejtohet më shumë dashuri gjeneratave të ardhshme se çfarë kërkon atdheu. Shembulli më mirë është ai i Majlinda Kelmendit figura më e ndritur e sportit pejan, kombëtar e ndërkombëtar-botëror, e cila refuzoi shuma të mëdha parash për të garuar në emër të shteteve të huaja, duke mbetur kështu nderi, krenaria dhe simboli ikonik i Pejës dhe i kombit shqiptar.

Në fund mund të thuhet se kjo Monografi-dokumentare, është një vepër e rrallë në historikun e sporteve në mjediset tona e punuar me një gjuhë absolutisht të thjeshtë, të kapshme e të kuptueshme për lexuesin, duke e ngritë autorin në një kronist të mirëfilltë të kohës, me aftësi përdorimi të terminologjisë e të koncepteve të sakta e objektive sportive, të ofruara përmes një metodologjie boshkëkohore të standardizuar me ngjyrime letrare artistike, të stilizuar estetikisht e të përdorur me kompetencë menaxhuesi të spikatur sportiv.

Dhe krejt në fund, për ta përmbyll, profesor Jakup Kasapolli, për punën e sistematizuar me përkushtim jashtëzakonisht të madh, për penën dhe kohën e tij të gjatë e me durim, për fjalën e përtypur artistikisht, estetikisht të stilizuar dhe shumë të pëlqyer, meriton të gjitha përgëzimet tona me nderimet më së të sinqerta të opinionit pejan dhe më gjërë, në gjithë Republikën e Kosovës, për kontributin e madh në lëminë e Kulturës fizike dhe sportin e Pejës.


44 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page