top of page

KUKËSI I VITEVE ‘’80 NË OPTIKËN E MUHARREM MEZINIT


Ish-funksionari i lartë i Kukësit promovon edhe monografinë “Mezinët e nahijes së Lumës”


KUKËSI I VITEVE ‘’80 NË OPTIKËN E MUHARREM MEZINIT

Halil Rama-Mjeshtër i Madh

Tre dekada pas përfundimit të misionit si funksionar i lartë i Kukësit, deri kryetar i Komitetit Ekzekutiv dhe deputet në legjislaturën e parë të të parit Kuvend Pluralist (1991-1992), Muharrem Mezini shkund nga “pluhuri i harresës” kujtimet tij për vitet e shndrrimeve epokale 1980—1992. I karakterizuar nga mirënjohja si shprehja më e bukur e karakterit të njeriut, Mezini që drejtoi për një dekadë rrethin malor verilindor të Kukësit, që në hyrje të librit “Kukësi në vitet ‘80” (fq.10) shpreh mirënjohjen për armatën e intelektualëve që shërbyen në këtë rreth potencialisht të vështirë dhe veçanërisht për kukësianët që janë provuar solidarë e mikpritës të respektuar për të gjithë ata që kanë shërbyer e punuar në Kukës. Dhe mikpritjen e solidaritëtin kukësianët e dëshmuan veçanërisht në vitin e mbrapshtë 1998-1999, kur pritën dhe strehuan në familjet e tyre mbi 600 mijë kosovarë të dëbuar nga regjimi gjakatar serb millosheviçian. Ndaj dhe autori Mezini me të drejtë shkruan se: “Është e paharruar pritja e strehimi i popullit Kosovar më 1998-1999 të dëbuar nga regjimi serb i Millosheviçit.., pritja dhe qëndrimi për disa muaj i mbi 600 mijë kosovarëve deri në kthimin e tyre në Kosovën e çliruar, meritë kjo për vlerësimin në kandidimin për t’i dhënë Kukësit çmimin ‘Nobel’ në vitin 2000 dhe marrjen e Titullit ‘Nderi i Kombit’ në Shqipëri”.


KUKËSI I VITEVE ‘’80 NË SHIFRA DHE FAKTE dhe….

Në 14 kapituj të librit të tij “Kukësi në vitet ‘80”, Muharrem Mezini sjell shifra dhe fakte të ecurisë së programit zhvillomor në të gjithë sektorët jetësor që nga bujqësia, arsimi e shëndetësia e deri tek mbrojtja, tregtia, ngjarje e situata të veçanta e deri tek përballimi i tranzicionit. Libri i këtij autori që drejtoi për 11 vjet Kukësin ka marrë vlerësime jo vetëm nga autoritetet kukësianë si: Prof.dr.Shefqet Hoxha, studjuesi e shkrimtari Xhavit Lashi, Osman Shehu - ish ministër e drejtor i Turizmit, Musa Gojani - ish drejtues në disa ndërmarrje e ekonomi bujqësore të rrethit të Kukësit, por edhe nga Doktori i Shkencave Bujqësore Baki Dervishi - pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Mehmet Prishtina, pijnoll i familjes së patriotit Hasan Prishtina, ndërkohë që në emër të fisit, në promovimin e këtij libri me praninë e qindra personaliteteve të letrave, shkencës, arsimit e kulturë bëri një përshëndetje mbresëlënëse vajza e Mezinëve Arlinda Mezini.

Në këtë veprimtari promovuese në sallën e madhe të Muzeut Historik Kombëtar të moderuar me mjeshtri të lartë artistike nga ikona e gazetarisë sportive Defrim Methasani – Mjeshtër i Madh, Mehmet Prishtina – President i Fondacionit “Prishtina”, vlersoi dashurinë me të cilën autori M.Mezini trajton çështjen kosovare.



Prof.dr.Shefqet Hoxha autor i disa librave për historinë e Kukësit e vuri theksin tek puna studimore e thelluar e Muharem Mezinit, duke trajtuar shkencërisht gjendjen, progresin dhe shkaqet e dështimit të sistemit të kaluar. “Kukësi në vitet ‘80”, është një vepër që pasuron letërsinë tonë dokumentare dhe si e tillë zë vend të veçantë në fondin e këtyre librave” tha ndër të tjera prof.dr.Shefqet Hoxha. Veçanërisht ai vlerësoi evidencat e sakta që paraqet autori në këtë libër. Gjithkush do të impresionohej me pohimin në këtë libër të ndërtimit të një rrjeti solid shkollash e kopshtesh të edukimit parashkollor, duke vënë në funksion 64 shkolla 8-vjeçare, 19 shkolla të mesme, një filial të arsimit të lartë për gjuhë-letërsi dhe gjeografi, me një ekip prej 1320 mësues e pedagogë vendas e nga rrethe të tjera etj. Po në këtë libër lexuesi mëson për ngritjen e institucioneve të kulturës, nga “Shtëpia e Rinisë” më 1945, në vatra e shtëpi kulture në çdo zonë e fshat dhe kulmimin me vënien në funksion të Pallatit të Kulturës “Hasan Prishtina” në Kukës dhe Pallatit të Kulturës “Pjetër Bogdani” në Has; ngritjen e muzeut historik dhe etnografik si dhe funksionimin e Shoqatave shkencore të historianëve e gjuhëtarëve; ngritjen dhe funksionimin e Estradës Profesioniste, Galerisë së Arteve, degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve, si dhe për jetën e gjallë sportive të ekipeve të mundjes, volejbollit dhe futbollit.

Autori Mezini sjell fakte edhe në aspektin e ruajtjes së shëndetit të popullit, ku pa asnjë llojë trashëgime u arrit që në rrethin e Kukësit të ngriheshin dhe funksiononin më së miri 26 qendra shëndetësore e 6 spitale (2 në qytet dhe 4 në rajonet lokale) me një personel të përgjithshëm deri 103 mjekë e 349 specialistë të mesëm në 1990.

“Në drejtimin ekonomik u arrit që Kukësi të renditet në nivelin mbi mesataren e Republikës, ndërsa në treguesit industrial të nxjerrjes dhe përpunimit të metaleve të zinte vendin e dytë në vend”, shkruan autori Mezini.

Në këtë libër është pasqyruar me hollësi aktiviteti i 36 ndërmarrjeve ekonomike dhe 26 kooperativave bujqësore ku kanë qenë të punësuar 18 mijë punëtorë e 22 mijë kooperativistë, të cilët arritën që në këtë dekadë të viteve ‘’80 të plotësojnë veç të tjerave dy objektiva kryesore: sigurimin e bukës në vend dhe punësimin e gjithë punonjësve aktiv për punë në sajë të një bilanci pozitiv pagese për kohën nga rritja e të ardhurave në vend.

Më së miri i evidentoi vlerat e këtij libri studjuesi dhe shkrimtari Xhavit Lashi, ku sipas tij autori Muharrem Mezini ka meritën që trajton për herë të parë, një temë mjaft intereante e tërheqëse, si Kukësi në vitet ’80. Për zotin Lashi është impresionuese përshkrimi që autori Mezini i bën punës vetmohuese për ndërtiminm e qytetit të ri (Kukësi i Ri) në një periudhë tepër të shkurtër kohore. Kjo sipas tij për faktin se: “Në Shqipëri janë ndërtuar disa qendra qytetesh dhe industriale, duke filluar nga Bajram Curri, Bulqiza, Rrësheni, Rubiku, Laçi, Cërriku, Ballshi, Leskoviku etj, por për një periudhë të gjatë. Ndërsa Kukësi i Ri në një hark kohor të shkurtër arriti një popullsi prej 25 mijë banorësh”. Më tej ai vlerëson ngritjen profesionale dhe karrierën e shkëlqyer të Muharrem Mezinit, i cili përveçse si drejtues kryesor i rrethit Kukës u shqua edhe si studjues e botues librash. “Pas suksesit që arriti me monografinë për Grykën e Çajës, tani na vuri në dorë librin ‘Kukësi në vitet ‘80’, i cili në 14 kapituj ka një ndarje të drejtë e proporcionale në trajtimin e arritjeve dhe problematikave me realizëm, vërtetësi e objektivitet”, vlerëson Xhavit Lashi. Ndërkohë që sipas tij, në libër jepen shifra e fakte, evidenca, krahasime dhe tabela që përcjellin tek lexuesi të dhëna të rëndësishme për gjendjen ekonomike e financiare të ndërmarrjeve ekonomike e kooperativave bujqësore.

Lashi vlerëson gjithashtu ilustrimet me fotografi në masën e duhur që i shërbejnë librit në nivelin komplementar njëra me tjetrën. Nëpërmjet faqeve të librit jepen edhe vlerësimet e gjykimet e autorit për situatat e kohës së tranzicionit. Sipas studjuesit Lashi, ato trajtohen me gjakftohtësi, me realizëm e objektivitet duke mbajtur qëndrime të drejta e të paanshme. Ndaj dhe çdo lexuesi të vëmendshëm, nëpërmjet faqeve të librit i vihet në pëllëmbë të dorës historia e Kukësit e viteve ’80-të e autorit Muharrem Mezini.

Parë nga ky këndvështrim, studjuesi Isa Halilaj – Mësues i Merituar, shkruan se ‘Kukësi në vitet ’80-të’ është një vepër dinjitoze ku punët e veprat flasin vetë për qëndresë e përparim. “Autori Muharrem Mezini është një nga përfqësuesit më të mirë të kuadrove drejtues në rrethin e Kukësit, përfshirë Hasin e Malziun, të gjeneratës së dytë pas kuadrove të luftës NÇl, si nismëtarë të jetës së re sociale në liri e pavarësi të vërtetë; kuadro këto që sollën frymën e re në kulturën e drejtimit, komunikimit e zhvillimit në këto anë”, shkruan Isa Halilaj. Ai vlerëson se Muharrem Mezini është shquar në të gjitha nivelet e arsimimit, në formimin kulturor e professional, veçanërisht në ekonomi – aftësi këto që i vuri në jetë me guxim e pjekuri, me korrektësi e ndershmëri në të gjitha nivelet e punës si specialist e drejtues nga baza në Grykë Çajë e deri si kuadër drejtues, Kryetar i Komitetit Ekzekutiv e deputet me mandat popullor i rrethit të Kukësit.

Pikërishtt për këtë kontribut madhor, Muharrem Mezini u vlerësua me titullin “Ambasador i Paqes” nga Federata e Paqes Universale. Në dhënien e këtij titulli, prof.Dr.Sali Kurti ndër të tjera vlerësoi personalitetin e M.Mezinit si mishërues dhe përçues i vlerave më më të spikatura njerëzore dhe intelektuale,


….DHE “MEZINËT E NAHIJES SË LUMËS”

Sentencën “Atdheu fillon nga familja”, Muharrem Mezini e trajton më së miri edhe në librin e tij të tretë “Mezinët e nahijes së Lumës”. Si një nga përfaqësuesit më dinjtozë të elitës kukësiane dhe asaj kombëtare, autori i këtij libri përcjell mesazhin se “Lidhja nëpërmjet mbiemrit ‘Mezini’ dhe postulatit të traditës shqiptare se ‘Gjaku ujë nuk bëhet’ duhet të shërbejë për kalitjen e mëtejshme të kësaj marrëdhënie duke e forcuar e trashëguar atë brez pas brezi, në çfarëdo lloj terreni jetësor dhe hapësire gjeografike. Ndaj dhe Zylfi Tola, nga Kroi i Bardhë mes maleve e bjeshkëve të Lumës, përgëzon autorin Mezini për botimin e tre librave që pasurojnë më tej historinë e Kukësit dhe të Anës së Epër.

Në katër kapitujt e këtij libri autori Mezini sjell për lexuesin Pemën e fisit emërndritur Mezini në historinë tonë kombëtare, historikun e shkurtër të fshatit Fshat; Origjinën dhe prejardhjen e fisit Mëzini, si dhe pjesëmarjen dhe angazhimin në aktivitete të rëndësihme politike, shtetërore, shoqërore dhe ekonomike në rang lokal dhe kombëtar të disa personaliteteve të këtij fisi.

Dr.Alfred Halilaj – Pedagog në Universistetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, gjatë promovimit të këtij libri shpjegoi se si studimet mbi farefisninë përbëjnë një nga temat më klasike në studimin e shoqërisë. Parë nga ky këndvështrim ai vlerëson se fisi Mezini edhe pse në numër të vogël ka luajtur një rol të rëndësishëm në të gjitha fushat e jetës, në varësi të kërkesave të kohës. Për dr.Halilajn, libri i M.Mezinit, përmes shpjegimeve autentike sjell në memorie dinamikën demografike gjatë periudhave historike por edhe origjinën e ecurinë e secilit fis. Ai vlerëson gjithashtu informacionin për objektet e kultit, ritualet, konvertimet fetare, praktikat e ndjekura “intifaket” (ligjet kanunore) që orientojnë mënyrën e jetesës dhe administrimin e saj, të cilat përbëjnë një një kontribut të vyer etnografik për mënyrën e organizimit të përgjithshëm të fshatit shqiptar.

Në tërësinë e tij, ky libër shërben më së pari për të njohur historinë e treguar, por të pashkruar deri sot të Mezinëve në nahijen e Lumës dhe më tej, si një pamflet për ta vazhduar e çuar më tej këtë trashëgimi, fisni e lidhje gjaku për brezat e ardhshëm, pa humbur rrugën në mjegullnajën e globalizmit të sotëm që ka përfshirë githë botën.

110 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page