top of page

KUAJT


Mihal GJERGJI

KUAJT

Qysh nga rinia ruaj në kujtesë një rrëfenjë interesante ndodhur kohë të shkuara. Tri fshatra në lumin e Vlorës u ngatërruan keqas; Bolena, Smokthina dhe Tërbaçi. Shkaku ishte një femër. Një vajzë nga fshati i parë ishte fejuar me një djalë nga Smokthina, mirëpo ky i fundit u largua në kurbet dhe s’u kujtua asnjëherë për nusen që priste t’i kthehej burri. Kaluan dhjetë vjet dhe s’mori asnjë lajm, asnjë letër, asnjë shenjë. E që të mos plakej në shtëpinë e prindërve, këta të fundit e fejuan me një tjetër djalë, por nga Tërbaçi. Ndodhi ajo që s’prisnin, kurbetlliu u kthye. Hakmarrja ishte e pashmangshme. Ata që vendosnin u mblodhën në kuvende, e në fund u bashkuan kryepleqtë e tri fshatrave, pikërisht ku bashkohen tri rrugë, në afërsi të Bramyshnjës. Kush duhet të hipte sipër kalit, nusja apo vdekja? Vajzën e re e veshën me vello nusërie dhe e hipën në kalë. Ajo s’do t’i fliste, kapistallin s’do ja tërhiqte. Kryepleqtë shikonin me vëmëndje dhe shqetësim rrugën që do ndiqte kafsha e gjorë, sepse atje ku do shkonte ajo, atje do mbrinte edhe nusja. Dhe kali u nis në drejtim të Smokthinës, pra vajti haka tek i zoti.

Mihal Gjergji

Ashtu pa pritur, këtë histori ma rizgjoi miku im, Halo Mala. E takova dy here. Ishte prilli i shirave të qelqta. Kryeqendra jonë të kujton qytetet koloniale. Në afërsi të tavolinës ku ishim ulur, një televizor i vendosur në këndin karshi rrugës shfaqte herë pas here figura të ngjitura në katodromin e politikës. Ishin gërdallat e vjetra që bashkëbiseduesi im i njihte aq mirë, por që mendonte se duhet të kishin ikur nga skena publike. S’kishte faj, kthehej nga Amerika dhe e dëshironte Tiranën pa tiranë. Pikërisht këto pamje e tronditën. Sytë plot dritë ju veshën me mjergull, balli ju mbush me rrudha. Ndoshta kjo u bë shkak që, gjatë atyre minutave që konsumuan ato kafe të hidhura, të më rrëfente dy ngjarje interesante që lidhen vërtet me kuajt.

“Kisha vajtur te shtëpia e vjehrrit në Nivicë, te Mehmet Bega. E ngaqë s’po shikoja njeri, zhurma ngjitur me murin e shtëpisë më bëri të ndalja hapat dhe të mbaja vesh. Ishte një konak i vogël ku mbanin gjëra të përdorura. Ktheva kokën dhe pashë Mehmetin. Më ftoi të futesha brenda. Më mbetën sytë te një palë yzengji të bardha. E pyeta dhe ai më tregoi;- Janë të gjeneral Gotit. Kur ishim në frontin e luftës, në Vlorë, shumë kurveleshas qëndronin në krah të Selam Musait. Sipër një kodre doli gjenerali hipur në kalë. Riza Cane Seferi nga Nivica pyeti Selamin nëse duhet të qëllonim. Për luftë kemi ardhur, u përgjigj trimi nga Salaria. Rizai e shembi për tokë gjeneralin, pastaj i shkoi afër, e çarmatosi dhe i mori dylbitë. Ato janë ende në muzeun e Tepelenës. Shoku në krah mori frerin në ngjyrë të florinjtë, unë mora yzengjitë…Kali i mbetur pa zot hingëllinte kodrave të Kaninës…”

U befasova,-vazhdon rrëfimin e tij Halua dhe bëra një shkrim me titull: “Prite o gjeneral Goti, mu në ballë nga nivicioti”. E shpura në Tepelenë dhe porosita korespondentin e një gazete qëndrore të mos ndryshonte asnjë fjalë. Mirëpo mbas botimit u shqetësua udhëheqja e lartë. Këtë shqetësim e përcollën në bazë dhe telashet e mia s’kishin të sosur. Partisë i mjaftonin dëshmorët e deklaruar. Mendoja se kisha bërë një zbulim, sepse s’dija që Cane Seferi ishte i padëshiruar për "shokët" e partisë.

Dhe brenga e dytë e Halos lidhej me festivalin e radhës që bëhej në Gjirokastër. Si drejtues grupi dhe autor teksti u nderua me medalje, vlerësimi më i lartë që jepej, por s’ia dhanë asnjëherë në dorë. Këtë vlerësim mori edhe grupi i valltarëve të Gusmarit, por edhe atyre s’ua dhanë, sepse në takimin ku vinin shokët e udhëheqjes s’donin të ishin të pranishëm dy nga valltarët më të mirë; Remzi Bana dhe Merqes Ndreu. Ishte njëri nga kuajt e pushtetit që merrte vendime. Shikoja bashkëbiseduesin dhe para syve më shfaqeshin si në ëndërr; kali i nuses, kali i gjeneralit, kali i …Kishte të drejtë Halua. Në Shqipëri, turmat ecin andej nga shkojnë kuajt.

64 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page