-Rreth romanit “Kthesa” të autorit Ndue Lleshaj-
Një kthesë rruge që del nga një çerdhe krimi e zhytet tej errësirës për në theqafje. Një kthesë jete për t'u shpëtuar kthetrave të krimit e për të dalë në dritën e pafajsisë drejt rrugës së ndershme. Ky është paralelizmi figurativ që autori Ndue Lleshaj vë në qendër të romanit të tij të titulluar “Kthesa”.
Autori trajton në librin e tij dy tema të rëndësishme shoqërore,që ndërthuren pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën: atë të krimit të organizuar në vend dhe të emigracionit klandestin e prostitucionit drejt vendit fqinj, Italisë. Që të dyja sjellin fitime kolosale në xhepat e bosëve të krimit e gjakderdhje për të rinjtë e pafajshëm,që aspirojnë një të ardhme më të mirë, duke e vënë jetën e tyre në duart e kriminelëve të paskrupullt.
E gjithë kjo jepet nëpërmjet jetës plot kthesa të rrezikshme të heroit qendror të romanit, Blinit. Nëpërmjet këtij personazhi autori sjell figurën e të riut shqiptar të ndershëm, që ka nisur të bëjë një jetë të rregullt, që studion, që aspiron të dashurojë me pastërti e të krijojë familje me ndershmëri. Por ky i ri jeton përballë një realiteti të egër që është krijuar në vend, si rezultat i falimentimit të shtetit, që nuk siguron asnjë të ardhme për brezin e ri. Ky shtet ka falimentuar, ose më mirë është bërë ortak me krimin e organizuar, që kontrollon trafiqet më të rrezikshme, atë të drogës,që është kthyer në një plagë të pashërueshme në realitetin shqiptar, të emigracionit klandestin nëpërmjet motoskafeve dhe prostitucionit. Përballë këtij realiteti, duke mos parë perspektivë, edhe Blini, si shumë të rinj, ëndërron të ikë jashtë vendit e ta ndërtojë atje të ardhmen e tij. Por për të kapërcyer detin duhen shumë para. Përpara kësaj alternative që e sheh si të vetme, ai bie në grackën e atyre që i premtojnë fitime të majme e të menjëhershme. Ky është karremi që përdorin peshkatarët e vdekjes. E Blini bie në këtë grackë. Çdo ditë ai sheh errësirën e misterit që e rrethon në punën e tij, kërkon të shikojë mundësinë të dalë, por sa hedh sytë tek kthesa e rrugës, ai sheh tej saj vetëm errësirën e pashpresë.
Autori me qëllim e me mjeshtri na jep me Blinin një të ri as naiv e as aventurier, por birin e familjeve me taban, me besë e me vendosmëri. Nëpërmjet retrospektivës dhe tregimeve të gjysh Kelit, Blini mëson të shkuarën e familjes e të fisit të tij. Në linjën e gjysh Kelit, me qëndresën e kthellasve ndaj turkut dhe episodin sa dramatik aq të mënçur të Luginës së Pajtimtarëve, autori përdor një gjuhë epike, të pasur e tërheqëse me personazhe deri në kufijtë e legjendës. Fare mirë kjo linjë do të ishte e denjë për një roman më vete.
Pikërisht të rinj të tillë kërkonte kupola e krimit të organizuar me në krye Bosin, që ka pushtet ekonomik e shtetëror, që vepron lirisht e ka rrjetin e tij në dy shtete, në Shqipëri e Itali. Të rinj të tillë me taban ata i shikojnë si garanci për punë të ndershme në trafikun e tyre të ndyrë, si njerëz të besës që dinë të heshtin dhe të shohin hesapin e tyre. Nga ana tjetër ata peshkojnë edhe të rinj me karakter të lehtë e aventurierë si mësuese Zana, që i merrte si lojë e zbavitje raportet intime me nxënësit dhe me po atë lehtësi përfundon në grackën e premtimeve ëndërruese, por që përfundon në rrjetin e prostitucionit, çka i kushton edhe jetën. Autori, me mjeshtëri, nëpërmjet skenash plot ankth e dramacitet tregon se sa pak vlen jeta e këtyre njerëzve përpara etjes për fitime të Bosit dhe rrjetit të tij me kriminelë të regjur.
Në romanin e tij Ndue Lleshaj sjell tema që janë trajtuar edhe nga shumë autorë të tjerë në shumë vepra letrare, si romane, tregime, filma, dokumentarë etj. Kjo përmban në vetvete rrezikun e rënies në përsëritje. Por autori ka ditur t'i shmanget kësaj gjëje. Duke qenë nga Mirdita, ai ka zjedhur tipare të asaj krahine me tradita tejet të veçanta, që i ka mishëruar tek personazhet e tij, si tek familja e Blinit, dy nënat e tij, gjysh Keli, tek linja Blini – Lira etj. Kjo i jep romanit origjinalitet, si dhe pasuron gjuhën e tij.
Trajtimin e temës së trafiqeve të rrezikshme e kriminale si droga, emigracioni klandestin e prostitucioni, autori i e sjell si pasqyrën e një shoqërie në transformim e në evolucion, por që ende nuk po e gjen veten. Sepse zhvillimeve pozitive ia kanë zënë frymën klanet e qarqet kriminale që kanë hedhur rrënjë që nga plantacionet e hashashit që mbillet gjithandej e deri tek kupola e bosëve. Kësijoj edhe kthesa pozitive në jetën e Blinit i ngjan një lindjeje të vështirë, nëpërmes traumash që lënë padyshim gjurmë e asgjë nuk do të jetë më si dikur. Krimi e ka për natyrë që godet pa mëshirë aty ku dhemb më shumë. Përdhunimi i së dashurës italo-shqiptare të Blinit, asaj vajze të mënçur e shumë të dashur me emrin Laura, në hakmarrje ndaj kundërvënies së Blinit që çon drejt zbulimit të çerdhes kriminale në Itali, tregon se sa të pamëshirshëm e çnjerëzorë janë tregëtarët e vdekjes. Autori e pasqyron këtë nëpërmjet skenash drithëruese, dramatike, që lënë gjurmë e mbeten gjatë në kujtesën e lexuesit.
Romani lexohet thuajse me një frymë. Ritmi i tij do kishte qenë më dinamik sikur në disa pasazhe të tij të ishte evituar njëfarë proliksiteti. Zgjidhjet janë në logjikën e rrjedhës së ngjarjeve dhe vijnë fare natyrshëm. Me bukuri të veçantë e prekëse zgjidhja e linjës Blini – Lira, një linjë si e marrë nga baladat e rinjohjes, të cilën autori e ka sjellë me mjaft finesë. Mbase në finale janë lënë shumë zgjidhje përnjëherësh. Do kishte qenë më mirë që të kishte patur një shkallëzim të tyre, çka do të shkallëzonte edhe emocionin e lexuesit. Sigurisht kjo është një preferencë e imja si lexues, që nuk cënon asgjë nga vlerat e romanit.
Kthesa vendimtare në jetën e Blinit, që gjen forcë të triumfojë mbi të keqen ku e kishin zhytur njerëz të cilëve ai u kishte besuar gjithçka, është dhënë në mënyrë të fuqishme, me dramacitetin e entuziazmin e nevojshëm, por me dhimbjen e atyre gjurmëve që nuk do të shlyhen lehtë nga e ardhmja e tij. Këtë mesazh lexuesi e percepton më së miri, ndërsa pas mbylljes së librit i hedh sytë tek një realitet me dritë-hijet e tij, ku hijet e errëta ende kërkojnë ta shuajnë dritën e ndrojtur.
Ndue Lazri
Comments