top of page

KRYETARIT TË BASHKISË SHIJAK, Z. ELTON ARBANA




K Ë R K E S Ë

KRYETARIT TË BASHKISË SHIJAK, Z. ELTON ARBANA,

I nderuar, z. Kryetar.

i nënshkruari Nikolla Sudar, qytetar shijakas, sot me banim në Tiranë, parashtroj kërkesën time si vijon

Arritjet në të gjitha drejtimet janë rezultat i kontributit të palodhur të qytetarëve të spikatur në të mirë të vendlindjes, në rastin konkret të Shijakut. Prandaj vlerësimi I këtyre figurave nga pushteti lokal nderon, jo thjesht individin por edhe kontributin e tyre shumëvjeçar në të mirë të komunitetit, duke e bërë më të njohur në mbarë vendn. Të tillë Shijaku qytetarë, ka nxjerrë dhe do të nxjerrë vazhdimisht. Thjesht si historian dhe njohë si mirë i trevës së Shijakut, nisur nga kontributi i tyre shumëvjeçar, ju propozoj që qytetarët shijakas:


1. Tofik ShaqIr Dardha,

2. Sami Hysen Guzina

3. Mustafa Hamdi Faja,


të shpallen “Qytetarë nderi” nga ana e bashkisë suaj.

Bashkangjitur po ju dërgoj edhe biografinë e përmbledhur për secilin prej tyre.

Mbetem në pritje të përgjigjes nga ana juaj.


Me respekt të veçantë,

(Nikolla Sudar),

historian dhe ish drejtues i Muzeut historik të Shijakut.



Tiranë më ___________2021



---------------------------

Adresa:

Telefon: 00355692103138




BIOGRAFIA E SHKURTËR E EDUKATORIT TOFIK SHAQIR DARDHA…




Në vazhdën e brezit të edukatorëve të palodhur, që kanë lënë gjurmë në zhvillimin e arsimit në trevën e Shijakut bën pjesë edhe mësuesi i palodhur, intelektuali i nderuar dhe për një kohë të gjatë edhe drejtues shkolle tetëvjeçare, z. Tofik Shaqir Dardha.

Vështirë se gjen banorë të fshatrave të zonës, sidomo fushore të Shijakut, që të mos e njohin dhe respektuar Tofikun, këtë edukator të palodhur, jo vetëm për profesionalizmin e tij të spikatur, por edhe për ndershmërinë, shpirtmadhësinë dhe gadishmërinë për të ndihmuar cilindo në nevojë. Gjithashtu vështirë se gjendet shijakas që të mos e ketë njohur këtë qytetar të shquar, i cili me pasionin e jashtëzakonshëm për sportin dhe me gadishmërinë për të mbështetur skuadrat e zemrës “ERZENI”, si të futbollit edhe të volejbollit, për dekada ka frymëzuar dhe vazhdon të frymëzojë bashkëqytetarët e vet.

Tofik Shaqir Dardha, lindi më 11 shkurt 1941, në Shijak. Mësimet i para i mori në qytetin e lindjes, ku edhe kreu me rezultate të larta shkollën shtatëvjeçare. Që në këtë moshë tek ai lindi dëshira për profesionin, sa të nderuar, aq edhe të vështirë të mësuesisë, prandaj me shumë dëshirë dhe përkushtim ndoqi shkollën e mirënjohur në të gjithë vendin, Pedagogjiken e Elbasanit.

Pasi kreu të mesmen pedagogjike Tofiku punoi për 4 vjet si mësues në fshatin Sukth dhe fermën Xhafzotaj, ku drejtoi punën metodike për ciklin e ulët në zonën e Shijakut, Durrësit dhe fshatrat. Kjo periudhë i shërbeu atij për të krijuar një bagazh të mirë përvoje për të ardhmen. Në vitin 1965 ai përfundoi ‘’Institutin e Lartë Pedagogjik’’ në Shkodër, në degën ‘’Gjuhë shqipe - histori’’. Ndonëse në marëdhënie pune dhe familjar, ai nuk hoqi dorë nga kualifikimi univeristar, prandaj kreu me sukse kursin e plotë, në fakultetin histori-gjeografi, në vitin 1982.

Arritjet e vazhdueshme nga viti në vit e bënë atë një kuadër të devotshëm në sektorin e arsimit. Kjo është arsyeja e emërimit të tij drejtor shkollë në fshatrat Qerret dhe Hardhishtë, nga viti 1964-1974. Pikërisht në këtë periudhë do të dilte në pah aftësia e tij e rrallë si drejtues i suksesshëm i këtyre institucioneve. Nga viti 1974 e deri në vitin 1990, ka drejtuar, si gjithnjë me arritje të dukshme, shkollën e mirënjohur tetëvjeçare të fshatit Rreth. Si një kuadër tashmë me përvojë në arsim, seksioni i arsimit i rrethit e ka aktivizuar vazdimisht për kontroll e ndihmë në zonën e Kavajës, në qytetin e Durrësit, në NB Sukth, Mamimas e deri n në Ishëm.

Krahas punës si edukator ai është angazhuar tërë kohën si veprimtar shoqëror, për zgjdhjen e problemeve në lagje dhe më gjërë si edhe duke i qendruar pranë drejtuesve të sportklub “ERZENIT” për çdo problem.

Si rezultat i këtij angazhimi të gjithanshëm, Tofik Dardha është dekoruar me urdhërin “Naim Frashëri”, të klasit të dytë.

Në vitin 1997 ai doli në pension dhe që nga ajo kohë jeton në Tiranë, por për asnjë moment nuk është shkëputur nga jeta dhe qytetarët e Shijakut.

Tofiku përmendet edhe si një familjar shembullor. Bashkëshortja e tij, z. Lela Dradha (Kokona), me profesionin gjithashtu mësuese, shquhet edhe në fushën e krijimtarisë letrare dhe deri më sot ka botuar gjashtë libra me tematikë aktuale, duke u bërë e njohur në të gjithë vendin. Djali i tyre, intelektuali i mirënjohur Bashkim Dardha, ka kryer studimet e larta për frëngjisht dhe sot është punonjës efektiv i ambasadës Spanjolle në Tiranë.
















BIOGRAFIA E SKURTËR E PILOTIT SAMI HYSEN GUZINA





Në periferi të qytetit të Shijakut gjenden dy fshatra, me emërtimin Koxhas e Borake, të përbërë në pjesën më të madhe me boshnjakë të emigruar nga rrethinat e Mostarit. Këtu ata krijuan Komunitetin e shquar boshnjak të përmendun brenda dhe jasht vendit.

Sipas vendimeve të Kongresit të Berlinit, të vitit 1878, Bosnjë-Hercegovina iu aneksua Perandorisë Austro-hungareze. Pas një rezistence me armë në dorë kundër pushtuesit te ri, shumë familje nga rrethinat e Mostarit emigruan dhe u vendosën në Shqipëri, në fshatrat Koxhas dhe Borake.

Shijakasit vendas i pritën si vëllezër boshnjakët, apo muhaxhirët, siç u quajtën në atë kohë, të cilët brez pas brezi do t’u jenë mirënjohës, sepse iu gjendën në situatën më të vështirë.

Vetë boshnjakët e Shijakut ishin dhe mbetën shëmbull i mikpritjes, punës së ndershme, mjeshtërisë së perimeve, dasmave të hapura e plot finesë, emancipues të së resë. Si bujq të aftë, zanatçinj e tregtarë të zotë ata u bënë më emër në Shijak dhe më gjërë.

Ata u treguan trima dhe atdhetarë, duke marrë pjesë dhe derdhur gjak në beteja të ndryshme për lirinë e Shqipërisë. Ky komumitet i shkëlqyer ka nxjerrë njerëz të arsimuar dhe kuadro të zotë, që kanë shërbyer dhe shërbejnë me sukses më sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Njëri prej tyre është edhe piloti i mirënjohur, z. Sami Hyzen Guzina.

Arsimin fillor e 7 vjeçar ai e kreu në vendlindje, kurse gjimnazin në Shijak në vitin 1969. Këtu dallohet jo vetëm në mësime, por dhe në aktivitetet sportive e kulturore.

E drejta e studimit i del për në shkollën e lartë të aviacionit, në Vlorë, dhe pas specializimit për pilot helikopteri, diplomohet e emërohet pilot luftarak në regjimentin e helikopterëve në Tiranë (Farkë), më 14 tetor 1971.

Në këtë regjiment fluturoi për 34 vite duke realizuar mijëra fluturime e qindra misione luftarake e humanitare duke merituar dhe titullin “Pilot luftarak i Klasit të II-të”. Samiu është dalluar në realizimin e detyrave lufarake e krahas tyre dhe ato shoqërore e sportive duke dhënë kontribute të vyera.

Gjatë gjithë kohës ka qenë bashkëpunëtor i shtypit ushtarak e atij letrar duke shkruar qindra reportazhe, tregime e poezi, ndërsa pas viteve 90-të është angazhuar edhe përkthime nga gjuha boshnjake.

Menjëherë pas kthesës së madhe në vend, Samiu u bë njëri nga iniciatorët dhe frymëzuesit e krijimit dhe forcimt të lidhjeve me bashkatdhetarët në Bosnjë-Hercegovinë. Ai u bë edhe njëri nga themeluesit (1995) e drejtues për shumë vite i shoqatës së boshnjakëve të Shqipërisë “Zambak”, duke promovuar gjuhën, kulturën, traditat e atij komuniteti si pjesë e rëndësishme e zonës së Shijakut.

Pas daljes në pension ai vazhdon të jetë mjaft aktiv në shoqatën e Aviatorëve të Shqipërisë ku dhe mban detyrën e nënkryetarit të saj. Sot kjo shoqatë është njëra nga më aktivet në rang republike.

Samiu shquhet edhe në fushën e letrave. Deri tani ka botuar një libër me kujtime e mbresa si pilot dhe ka të gatshëm tre vëllime të tjera: me poezi, kujtime si dhe një libër me përkthime nga letërsia boshnjake.

Ai është martuar me znj. Suzana dhe ka 3 fëmijë, një djalë e dy vajza, të tre mee arsim të lartë.

Para pak kohësh shoqata atdhetare, më e madhja dhe më autoritarja në vend, “TRANA”, e ka nderuar z. Sami Guzina me titullin e lartë “FISNIKËRIA TIRANASE”.


















BIOGRAFIA E SHKURTËR E MËSUESIT MUSTAFA HAMDI FAJA…





Disi larg qendrës së Shijakut, në pjesën verilindore të tij ngrihet një kodrinë, sa interesante aq edhe piktoreske. Ajo quhet kodra e “Pashabejve”. Në këtë kodrinë gjithmonë të gjelbër jetojnë disa nga familjet e nderuara të qytetit, ku midis tyre, jo vetëm për anën numerike të saj, por sidomos për kontributin e shkëlqyer prej dekadash në fusha të ndryshme të jetës, do të shkëlqente ajo e “Mësuesit të Merituar”, e fisnikut Hamdi Faja.

Djali i tretë I kësaj familjeje, Mustafai, gjithashtu do të ecte në gjurmët e të atit, duke zbatuar pa u lëkundur devizën e tij të famshme, që ua la amanet djemve: “Rrënjët tona janë në fshat dhe atij do t’i shërbejmë sa të kemi frymë!”.

Mustafai, lindi në vitin 1947 dhe do të ishte njëri nga vazhduesit e denjë të edukatorit të paharruar Hamdi Faja. I gjendur në një mjedis intelektual edhe ai do të bëhej i tillë. Gjimnazin e kreu me rezultate të larta.

Mustafai kreu studimet e larta në Institutin Pedagogjik të Shkodrës, në këtë qendër të vërtetë të kulturës dhe fisnikërisë shqiptare, që do të rrezatojë gjithnjë në historikun e arsimit dhe të kulturës shqiptare. me atë zellin e moshës do të fillonte odisenë e gjatë, të lodhshme, por fisnik të edukatorit (gjithmonë në fshat). Kudo ku ai punoi si në fshatrat Çizmeli, Hardhishtë, Likesh e Shtrazë u shqua për vetmohim në punë, për rezultate të larta, duke fituar, jo vetëm dashurinë e nxënësve, por edhe të prindërve, që e merrnin si model të edukatorit të vërtetë. Peripecitë e kësaj detyre ishin të përhershme dhe shpesh shumë të vështira për t’u kapërcyer: orë të tëra vajtje ardhje çdo ditë mes baltës dhe në kushte të mungesave të shumta në kryerjen e saj. Kjo ishte arsyeja që ai trokiste vazhdimisht në dyert e administratës së kohës për sigurimin e ngrohjes së fëmijëve, për pajisjen me materiale shkollore, madje arrinte deri atje, saqë ndihmonte edhe materialisht nxënës në gjendje të keqe ekonomike.

Si njohës i mirë krahinës ai do të jepte kontribut të shquar edhe jasht veprimtarisë shkollore. Bashkëpunimi i ngushtë me gjuhëtarin e shquar Androkli Kostallari për njohjen dhe evidentimin e leksikut lokal, është për t’u lëvduar. Mustafai e pëlqente shumë arkeologjinë, prandaj i këshillonte nxënësit që të interesoheshin për gjetjet e lashtësisë. Të gjitha ato i dërgonte me përshkrim në Muzeun Arkeologjik të rrethit, që e drejtonte shkencëtari i vërtetë. “Nderi i kombit”, Vangjel Toçi.

Por në veprimtarinë shumëvjeçare jashtshkollore të Mustafait, do të zinte vend nderi

pasioni i tij i madh për historinë. Duke sakrifikuar kohën e lirë, ai shkonte nga fshati në fshati dhe takonte të moshuar e veteranë lufte, prej të cilëve vilte të kaluarën e krahinës dhe relike me vlerë historike. Kontributi i tij për ngritjen, funksionimin dhe pasurimin e muzeve në fshatrat Shahinaj, Shetel, Hardhishtë, dhe Sallmone është i paçmueshëm. Por mbështetjen më të madhe ai do ta jepte për muzeun historik të zonës. Unë, Agim Faja, Mustafa Faja, Aqif Buka, Besnik Llaftiu e Rexhep Dedja do të ngrenim muzeun historik të Shijakut, që do të merrej si shembull për të gjithë vendin.

Për dekada me radhë Mustafai do të kontribuonte pa u lodhur në të gjitha aktivitetet e shumta që zhvillonte muzeu i zonës: në takimet përkujtimore, në ngritjen e lapidarëve, në organizimin e sesioneve shkencore dhe në botimin e dhjetra artikujve kushtuar përvojës së vet si mësues dhe historikut të vendlindjes. Në koleksionin e tij të pasur gjen artikuj pa numërim të botuar në gazetat dhe revistat e kohës si “Luftëtari”, “Bashkimi”, “Mësuesi”, “Puna”, “Pionieri”, “Ylli”, “Adriatiku, “Bulevard”etj.

Mustafai shquhet edhe si prind shembullor. Bashkë me të shoqen, Dylberen, edukatoren e palodhur (mësuese në ciklin e ulët), rritën dhe edukuan më së miri tre fëmijët e tyre: Gentianin, skulptorin e talentuar; Besianën, që kreu degën e gjuhë-letërsisë dhe Mirjetën, e diplomuar për diplomaci në Itali. Ndonëse tashmë i rënduar nga vitet, Mustafai nuk e ka humbur energjinë e dikurshme, kur si këshilltar i devotshëm i lagjes ndihmonte bashkëqytetarët në zgjidhjen e problemeve te ndryshme, por vazhdon te kontribuojë me shkrime në organe të ndryshme të shtypit.

23 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page