Më ngarkuan të shkruaja me përparësi një reportazh për arritjet socialste të kooperativës bujqësore "Fitorja". Ekonomia më e largët e dihej që udhëtimi deri atje ishte raskapitës. Në kërkim të ndonjë zgjidhjeje lehtësuese, habitshëm mësova se kryetari i saj banonte në qytet, dhe kësisoi e kisha të siguruar vajtjen e ardhjen me mjetin e tij.
Ndërsa i gëzohesha rrethanës së favorshme, më dukej disi paradoksale që ai, një ish ushtarak të merrej me bujqësi dhe as denjonte të jetonte në fshat.
Më sqaruan se të tillë i përdornin më tepër si çels kopil për të çbllokuar situata problematike. Dhe vërtet nën drejtimin e tij punët në kooperativë kishin fituar një ritëm të ri. Mbi të gjitha qenë pakësuar ndjeshëm vjedhjet e pronës së përbashkët.
Emri i kryetarit shumë shpejt qe bërë sinonim i njeriut të ndryshimit e me vizion, model i guximit e ndershmërisë së pakorruptuar. E shihnin me simpati gjithandej, ndonëse me atë pamje aq groteske dukej sikur e kish pjellë gorilla e ndërzyer me ariun.
Kohë më vonë u çudita kur mora vesh se ai ishte në fakt veç një ndërthurje parrullash politike e rregullash ushtarake, një automat njerëzor që tërë shtysat e vrullet ja jepte mania perverse të kapte këdo në faj e gabim, ta poshtëronte publikisht e ndëshkonte me gjobën më të rëndë dhe degdiste në burg.
Kjo sigurisht i qe kthyer në urrejtje e shprehur në mënyra nga më të ndryshmet. Ndër më pikantet ishte ajo që ngado gomarëve iu thërrisnin me emrin e tij dhe rast pas rasti dehnin me raki ndonjë qen stërmadh të identifikuar me të, e sapo ai fillonte të lihte pa ndërprerje, argëtoheshin duke i hedhur romuze për të qeshur. Gjithashtu disa herë ia patën çpuar gomat e makinës.
Këto reagime kundërvënëse vigjilenca i kish bërë të njohura menjëherë atje ku duhej. Mirëpo, ndoshta për të mos e tendosur më tej situatën, qe preferuar në vend të terrorit e represionit, largimi pa zhurmë i kryetarit në një post tjetër më të rëndësishëm.
Ashtu siç e patëm lënë, në ditën e orën e caktuar u nisëm drejt koopertivës. Gjithë rrugës biseduam për punët, njerëzit, ndryshimet… Më foli gjerësisht, sidomos për sukseset e arritura vetëm në sajë të qeverisjes së tij cilësore. Mua, që më japin alergji vetëmburrjet kaposhërore e justifikova, se mbase ajo mungesë modestie i vinte nga çiltërsia e sinqeriteti i pa të keq.
Troshitjet e forta të makinës më kujtuan që e kishim lënë rrugën nacionale dhe ndiqnim atë për në qendër të ekonomisë. Bashkëbiseduesi nisi gjithë pasion të më njihte me mjediset, vendet historike e fshatrat që përbënin "mbretërinë" e tij.
Një gjelbërim i bujshëm përshkonte ngastërat, blloqet, brezaret dhe ngjitej vendosmërisht gjer tej në male. Kooperativistët e armatosur me kazma, bela, shyet, lopata, kosore punonin të përkushtuar. Tablonë e plotësonte vargu i gjatë i qerreve ngarkuar me të jeshilta që ecnin ngëc-ngëc drejt stallave. I vetmi traktor, simbol i progresit, çuditërisht qëndronte ndaluar në pritje të riparimit të defektit.
Në vijim të rrugës përpara na u shfaqën disa gra të moshës së mesme me çantat plotë. Kishin bërë shpenzime te dyqanet. Afrova sytë te xhami t'i shihja më mirë. Kur iu afruam kthyen nga ne fytyrat kureshtare të cilat dalta e mjerimit i kishte skalitur në mënyrë tronditëse. Nuk mund tua përcaktoje dot ngjyrën veshjeve të tyre të stërpërdorura.
Kryetari urdhëroi në çast shoferin të ndalonte makinën. Zbriti e buzagaz shkoi i takoi me dhembshuri komisari. Fjalët e përzemërta i shoqëroi duke këputur e hedhur në gojë disa copëza nga misërniket e tyre. Ato të mahnitura nga gjesti i tij shprehën kënaqsi e gatishmëri t'ia falnin gjithë bukët. Ai falenderoi për bujarinë, shtrëngoi duart me to e triumfalisht u kthye në makinë.
Gra tipike të kësaj ane, bujkesha e amvisa të mrekullueshme, u shpreh sikur t'i zbulonte për herë të parë. Jam i sigurt, shtoi, se do ta endin kudo që kryetari është i thjeshtë e i respektueshëm, që enkas për ne ndali makinën, na takoi, bashkëbisedoi dhe shijoi bukën tonë…
Nuk më pëlqeu fare kjo sjellje. Ndryshe nga ç'më kishin folur dhe e vlerësonin, po shikoja një njeri dallkauk, të shtirur, fallco, mashtrues…. Hipokrizia e tij për t'u paraqitur popullor, rruga copë -copë si para një shekulli, veglat primitive të punës të kooperativistëve bashkë me nevojat e përherëshme të tyre për ujë të pijshëm e lëndë djegëse më futën një ndjenjë trishtuese. Tymi që ngrihej nga dy-tre oxhak të fshatit përbri më dukej sikur shkruante në qiell fjalët "varfëri, skllavëri… "
Rashë në një heshtje të zymtë. Bashkëbiseduesi si ta kuptonte gjendjen time ndezi radion e makinës. Menjëherë buçiti kënga revolucionare :
Në fshatin socialist
Të lumtur jetojmë,
Fitoret, gëzimet tona
Armiqtë i tmerrojnë….
Më solli në vete dhe rikujtoi për reportazhin. Megjithatë, ato përjetime nuk më pengonin ta përmbushja detyrën, se tashmë edhe unë isha bërë njësoj si ai zogu i natës që di të orientohet në errësirë. Ato përjetime do t’i mbaja thellë në zemër, siç mban toka farat që shpërthejnë kur u vjen koha.
Mbërritëm në qendër. Kryetari caktoi një nga vartësit të më shoqëronte e ndihmonte. E porositi t'i bënim dhe një vizitë baxhos e të kujdesej për drekën. Pastaj më tha mua se bashkë do shiheshim nga mbrëmja e riktheheshim në qytet.
Ia fillova menjëherë nga muzeu dhe vijova me takime e biseda me njerëz të ndryshëm. Ngulmova të merrja sa më tepër fakte, mbresa e ndodhira domethënëse. U habita që gati të gjithë flisnin si papagaj, se ishin jashtëzakonisht të kënaqur me kooperativën dhe ndiheshin më të lumturit në botë. Shumë nga shprehjet i kishin si citate të nxjerrë nga gazetat e fjalimet. Një dinjitet i përçudnuar dhe mumifikim ideologjik. Si qe e mundur edhe kaqë larg propaganda komuniste të kishte arritur t'i denatyronte gjer në atë farë feje?!
Ndjeja një mërzi e doja të largohesha sa më parë. Nuk prisja dot deri në mbrëmje. Vendosa të ikë. I thashë shoqëruesit që më duhej të fitoja kohë për të përgatitur reportazhin. Dhe u nisa në këmbë me shpresën se do gjeja ndonjë mjet për në qytetin tim.
Një forcë e pashpjegueshme më shtynte të ecja sa më shpejt. Për një orë e ca përshkova tërë rrugën që gjarpëronte rreth kodrave. Në kthesë u duk figura e një burri me veshje qytetse. Kur e arrita u surprizova. Ishte një nga mësuesit e mi më të adhuruar, veçanërisht për shpjegimin frymëzues e dinjitetin e lartë. E përshëndeta e u takuam përmallshëm.
-Ç'ne ju këtej?! - e pyeta me habi.
-Jam me punë te shkolla e atyshme, - ma ktheu i qetë.
-Si është e mundur?! Larg… Ju… Nuk gjetën dot ndonjë të ri?!...
-Hajt mo… Kështu e gjykuan… Për forcim kuadri më thanë…
Një dhimbje e përzier me zemërim më përshkoj si korrent. Bah ç'poshtërsi! Ky për dy vite dilte në pension, kurse… Si nuk u ngop njëherë me viktima kjo dreq kuçedër e luftës klasore?! Tërë jetën do t’i ndjekim këmba-këmbës këta njerëz?!…
Mësuesi më pyeti emër më emër për të gjithë ish bashkënxënësit. I ndritnin sytë nga kënaqësia për arritjet e secilit. Ndiehej i shpërblyer. Nuk më tha as edhe një fjalë ankuese apo për ta ndihmuar. E kishte të mbledhur mendjen se fati i qe vulosur, ashtu siç thotë proverbi: "Çfarë bëjnë prindërit e heqin bijtë. "
Nuk e di pse po e dëgjoja me zërin tim tërë dramën e jetës së tij. Rridhte nga një prej atyre familjeve të mëdha, që në periudha të caktuara i qenë bërë shtyllë kombit. Prindërit, intelektualë e atdhetarë të shquar, ndoshta nga ky përkushtim, ishin vendosur në krahun nacionalist gjatë luftës antifashiste. Mirë ata, por i biri përse duhej ta vuante tërë jetën atë gabim?! Edhe nëse mund të quhej ashtu a nuk e kish shlyer me kontributin shumëvjeçar në arsimimin e brezave?!
Veç kësaj, për fat të keq, atë e përndiqte dhe një armik tjetër: urrejtja e ndyrë e shumë prej kolegëve, të cilët nuk e duronin dot karshillëkun që iu bënte me bukurinë mashkullore e veshjen elegante, me integritetin e profesionalizmin superior dhe që ishte më i admiruari e i lakmuari nga femrat. Ku ta dish, edhe ky, mbase, ngaqë ia dinte vlerat vetes qëndronte tepër kryelartë e mospërfillës ndaj të dyja palëve. Mirëpo dhe ata bënin ç'ishte e mundur ta sfidonin e hakmerreshin. Shpesh bëheshin bashkë dhe e sulmonin duke thirrur në ndihmë ndonjë shpifje a intrig të kurdisur dhe mbi të gjitha biografinë e tij të lerosur me tradhëti. Dhe ia arrinin ta dëmtonin. Ka qenë i vetmi mësimdhënës që qarkulloi në shkollat e të tre qyteteve të rrethit dhe së fundmi te kjo e fshatit.
Më kujtohet kur i bëri inspektim-kontroll i tmerrshmi D. Qe dërguar enkas për t'i dhënë goditjen. Ky inspektor kish ardhur në atë post si një nga "teoricienët " e revolucionarizimit të shkollës dhe mund të kapte në faj e ndëshkonte cilindo mësues për mënyrën sesi e lidhte e konkretizonte mësimin me jetën dhe ndërtimin socialist.
Mësuesi e dinte që ishte thjesht një militant, i cili vetëm lihte e kafshonte për politikën, prandaj e tribloi lehtësisht. Qe orë e gjeografisë dhe një nga bashkënxënësit e ngritur në dërrasë të zezë po fliste për Brazilin. Kur theksoi se zinte vendin e parë në prodhimin e kafesë, mësuesi e "korrigjoi": "Pas Bashkimit Sovjetik ", edhe pse ky s'prodhon kokërr kafe. Kjo ndërhyje dhe ilustrimi i mësimit me shëmbuj nga progresi socialist bën që inspektori ta vlerësonte e jo ndëshkonte.
Kalonin vitet dhe ne nuk e kuptonim dot përse dhe mësuesi, ashtu si disa të tjerë, nuk e ndreqte biografinë nëpërmjet martesës. Përse po e ngryste beqar?! Por i dhamë të drejtë kur mësuam me keqardhje të vërtetën rrëqethëse.
Ai kishte përjetuar dashurinë më të stuhishme me një studente. Kur ajo i përfundoi studimet i bëri me dije prindërit për lidhjen dhe që dëshironte ta kurorëzonte me martesë. Krahas cilësive të shkëlqyera të të dashurit iu tregoi edhe për njollën në biografi. Ata e kundërshtuan fortë dhe e këshillun prerë të mos e shikonte më as në ëndrra. I ati, një gjeneral me merita, duke parë vendosmërinë e kurajën trime të saj e kërcënoi deri me jetën nëse vepronte ndryshe.
E shkreta vajzë, e gjendur në errësirë të plotë i dha fund jetës me vetëhelmim. Ky ishte shkaku përse mësuesi nuk u martua kurrë.
Që të nesërmen i shkova në zyrë shefit të arsimit dhe i kërkova ta ndreqte padrejtësinë, në të kundërt rastin do e trajtoja gjerësisht në një artikull, dhe dihej ç'telashe i prisnin shkaktarët. Në interes të kujt është, i thashë, t'i shtohen partisë sa më shumë të pakënaqur?…
Duke parë argumentet dhe këmbënguljen time ai u tërhoq nga vendimi i mëparshëm. M'u shpreh që atje s'e rikthente dot, pasi tanimë vendin e kishte zënë djali i kryetarit të degës së brendshme, por do bënte ç'ish e mundur ta transferonte në një nga shkollat e tjera të atij qyteti.
I merakosur mos mbetej vetëm një premtim fjalësh çashtjen e ndoqa hap pas hapi. Mbase nga bezdisja e interesimit të vazhdueshëm, në një nga komunikimet shefi disi i nervozuar më tha:
-Më ke habitur me këtë ngulmimin tënd skënderbean! Ky burri mos është gjë xhaxhai yt?!…
-E kam shumë më tepër, - ia ktheva vendosmërisht.
Tre ditë më vonë mësuesit i komunikuan emërimin e ri. Ka qenë nga kënaqësit më të veçanta që kam përjetuar.
Vasil Klironomi: KRYETARI DHE MËSUESI IM: Një tregim i veçantë për një kohë që na është ngjitur si m... pas këpucës dhe që na kujton se kudo që të shkojmë, njerëzit përreth do të zënë hundët kur të na kalojnë pranë. Sa bukur e the Kozma për ata çelësat «kopil» që hynin në jetën tonë e na vodhën zemrën, mushkrit, stomakun, mëlçinë! Na boshatisën përbrenda aq, sa edhe sot të ngjajmë me mumie të lëvizshme.
Urime dhe përsëri urime.
S.Athanasi:
Ngjan si 'dy tregimsh'. Por, jo. Absolutisht jo. Është një konceptim, a një ngjizje orgjinale e tepër e mënçur e autorit, që lexuesi të shohë dy tipe diametrikisht të kundërt. Bukur! Shumë bukur! Urime!
Kënaqësi të komunikojmë bashkë! [E-maili im: sotir.mimi@gmail.com]