top of page

Kronika që flasin


HAPA NË ARSIMIMIN SHQIP TË DIBRANËVE

Kronika që flasin, pa zë, në kohë dhe hapësirë...

Vjelur nga një arë e madhe plot dëshirë...

Kam shkruar për shkollën shqipe në Dibër, në dy të parat, në përvjetorin e 60-të të shkollës shqipe në Trebisht dhe të shkollës shqipe në Peshkopi, nxënës i të cilës kam qenë në fillim të viteve ’50.

Kam shkruar edhe për shkollën shqipe në Lurë, mësuesin e saj të parë, bisedë në përvjetorin e saj.

Kam shkruar dhe shkruaj për shkollën shqipe, tash njëmijë kilometra larg vendlindjes, për mësues vullnetarë që u mësojnë fëmijëve si ta shkruajnë, ta lexojnë dhe ta këndojnë fjalën e bukur të shqipes. I kam mbledhur ata mësues të rilindjes së gjuhës shqipe në një vend ku ajo ka qenë mbi skarën e prushit të këndellur nga shovinizmi grek, në tehun e hanxharit osman e helmit mesjetar, në katër libra me katër tituj të ndryshëm e një si fill përçues “Rilindësit e kohës sonë”. Kam kaq fotografi të vjetra e të reja sa arkivi im “mësuesor e gjuhësor” vazhdon të mbushet tashmë në dhjetëra mijëra.

Për arsimin shqip në Dibër kanë shkruar pena të forta ngjyer në bojën e dashurisë për gjuhën shqipe, profesorë me emër e studiues plot pasion.

Sot, në pamundësi të dal nga ngujimi (150 euro gjobë për pensionistët), po shfletoj një bllok shënimesh (10.06.1988) që më ka ndjekur rrugës së gjatë të mërgimit, bllok me shënime të nxjerra nga gazeta “Bashkimi” e viteve 1947-1948, kohë kur “Hapat në arsimin shqip të Dibranëve” morën vrapin...

KRONIKA...

4 fruer 1947

Në qarkun e Peshkopisë do të hapen 28 shkolla verore...

Gjatë regjimit të Zogut 40 shkolla me 1200 nxënës...

gjatë vitit 1944-1945 u hapën 56 shkolla fillore që frekuentoheshin nga më se 2000 nxënës...

Gjatë vitit 1945-1946 numri i shkollave arriti në 67 të cilat u ndoqën nga 2993 djem dhe 1000 vajza.

Sivjet në këtë qark përveç 28 shkollave verore që do të hapen funksionojnë 78 shkolla fillore ku marrin mësime 6326 nxënës.

Gjatë vitit të kaluar populli duke parë nevojën e hapjes së shkollave dhe duke pasur ndihmën e madhe të pushtetit, ngriti 55 ndërtesa të reja dhe meremetoi 23 ndërtesa të tjera.

Sivjet në këtë prefekturë funksionojnë edhe dy shkolla unike, njëra në Peshkopi që është e pajisur edhe me një konvikt dhe tjetra në Zerqan.

Deri tani në këtë qark janë hapur 49 shkolla nate ku marrin pjesë në mësime 668 burra dhe 100 gra.

22 gusht 1947


Korrespondenti i posaçëm i gazetës “Bashkimi” V. Qerimi në një reportazh me titull “Maqellara dje dhe sot” ndër të tjera, për shkollimin shqip të fëmijëve shkruan...

...Fshatarët e këtushëm, duke e çmuar rëndësinë e arsimit i janë përveshur punës me sulm për ngritjen e shkollave. Pocesti pa e patur në planin e shtetit po ngreh me punë vullnetare dhe kolektive të fshatit shkollën në fshatin e tij.

Tre copë katunde, Allajbegi, Vojnik dhe Çernenë janë bashkuar për ngritjen e shkollës që është ndër të mirat dhe më të mëdhatë jo vetëm në Maqellarë por edhe në të gjithë fshatrat e qarkut të Peshkopisë.

Sivjet në Maqellarë hapet për herë të parë shkolla unike ku do të marrin pjesë 6 copë fshatra.

E diele, 24 gusht 1947

Pyetja “Ç’bëhet me arsimin në qarkun e Peshkopisë” ? merr këtë përgjigje:

Ndërsa në vitin 1939-1940 në gjithë qarkun e Peshkopisë përfshirë Klosin dhe Burrelin funksiononin vetëm 40 shkolla, sivjet në dy nënprefekturat e qarkut janë në këmbë 81 shkolla. Nga këto 61 janë dimërore dhe 20 verore.

Lura kishte një shkollë sot ka 5.

Në Reç s’ka pas kurse sot ka 4.

Dardha kishte një shkollë, dhe atë në xhami, kurse sot ka 5 shkolla, tre prej të cilave në Arrëz, Grykë Nokë dhe Zall-Dardhë janë ngritur të reja...

Fshati Gjurë-Reç që në të kaluarën me gjithë përpjekjet dhe kërkesat që bënte nuk arriti të ngrejë shkollën...ka ngritur një nga shkollat më të mira dhe model të qarkut të Peshkopisë. Me interesimin e mëso njësit të këtij fshati nxënësit janë pajisur me të gjitha mjetet.

Për të parën herë në qarkun e Peshkopisë pas çlirimit ngrihen shkolla unike: një në Zerqan dhe një në Peshkopi. Sivjet ngrihet edhe një unike edhe në Maqellarë e Shupenzë.

Këtë vit po ndërtohet në Peshkopi edhe godina e liceut.

Në qytetin e Peshkopisë është ngritur që vitin e kaluar edhe konvikti i shtetit ku mësojnë 70 nxënës nga më të varfrit e gjithë qarkut. Është hapur edhe një foshnjore me 65-70 fëmijë.

Gjatë fushatës së parë kundër analfabetizmit në qarkun e Peshkopisë kanë funksionuar 170 kurse me 1826 meshkuj dhe 1819 femra. Nga këta mësuan të shkruajnë lexojnë 1349 vetë...

22 janar 1948

Në rrethin e Peshkopisë 3760 nxënës edukohen ndër 51 shkolla fillore e të mesme. Përpara çlirimit këtu kishte 15 shkolla me 600 nxënës.

Gjatë vitit të kaluar janë ngritur 147 kurse kundër analfabetizmit me 3036 pjesëmarrës nga të cilët 1296 femra.

Janë ngritur 13 shkolla nate deri në tre klasa me 380 vetë.

Arsimi në rrethin e Peshkopisë zhvillim të madh mori gjatë vitit 1947

Gjatë vitit 1947 u ngritën 6 shkolla të reja dhe u meremetuan 38 shkolla. Ndër ta vlen të përmendet Liceu, shkolla unike dhe ajo foshnjore që janë në godina të mira dhe të mëdha.

Për ndërtimin dhe meremetimin e këtyre shkollave një ndihmë mjaft të madhe ka dhënë populli i qytetit dhe i fshatrave të Peshkopisë.

Fshati i vogël Zimur u mobilizua i tëri dhe ngriti shkollën e re 15 ditë para afatit.

Populli i katundit Pocest me iniciativën e tij ngriti një shkollë të re në fshat.

9 mars 1948

Lufta kundër analfabetizmit në rrethin e Shupenzës.

Funksionojnë 97 kurse kundër analfabetizmit me 1420 analfabetë të rregullt. Nga këta filluan të shkruajnë e lexojnë deri në fund të muajit shkurt 959 veta. 166 kursistë prej këtyre kanë mësuar sa për 2-3 klasë të shkollës fillore.

Frekuentohen rregullisht prej grave.

23 qershor 1948

Në rrethin e Peshkopisë filluan punimet për ndërtimin e 5 shkolla të reja fillore.

Peshkopi 21 (ATSH)

Qysh më 15 të këtij muaji në rrethin e Peshkopisë filluan punën për ndërtimin e pesë shkollave fillore që parashikohen në planin e këtij viti.

Punimet në këto shkolla sipas planit duhet të fillonin më 1 korrik por nga grumbullimi në kohë i lëndëve të ndërtimit prej fshatarëve të katundeve Mustafaj, Ibriç (Ilnicë), Zagrad, Pregj-Lurë dhe Zall-Reç ku do të ngrihen shkollat, punimet filluan 15 ditë më parë.

Fshatarët e këtyre pesë katundeve po ndihmojnë edhe në hapjen e themeleve dhe ngritjen e mureve.

Plani i këtij viti parashikon që në rrethin e Peshkopisë të ndërtohen 10 shkolla fillore dhe dy shtatëvjeçare.

30 qershor 1948

Në kursin e minierës së Bulqizës ka përparime të dukshme.

Shupenzë (ATSH) Në kursin kundër analfabetizmit që është hapur me punëtorët e minierës së Bulqizës po arrihen rezultate të mira.

Gjer tani nga 32 frekuentuesit kanë përfituar mirë në mësime 20 veta.

Ndër këta dallohen punëtorët Isuf Hoxha, Hysen Perkola, Xhaferr... të cilët kanë arritur deri në gjysmën e abetares.

Kursi drejtohet nga punëtori i minierës Dod Deda, i cili ka marrë angazhim që gjer në fund të muajit gusht tu mësojë shkrim e lexim të gjithë kursantëve.

3 gusht 1948

Këto ditë në rrethin e Peshkopisë në një vend të përshtatshëm buzë lumit Drin u hap një kamp pushimi për 30 pionierë, të cilët do të qëndrojnë një muaj.

Në këtë kamp marrin pjesë pionierë që janë fizikisht të dobët dhe ata që u dalluan në mësime gjatë vitit të kaluar shkollor.

* * *

Në vitin 1966 (sipas “Vjetar statistikor i rrethit të Dibrës 1966) hartuar nga Shemsi Hoxha në rrethin e Dibrës kishte 192 shkolla fillore, 158 shkolla tetëvjeçare dhe1 shkollë 12-vjeçare me 17012 nxënës me një personel mësimdhënës prej 64 mësuesish.

Shkolla pedagogjike e krijuar në vitin 1947 në vitin shkollor 1965-1966 kishte 383 nxënës me 15 vetë personel mësimor.

Teknikumi bujqësor i krijuar në vitin 1959 kishte 252 nxënës me 13 vetë pe4rsonel mësimor....

* * *

Në vitin 1980 sipas vjetarit statistikor të Flamur Cenës (në dorëshkrim) kishte 106 shkolla fillore dhe 72 shkolla 8 vjeçare me 28.706 nxënës dhe 1244 personel mësimor.

Kishte 14 shkolla të mesme me shkëputje nga puna me 1961 nxënës dhe 139 mësues.

Kishte 19 shkolla të mesme pa shkëputje nga puna me 2419 nxënës

Kishte 1 shkollë të mesme të përgjithshme me shkëputje nga puna me 320 nxënës dhe 26 mësues si dhe shkollë të mesme të përgjithshme pa shkëputje nga puna me 230 nxënës.

Kishte 13 shkolla të mesme profesionale me 1641 nxënës dhe 113 mësues dhe 18 shkolla të mesme profesionale me 2189 nxënës.

Shkollat e mesme përveç Peshkopisë e Bulqizës ishin shpërndarë në qendrat kryesore të rrethit: Maqellarë, Shupenzë, Zerqan , Fushë Bulqizë, Klenj, Trebisht, Ostren Tuçep, Zogje, Lunar, Muhurr, Luzni, Kastriot, Fushë-Çidhën, Sllovë, Kala e Dodës, Zall-Dardhë, Reç, Lurë.

Shkollat ishin si me shkëputje nga puna po ashtu edhe pa shkëputje nga puna, përjashtuar shkollave të Lurës, Kalasë së Dodës dhe Lunarës.

Në vitin 1980 morën dëftesën e pjekurisë 977 nxënës prej të cilëve 76 në arsimin e mesëm të përgjithshëm (prej tyre 50 me shkëputje nga puna) dhe 901 në arsimin e mesëm profesional ( prej tyre 542 me shkëputje nga puna).

Shfletoi faqe gazetash dhe vjetarësh statistikorë, me vullnet, përkushtim e dashuri...

Abdurahim Ashiku

Athinë, 6 maj 2020



38 views0 comments

تعليقات

تعذر تحميل التعليقات
يبدو أن هناك مشكلة فنية. حاول إعادة الاتصال أو تحديث الصفحة.

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page