Përgjigje ndaj z. Ilir Muharremi, kritik arti në Prishtinë
Unë, Skulptura Shëmtirë dhe Kritiku Fenomenit
Kanë kaluar 3 vite nga një nismë politike në Kosovë, e cila si pa dashje përfshiu edhe reagimin ndaj monumenteve skulpturore, “nën peshën e përgjegjësive” mbi cilësinë e artit, me angazhim edhe të përfaqësuesit publik z. Ilir Muharremi, si kritik arti. Sot mendova se duhet t’i rikthehem në rishikim këtyre qëndrimeve, pasi edhe koha ka bërë punën e vet dhe ndërgjegjja e gjithsecilit pasqyrohet më qartë.
Ndjej detyrimin të kthehem në rishikim të shkrimit të z. Muharremi, hedhur në portalin ‘KultPlus.com’ apo ‘Bota Sot’, 12.10.2017, me titull “Shtatorja e dobët e heroit Edmond Hoxha zëvendësohet me shtatore të mirëfilltë” ...! Aty nuk përmendet skulptori, duke e zhveshur fenomenin nga të drejtat e autorit. Vëmendjen mbi këtë fenomen ma rikthyen emisionet televizive “Open” dhe “Spotlight” të datës 30.12.2020, ku u trajtuan probleme aktuale të skulpturës monumentale në Kosovë e Shqipëri. Aty u njoha befas me një kolazh me monumentet e dobëta ngritur në Kosovë, paraqitur nga z. Muharremi. Në këtë kolazh fotosh, paraqitesh edhe i vetmi monument i zbritur nga piedestali në 2017, ai i Edmond Hoxhës, për t’u zvendësuar me një tjetër punim realizuar nga 2 skulptorët S.B dhe Y.K. Mendoj se si autor i monumentit të mëparshëm, kam të drejtën të pyes kritikun e artit kosovar, z. Muharremi : - Aq e dobët artistikisht dhe në ide ishte vepra e mëparshme, të cilën e zbritët në heshtje dhe ngutshëm nga piedestali?.... Normalisht këtu nis dhe duhet rihapur kjo temë e rëndësishme, jo vetëm për mua si autor i veprës dhe zotin Muharremi, si “iniciatori i parë” për kryerjen e korrigjimeve në historinë e artit kosovar! Kjo temë kërkon kuvend edhe debat të hapur profesional.
Shtjellime kritike
Zoti Muharremi, mendoj se ju duhet të qartësoni se çfarë nënkuptohet me termat e përdorura në shkrimin tuaj, si kritik arti, mbi zëvendësimin e monumentit të “Edmond Hoxha” në Junik, 2017! Aty shkruhet ; “Shtatorja e punuar dobët ..., më në fund u hoq dhe u zëvendësua me një shtatore më dinjitoze, plot dinamikë të formës, ritëm, tamam skulptural me përmbajtje të fortë patriotike, me shprehje origjinale të fytyrës, dhe jo veç që imiton karakterin origjinal, por edhe e stilizon dhe mbanë ngushtë shprehjen domethënëse heroit...” Në Kritikë debati profesional nis e merr rrugë me shtjellimin e termave të përdorura, dhe më lind e drejta, si qytetar, që të qartësohem lidhur me termat ‘punuar dobët’, ‘shtatore më dinjitoze’, ‘plot dinamikë të formës’, ‘ritëm’, ‘tamam skulptural’, ‘me përmbajtje të fortë patriotike’, ‘me shprehje origjinale të fytyrës’, ‘stilizon’ dhe ‘mbanë ngushtë shprehjen domethënëse heroit’ . Kritika nuk është shkëmbim termash me vulosje hermetike, përkundrazi, kritika ushqehet me trajtimin profesional të këtyre termave, pa i lëshur si lumë e pa kriter. Krahasimet tuaja “skulpturore”, që ju vazhdonit më tej a më poshtë, më obligojnë të mbroj të drejtën time si autor i monumentit, të zbritur prej jush në 2017. Njëkohësisht ju premtoj se do ruaj barazpeshën logjike, për t’ju kthyer përgjigjet dhe sqarimet e duhura, që i kërkohen një skulptori monumental në profesion.
*** Ju shkruani se, në veprën tuaj zëvendësuese të 2017, shfaqet; ‘qëndrim i drejtë muskulatura e theksuar më shumë se kostumi’, por që në shikimin e parë krahasues, në fotot e dy skulpturave, shohim se muskulatura dhe anatomia është më evidente në veprën e parë (2007), ndërsa në punimin zëvendësues shfaqet njeriu me kostum të hekurosur dhe “i bindur” nën sipërfaqet e sheshta skulpturore, gjë e cila nuk lidhet me natyrën e heroit, i cili mbart tensione të brendshme për të luftuar për lirinë e rrëmbyer të atdheut dhe familjes. Termat që ju përdorni për të “lartësuar” vendimmarrjen tuaj, shkojnë paralelisht me heshtjen tuaj për shkeljet e normave dhe ligjeve institucionale, që mbështesin të drejtat e autorit në art. Anashkalohet transparenca përballë publikut shqiptar, ndërkohë që unë sot pas 3 vitesh nuk jam njoftuar për vendndodhjen e veprës sime. Kjo përbën një çështje gjyqësore dhe mbart penalitete për ata që kanë kryer veprime nën frymën e patetizmit lokalist! Termat tuaj janë “të çmuara” në vlerësimin e një vepre arti, ndaj përfitoj të shprehem se ‘zhurmimi’, ‘forca’, ‘sakrifica’, ‘patriotizmi’ dhe ‘fuqia e luftëtarit’ janë evidente në veprën që ju keni zbritur nga piedestali, ndërsa vepra zëvendësuese, ku ju atribuoni këto terma, është e tëra nën kostum dhe me një qëndrim të përmbajtur dhe pa gjestikulacione shpërthyese, që lidhen me termat që ju i përmendni kaq qartë!
*** Ju zoti Muharremi merrni përsipër, që të jepni edhe leksione skulpture në këtë shkrim (shumë mirë, pse jo?), ku vendosmërisht shpallni se “skulptorët kujdesen që pjesët e trupit mos të patetizohen të eskalojnë në ekzagjerim...”. Ku e mbështesni këtë definicion, ndërkohë që termat e mësipërm, përdorur nga ju, të çojnë drejt kësaj fryme patetizmi, që shoqërojnë aktet sublime dhe heroike?! Më shpjegoni, ju lutem, ‘patetizimin’ larg alegorive konceptuale, për teori! Si vjen në simbolikën formale skulpturore ky patetizëm dhe përse duhet që skulptorët “të kujdesen”...?! Skulptori nuk është estetist, stilist apo berber, por është artist krijues dhe realizon simbolikën e idesë, të lexueshme qartë, mbi interpretimin e fakteve dhe atyre koncepteve, në termat e lartpërmendura po nga ju. Procesi krijues është ai që flet për vërtetësinë e të qenit vepër arti i një skulpture monumentale, pasi tërë analiza e krijimit mbështetet në termat profesionalë, të cilat do kujdesem mos i ofroj drejtpërdrejt në këtë shkrim. Ka procese në art që mund të ndërpriten në mes të rrugës, por janë profesionalisht art, janë struktura të qëndrueshme dhe “modele të hapura” për të thelluar cilësinë e formës, kohë më pas, siç edhe ka procese mediokre të cilat e lëmojnë sipërfaqen skulpturore, por që mbeten “modele të mbyllura” nga paaftësia për të kërkuar perfeksionimin e krijimit. Në këtë rast dallojmë artistin nga estetisti, stilisti dhe berberi (nuk është rastësi që pas 3 vitesh skulptura e Adem Jasharit në Prizren u realizua nga një berber...!?) “Perfeksioni” mund të lexohet në renditjen e proceseve krijuese, pa u ndalur në përfundime estetike me lëmim të sipërfaqeve, pasi përherë artisti e nxjerr të “papërfunduar” dhe të “freskët” veprën nga duart e tij. Pa e lodhur formën me shkëlqime verbuese të “dritës”, larg dëshirave formale për soditje të veprës në shi, mjegull dhe errësirë, apo në drita artificiale ratësore, që nuk kanë lidhje me funksionet e skulpturës monumentale.
*** Njëkohësisht, më lejoni t’ju shprehem, se diskursi juaj eskalon në një shtrat kritik tejet kontradiktor, pasi nga “kujdesi” që ju kërkoni në skulpturë, ndaj patetizmit, ju flisni me termat, si ‘qetësi’, ‘lëvizje’, ‘aksion’ dhe ‘pushim’ në karakterizimin e skulpturës zëvendësuese (2017), gjë e cila flet për natyrën patetike të shkrimit tuaj, duke anashkaluar shkeljen e normave dhe legjislacioneve në mbrojten e të drejtave të autorit. Ju mundoheni të ngrini një perde të padukshme në transparencën publike, për të harruar dëmtimin dhe zhdukjen e një vepre arti, pa dijeninë e autorit. Ky ‘eskalim’ shfaqet edhe kur ju përshkruani skulpturën zëvendësuese (2017), me fjalët; “Kokën e ka të kthyer dhe bukur shfrytëzohet elementi skulpturë-hapësirë, pastaj krijohet masa, volumi, linja dhe drita. Në mes të këtyre elementeve shumë i kushtohet linjës, edhe volumit, simetrisë, baraspeshës, harmonizimit të saktë anatomik…”. Shumë bukur! Nëse ju doni të shtroni diskursin në fashën e elementeve teknikë e formalë si : ‘hapësirë’, “masë’, ‘volum’, ‘linjë’, ‘dritë’, ‘simetri’, ‘barazpeshë’, ‘harmonizim anatomik’, ‘frymë e lëmueshme’, ‘hije’, ‘gjysmë-hije’, ‘detaj’ apo ‘thellësi’, shpjegohuni ju lutem konkretisht nëpërmjet mendimit tuaj kritik, se çfarë përfaqësojnë këto terma në mënyrë të diferencuar si në monumentin e parë (2007) po ashtu edhe në të dytin (2017). Nga ana ime e keni gadishmërinë profesionale; ju mirëpres.
Dy fjalë për punën e zbritur nga piedestali
Atëherë, më lind edhe mua e drejta, si autor i monumentit të mëparshëm (2007), të bëj një diskurs shpjegues “meta-konjuktiv”, pasi natyrshëm dukej se mungonte në shkrimin tuaj!? Vepra ime nuk inspirohet as nga “qetësia”, as nga “lëvizja”, as nga “aksioni” dhe as nga “pushimi”, për këtë arsye ju ofroj mirëkuptimin tim, pse ju si kritik arti nuk e keni shpjeguar krijimin tim në figurën e Heroit! Vepra është frymëzuar nga “origjina” familjare dhe historia e saj, në luftën shekullore ndaj gjenocidit serb; nga “karakteri” i tij i edukuar, i sjellshëm me komunitetin dhe i panënshtruar ndaj armikut, simbolikë e rinisë kosovare; nga “akti” i sipërmarë prej organizimit të tij politik, për të nxjerrë patriotët shqiptarë nga burgu Mitrovicës dhe të krijonin njësitë e para çlirimtare (UÇK) dhe për t’u përballur me gjenocidin ushtarak të Serbisë (31 Janar 2007)...; nga “befasia” e përplasjes me pritën e armikut serb, ku ishte dekonspiruar dhe tradhëtuar aksioni i njësisë së tij, përbërë nga Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Kjo është arsyeja që në krijimin e veprës jam “kujdesur” që të mos bie pre e alegorive letrareske, ku konceptet rrjedhin lumë, pasi jam i vetëdijshëm për simbolikën e qartë të idesë, se kush ishte heroizmi i Edmond Hoxhës. Ai duhej të ishte jo i ngjashëm mes alegorive, por një simbol individual, kolektiv dhe kombëtar; frymëzues!!!
Vepra është kompozuar nisur nga momenti final, “befasia” në përplasjen me armikun, për të ndjekur rrugën e kthimit në proceset embrionale, me “aktin heroik”, “karakterin” dhe “origjinën”. Këmba e majtë e hedhur fort përpara, nuk eskalon lëvizjen, por guximin. Ky pozicion shpreh befasinë e ndaljes pezull në kohë, në ndalim të vrapimit dhe lëvizjes nga përballja me pritën armike, nënkuptuar edhe nga torsi-bust dhe fytyra e kthyer tërësisht me vështrimin e fundit nga vendlindja dhe atdheu mëmë Shqipëria, për të lënë amanetin dhe dashurinë për bashkëkombësit. Krahët dhe duart e ngritura lart dëshmojnë sublimimin e “aktit vetmohues” dhe tregimin e qëndrueshmërisë së pamposhtur fizike dhe shpirtërore të “karakterit” heroik shqiptar, ndaj pritës dhe pabesisë armike. Gjestikulacioni i duarve dhe gishtrinjëve është çlirimi i energjisë, i idealeve ushqyer dhe edukuar në “origjinën” e familjes Hoxha dhe mbarë rinisë shqiptare.
Kjo figurë është kompozuar dhe realizuar në bashkëbisedime me porositësin, të nderuarin patriotin Xhavit Hoxha, vëllai i madh i Edmondit, ish i burgosur politik në ish-Jugosllavi, i cili çdo ide tonën e konsultonte me patriotët e tjerë në Kosovë e diasporë. Ruaj letërkëmbime për këtë bashkëpunim...! Njëkohësisht kam lexuar me kujdes botimin e të nderuari, në mos gaboj, të zotit Kadri Rexha, i cili e përshkruan natyrën djaloshare të Edmondit, sportive dhe guximtare për tu përballur me dhunën dhe provokimet serbe, gjatë kohës që i vëllai tij Xhaviti ishte i burgosur për inspirim të lëvizjeve për autonomi në vitet ‘80. Këto kontakte më krijuan idenë e qartë, se lufta e djalërisë kosovare është e përjetshme për lirinë e kombit shqiptar, se ajo buron nga shpirti individual në thirrjet për t’u bashkuar në betejat e ardhshme për liri e pavarësi! Ndaj dhe kjo skulpturë është e paraqitur me dorën e majtë të vegjëlisë, të popullit, me gishtërinjtë si kube grumbulluese, që bën thirrje e kushtrim për t'u ngritur për liri, ndërsa objektivi i qartë i kësaj thirrjeje është dora e djathtë me gishtin tregues në krahun e shtrirë drejt tokës mëmë, atdheut, Kosovës... Mesazhi është kushtrimi që lëshuan Edmondi dhe këta djem, si pararendës të formimit të UÇK-së, si jehonë e thirrjeve të përhershme dje dhe sot; "BASHKOHUNI PËR KËTË TOKË"...!
Pra, gjithshka ka proceduar ashtu si edhe ju mendoni i nderuar z. Muharremi, prej “primares” dhe drejt “saktësimit” të rrënjëve kronologjike të heroit! Vepra është evoluar prej nga njohja, kuptimi dhe aplikimi i materialit faktik drejt shpirtit të heroit, që lidhet me analizën e origjinës individuale, kolektive e kombëtare, duke tipizuar natyrën e heroit dhe për të krijuar atë moment që përbën histori, befasinë e rënies fizikisht për t’u ringritur shpirtërisht si simbol i thirrjes në kushtrim për liri. Edmondi nuk ishte mësues fshati me xhaketë apo ushtar nën komandë me pushkën krahut. Ishte dhe mbetet Hero! Frymëzim!
Në krijimtarinë time përherë jam përpjekur të realizoj ide të paplagjiatuar nga artistë të tjerë, qofshin këta edhe artistë të paarritshëm në artin botëror, por mundohem të krijoj kompozime origjinale. Parimisht kjo është shumë e rëndësishme, qe vepra të ketë art. Pamja e Edmondit ishte unikale, në dimër vishte bluzë sportive të hollë dhe xhakoventon zbërthyer apo hedhur krahëve, më toraksin-bust të skalitur dhe këmbë të holla muskuloze, tipik malësor, si i zbritur nga Olimpi... Ky imazh duhej përcjellë si simbol i bukurisë së rinisë shqiptare, përballë barbarisë...! E dyta, forca dhe shpirti i Edmondit shfaqet në përshkrimet e zotit Rexha, i cili tregon dështimin e forcave speciale serbe, për ta vrarë në pritën e ngritur, pasi ky djalë dy-metrosh, me bluzën qullur në djersë, vraponte pyjeve të Vushtrisë në Mitrovicë, si zog i lirë, si shqiponjë, ndaj dhe është qëlluar nga ajri me helikopter, për të mbetur krahëhapur e në fluturim në historinë e Kosovës. Supet paksa ngritur japin besimin, por dhe ndaljen në frymëmarrjen e fundit drejt lirisë...
Përmbyllje, me dhe pa debat
Në fund të shkrimit tuaj apologjik, për “ringritje” të monumentit në 2017, ju shpreheni ; “Kjo mos të shërbejë si iniciativë e parë e zëvendësimit të shtatores shëmtirë me atë të mirëfilltë. Në të gjitha pjesët e Kosovës shtatorët e dobëta duhet të zëvendësohen me ato të mira, duke u nisur nga Prishtina e deri në pjesët më rurale të Kosovës sepse kjo ndikon pozitiv te gjeneratat e reja të cilat përmes artit i mbajnë mend edhe figurat historike. Andaj, mos t’i shëmtojmë heronjtë, por ti paraqesim real ashtu siç ishin”...!?
Bravo z. Ilir!!! Kurajo e madhe qytetarie dhe guxim profesional nga ana juaj! Meritoni të çmoheni, për sa kohë që nuk flasin të “heshturit”, apo “humbësit”... për të demaskuar jo vetëm “shtatoren shëmtirë”, por edhe autorin profesionist, që prodhon “shëmtira” në art! Ehf...!? Nuk e di sesi më tingëllon ky status!!! Kritika në art nuk funksionon si fyerje, por si vlerësim, duke kategorizuar vlerat zë për zë dhe renditja vlerave e zë vendin që i takon, pa lëvozhga termash të konsumuar në hermetizëm radikal.
Megjithatë..., për t’i shkuar më tej këtij vlerësimi si “shtatore shëmtirë”, pra si pjesë e “inciativës së parë” ndër angazhimet tuaja kritike, shoh se pas 3 vitesh, figuron “e zëvendësuar” vetëm shtatorja e Edmond Hoxhës, realizuar nga Bujar Kapllani. Kjo më shtyn në mendime përtej problemeve krijuese, për sa u shpreha më lart..., apo edhe që ju e “harruat” në shkrimin tuaj të para 3 viteve. Shoh se të dy ne, ndoshta, gjendemi jashtë rrethanave, që lidhen me përsosmërinë në cilësinë e artit dhe ndoshta, pa i njohur këto rrethana, nuk e di si mund të vlerësoj qëndrimin tuaj ndaj krijimit tim monumental, si të një qytetari të zakonshëm apo si të një kritiku arti! Ndaj e gjej të udhës të ngre disa pyetje të thjeshta “befasuese”, për t’u ndalur në kohë, që të mos ecim e vrapojmë papushim në analiza arti...
'A ishte arsye për ta zëvendësuar monumentin e Edmond Hoxhës në Tetor 2017... emërtimi nga ju si “shtatore shëmtirë”?', ‘Pse në këtë kohë turbullirash rajonale, me komente tinzare nga diku-aty-këtu, dikushi ndërtonte opinione se i dukej si "i lëshuar nga mentë" me ato duar hapur në ajër...!?’, ‘Pse u zëvendësua me një skulpturë tjetër në pamje skolastike me xhaketë dhe libër në dorë, si një mësues, apo si një student i zakonshëm e pa inisiativë, me armë krahut si ushtar?’, pse... pse... ka shumë...! ‘Po media kosovare pse heshti dhe e kaloi me heshtje këtë procesion, edhe pse si qytetar dhe si autor u kërkova ta bënin publike këtë akt jo transparent?’... PSE?!
Gjithsesi, ky rast dëshmon se edhe humbjet mbartin pozivitet! Ne sapo kaluam pranë njëri-tjetrit...! Shpresoj të kem shprehur të dobishmen në këtë reagim. Mirë u dëgjofshim!
Bujar Kapllani Skulptor Monumental 1 Dhjetor 2020
---------------------
1 https://www.kultplus.com/.../shtatorja-e-dobet-e-heroit.../ 2 Gabimet drejtshkrimore janë në citimin original - https://www.kultplus.com/.../shtatorja-e-dobet-e-heroit.../ 3 Gabimet drejtshkrimore janë në citimin original - https://www.kultplus.com/.../shtatorja-e-dobet-e-heroit.../
Comments