“Kritikë” për kritikat letrare të Shpendi Topollajit


Halil Rama "Mjeshtër i Madh"

Në 74-vjetorin e ditëlindjes shkrimtari mjaftë produktiv e cilësor vjen me librin “Pesha e dinjitetit”




· Nga lexuesi është mirëpritur dhe vlerësuar kritika letrare me titull “Dashuria e Lasgushit dhe përjetësimi i saj nga Ismail Kadare” (Rreth romanit “Ikja e shtërgut”, si pjesë e librit të Kadaresë “Përballë pasqyrës së një gruaje”, ndërkohë Sh.Topollaji ka spikatur me kritikën letrare edhe në vlerësimin e veprës së patriarkut të letrave shqipe Dritëro Agolli




Publicisti, poeti, prozatori, dramaturgu e kritiku i mirënjohur letrar Shpendi Topollaj, festoi 74-vjetorin e ditëlindjes së tij (14 shkurt 2021) me një bilanc mjaftë të pasur. Në koorpusin e tij krijues bëjnë pjesë më shumë se 60 vepra, ndër të cilët: dy drama, shtatë romane, tre novela, tetë libra me tregime, një monografi dhe disa libra me kritikë letrare.

Nisur nga mosha, po të konsiderojmë fillimet e krijimtarisë së tij kur ishte 14 vjeç, i bie që Shpendi Topollaj të ketë shkruar për çdo vit të jetës së tij nga një libër, por padyshim produkti i tij letrar i përket tri dekadave të fundit, duke filluar. me botimin e librit “Lirikat e Zemrës” - poezi (përkthyer në italisht) më 1996.

Duke qenë i pranishëm thuajse çdo javë në shtypin e kohës (“Nacional”, “Telegraf”, “Fjala e lire” “Veterani”, etj) me profilet e personaliteve të shquara të Luftës, Ushtrisë, artit e kulturës dhe sidomos me kritikat letrare të disa librave të autorëve të njohur, Topollaj është ndër më të njohurit e lexuesit shqiptar.


Për të dhe krijimtarinë e tij, janë botuar librat voluminozë “Të shkruash në liri - Shpendi Topollaj: poeti, prozatori, kritiku, njeriu” (2014), “Liria e të shkruarit” (2009); dhe “Kur mendja bashkohet me zemrën” (2020). Ai është vlerësuar shumë lart për cilësitë e tij të rralla artistike, tematikën e zgjedhur dhe mesazhet që përcjell, nga penat tona më të njohura.

Në një nga librat e tij, “Ishte koha kur…”, gazetari Kostaq Xoxa, duke folur për të shkruan: “Autori i palodhur dhe i talentuar i letrave shqipe të kohës së pasdiktaturës, Shpendi Topollaj, të befason me prodhimtarinë e tij aq të shumëllojshme në gjinitë letrare më të larmishme: në poezitë, në tregimet, në novelat dhe në romanet e tij; në kritikën letrare, në zbulimin, e thesareve të lashtësisë dhe veçanërisht të mitologjisë greke; në reportazhin artistik, në pasqyrimin dhe portretizimin e figurave të nëpërkëmbura nga një sistem totalitar gjysmëshekullor…”. Ndërkohë, për të mos i mbetur “borxh” Kostaq Xoxës, këtij korifeu të publicistikës shqiptare, Topollaj, në librin “Pesha e dinjitetit” (Kritika letrare”) shkruan: “Pas vitit 90 – të, Kostaq Xoxa ishte nga të parët që u angazhua me guxim në përpjekjet për shembjen e komunizmit në Shqipëri. E përkrahu si idealist i vërtetë demokracinë dhe aspiratën tonë evropianiste. Si gazetar e publicist, sidomos në gazetat “NACIONAL” e “55”, ai shkëlqeu me penën e tij të mprehtë, duke shfaqur si pak kush mospajtimin e tij me atë ideologji që i solli aq dëme dhe vuajtje shqiptarëve. Stigmata e tij plot llogjikë dhe tërësisht e mbështetur në fakte dhe të vërteta të pa mohueshme, synonte të sqaronte dhe ndërgjegjësonte lexuesit dhe asnjëherë ai nuk denigronte ndokënd…..”. (fq.178).

Me librin e tij me kritika letrare “Pesha e dinjitetit”, Sh.Topollaji vjen, jo vetëm si lexues, por edhe si studjues e vlerësues i zellshëm i krijimtarisë së disa autorëve të njohur shqiptar.

Duket fare qartë kjo te kritika letrare me titull “Dashuria e Lasgushit dhe përjetësimi i saj nga Ismail Kadare” (Rreth romanit “Ikja e shtërgut”, si pjesë e librit të Kadaresë “Përballë pasqyrës së një gruaje”, në të cilin qëndrojnë bashkë tre romane të shkurtër, ku veç atij të titullit, dhe “Kalorësi me skifter”, është përfshirë dhe një tjetër me titullin “Ikja e shtërgut” që i kushtohej dashurisë poetike të Lasgush Poradecit me bukuroshen Ana G). Në këtë rast Shpendi Topollaj, duke u kalamendur mes rreshtave, kujton shprehjen e M. Nekse për rëndësinë që ka në krijimin e veprës letrare “Ngjeshja e skajshme e materialit…”. Ndër të tjera ai shkrian se “Në pak faqe, gjeniu ka thënë aq shumë. Dhe pa të lodhur e sforcuar fare. Përkundrazi, ndihesh i çlodhur, i lehtësuar dhe i ripërtërirë shpirtërisht…Sidomos me shtjellimin mjeshtëror të asaj historisë olimpike të poetit tonë magjik, Lasgush Poradeci”.

Sh.Topollaji ka spikatur me kritikën letrare edhe në vlerësimin e veprës së patriarkut të letrave shqipe Dritëro Agolli, i cili sipas tij “pati gjithë jetën si devizë gjithçka, pra edhe njerëzit, edhe natyrën, edhe të mirën, edhe të virtytshmen, edhe të bukurën, madje edhe dashurinë e shihte me syrin e mprehtë të një vrojtuesi serioz e të pashoq, karakteristikë kjo që s`ju nda kurrë poetit tonë të shquar”. Për të arritur në këtë konkluzion Sh.Topollajit i mjaftojnë qoftë dhe disa nga titujt e librave të Dritëroit me poezi si “Në rrugë dola”, “Hapat e mia mbi asfalt”, “Udhëtoj i menduar”, “Pelegrini i vonuar” dhe do të bindesh për këtë. Po kështu edhe titujt e cikleve poetike: “Udhëtoj me njerëzit”, “Udhëtoj me shqetësimet”, “Udhëtoj me poetët”.

E kemi parë Shpendi Topollajin të ligjërojë aq bukur në takimet promovuese të librit “Një legjendë në kufirin midis dy kohëve”, kushtuar gjeneralit legjendar Rrahman Parllaku – Hero i Popullit dhe “Nderi i Kombit”, apo edhe për librat serial shumë voluminozë "Skëderbegasit ndër vite" të autorëve Kujtim Boriçi e Maksim Fejzulla, nga ku ka marrë vlerësime jo vetëm për elokuencën, por pikësëpari për peshën e mendimit të tij dhe gjykimin me objektivitet për vlerat ideore e artistike të këtyre botimeve serioze.

Mendimin e kualifikuar të autorit Sh.Topollaji e gjejmë edhe në vlerësimet e tij për veprat: e shkrimtares së nderuar Vilhelme Vranari (duke evidentuar edhe burrin e saj plot humor dhe energji, Fitim Haxhiraj); të këngëtarit të ëmbël të dashurisë Zyhdi Morava; të Petraq Kote, këtë shkrimtar që na i sjell të gjalla baladat (Rreth tregimit “Ngjarje ndër Muzakë”); të Dashamir Uruçit që vë dhimbjen e shpirtit në vargje (Rreth librit poetik “Në dritë të vetëtimës”) etj.