top of page

Kristoforidhi student në Universitet e Londrës


Kristoforidhi student në Universitet e Londrës

Kristoforidhi student në Universitet e Londrës


Ai është përkthyesi i Biblës në gjuhën shqipe


Dr Fatmir Terziu


Kostandin Kristoforidhi (1827-1895) mësohet se ka studiuar në Universitetin e Londrës (University of London) për gati tre vjet. Me fitimet e veta që siguroi në punën e tij si përkthyes i Ushtrisë Britanike, në kohën që kjo ushtri zhvillonte Luftën e Krimesë, ai arriti të rregjistrohej në Universitetin Anglez dhe të paguante shpenzimet e tij. Ky zbulim vjen nga studiuesi britanik Stuart E. Mann në një nga veprat e para të tij të botuar në vitin 1955 për letërsinë dhe krijimtarinë shqipe, e para vepër e një studiuesi të mirëfilltë anglez në këtë fushë për Shqipërinë. Sipas zotit Mann, mësohet se burimi për këtë është lëshuar për herë të parë nga Kosta Shuteriqi në vitin 1911 në librin e tij “Jeta e Kristoforidhit”.

Lidhja me kulturën britanike e Kristoforidhit, që në emrin origjinal njihej si Kostandin Nelko, ftillohet me studimet e anglishtes në një shkollë të Maltës. Përpos aftësive të tij të mëdha gjuhësore, zotërimit të përsosur të gjuhëve greke, shqipe, malteze, angleze, turke dhe frënge, ai ishte jashtëzakonisht i preferuar në fushën e përkthimeve profesionale.

Më parë, Kristoforidhi, i biri i një argjendari elbasanas, kishte patur shansin të shkollohej në Janinë, ku takoi edhe austriakun von Hahn, me të cilin ai lidhi miqësi dhe mësoi angazhimin e tij në fushën e gjuhësisë dhe etnografisë, për të cilat ai ishte interesuar. Më vonë këto interesa të von Hahn u përfshinë në librin që u botua në vitin 1954, Studimet Shqiptare.

I frymëzuar nga kontakti me të Kristoforidhi u kthye në Tiranë ku ushtroi mësimin e gjuhës shqipe, por shumë shkurt me vdekjen e prindërve u rikthye në Greqi, më saktë në Patras ku ai bëri akuitancën e Konsullit Britanik.

Gjatë studimeve në Londër ai u lidh me Shoqërinë Britanike dhe të Huaj të Biblës, ku kjo e fundit e autorizoi atë të përkthente Biblën në gjuhën shqipe.

Lëvrues dhe studiues i shquar i gjuhës shqipe, veprimtar i Rilindjes Kombëtare, i arsimit dhe i kulturës. Lindi në Elbasan, ndoqi nga viti 1847 gjimnazin Zosimea të Janinës, ku ndihmoi J. G. Hanin për të studiuar shqipen e për të hartuar një fjalor shqip-gjermanisht. Shkoi në Stamboll më 1857 dhe për të treguar nevojën e një pune të re me përkthimet shqip hartoi një Memorandum për gjuhën shqipe. Qëndroi në Maltë deri më 1860 në një seminar protestant, ku ndërkohë përfundoi përkthimin e Dhjatës së re toskërisht e gegërisht. Paraqiti disa nga idetë e rilindësve për njësinë e Shqipërisë autonome, për lashtësinë e virtytet e shqiptarëve, si edhe gjendjen e arsimit e të dialekteve të shqipes në punimin Shënime mbi Shqipërinë, gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta (1860). U vendos mësues në Tunis deri më 1865, kur hyri në marrëdhënie me përfaqësuesin e Shoqërisë Biblike të Londrës në Stamboll. Botoi më 1866 përtkhimin e parë gegërisht Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve dhe vijoi për shumë vjet përkthimet: Psallmet (1868 toskërisht, 1869 gegërisht), Dhjata e re (gegërisht 1869, toskërisht 1879), Të bërët dhe të dalët (toskërisht 1880), Nomi i dytë (toskërisht 1882) Fjalët e urta të Solomonit dhe Vivla e Isaisë (toskërisht 1884). Ka lënë dorëshkrim Krijesa dhe të dalët gegërisht, si edhe disa shkrime të tjera që nuk janë gjetur. Udhëtoi disa herë nëpër Shqipëri që nga viti 1870 për të mbledhur fjalë e shprehje nga goja e popullit, për të përhapur librat e vet dhe për t'u mësuar bashkatdhetarëve shqipen letrare. Shoqëria Biblike i ndërpreu marrëdhëniet me të më 1874 pa paralajmërim, sepse u vërtetua që ai nuk besonte në frymëzimin hyjnor të Biblës. U detyrua të shiste dru e qymyr e të hapte një pijetore në Tiranë, por jepte fshehurazi mësime të shqipes. U vendos përfundimisht më 1884 në Elbasan, ku vijoi të jepte shqipen fshehurazi derisa vdiq.

Veprimtaria e tij themelore ishte në dy fusha të lidhura ngushtë: për gjuhën dhe për shkoIlën shqipe. Botoi më 1867 Abetaren gegërisht, më 1868 toskërisht dhe libra të vegjël për nxënësit. Bashkë me atdhetarë të tjerë mori pjesë në Komisionin për alfabetin e për arsimin më 1867 në Stamboll dhe i vazhdoi më pas përpjekjet e përbashkëta për alfabetin. U përpoq me Hasan Tahsinin e të tjerë të ngrinte shkollën shqipe. Idetë më të rendësishme i ka shprehur në një letër Nikolla Naços më 1888.

Vepra themelore e Kostandin Kristoforidhit, për të cilën punoi gjithë jetën, është Fjalori i gjuhës shqipe . Më 1882 botoi Gramatikën e gjuhës shqipe sipas dialektit toskë; ka lënë edhe disa dorëshkrime me shënime gjuhësore. Përkrahte teorinë për prejardhjen pellazge të shqipes. Nxori në dritë vlera të shumta të visareve të gjuhës së popullit, dha ndihmesë të veçantë për pastërtinë e gjuhës dhe dëshmoi se dialektet e shqipes nuk kishin dallime të mëdha. Me lëvrimin që i bëri gjuhës shqipe në përkthimet e në veprat e tjera ndihmoi për themelimin e gjuhës letrare kombëtare. Provoi prozën me tregimin e shkurtër Gjahu i malësorëve (botuar më 1902). Punoi për një sistem arsimor kombëtar, të mbështetur në një pedagogji e didaktikë përparimtare demokratike.

Në pikëpamjet politiko-shoqërore Kostandin Kristoforidhi ishte iluminist demokrat. Si rrugë kryesore shihte zgjimin kombëtar nëpërmjet shkollës e kulturës dhe gjuhën amtare e shihte si mjetin më të rëndësishëm për përparimin kombëtar. Ishte ndër përfaqësuesit e parë që u bënë shprehësit ideorë të lëvizjes kombëtare dhe bëri përpjekje për ta vënë në jetë programin e rilindësve në fushën e kulturës e të arsimit.


25 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page