top of page

KRIJUESI QË JETËN E SHNDËRROI NË OBELISK...



Përftim nëpër rrugëtimin jetësor të shkrimtarit, publicistit dhe dramaturgut, Shaip GRABOVCI


KRIJUESI QË JETËN E SHNDËRROI NË OBELISK TË PËRJETSHËM TË KOHËS DHE TË FATIT TË NJERIUT...!


Gjatë kam menduar se si ta filloj këtë shkrim, nga t’ia nisi fillin dhe si t’ia vë vulën e kësaj forme të rrëfimit, i cili nuk kam dëshirë që të jetë i rëndomtë, por mbaj shpresë se as nuk do të jetë i rëndomtë...! Nganjëherë më shkon mendja që për njerëzit e veçantë, shkrimi duhet të jetë i thjeshtë, modest por në të njëjtën kohë edhe me peshë e me mesazh të njerëzores që e përshkon tërë rrugëtimin jetësor, i cili padyshim se është plot trakullima, plot përplasje, plot dhembje, plot mall, e që të gjitha këto rrumbullakohen me lumturinë dhe me thelbin e së mirës, e që i ngjanë polenit të luleve të jashtëzakonshme i cili shpërndahet kado dhe kudo.

Andaj, kujtoj se shkrimin për mikun dhe kolegun tim, për krijuesin dhe publicistin e veçantë, Shaip Grabovcin, edhe pse është vështirë për t’i qëndruar besnik deri në fund nivelit të vlerave të tij, pa e harruar apo pa të rrëshqitur ndonjë detal, duhet qasur me përkushtim dhe në mënyrë ashtu si kam dëshirë unë. Kjo, ngase jeta e tij, rrugëtimi i tij, veprat dhe madhështia e tij njerëzore, janë një vlerë e patjetërsueshme dhe një bagazh aq me begati, sa që ndonjëherë e tërë kjo, si krenari na duket si mbishkrim në një kështjellë ku reflekton historia, ku ruhet e tërë ajo që flet e duhet të flasë, ku ruhet e tërë ajo që lumturon dhe na bën krenarë por edhe që e qorton njeriun nëpër kohërat e periudhat!


Sofra e bukës dhe e kripës, krenaria e edukatës dhe e begatisë njerëzore

E tash, si t’ia filloj?! Unë jam modest, por edhe kam vendosur të jam edhe sa më i thjeshtë e modest, tamam si ky njeri, i cili tërë jetën e kishte dhe e ka virtytin për ta luftuar të keqen, për ta ngritur në piedestal atë punën që njeriun e bën të qëndrueshëm, të pathyeshëm, e bën optimist dhe luftëtar të paepur që trakullimat e jetës, ngritjet dhe zbritjet t’i shndërrojë në dritë e cila nuk shuhet kurrë...

Kjo është edhe karakteristika dhe zotimi i këtij njeriu, i cili gjithmonë ishte dhe është shembull i edukimit, i këshillave dhe i optimizmit se në jetë çdo gjë mund të arrihet dhe mund të bëhet realitet që shpie përpara. Andaj, këtë njeri, këtë mik jo vetëm timin, këtë krijues dhe publicist, me të cilin një kohë të gjatë kemi punuar e krijuar së bashku, edhe pse kemi pak dallim në moshë, thuaja se e njoh që nga fëmijëria.

Ndoshta nuk është e qëlluar, por nga aty do të filloj... Ai u lind në një familje të ndershme e bujare, por në skamje, si shumica e familjeve të tjera shqiptare. Ishin pesë fëmijë; katër vëllezër dhe një motër. Shaipi ishte fëmija më i madh, kështu që pas babait, por edhe sa ishte gjallë prindi i tij, ai e mori rolin dhe timonin për t’u kujdesur dhe për ta ngritur familjen.

Fëmijë prush, por sofra kur shtrohej, atë e madhështonte buka edhe nga një grimë djathë dhe lëngu gjithsesi. Kështu, Shaipi e frymëzonte shpirtin dhe diturinë e mendjen që i zinte si brumin e bukës, që, të gjithë këta fëmijë si molla të ecnin pa e vrarë mendjen as shpirtin me të gjitha ato telashet që i sillte jeta.

Dhe gjërat rridhnin si lumi, e këta rriteshin shëndetshëm, ndërsa, Shaipi në atë kohë sikur i ngjante shqiponjës e cila zogjtë e vetë i ruan, i trimëron, i ushqen dhe i mëson se si duhet sfiduar rrjedhat dhe kohërat...!

Sa mirë që jeta e detyron njeriun të kalitet dhe kështu e shndërron në pelegrin “kokëfortë”, të qëndrueshëm e ndoshta ndonjëherë edhe të çuditshëm me këmbëngulësinë e tij.


Zotimi se jetën duhet për ta bërë dritë, e dritën lumturi...


Erdhi koha e sprovave për shkollim dhe për të zënë dituri, si i vetmi element për t’u ç’kapur nga ai pellgu që jetën e ngulfat, e bën të rëndë, e në një mënyrë edhe “armik” apo kërrupnajë që lëshon rrjetë degësh që mbyllin dyer e rrugë...! Por, tash ngritët vetëdija edhe e vëllezërve dhe e motrës, të cilët nga shpirti i tyre morën detyrimin edhe të shkollimit, edhe të punës.


Shkrimtari, publicisti dhe dramaturgu, Shaip GRABOVCI

Dhe, rrugëtimi jetësor i ngjante një karroce që herë ngatërrohej në baltë, e herë në kalldrëme rrapëllinte, e herë merrte shpejtësinë e dritës! Por, miku im, tash gjithnjë e më shumë kujdesin e kishte pjesë të jetës për ardhmërinë e familjes, e cila, lirisht dhe me mburrje mund të them se u ngrit dhe u ndërtua shëndetshëm, duke e shtuar vetëdijen dhe detyrimin se jetën duhet për ta bërë dritë, e dritën lumturi.

Tash, krahas shkollimit në shkollën normale, Sh. Grabovci mori si obligim shpirti për të krijuar edhe të ardhura, por edhe për ta ngritur e zhvilluar talentin në fushën e kulturës, të cilën gjë qysh si kalama e kishte ëndërruar dhe ruajtur në zemër e në shpirt.



Drama “Njerëzit me shpresa të thyera” hapi dyert e suksesve të reja të dramaturgjisë kosovare dhe kombëtare


Gjatë mësimeve në shkollën e normales pasojnë aktivitet kulturore, të cilat ia hapen rrugët për t’u dëshmuar edhe në rrjedhat e kulturës jo vetëm në shkollë por edhe në qytet.

Drita e ndezur e talentit i kishte të gjitha orientimet dhe synimet në fillim në artin skenik, në Teatrin e Qytetit të Pejës, nga i cili dikur kishin dalë aktorët më të njohur të Kosovës. Andaj, ky teatër tash u bë çerdhe e talenteve të rinj, u bë institucion i cili provokoi shumë veta, që talentin dhe forcat e tyre, përveç si aktorë, t’i sprovojnë edhe në dramaturgji...

Në këtë fushë, Sh. Grabovci, qetë e me fanatizëm iu përkushtua dramaturgjisë, e cili pastaj, me krijimet e tij begatoi krijimtarisë e dramës dhe të dramaturgjisë kosovare dhe kombëtare. Shumë tekste dramaturgjike u rreshtuan në skenat teatrore me të cilat shquhet ky krijues, intelektual, dramaturg dhe publicist.


Drama “Njerëzit me shpresa të thyera”, ishte filli i ndritur i krijimtarisë së Sh. Grabovcit, por edhe i sukseseve të reja të dramës kombëtare. E them kështu, sepse, kjo dramë u nderua me Çmimin “Katarina Josipi”, atëherë të Teatrit Krahinor në Prishtinë. E tërë kjo sikur ndikoi edhe në masivizimin e artit skenik në Pejë dhe më gjerë. Drama, “Njerëzit me shpresa të thyera”, me sukses dhe të arritura u përgatit dhe u shfaq në shumë teatro të Kosovës dhe jashtë saj.

Puna dhe angazhimi në Teatrin e Pejës, Sh. Grabovcin e bëri edhe më këmbëngulës me ide të reja krijuese, dhe kështu, deri me tash janë radhitur shumë vepra, drama e veçmas komedi, zhanër ky i cili ende i mungon bukur shumë kulturës dhe artit skenik kombëtar.

Ja, po i përmendim vetëm disa drama e komedi, të cilat u shfaqen në skena teatrore por edhe u botuan:

“Unë në botën e Talisë”, dramë

“Pylli është i të gjithëve”, dramë

“Njerëzit me shpresa të thyera”, dramë,

“Memoaret”, dramë,

“Ora”, dramë,

“Infektimi”, komedi

“Arrna për thes”, komedi

“Princi i shëmtuar, princi i bukur”, dramë për fëmijë

“Ujku”, dramë për fëmijë

“Digimonet”, dramë për fëmijë

“Stuhi kozmike”, dramë për fëmijë

“Tomi dhe Xheri”, dramë për fëmijë

“Lajthimi”, monodramë,

“Ëndrra e Lulit”, dramë për fëmijë

“Macja në dritare”, përmbledhje humoreskash, botuar nga Rilindja

“Besimi i humbur”, katër drama për fëmijë, botuar nga Rilindja

Kënga si dhuratë”, dramë për fëmijë, etj.

Është kjo një kënaqësi, krenari dhe dëshmi që ky intelektual, punën e tij edhe në fusha të tjera. Kontributi i tij ishte edhe në emisionet për fëmijë në Radio-Prishtina, radiodrama dhe skeçe e emisione humoristike etje., të cilat e begatuan programin kulturor dhe arsimor me tema gjithnjë aktuale në Radio-Prishtina.



U angazhua edhe për afirmimin e punës së SHKA në qytet, si një histori e gjatë e vlerave shpirtërore


Të gjitha këto të arritura që ishin synim për zhvillimin dhe afirmimin e vlerave kulturore kombëtare, me sukses u reflektuan edhe me angazhimin e tij si gazetar-korrespondent i Radio-Prishtinës nga Peja e më vonë edhe si gazetar-korrespondent i gazetës “Rilindja”. Ai, së bashku me kolegët e tij gazetarë, me vigjilencë dhe në mënyrë profesionale u angazhua për ta informuar popullatën për të gjitha rrjedhat shoqërore, kulturore, arsimore mbase edhe politike, por edhe për t’i luftuar të gjitha problemet që i përcillnin zhvillimet e atëhershme.

Njëherësh u angazhua edhe për afirmimin e të gjitha fushave kulturore, të cilat e kishin një histori të gjatë e të begatë dhe me bagazh vlerash prej deceniesh. Nuk kishte ngelur anash as puna dhe rezultati i shoqërive kulturo-artistike, si: SHKA “Përparimi”, SHKA “Ramiz Sadiku”, SHKA “Xhemail Kada”, SHKA “Sofra Pejane”, e shumë e shumë shoqëri dhe seksione të tjera kulturore dhe teatrore në organizata, kolektive punonjëse dhe në bashkësi territoriale.

Ndërsa, puna e ndritur e Teatrit të Qytetit, ku një kohë Sh. Grabovci ishte edhe drejtor i këtij institucioni, ishte si qershi mbi tortë. Drama shqiptare e këtij teatri me të arriturat e veta u bë e njohur në të gjitha viset dhe qytetet e Kosovës dhe të ish Jugosllavisë. Kështu ishte lëvizja kulturore. Kështu ishte ecja dhe rrugëtimi i njeriut me vlera të veçanta shoqërore, kulturore mbase edhe njerëzore.

Por, puna e tij si krijues dhe gazetar, por edhe e kolegëve të tjerë, ishte me plotë vështirësi, me plot trakullima, sepse, vëzhgohej e përcillej çdo shkrim dhe çdo aktivitet. Mirëpo, vetëdija e lartë bëri që punën ta kryejmë me guxim dhe me dinjitet, edhe pse, ishim jo rrallë të kërcënuar e të ndrydhur nga pushteti i atëhershëm.


Shaip GRABOVCI(Fotografi e shkrepur në muajin mars të vitit 1981)

Edhe pse, si duke ecur nëpër teh të thikës, ai arriti t’i ruajë dhe t’i zhvillojë edhe më shumë vlerat e informimit të opinionit të gjerë dhe të popullit


Si intelektual e punëtor publik, që studionte edhe gjuhën angleze, Shaip Grabovci, mobilizohet dhe begatohet me ide të reja për punë edhe në asketin shoqëror. Tani, gazetaria, teatri e krijimtaria teatrore por edhe kultura përgjithësisht, ishin bërë themel i fortë dhe argument që ky njeri të ecën drejt të arriturave të tjera. Ai, në kohërat më të vështira dhe të ndërlikuara shoqërore dhe politike që kishin nisur gjithnjë e më ashpër ta godasin Kosovën dhe popullin shqiptar, me përkushtim iu përvesh gazetarisë në Radio-Prishtina dhe në gazetën “Rilindja”. Pastaj, mori guximin dhe iu përvesh edhe detyrës së Kryeredaktorit të Radio-Prishtinës, të cilën detyrë, edhe pse, si nëpër teh të thikës, ai arriti t’i ruajë dhe t’i zhvillojë edhe më shumë vlerat e informimit të opinionit të gjerë dhe të popullit.

Pas luftës në Kosovë, nuk iu nda detyrës së rëndë por të shenjtë të gazetarisë, por edhe të krijimtarisë letrare dhe dramaturgjike. Ai, kësaj radhe u angazhua të RTV-21, ku me sukses i realizoi të gjitha punët e gazetarit dhe të redaktorit me përvojë, por edhe të këshilltarit dhe të edukatorit për gazetarët e rinj. Edhe këtu la gjurmë, duke sajuar e përgatitur edhe emisione për fëmijë por edhe emisione me peshë të humorit bashkëkohor dhe intelektual...

Ai, edhe sot, shpirtin dhe mendjen e ka të stolisur me peshën e kuadrit të rrallë profesional, të njeriut me shpirt të madh e të urtë, e që marrë në tërësi, gjatë rrugëtimit dhe angazhimit të tij, jetën e shndërroi në obelisk të përjetshëm të kohës dhe të fatit të njeriut!

Pra, ky është njeriu, krijuesi, dramaturgu, publicisti dhe shembulli i veçantë i njerëzores, Shaip GRABOVCI, i cili ka rrugëtuar dhe rrugëton edhe me familjen e vetë, me bashkëshorten Nasiben dhe me vajzat intelektuale, Arbneshën-Bucin dhe Vjosën...!

(©S. B.)

24 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page