
KRIJUESEN E TREGIMEVE TË ALDËS ASKUSH S’E NJEH
Sprovë
Askush nuk e di si u ngjiz estetikisht. Nuk ka prindër që t’ia tregojnë. Akti gjinor estetik ka
ndodhur para lindjes së tij. Ka qenë fara e prindërve dhe rastësia që i ka siguruar lindjen estetike.
Dhe përsëri, misteri është i fshehur në natyrën e krijimit. Natyra të jep krijimin, por nuk të
shpjegon misterin. Mund të ngushëllohesh duke gjetur një rast të ngjashëm në gjerdanin e
brezave të tu, por përsëri do të marrësh prej tyre një ide të vagullt. Ajo me të cilën kemi lindur,
na krijon, vetëm shpërfaqja dhe futja në ujërat e rrethanave kanë një kuptim të plotë krijimi.
Krijuesi, në thellësi... të njeriut, është gjithnjë më i ndriçuar se njeriu. Është më i ndriçuar
dhe më i plotë se ai punon me tre mekanizma: me logjikën, me misterin që përgatit krijimin dhe
me mekanizmin e figurave. Është një bashkëjetesë jo pa probleme. Shpesh, njeriu ndien se ka në
përdorim vetëm logjikën dhe pret t’i vijë krijimi. Ai i nënshtrohet pa kushte krijuesit vetëm në
çastin e krijimit. Jashtë rrethanave krijuese, njeriu e shpërfill krijuesin me egoizëm, sepse paraqet
veten. Sa më pak trysni ushtrohet mbi krijuesin nga njeriu, aq më artist është njeriu në jetë dhe aq
më shumë art lind. Sekreti i krijuesve të mëdhenj qëndron në daljen nga rrethanat shtypëse të
vetes dhe të shoqërisë.
Po ta këqyrësh psikikën e Alda Taçe Shpatës, që gjallon në tregimet e saj të shkurtra, do të
ndiesh se ajo ngulmon të rikrijohet, por në hapësira të ngushta. Askush nga jashtë nuk ia ka
diktuar asaj të rikrijohet në këto hapësira dhe jo në të tjera. Rikrijimi dhe përsëritja janë
mekanizmi i jetës, por nuk e shohim përsëritjen, se na del përpara jeta pandërprerë. Rikrijimi
është lëvizja e brendshme e njeriut drejt njohjes së vetes.
Masa ideale e hapësirave ku e vendos personazhin Alda, nuk është më e madhe se një
dhomë me perde që hapen e mbyllen vazhdimisht për t’u futur afshi i jetës. Gjithkush mund të
thotë se e këqyrim natyrën me sytë e psikikës sonë. Dhe në art i njëjti mekanizëm punon.
Gjithçka e fortë që na ndodh është një kujtesë e përsëritur në trajta të ndryshme. Por nuk
është vetëm e ndodhura e rastit, është edhe përfytyrimi (e parandodhura) e regjistruar si embrion