(Përsiatje mbi novelën “Zjarr dhe zjarr” të Sazan Golikut )
Nëse shikoni gjatë në humnerë,
humnera do të shikojë brenda jush.
Friedrich Nietzsche
Duke lexuar novelën “Zjarr dhe zjarr” të Sazan Golikut, mendimi i parë formal është se kjo novelë me këtë subjekt kaq origjinal është thjeshtë një sinops- novelë por edhe si i tillë libri hap shumë diskutime mbi shume aspekte dhe koncepte që ka parështruar me saktësi autori.
Saktësia e këtyre koncepteve shoqërohet me një sistem metaforash të guximshme, metafora që fillojnë që në titullin e novelës “Zjarr dhe zjarr” ku vec ngjyrës reminishente lexuesi pret me vëmendje lojën me zjarrin që servir autori Sazan Goliku.
I gjithë libri është një parakalim teorishë filozofike që prihen nga personazhi kryesor nga Ohenzmi, Saranda e sotme, Rukipeu dhe që zhvillohen mes tij dhe filozofëve të qytetit të Athinës. Dhe gjithnjë cdo paraklaim teorishë filozofike shoqërohet me zjarret.
Zjarret të shfaqura nga autori në librin “Zjarr dhe zjarr” janë ashtu sic e perifrazon Prof.Dr. Zyhdi Dervishi “Ideja e zjarrit shkatërrues, e zjarrit mendje ndricues dhe e zjarrit të pasionit gërshetohen në vetëdijen dhe modelet e sjelljeve të personazhit vetëmohues, Rukipeut, i cili udhëton në linjat e idealit dhe të lartësimit të dinjitetit...”
Këto përcaktime janë kolonat ku mbahet e rrotullohet subjekti i kësaj novele. Por gjatë udhëtimit jetësor të Rukipeut, udhëtimit filozofik ndizen shumë zjarre, që nga ai i djegjes së shtëpisë në Onhezëm që në krye të novelës kur ai ishte mustaqe pa jersitur e deri ne djeegjen e hstëpisë në Athinë kur mjekra e Rukipeut kishte pamjen e bardhë. Mes këtyre dy zjarreve shkrumbëzues gëlojnë shumë zjarre të tjerë.
I ati donte që Rukipeu të bëhej një shkencëtar si pasardhës i Euklidit, por Rukipeu merrej me parasokratët.. Platonin, Aristotelin, Heraklitin, Demokritin, etj. Ai arriti të hapë shkollë filozofie në zemër të Athinës. Emigrimi në Greqi është paralelja e emigrimit të dijetarëve grekë në Egjipt... e këtu më kujtohet libri i Mobergut suedez ‘Emigrantët” se si shkoi fati i atyre fshatarëve suedezë në Amerikën e largët. Ata nuk i harruan tokat e tyre dhe kur u kthyen në fshatrat e tyre i gjetën zjarret prush të mbuluara. Zjarret jetojnë gjatë fizikisht dhe teorikisht. Se në fund të fundit sipas Heraklitit “ Zjarri është krijuesi i botës dhe i njerëzve” dhe në botëkuptimin filozofik zjarri është element i transformimit të përkryer dhe që tregon se njeriu është një person aktiv, dinamik, pasionant, autoritar dhe i pavarur. I tillë është projektuar dhe Rukipeu nga Sazan Goliku.
Që në faqet e para Sazani shkruan në emër të Rukipeut:
“Edhe pse pas zjarrit shkatërrues zjarri do të mbetet i përhershëm, zjarri i dijes e i mencurisë sërish do të rindizet, deri sa të ketë njerëz, ashtu sic do të ketë edhe zota dersi sa të ketë bësimtarë.”
Më bukur s’ ka si thuhet!
Nga u ringjall zogu Feniks pas atij zjarri të madh? Si ringjallen bisqet e brishtë të vreshtave që zjarri përfshiu të gjithë vreshtin ne hektarë të tërë! Është enigmë apo mistikë!? Të dyja bashkë.
Shenjat e zjarrit metaforik Rukipeu i ndjeu në anijen me të cilën po emigronte në Athinë. Fyellin e bukur me të cilin krijonte meloditë e hershme të kaonëve, kapiteni athinas ia hodhi në det...Pas cdo lloj zjarri kjo hedhje në det e fyellit dhe ofendimi i kapitenit duke e quajtur “ barbar” do t’i vërshëllente në vesh e do ta cimbonte në zemër.
Edhe kur i dogji ai studenti librin e tij, edhe kur Sosastra, kurtizanja greke e shfrytëzoi për pasionet e saj të egra, edhe kur filozofë të shpifur e denonconin në gjykatë për imoral, edhe kur...ai shihte fyellin që binte në det...
Sazan Goliku me këtë libër novelë na sjell të zbërthyer në një farë mënyre sistemin dualist të mendimit të një kaonasi të Onhezmit por shumë të lidhur me njerëzit e Dyrrahut, aty ku kultura vendase intersektohej me ato të përtej detit apo të përtej tokave ilire- arbërore. Dualizmin praktiko- teorik e dallojmë në vetë mendimet e Rukipeut i cili thotë:
“ Të mendosh ndryshe nga tjetri nuk do të thotë se ai është armiku yt.” Është një parathënie e cuditshme për ato ngjarje që do të ndodhnin në shekujt e parë të mesjetës me heretizmin si dualizëm.
Le të kthehem në zjarrin tjetër, atë të dashurisë, Rukipeu i rrëmbyer nga pasioni jo vetëm si mashkull por si një filozof puritan, një aristokrat i kohëve të mëvonshme, thotë se kur u takua me vajzën nga Dyrrahu, Kiprina, tha se “ Befasia ndodhi kur dashuria më trokiti dhe mua në derë.”
Dhe zjarret vazhdojnë deri sa digjet dhe vetë periferia e Athinës, zjarret e përdhunimit të vajzës studente, zjarri që dogji librat në sheshet e Athinës...edhe ai djali, student i tij...
Dhe është heroi ynë Rukipeu nga Kaonia që thotë:
“Atomet e hirit që do të mbeten te këmbët e këtij djaloshi do të bëhen nesër shkëndija që do të ndezin një zjarr filozofik.”
Libri “Zjarr dhe zjarr” i Sazan Golikut është një lloj drame për një kohë që ne shqiptarët kemi nevojë ta njohim, edhe pse libri është një trillim, por ai qëndron në këmbë dhe kështu i vogël sic është. Ndoshta mistika e zjarrit shumëformësh do ta rrisë e do t’i japë ndricimin skenik nga llozhat e sipërme të “kompetentëve” të sotëm të këtyre punëve.
Durrës 2 janar 2024
Commentaires