top of page

“KOSOVË, ATDHE I LAVDUEM I BURRNIS”


KOSOVA - FRYMËZUESE POETIKE






Nga Sinan GASHI


Fatin e Kosovës, madhështinë dhe heroizmat e përhershme që i dëshmoi ajo, poetët e traditës i letrarizuan në veçanti, duke shkrirë talentin e tyre së bashku me adhurimin, duke shprehur mendime përplot me emocione.

Idealisti i madh dhe i përkushtuari i krijimit poetik, Aleks Stavre Drenova (1872-1947), i përjetshmi si Asdren, ishte rrëmbyer vazhdimisht nga motivet atdhetare, të cilat i krijoi edhe më me emocion duke qenë jashtë Atdheut. Veç toponimeve historike që hasen si tituj të poezive të tij, njëra është me frymëzim të thellë për Kosovën, e cila mbeti jashtë veprave të botuara, deri në ditët e sotme.

Kosova e kësaj poezie është vendi që ka sy lirie, që rrit trima shqiptarie, që shtrihet në pjesën hapësinore të bukur të Ballkanit dhe që ka pasuri të pamasë. Ajo për krijuesit e traditës është kopja unikate e madhështisë, prej ku mund të mësohet ajo që quhet “sakrificë”, ajo që thirret “heroizëm”, ajo që përjetësohet – “Atdhetari”.

Poezia që ka gjithsej pesëmbëdhjetë strofa jep një zjarr përvëlues për këtë pjesë të tokës shqiptare që i ishte prerë dhunisht nga letërsia e saj. Në poezi hetohet një shtrirje e rrjedhës historike e Kosovës, me fatin e saj të rëndë; me krenarinë që e ka shqiptaria për të, me të kaluarën e lavdishme historike, me burra të gjatë si selvia, me gra e vasha si zana mali etj.

Poeti që i kishte ndjekur të ngjarat brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe i cili ishte pjesëmarrës i ngjarjeve kyç për kombin, si Kongresi i Manastirit (1908). Shpallja e Pavarësisë (1912), nxjerrjen e gazetës “Shqiptari” në Rumani, e të tjera, dinte gjithçka nga rrjedhat dhe ndiente dhimbje të shtuar si poet kur diçka e keqe pllakoste vendin.

Me poezinë “Kosovës” Asdreni shpreh dashurinë dhe besimin, dhimbjen dhe shpresën se ky truall dhe këta “Kosovas”, siç i quan ai, do të jenë të synimeve të hershme, ata që nuk dorëzohen para së keqes, para armikut të synimeve shfarosëse dhe do të lirohen vetiu. Duke qenë kjo një temë kryesisht historike, ai edhe mendon në synimin programatik të saj, andaj edhe hetohet dukshëm zbehtësia artistike në strofa të veçanta. Nuk e lënë synimet grabitçare serbe që të ndihet më i qetë dhe mendimin ta thotë më poetik. Ndërrimi i emrit në “Serbi të Vjetër” ose qëllimet e tyre për përçarje nëpërmjet gjithçkahes së mundshme mes shqiptarëve, pra edhe përmes feve të shumta që ka shqiptari, poetin e irritojnë, duke i dhënë vargut e strofës gjithnjë ngjyrime këshilluese të drejpërdrejta me doza të mllefosjes. Ai i ka të freskëta edhe pjesët e tjera të truallit amëtar që ia kishin përvetësuar me ndihmën e “mendtarëve” të Evropës, në kongrese fatkeqe për shqiptarët. Pikëtimet e shtrirjes gjeografike vetëm sa shënuan mosharresën se jemi “Në Manastir, në Shkup, në Shkodër e Janinë…”.

Jo vetëm kësaj radhe, por edhe shumë krijime poetike të Asdrenit janë himne, marshe e thirrje për ndryshime të gjendjes kombëtare.

Ja se si shkruan në një strofë:


Sot ora mbërrini, dita e bekueme

Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!

Kosovës emnin me ja ngref te qilli

Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli


Me rrnue një Shqipnii

Si zonjë në lumnii.


Është kjo poezi e shkruar me strofën gjashtëvargëshe, me njëmbëdhjetërrokësh të rimuar, me një frymëzim të thellë, të përshkuar nga një zjarr idealisti.

Fqinjët: grekët, serbët e bullgarët, me synimet e tyre ekspansioniste, ia terratisin shikimin autorit, i cili dhimbjen e kthen në revoltë të theksuar. Shpirti i ndieshëm i poetit nuk duron këtë përbuzje, këtë shkatërrim, këtë synim asgjësues të kohës.

Idealisti i jetës nuk kish si të mos ishte i tillë edhe në krijimtari. Njeriun që asgjë nuk e ndaloi të kontaktonte me Ismail Qemalin e Fan Nolin, me Luigj Gurakuqin e Mihal Gramenon, me Ernest Koliqin e Lasgush Poradecin nuk kishte si të mos i dinte dhe ndiente këto probleme të mëdha kombëtare. Reagimet e tij ishin dykahore: artistike dhe propagandistike.

Koha ishte epike, pasi që edhe mendimet i kërkonte të një shkalle të tillë.

Historia e letërsisë njeh krijues më të talentuar, krijues më vëllimorë dhe më laryshi gjinish letrare, por jo edhe një idealist si Asdreni, i cili jeton, vepron, vuan dhe gëzohet vetëm për poezinë dhe atdhetarinë.



KOSOVËS


Kosovë, o vend’i famshëm i trimnis

Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!

Ti bjeshkat plot vjollca rreth i ke

Si vahë e virgjën: nuse sikur je;

Dhe malet me bor

Mi krye i ke kunor!


Kosovë, o atdhe i lavduem i burrniis

Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelliis!

Nalt mbaje kryet t’and si gjithmoon

Difto-u e zonja; koha sot e don

Ti t’çohesh përsëri

N’luftë t’mbarë për liri!

Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija

Me burrat ti q’i leen, t’gjetë si selvija,

Sakola mali, shoq në bot’ që s’kanë

Si luaj e si dragoj plot forcë që janë,

Që e derdhin gjakun prrue

Atdhen për me shpëtue!


Ke bij që s’kanë drojë asnji pikë

As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë

Anmikut kur i sulen me rrebtësii

Si breshni mi te hidhen me duhii

Sa bije e krye s’ngreh

Por eshtnat dheut i le’.


Gra e vasha ke, si zana sy- mëdha

Trimnesha, qi Shqipnija din m’i ba

Qi rrokin armët në luftë me gas tuj shkue

Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue!

Për ndeer të shtëpisë s’vet,

E falin shpirt e jet!


Te toka jote aq luftna janë ba

Kur trimat prekin dekën pa me qa

Kur nana e motra lot derthin pa pra;

Ata me gjakun dheun e kanë la

Si di Shqiptari n’jet!

M’e ba detyrn’ e vet!


Kosovë, o trimneshë, lul’e rrallë

Detyrën tin’e ke me dal sot në ballë

Se mbrrini koha, tokën për m’e mprue

Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue

Se mjaft e kan robnue

Dhe n’zjarm e kanë prue!


A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë

Që të huejt para syve të t’venë ledhe

Për me t’rrëzue nër kamb’ e për me t’shkel

Për me t’ba gjithë copë, mirë se ju del

Dhe duersh mos t’ lëshojn’

Prej faqes s’dheut të t’shojn!


Ku jeni pra ju burra, ju luftarë

Kosovas, o të vlershmit ushtarë

Që keni për tan’botën luftue gjithmoon

Ndër drejt vall gjaku ma nuk ju valon

Pak ju me u – përment

Për votër e për vent?


Nuk shifni rrotull jush, Grek e Bullgar

I flliquni Srbijan, Sllav barbar

Kosovën si e mbajn nën kamb t’tyne nën themrë

Si ja çpojnë syt’ e faqet e deri n’zemër;

Duen emnin me ja çdukë;

Me dekë pa uj e pa bukë!


Disa ‘Serbi e vjetër’ duen me i thanë

‘Maqedhoni’ do t’jerë emnin ja lanë!

Atyne si u pëlqen kufijt i venë

Shqipnija veç mbas dojes s’tyne me kjenë;

Mendojnë pa turp kurrfarë

Se s’ka nji komb shqiptarë!


Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë

Prej ziis pështonëje Kosovën e ngratë

At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e duur

Q’anmiqt e kan vorrue me dhe e me guur,

Me lott qi qan e ankon

E asnji nuk i ndihmon!


Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fee

Po nanën ju kujtoni qi u ka lee

Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve

Prej bijvet e harrueme mi ket dhee!

Se asht turp i math për ju

Të huejt me i çnderu!


Sot ora mbrrini dita e bekueme

Shqipniin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!

Kosovës emnin me ja ngref te qilli

Për çud të botës sa ka me shkëlqye dilli

Me rrnue një Shqypnii

Si zonjë në lumnii.


Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini

Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini!

Në Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë

Një trup bani-e an’e mb’anë Shqypninë

Si ç’trimit mirë i prek

Me nder luftë me dek!!


Aleks Stavre Drenova - Asdreni

19 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page