top of page

Koshientë për të shkuarën


LIBRI: "JETA IME MIDIS EMOCIONEVE DHE PROFESIONIT" I PROFESOR ZAÇE MALAJ Koshientë për të shkuarën e para 1944-trës, ku analfabetizmi në Shqipëri ishte 90% e popullsisë. Ky tregues kulturor, tregonte qartë dukurinë e rëndë shoqërore e kulturore të vendit tonë, i ndodhur në regjime shtypëse e të prapambetura, kur një pjesë e madhe e popullsisë nuk di shkrim e lexim. Nuk po ndalem në psenë e kësaj situate, sepse dihen sjelljet arrogante të perandorive që na shkelën për 2000 vite, bashkë me fqinjët plot mllef dhe egërsi ndaj etnisë shqiptare. Gjyshërit tanë, ajo situatë nuk u dha mundësinë për të shkruar. Ne u rritëm me gojëdhanat, legjendat, mitet, përfytyrimet që na krijoheshin nga rrëfimet gojore të gjyshërve tanë, për të shkuarën e tyre. Këtë të vërtetë e gjejmë edhe në dedikimin që miku im Zaçja shkruan në fillim të librit : "Posaçërisht ia dedikoj gjeneratës së ardhshme të familjes, ….. kur të rriten, nëse do t'u lindi kurioziteti, të dinë se kush ka qenë gjyshi dhe të parët e tyre, ata mund ta, shuajnë sado pak kureshtjen, në rrjeshtat e këtij libri modest kujtimesh"!. Ndërsa ne, nuk e patëm këtë privilegj nga një, dy breza e më shumë para nesh. Sa e drejtë dhe me vend është sjellë nga profesor Zaçja, shprehja e Ciceronit: "Të mos njohësh ato që kanë ndodhur para se të lindje ti, është si të mbetesh gjithë jetën kalama". Njëherazi kujton edhe qëllimin e pushtuesave perandorakë (romakë, bizantë, osmanë) dhe fqinjëve, të cilët luftuan me të gjitha mjetet kundër gjuhës sonë të folur dhe të shkruar, për të mbetur brenda kufirit kohor të një jete njeriu dhe jo më tej. Ndaj në ato kushte, tepër të vështira, gjyshërit tanë zgjodhën rrugën e tregimit të së shkuarës nëpërmjet përrallave, legjendave, miteve, objekteve të mbi dhe nëndheshme, shpellave, kalave, apo ngjarjet e kohëve të shkuara si luftërat, vrasjet, dëshmitë mbi dashuritë, armiqësitë që i lidhnin me vendet brenda kufijve të fshatrave etj. Rrëfime të cilat pavarësisht se mungonin të shkruara, në formën e këshillave, ato urtësonin dhe shtonin dituritë ndër breza. Këto ndikuan në ruajtjen e identitetit etnik, na siguruan mbijetesën e trinomit etnik: "Gjuhë, gjak, gjeografi". Kombi shqiptar ishte në errësirë, ndërsa agresorët përfitonin elementët tanë më të mirë kulturor, i shkruanin në libra e tyre, duke shtrëmbëruar historinë tonë. Na vidhnin gjithçka të shkuar, ndërsa ne, ropateshim maleve, shtigjeve në ruajtje të farefisnisë. Shkrimet e tyre na tjetërsonin nga një popull më i lashtë, në një popull me bisht, popull barinjsh, popull i egër, pa kulturë, na vodhën trojet, me anë të kishave dhe xhamive, na konvertuan në kombe të tjera me synime spastrimin etnik, pse jo dhe me shfarosje fizike brenda vetvetes. Një humbje katastrofike e madhe ndërshekullore. Pasoja që rrodhën nga masat drastike të dymijëvjeçarëve të huaj kundër shkrimit dhe leximit të gjuhës, kulturës, gjithë historisë tonë. Të gjitha këto i gjejmë tek libri i profesor Zaçes. Erdhi viti 1945, kur u hapën shkollat në të gjithë vendin. Lindi epoka e re, u shpërndanë retë e zeza që errësuan në mijëvjeçarë historinë e dardano- arbëroro-epirote, filloi të shkruhet dhe lexohet me shkronjat shqipe të Kongresit të Manastirit (1908), në vend të harfeve (gërmave të alfabeteve të huaja). Me ato shkronja që po lexojmë edhe këtë libër të rrallë të profesor Zaçes, i cili, siç ka shkruar Melarme: "gjithçka në botë ekziston për tu derdhur në libër". Dhe libri shkruhet për tu lexuar, prej nga njohim të shkuarën, të sotmen dhe krijohen ide për të ardhmen. Vazhdoj leximin e librit dhe në çdo fjali shpalosen të panjohurat, jo vetëm të Fterrës dhe fterrjotëve, por ngjarje të shumta, tejet të hidhura të fshatrave të Shqipërisë së jugut, ku fqinji jugor digjte dhe vriste në emër të "megalloidesë". Me antishqiptarë të tërbuar, si shën kozmai, zbrisnin male e fusha, brenda trojeve tona, për të mos u folur dhe as për tu shkruar gjuha shqipe, por vetëm ajo, gjuha e kishës ortodokse bizantine. Djegje, vrasje, rrëmbime pasurish, dhunime dhe dëbime, kaloi fillim shekulli i XX në gjithë Jugun shqiptar. Fatkeqësi shqiptare mungesa e të shkruarit të tragjedive, ndaj shpesh u besojmë referimeve të shkrimeve të të huajve, ato kanë marrë dhe një farë besimi, prandaj edhe profesor Zaçja na sjell frazat e anglezes Edit Durham, e cila ka shkruar: "Nuk mund t'i besoj ato që kam parë. Më duket sikur jam në një ëndërr të keqe me grekët. Edhe sikur një shekull të tërë të bëjnë pendesë, ata nuk mund ti shlyejnë krimet e urryera që kanë bërë ndaj shqiptarëve". Nuk mundet ta lë pa theksuar edhe një të vërtetë, e cila na ndodh shpesh gjatë shkrimeve të brezit tim e më pas. Për të njohur të shkuarën tonë, shpesh herë gjatë studimeve, mbajmë shënime për ç'farëdo ngjarje ku flitet për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sigurisht të marra në disa burime dhe të besueshme, kjo metodë studimi, siç u tha, e detyruar nga mungesa e shkrimeve shqipe nga të parët tanë. Autori i librit jep ngjarje tepër të tmerrshme, të kryera nga grekët gjatë dyqind viteve, në gjithë jugun tonë, por dhe veçanti për krahinën dhe Fterrën e tij. Ngjarjet e vërteta dhe rrënqethëse, në libër janë përshkruar me emra, vende dhe kohë, gjë që nuk lë dyshime për sajesa. Lexuesi njihet me synimet armiqësore të kishës dhe shtetit ortodoks fqinj, i cili vazhdon edhe sot me ëndërrat e helenizimit deri në lumin Shkumbin. Në një kapitull me tepër vlera, autori përshkruan prejardhjen, gjenezën e trungut familjar. Me përpjekje këmbëngulëse arrin të zbulojë të shkuarën e familjes dhe fisit të tij, ajo që u mungon shumë familjeve dhe fiseve shqiptare. Më tej leximi na njeh me kapitullin e fëmijërisë, kujtime dhe plot nostalgji. Lexon dhe ndjen ato emocione të moshës të mrekullueshme, e cila mbetet e paharruar për këdo. Ngacmuese janë kujtimet e tij lidhur me daljen e bursës për të vazhduar shkollën e mesme. E lexoj kapitullin dhe më vijnë kujtimet që ngjasojnë me ato të Zaçes. Një sistem arsimor për kohën i pëlqyer. Arsimi i mesëm ishte tepër i rëndësishëm, prej nga ku hidheshin bazat për më tej, por dhe për drejtimin që merrte jeta. Niseshim nga fshati me valiçe druri, ktheheshim me dije profesionale të cilat u plotësuan me fakultetet përkatëse, u paisëm me tituj profilesh të caktuara. Me zell, ndërgjegje dhe përgjeghshmëri, dijet teorike u konkretizuan në praktikë, duke ngritur sistemin e bujqësisë në nivele bashkëkohore. Këto arritje i gjejmë të shprehura nga autori në librin e tij: "brezi jonë u përpoq të bënte më të mirën". Ndërsa ne, fëmijët e prindërve, përgjithësisht pa shkollë, siç dihen arësyet, merreshim me libra, ata ropateshin për të mbijetuar, kryesisht me bujqësi dhe blegtori. Të më fali profesor Zaçja, por rrjedhojë e leximit të librit të tij, më duhet të theksoj dhe bujarinë që kishte çdo derë shtëpie, kasolleje apo stani, në ato këhëra jo pak të vështira. Për këtë bujari, po citoj një frazë nga libri juaj për t'ju sjellë në kujtesë brezit të pas nesh dhe më tej: "..babai, thotë Zaçe, kur shihte ndonjë kalimtar tek shkonte poshtë apo lart, i fliste nga lëmi: "O udhëtar! Ndalu e urdhëro në stan, të shkëmbejmë një duhan apo të pimë një gotë dhallë".!. Autori vazhdon të përshkruaj udhën e jetës së tij shkencore, sukseset, trajnimet në disa shtete, detyrat shtetërore që ka ka patur, punën e tij të palodhur kërkimore shkencore dhe shumë frytëse në ngritjen e nivelit të tij shkencor, ku aktualisht mban titullin profesor doktor. Në të gjitha këto kapituj, me një lexim të thelluar, arrihet të kuptohet se toka e Fterrës, shquhet për njerëz bujarë, intelektualë të shquar që i kanë dhënë dhe i japin shoqërisë kontribute të vyera profesionale në të gjitha specialitetet. Të shumtë janë fteriotët me tituj, kariera të ndryshme dhe me grada të larta shkencore. I uroj suksese autorit për këtë libër plot vlera. Çdo lexues i librit, do kuptojë vlerat e shoqërisë shqiptare në tërësi, të fteriotëve dhe të autorit, i cili me thjeshtësinë që e karaktrrizon përshkruan jetën e tij, të familjes, por që përkojnë edhe me jetën e secilit prej nesh që jemi rritur, shkolluar dhe jetuar në të dy këta shekuj, me dy rregjime krejtësisht të ndryshëm. Urime miku im. Fahri Dahri. Tiranë, më 30/07/2023.-

13 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page